Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Një politikë e arkitekturës për Kosovën

Foto nga Freepik

25 vite më parë, në vitin 1991, Holanda kishte hartuar dokumentin e parë strategjik për arkitekturën: Politikën e Arkitekturës. Një politikë kjo e përditësuar nga koha në kohë deri në ditët e sotme, e cila ka mundësuar që arkitektura holandeze dhe dizajni hapësinor në këtë shtet të zhvilloheshin fuqishëm, duke bërë që institucionet dhe dizajni të gëzojnë një reputacion të mirë dhe të tërheqin në Holandë njerëz nga mbarë bota.

Në anën tjetër, vendi ynë Kosova, 25 vite më parë nuk e kishte mundësinë që të merrej me hartimin dhe zbatimin e politikave të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, pasi që vendi përballej me një aparteid të strukturuar të regjimit serb kundër shqiptarëve, të cilët ishin dëbuar nga të gjitha institucionet e Kosovës, shkollat dhe universiteti ishin mbyllur dhe tanimë shqiptarët konsideroheshin qytetarë të dorës së tretë.

Dhjetë vite më vonë, në vitin 2001, përderisa Këshilli i Bashkimit Evropian kishte miratuar Rezolutën mbi kualitetin arkitektonik në mjediset urbane dhe rurale (2001/C 73/04), ku mes tjerash kërkohej nga shtetet anëtare të BE-së që të siguroheshin që kualiteti arkitektonik dhe natyra specifike e shërbimeve arkitekturore të merreshin në konsideratë gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave, masave dhe programeve të këtyre vendeve, vendi ynë kishte kaluar vetëm 2 vite të tranzicionit të pasluftës çlirimtare dhe ende nuk kishte themeluar institucionet qendrore përgjegjëse për arkitekturën dhe për planifikimin hapësinor. Ende nuk ishte hartuar Ligji për Planifikim Hapësinor dhe Ligji për Ndërtim, e lëre më të hartohej ndonjë politikë nacionale për arkitekturën. Ndërtimet pa leje dhe kaosi urbanistik-arkitektonik vazhdonin gjithandej në Kosovë.

Vetëm dy vite pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të BE-së  mbi kualitetin arkitektonik në mjediset urbane dhe rurale, me themelimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, hapen mundësitë që të ndërmerren hapa të rëndësishëm në rregullimin ligjor dhe institucional të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor. Në vitin 2003 themelohet Instituti i Planifikimit Hapësinor, dhe po këtë vit, Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Planifikim Hapësinor, ndërsa në vitin 2004 miratohet Ligji për Ndërtim. Me gjithë anët pozitive të këtyre ligjeve, është paradoksale që në përmbajtjet e tyre askund nuk përfshihet dhe as nuk definohet kualiteti arkitektonik dhe ai i dizajnit hapësinor. Qasja e këtij legjislacioni ishte më shumë e fokusuar në aspektin teknik të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, duke mos i trajtuar në mënyrë më gjithëpërfshirëse aspektet tjera themelore të arkitekturës.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, u krijuan mundësi edhe më të mëdha për të ndërtuar një qasje të re bashkëkohore ndaj arkitekturës dhe planifikimit hapësinor. Gjatë këtij viti, Këshilli i BE-së miraton Konkluzionet lidhur me arkitekturën: kontributi i kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm (2008/C 319/05). Duke promovuar një vëmendje të veçantë për kualitetin arkitektonik, duke inkurajuar krijime të kualitetit të lartë arkitektonik, si një stimulues ekonomik dhe një atraksion turistik për qytetet, Këshilli i BE-së kishte ftuar shtetet anëtare të mundësojnë që arkitektura dhe karakteristikat e saj specifike, në mënyrë të veçantë aspekti i saj kulturor, të përfshihen dhe të luajnë një rol të integruar dhe inovativ në të gjitha politikat relevante, posaçërisht në politikat e hulumtimeve, ato të kohezionit ekonomik dhe social, në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në politikat e edukimit.

Me gjithë këtë bazë të qëndrueshme të dokumenteve të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës edhe me miratimin e Ligjit të ri të Ndërtimit në vitin 2012 dhe Ligjit të ri të Planifikimit Hapësinor më 2013, nuk ka promovuar frymën e trajtimit gjithëpërfshirës të vlerave të arkitekturës në legjislacionin përkatës. Në Ligjin e Ndërtimit nuk trajtohet fare aspekti kulturor, ekonomik dhe social i arkitekturës, nuk trajtohet kualiteti arkitektonik i projekteve, as kualiteti vizual estetik i bukurisë së objekteve. Aspekti i kualitetit vizual estetik të bukurisë së objektit nuk trajtohet as në nenin përkatës për Kushtet Ndërtimore të Ligjit për Planifikim Hapësinor, e as me aktet nënligjore.

Kjo qasje e deritanishme ndaj arkitekturës nga ana e institucioneve kosovare dëshmon mungesën e një vullneti të mirëfilltë politik për ta trajtuar me seriozitet dhe përgjegjshmëri rolin e arkitekturës në proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe kulturor; dëshmon mungesën e vizionit dhe dijes për ta shfrytëzuar arkitekturën për promovimin ndërkombëtar të identitetit evropian të shtetit të Kosovës përmes dizajnimit dhe ndërtimit të objekteve të suksesshme bashkëkohore arkitektonike, që do të mund të ishin ikona kulturore dhe turistike të Kosovës. Kjo mungesë e vullnetit politik institucional është dëshmuar edhe me mungesën e nismës për hartimin e zbatimin e një strategjie zhvillimore për arkitekturën – të Politikës së Arkitekturës së Kosovës, e cila do të përcaktonte qëllimet, parimet, prioritetet dhe instrumentet për ta “riaktivizuar” arkitekturën dhe planifikimin hapësinor në shërbim të zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit dhe të shoqërisë kosovare.

Por, para se të prezantoj nismën konkrete të zhvillimit të Politikës Arkitekturore të Kosovës, do të analizoj gjendjen aktuale të arkitekturës së objekteve publike në Kosovë, bazën ligjore të arkitekturës, dokumentin kryesor strategjik zhvillimore dhe dokumentin kryesor të zhvillimit hapësinor të Kosovës, shikuar nga konteksti i trajtimit të kualitetit arkitektonik të projekteve dhe i përvojës së suksesshme ndërkombëtare.

Qasja institucionale ndaj arkitekturës publike në Kosovë

Analizën krahasuese lidhur me çështjen e trajtimit të kualitetit të arkitekturës së objekteve publike në Kosovë e kam prezantuar në shkrimin tim të fundit. Kësaj radhe, dua të ndalem tek organizimi funksional i institucioneve kosovare në fushën e arkitekturës..

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përveç hartimit dhe monitorimit të zbatimit të legjislacionit në fushën e planifikimit hapësinor, ndërtimit, banimit, ujërave dhe mjedisit si dhe përveç hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor, në disa raste është marrë edhe me ndërtimin e infrastrukturës teknike në disa komuna. Në anën tjetër, në vend që të fokusohet në ndërmarrjen e reformave kualitative strukturore në arsim, shkencë dhe teknologji, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, merret me projektimin dhe ndërtimin e shkollave dhe universiteteve publike. Përderisa, Ministria e Shëndetësisë në vend që të vërë në binarë të duhur shërbimet shëndetësore për qytetarët, ajo merret me ndërtimin e spitaleve, klinikave e instituteve shëndetësore. Me projektim dhe ndërtim merret në mënyrë të veçantë Ministria e Administratës Publike, ku funksionon Departamenti i Standardeve dhe Politikave të Inxhinieringut dhe të Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare. Po ashtu, këtë punë e bëjnë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës merret ekskluzivisht me ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Të njëjtën praktikë e zbatojnë edhe komunat dhe institucionet tjera publike. Mos të harrojmë: Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, pa asnjë arkitekt dhe planifikues hapësinor në përbërjen e vet, kontrakton dhe mbikëqyrë zbatimin e projekteve për ndërtim kompleksesh memoriale dhe tenton të kontraktojë hartimin e planeve hapësinore. Pra, gati çdo ministri e Qeverisë së Kosovës, gati çdo agjenci, çdo komunë merret me projektimin, ndërtimin e objekteve publike dhe të infrastrukturës teknike dhe rrugore dhe po ashtu merret edhe me planifikim hapësinor.

Dhe rezultati është ky: kryesisht janë projektuar dhe ndërtuar objekte publike të niveli të ulët të kualitetit arkitektonik dhe urbanistik. Në kualitetin e dobët të projekteve të objekteve publike ka ndikuar edhe mungesa e trajtimit të kualitetit arkitektonik dhe të dizajnit hapësinor në kuadër të legjislacionit të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe mbi të gjitha mungesa e një vullneti politik institucional për të njohur vlerën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor në shoqërinë demokratike.

Në kuadër të reformave, një riorganizim institucional i qeverisë mund të përfshinte për shembull në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, edhe Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu siç dëshmon edhe praktika holandeze e organizimit të qeverisë, ku fusha e mjedisit, planifikimi hapësinor dhe i infrastrukturës janë të përfshira në kuadër të një ministrie që quhet: Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit. Ndërsa tek ne mund të quhej Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në anën tjetër, punët e projektimit dhe ndërtimit që bën Ministria e Kulturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e FSK-së dhe ministritë tjera, do të mund të fuzionoheshin brenda kompetencave të një departamenti: Departamenti i Standardeve dhe Politikave të Inxhinieringut dhe të Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare, – si një departament qendror që do merrej me projektimin dhe ndërtimin e objekteve publike në institucioneve në nivelin qindor. Ndërsa, me hartimin e Planeve Hapësinore të nivelit nacional, ashtu siç parashihet edhe me Ligjin e Planifikimit Hapësinor do të merrej Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila do të merrej edhe me infrastrukturën rrugore.

Përmes këtyre reformave që duhet të jenë të bazuara në qasje serioze dhe të studiuara mirë, do të evitohej projektimi dhe zbatimi i projekteve të dobëta, të mbikëqyrura nga kuadro jokompetente me paga të ulëta; do të mund të investohej në kuadro të mirëfillta të përgatitura në fushën e arkitekturës, dizajnit hapësinor dhe inxhinierisë; do të përcaktoheshin standarde të mirëfillta të projektimit të objekteve publike, bashkë me manualet përkatëse të këtyre standardeve projektuese (për shembull, së fundmi në Shqipëri, Ministria e Zhvillimit Urban ka hartuar dhe qeveria ka miratuar Standardet e projektimit të çerdheve, ndërsa tek ne nuk është hartuar asnjë standard, e as manual për çerdhet, as për objektet universitare, e as për objektet kulturore, sportive dhe administrative). Në kuadër të këtij procesi ristrukturimi dhe reformimi, po ashtu duhet vendosur një politikë të mirëfilltë të prokurimit publik të konkurseve të projektimit lidhur me projektet arkitektonike, politikë kjo e cila do të rezultonte me një mjedis arkitektonik dhe urbanistik, të projektuar më mirë se deri më tani. Në funksion të promovimit të kësaj qasjeje të re bashkëkohore institucionale për arkitekturën, do të duhej të hartohej dhe të zbatohej një udhëzim administrativ për organizimin e konkurseve të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor dhe për hartimin e detyrave projektuese të tyre.

Në ngritjen e nivelit të projektimit dhe ndërtimit të objekteve publike, përkatësisht në promovimin e ekselencës në arkitekturë do të ndihmonte edhe praktika evropiane, në mënyrë të veçantë praktika norvegjeze, holandeze dhe daneze e shpërblimeve (çmimeve) në arkitekturë dhe në infrastrukturë. Në Norvegji përveç shpërblimeve për objekte arkitektonike, në vitin 1988 është themeluar Çmimi “Beautiful Roads Award” i cili vazhdon të jepet çdo vit. Administrata Publike Norvegjeze e Rrugëve këtë çmim e ndan për kualitetin e mirë estetik të rrugëve, rrugëve të lagjeve, urave dhe tuneleve ose infrastrukturës tjetër rrugore, projekte këto që duhet të jenë të ndërlidhura mirë me rrethinën. Ky shpërblim synon adaptimin e mirë të kualitetit të peizazhit dhe atij arkitektonik në projektimin e rrugëve dhe rrugëve të lagjeve. Shpërblimi për rrugët e bukura (Beautiful Roads Award) vazhdon të ketë ndikim pozitiv strategjik përmes identifikimit të projekteve të suksesshme dhe është një stimulues i kualitetit në projektet e mëdha dhe të vogla. Kjo është një praktikë që mund të zbatohet dhe të ketë sukses edhe në vendin tonë.

Kuadri ligjor i arkitekturës në Kosovë

Në Ligjin e Ndërtimit në Kosovë fjala arkitekturë apo arkitekt përmendet vetëm 2 herë: një herë në nenin 3, pika 1.5.2. ku përcaktohet se çka nënkuptohet me rindërtim, ku mes tjerash përmenden në mënyrë të përgjithësuar elementet arkitekturore, si dhe përmendet në nenin 38 tek Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare, ku potencohet Udhëzimi administrativ për provimin profesional dhe licencimin e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Fjala kualitet në këtë ligj përdoret vetëm 1 herë, në nenin 26, dhe atëherë jo në kontekst të kualitetit arkitektonik, por në kontekst të kualitetit të përcaktuar për produkte ndërtimore të përdorura. Ligji i Ndërtimit, përveç se nuk e trajton kualitetin arkitektonik të projekteve, nuk e definon fare as kualitetin vizual, estetik dhe të bukurisë së projekteve, dhe si rezultat fjala kualitet vizual, estetik dhe bukuri nuk përmenden fare në këtë ligj.

Kualiteti arkitektonik nuk trajtohet fare as në legjislacionin dytësor të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë. Kjo vlerë arkitektonike nuk është e integruar as në aktin nënligjor për Kushtet e ndërtimit, ku e tëra që kërkohet në kuadër të kushteve të ndërtimit lidhur me aspektin vizual, estetik dhe të bukurisë është përcaktimi i materialeve të mureve të jashtme të ndërtimeve të reja dhe e drejta e ndriçimit natyror për dritaret ekzistuese. Ndërsa, në Draft-rregulloren për normat minimale teknike për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi, si dhe për hapësirat në funksion të tyre, në nenin 24 përcaktohen kriteret për hapjet në fasadë, por jo në aspektin e trajtimit të estetikës dhe bukurisë së objektit, por në aspektin teknik dhe atë të sigurisë.

As me nenin 6 të Ligjit të Ndërtimit, ku përcaktohet përpilimi i Kodit unik të ndërtimit të Republikës së Kosovës, askund nuk është i përfshirë kualiteti arkitektonik, si një nga kriteret kryesore të projektimit. Është e pakuptimtë që në pikën 2 të këtij neni tek qëllimet e kodit, përfshihet sanitaria, ndërsa nuk përfshihet fare kualiteti arkitektonik. Pasi ky kod është në proces të hartimit, është jashtëzakonisht me rëndësi që në kuadër të qëllimeve të kodit të përfshihet dhe të detajohet më thellësisht kualiteti arkitektonik.

Bazuar në shkencën dhe praktikën ndërkombëtare, është dëshmuar se kualiteti i lartë arkitektonik i ambientit të ndërtuar kontribuon jashtëzakonisht shumë në nivelin e lartë të kualitetit të jetesës dhe siguron objekte dhe rrethinë atraktive dhe funksionale. Arkitektura e nivelit të lartë mund të kontribuojë në mirëqenie, qëndrueshmëri dhe në krijimin e vlerave, duke inspiruar edhe konservimin dhe pasurimin e vlerave arkitektonike.

Është e paarsyeshme që edhe në Ligjin e Planifikimit Hapësinor nuk trajtohet fare aspekti i kualitetit arkitektonik. Edhe pse në nenin 4 të këtij ligji në kuadër të parimeve të tij potencohet promovimi i cilësisë së lartë të jetesës dhe sistemeve të qëndrueshme për zhvillimin e vendbanimeve, promovimi i kualitetit arkitektonik nuk është i përfshirë fare në këtë ligj. Në ligj nuk mund ta gjesh askund as kualitetin vizual, estetik, dhe atë të bukurisë arkitektonike.

Po ashtu, edhe në Draft-aktin nënligjor për hartimin e Planeve Rregulluese të Hollësishme, nuk trajtohet në mënyrë meritore kualiteti arkitektonik i objekteve. Vetëm në nenin 12 përmendet vëllimi dhe forma e strukturave zhvillimore, duke përfshirë dhe diellzimin e strukturave ndërmjet, por kjo çështje nuk është e rregulluar në mënyrë të detajuar dhe nuk trajtohet nga këndvështrimi i aspektin e kualitetit vizual, estetik dhe të bukurisë arkitektonike. Pasi edhe ky akt nënligjor është në proces të diskutimit, do të ishte mirë që në përmbajtjen e tij të përfshihet në mënyrë të analizuar kualiteti arkitektonik i objekteve, me theks të veçantë aspekti i kualitetit vizual, estetik, të bukurisë arkitektonike.

Kuadri ligjor dhe praktika evropiane e arkitekturës

Në krahasim me legjislacionin kosovar të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, në legjislacionin e Norvegjisë, përkatësisht në Aktin ligjor të Planifikimit dhe të Ndërtimit janë të përcaktuara udhëzimet për kualitetin arkitektonik, duke shfrytëzuar këtë terminologji: dizajni estetik i rrethinës, kualitetet vizuale, dizajni i mirë arkitektonik dhe praktika e mirë ndërtimit. Në këtë akt ligjor, këto kualitete arkitektonike definohen edhe në mënyrë më të zgjeruar:

1) Formulimi i dizajnit estetik të rrethinës përfshinë dizajnin e mirë të rrethinës së ndërtuar, mjedise të mira rezidenciale dhe mbrojtjen e kualiteteve të peizazhit;

2) Kualiteti i mirë vizual nënkupton që objekti, përmes formës së tij të shprehë funksionin dhe kualitetet tjera vizuale, siç është raporti ndërmjet vëllimit dhe lartësisë, shprehja e fasadës dhe kualitete tjera, që duhet të jenë të mbrojtura në projektim dhe në ekzekutim të projektit;

3) Termi dizajn i mirë arkitektonik që shfrytëzohet si një term i përgjithshëm për integrimin e kualiteteve vizuale, shfrytëzueshmërisë, funksionalitetit dhe dizajnit universal të projektit;

4) Praktika e mirë ndërtimit shfrytëzohet lidhur me të kuptuarit e arkitekturës si një rrethinë e ndërtuar mirë (kulturë e mirë e ndërtimit). Termi praktikë e ndërtimit shfrytëzohet për shembull për ndërlidhjen me përpjekjet e Fondit  të Banimit (Housing Bank’s efforts) për të promovuar arkitekturën e mirë.

Duke pasur parasysh këto parime të respektimit të kualitetit arkitektonik dhe rolit të arkitekturës në rritjen e kualitetit të jetesës është e paimagjinueshme se si kualiteti arkitektonik dhe vetë arkitektura është injoruar skajshmërisht në kuadër të procesit të përpilimit të legjislacionit të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë.

Rëndësia e trajtimit të kualitetit estetik dhe të bukurisë së objekteve, më së miri vërehet në kontekstin arkitekturor të objekteve publike që janë ndërtuar në Kosovë. Është konstatim i shumicës së njohësve të rrethanave kosovare të arkitekturës që shumica e objekteve publike të ndërtuara në dekadën e fundit kanë kualitete të ulëta estetike dhe nuk krijojnë asnjë identitet të mirëfilltë arkitektonik. Vetëm krahasoni vlerat estetike të objektit të Fakultetit të Edukimit në raport me vlerat estetike të objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe mund të shihni se cili është niveli i dizajnit arkitektonik të objekteve publike të ndërtuara së fundmi në kryeqytet!

Prandaj, mungesa e trajtimit të kualitetit të bukurisë së objekteve arkitektonike në legjislacionin aktual të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë, ka krijuar mundësi të shumta për arkitektët e dobët të projektojnë objekte të dobëta jo vetëm për nga aspekti funksional dhe urban, por edhe për nga aspekti i bukurisë arkitektonike dhe i krijimit të identitetit kulturor dhe social të objekteve.

Se sa i kushtohet rëndësi aspektit të bukurisë arkitektonike të objekteve dëshmon praktika e Norvegjisë, ku në vitin 1996 është hartuar dhe ka filluar së zbatuari Udhëzuesi lidhur me estetikën e objekteve publike. Në këtë udhëzues bukuria-estetika e objekteve publike bën pjesë në kuadër të kërkesave kryesore për kualitet të lartë arkitektonik.

Sipas një hulumtimi të kryer nga Fondacioni Federal Gjerman i Kulturës së Ndërtimit (The Federal Foundation of Baukultur) në komunat e Gjermanisë, në mbi 70 për qind të qyteteve të hulumtuara theksohet se garancia e kualiteteve të kulturës së ndërtimit (Baukultur) brenda mjedisit të përditshëm luan një rol të rëndësishëm. Mbi të gjitha, estetika-bukuria, dizajni dhe identiteti lokal, konsiderohen nga ekspertët në administratën lokale që janë veçanërisht të rëndësishme për kualitetin e mjedisit të ndërtuar.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç kritereve të sipërpërmendura arkitektonike që mungojnë në legjislacionin kosovar të këtyre fushave, mungojnë edhe standardet e projektimit arkitektonik të objekteve publike, me përjashtim të disa standardeve për projektimin e objekteve shkollore, të cilat janë publikuar nga Ministria e Arsimit.

Po ashtu, përcaktimi i manualit apo rregullores së tarifave për shërbime të planifikimit hapësinor, projektimit, revidimit dhe mbikëqyrjes është i një rëndësie të veçantë për krijimin e mundësive për të bërë arkitekturë në Kosovë. Kjo çështje në Zvicër është zgjidhur përmes rregulloreve të Shoqërisë Zvicerane të Inxhinierëve dhe Arkitektëve (SIA) lidhur me shërbimet e arkitektëve, inxhinierëve të ndërtimit, inxhinierëve të elektroteknikës, inxhinierëve mekanikë dhe inxhinierëve-ekspertë të instalimeve të ndërtimit, ku janë të përcaktuara edhe çmimet e këtyre shërbimeve. Po ashtu, edhe praktika e Shqipërisë, ku nga Qeveria është miratuar një manual i tarifave të shërbimeve të sipërpërmendura është një praktikë e mirë, e cila mund të zbatohet edhe në Kosovë. Profesioni i arkitektit, i planifikuesit hapësinor, i inxhinierëve duhet të trajtohet konform standardeve ndërkombëtare, e jo siç është trajtuar deri më tani në Kosovë – në mënyrë diletante. Në këtë drejtim, përshpejtimi i themelimit të Odës së Arkitektëve, Odës së Planifikuesve Hapësinorë dhe Odës së Inxhinierëve, bazuar në parimin e avancimit të vazhdueshëm profesional të anëtarëve të këtyre institucioneve që rregullojnë këto profesione, do të ishte një bazë e qëndrueshme për ndërmarrjen e reformave në fushën e Arkitekturës dhe të Planifikimit Hapësinor dhe në ndërtimin e një vizioni dhe strategjie zhvillimore për Arkitekturën në Kosovë.

Mospërfshirja e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në dokumentin kryesor strategjik zhvillimor të Kosovës dhe në programin qeverisës

Në kuadër të dokumenteve strategjike, të parapara me legjislacionin e Kosovës, në nivelin kombëtar është në fuqi Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, ndërsa në fushën e planifikimit hapësinor është në fuqi Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020+.

Në kuadër të prioriteteve strategjike të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, planifikimi hapësinor nuk është i përfshirë fare. Po ashtu, në këtë dokument strategjik arkitektura nuk përmendet në asnjë rast, edhe pse ndonjë laik mund të thotë që termi arkitekturë në këtë dokument është zëvendësuar me fjalën ndërtim.

Edhe në këtë dokument strategjik zhvillimor të Kosovës, më të rëndësishmin në hierarkinë e dokumenteve strategjike, vërehet qasja e gabuar e trajtimit të arkitekturës nga këndvështrimi thellësisht teknik i ndërtimit. Edhe në këtë strategji zhvillimore, mungon aplikimi i praktikës së suksesshme ndërkombëtare për promovimin dhe afirmimin ndërkombëtar të vlerave kulturore, ekonomike, sociale, edukative përmes arkitekturës së objekteve dhe investimeve publike, investime këto që nuk mungojnë në këtë dokument strategjik. Pra, kualiteti arkitektonik dhe vlerat arkitektonike të investimeve të parapara publike nuk gjejnë vend as në dokumentin më të lartë strategjik zhvillimor të Kosovës. Edhe përmes këtij dokumenti shihet se Arkitektura nuk është shfrytëzuar si mundësi e paraparë për të tërhequr vizitorë, dhe investitorë ndërkombëtarë, e as për turizëm. Dhe rrjedhimisht për të gjeneruar vende të reja të punës, ashtu siç definohet edhe me Planin Hapësinor të Kosovës.

Vlerat arkitektonike të shprehura përmes politikave të arkitekturës do të duhej të ishin pjesë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës, duke përcaktuar interesin e përgjithshëm në kualitetin e gjithë hapësirës së vendit, duke u bërë kështu katalizator në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm, gjithashtu në avancimin e vlerave të dizajnit, të bazuara në veçoritë lokale, në mbrojtjen e shëndetit, në vlerat estetike, klimatike dhe ato të sigurisë. Por, kjo qasje nuk ka gjetur vend në këtë strategji zhvillimore të Kosovës, duke dëshmuar në këtë mënyrë mungesën e kulturës institucionale vendimmarrëse për respektimin e potencialit të arkitekturës dhe të planifikimit hapësinor në kuadër të procesit të zhvillimit të qëndrueshëm!

As në kuadër programit qeveritar 2015-2018, Planifikimi Hapësinor nuk trajtohet fare si pjesë përbërëse e prioriteteve të qeverisë për këtë mandat qeverisës. Të vetmet çështje të fushë-veprimtarisë së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që trajtohen në këtë program qeveritar janë: mbrojtja e mjedisit, mbrojtja e resurseve natyrore dhe ujërat. Po ashtu, as Arkitektura as vlerat arkitektonike nuk trajtohen fare në këtë program qeverisës, edhe pse programi është i mbushur me projekte investive të ndërtimit të rrugëve, kapaciteteve energjetike, objekteve publike, por këto projekte trajtohen vetëm nga aspekti i ngushtë investiv teknik e jo si mundësi për promovim të kualitetit arkitektonik dhe kulturor të arkitekturës që do të mund të krijohej përmes këtyre investimeve.

Për dallim prej vendit tonë, vendet me kulturë dhe traditë zhvillimore, i kushtojnë rëndësi të madhe planifikimit hapësinor në politikat e tyre qeveritare. Për shembull, Qeveria e Holandës ka ndërtuar një vizion për Holandën e vitit 2040, me ambicie të qarta, të bazuara në zhvillimin kombëtar dhe ndërkombëtar, që do të determinojnë sfidat e planifikimit hapësinor dhe mobilitetit në prag të këtij afati kohor. Sipas strategjisë qeveritare të Holandës, qëllimi i qeverisë qendrore të Holandës është të sigurohet që vendi të mbahet i sigurt, konkurrues, i qasshëm dhe një vend i mirë për të jetuar. Në këtë kuadër, qeveria holandeze ka zgjedhur tre qëllime afatshkurtra (2028) të projektuara për të mbajtur Holandën konkurruese, të qasshme, të jetueshme (liveable) dhe të sigurt: rritjen e konkurrueshmërisë së Holandës përmes forcimit të infrastrukturës hapësinore dhe ekonomike; përmirësimin, sigurimin e qasshmërinë e hapësirës; dhe garantimin e një mjedisi të sigurt, në të cilin është kënaqësi të jetohet, dhe në të cilin trashëgimia unike natyrore dhe kulturore është e mbrojtur.

 Moszbatimi i Planit Hapësinor të Kosovës – dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e vetëdijes qytetare për të njohur rolin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor

Në strategjinë e zhvillimit hapësinor të Kosovës, – Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020+, si një nga sfidat kryesore të zhvillimit hapësinor përmendet mjedisi jokualitativ jetësor, e që ndërlidhet kryesisht me arkitekturën dhe qasjen shoqërore dhe institucionale ndaj kësaj veprimtarie të rëndësishme. Në këtë pjesë të këtij dokumenti të planifikimit hapësinor trajtohet edhe aspekti kualitativ i hapësirave për banim, punë, tregti dhe afarizëm, si dhe transporti dhe shërbimet, dhe potencohet se duhet të merret parasysh posaçërisht ‘aspekti kualitativ i tyre, me qëllim që hapësira ku jetojmë dhe punojmë të ketë vlerat e veta kulturore estetike’. Po në këtë pjesë të dokumentit si sfidë e rëndësishme për qytetet e Kosovës thuhet se është se ‘si të kombinohen kërkesat kuantitative hapësinore me të arriturat kualitative. Mjedisi jetësor duhet të plotësojë nevojat e ndryshme të banorëve dhe njerëzit duhet të jenë në gjendje të jetojnë dhe kënaqen në të’ – theksohet në Planin Hapësinor të Kosovës. Në këtë frymë, edhe në kuadër të Vizionit për zhvillimin hapësinor të Kosovës si një nga parimet kryesore është përcaktuar Promovimi i kualitetit të përmirësuar të jetës.

Por, lehtësisht mund të konstatohet se me komplekset shumëbanesore të ndërtuara në kryeqytet dhe në shumicën e qyteteve kryesore të Kosovës nuk është respektuar aspak ky parim i vizionit të zhvillimit hapësinor të Kosovës, për arsye se në këto raste nuk është respektuar e drejta elementare e banimit kualitativ, pasi aty mungojnë hapësirat e gjelbra, hapësirat për lojë dhe rekreacion, mungon drita e mjaftueshme natyrore dhe shumë kushte tjera arkitektonike.

Në anën tjetër, tek pjesa e Dispozitave për zbatimin e Planit Hapësinor të Kosovës, ndër kushtet kryesore të ndarjes së hapësirës, sipas karakteristikave të shfrytëzimit dhe destinimit përfshihen këto kritere:

– Hapësirat me destinime të caktuara duhet t’i plotësojnë kushtet e mbrojtjes së mjedisit, ngritjes së kualitetit të jetesës dhe mosrrezikimit të shëndetit të popullatës, shfrytëzimit racional të territorit dhe të resurseve natyrore;

– Hapësirat për banim, për sport dhe rekreacion nuk mund të jenë pranë  kapaciteteve industriale;

– Hapësirat për banim dhe për të gjitha destinimet tjera, me përjashtim të bujqësisë, nuk mund të jenë në tokat bujqësore të kategorive I deri IV;

Të gjithë jemi dëshmitarë se sa janë respektuar këto kushte të përcaktuara me dokumentin më të lartë të planifikimit hapësinor në Kosovë. Në shumicën e rajoneve të vendit, toka bujqësore e kategorive I deri në IV me vendime të jashtëligjshme të komunave është shndërruar në tokë ndërtimore, duke e dëmtuar kështu perspektivën e zhvillimit bujqësor të vendit. Po ashtu, është evident edhe mosrespektimi i kushteve për mbrojtje të mjedisit, ngritjes së kualitetit të jetesës dhe mosrrezikimit të shëndetit të popullatës, shfrytëzimit racional të territorit dhe i resurseve natyrore. Në Prishtinë, në Gjakovë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjilan, në Ferizaj, në shumë raste hapësirat e komplekseve shumëbanesore janë ndërtuar duke mos respektuar këto kritere elementare të planifikimit hapësinor.

Se sa është respektuar kriteri i shfrytëzimi racional të territorit mund të vihet në pah kur analizohet udhëtimi përgjatë rrugës magjistrale nga aeroporti “Adem Jashari” deri në Prishtinë. Përderisa nga aeroporti deri në Fushë Kosovë janë ndërtuar me qindra objekte afariste, shtëpi individuale dhe ndërtesa shumëbanesore, pa respektuar asnjë kriter urbanistik, arkitektonik apo estetik, objekte këto të ndërtuara në tokën bujqësore të kualitetit të lartë, në anën tjetër nga hyrja e Fushë Kosovës deri në Prishtinë del në pah një imazh edhe më skandaloz i realitetit urbanistik-arkitektonik, i cili identifikohet me objekte afariste, objekte shumëbanesore dhe pompa të karburanteve, të përziera dhe të bashkëngjitura me njëra-tjetrën, me një distancë me rrugën magjistrale madje as prej 10 metrave, imazh ky që ‘rrumbullakohet’ me rrethrrotullimin e shtrembër e të pamirëmbajtur në hyrje të Prishtinës, përbri të cilit përkundër mosrespektimit të legjislacionit të infrastrukturës rrugore dhe asaj të planifikimit hapësinor, janë lejuar të funksionojnë objekte afariste dhe shërbyese, të cilat rrezikojnë jetën e qytetarëve. Mund ta imagjinoni se a do të mund ta merrte ky rrethrrotullim shpërblimin “Beautiful Road Award”!

Ky është imazhi i modelit ’kandaharian’ arkitektonik dhe hapësinor të Kosovës! Këto janë ikonat tona! Ky është ‘plani ynë hapësinor’! Ky është identiteti ynë aktual kulturor! Këtu më mirë se askund tjetër, del në pah vullneti politik i munguar dhe mungesa e vetëdijes qytetare dhe institucionale për arkitekturën! Një shkrimtar, këtë fenomen, do ta quante edhe ndryshe: ‘Prania e mungesës’ së vullnetit politik dhe të vetëdijes për arkitekturën, për hapësirën!

Me këtë rast mund të shihet se sa është shfrytëzuar arkitektura, dizajni hapësinor dhe infrastruktura për të krijuar imazhe ikonike arkitektonike dhe hapësinore të Kosovës, që do tërhiqnin vizitorë dhe do të ishin atraktive për investitorë ndërkombëtarë, ashtu siç ka krijuar për shembull Holanda, ku sipas një publikimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit, ky vend vetëm në fushën e planifikimit hapësinor aktualisht promovon 35 ikona të veçanta të planifikimit hapësinor holandez.

Një vullnet politik për arkitekturën!

Nisur nga analiza e gjendjes reale të arkitekturës publike, nga legjislacioni aktual dhe nga të gjeturat e dokumenteve strategjike zhvillimore dhe programi qeverisës, shtrohet domosdoshmëria e hartimit të një strategjie zhvillimore për arkitekturën në Kosovë, – Politikës së Arkitekturës së Kosovës, – si dëshmi e shprehjes së vullnetit politik institucional.

Është koha e fundit që vendimmarrësit politikë të reagojnë për ndaljen e degradimit të mëtejshëm arkitektonik dhe hapësinor të Kosovës, duke përmbushur obligimet e tyre ligjore dhe kushtetuese dhe duke dhënë llogari para qytetarëve për veprimet apo mosveprimet e tyre në këtë aspekt.

Praktika evropiane e hartimit dhe zbatimit të politikave arkitekturore, e shprehur përmes Forumit Evropian të Politikave të Arkitekturës, dëshmon se kjo çështje duhet trajtuar bazuar në respektimin e parimeve të Rezolutës mbi kualitetin arkitektonik në mjediset urbane dhe rurale (2001/C 73/04) dhe Konkluzioneve lidhur me arkitekturën: kontributi i kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm (2008/C 319/05). Brenda kësaj kornize janë identifikuar rreth 30 nisma apo veprime të cilat mund të përfshihen në kuadër të 3 dimensioneve të politikave: 1) Promovimi i dijes dhe vetëdijes (ndërgjegjësimit); 2. Përmirësimi i politikave publike të ndërtimit; dhe 3) Inkurajimi i zhvillimit të qëndrueshëm.

Dimensioni i parë identifikon 12 nisma/veprime që promovojnë rekomandimet e mësipërme të Bashkimit Evropian: 1. Mbështetje për organizimet kulturore; 2. Mbështetje për nismat kulturore; 3. Mbështetje për projekte hulumtuese; 4. Publikime (libra); 5. Udhërrëfyes dhe manual; 6. Uebfaqe dhe bazë e të dhënave të arkitekturës; 7. Shpërblime (Çmime) arkitektonike; 8. Programe edukative (arsimore); 9. Programe të mësimit profesional; 10. Festivale dhe evente të arkitekturës; 12. Mbështetje për arkitektët e rinj; 12. Mbështetje për organizime ndërkombëtare;

Dimensioni i dytë që ndërlidhet me përmirësimin e politikave publike të ndërtimit parasheh këto nisma/veprime tjera që duhet implementuar: 1. Një trup këshillëdhënës të arkitekturës (në nivelin kombëtar); 2. Arkitekti Shtetëror; 3. Arkitekti Regjional (modeli i Finlandës); 4. Një trup këshillëdhënës i arkitekturës (në nivelin lokal); 5. Arkitekti i Qytetit; 6. Projekte hulumtuese (prokurim); 7. Udhërrëfyes dhe manual (prokurim); 8. Shpërblime (Çmime) për objekte publike; 9. Konkurse të projektimit;

Ndërsa, dimensioni i tretë që ka të bëjë me inkurajimin e zhvillimit të qëndrueshëm, përfshin 8 veprime/nisma që promovojnë po ashtu rekomandimet e BE-së: 1. Pilot projekte të qëndrueshme; 2. Publikime, udhërrëfyes dhe manual; 3. Uebfaqe për arkitekturën e qëndrueshme; 4. Subvencione për ndërtime efeciente nga aspekti i energjisë; 5. Qëndrueshmëria në konkurset e projektimit; 6. Shpërblime (Çmime) për arkitekturë dhe qëndrueshmëri; 7. Kërkesa të ashpra energjetike; 8.Eco-label e objekteve;

Sipas praktikës kroate të Politikës të Arkitekturës 2013-2020, përmes politikave arkitektonike është definuar udhërrëfyesi strategjik për arritjen dhe zbatimin e të drejtave themelore të njeriut lidhur me zhvillimin e jetës kualitative, bazuar në parimet në vazhdim: mjedisi kualitativ i ndërtuar është e drejtë bazike për çdo individ; mjedisi kualitativ i ndërtuar është një interes i përbashkët; dhe Shteti ka për obligim të realizojë të drejtën për zhvillimin e jetës në një mjedis kualitativ të ndërtuar.

Agjenda e veprimeve për Arkitekturën dhe Dizajnin Hapësinor e Holandës 2013-2016 përcakton dy qëllimet kryesore për zhvillimin e politikës arkitektonike:

1) Ndihmën përmes së cilës arkitektura dhe planifikimi hapësinor kontribuojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe efektive në zhvillimet hapësinore dhe kulturore, duke forcuar pozicionin ekonomik ndërkombëtar të vendit, duke fuqizuar kualitetet lokale dhe regjionale të vendit; dhe

2) Nismat dhe instrumentet që qeveria nacionale dëshiron t’i shfrytëzojë për të fuqizuar pozitën e sektorit të arkitekturës dhe dizajnit hapësinor, duke mundësuar që këta sektorë të qëndrojnë ekonomikisht vital, të rëndësishëm nga aspekti shoqëror dhe inovativ nga aspekti kulturor;

Sipas modelit norvegjez, Politika Qeveritare e Arkitekturës përfshin një definicion të gjerë të arkitekturës. Në kuptimin e gjerë, arkitektura përbën gjithë rrethinën (mjedisin) e krijuar nga njerëzimi. Përfshin objektet dhe infrastrukturën, hapësirat e jashtme dhe peizazhin. Kjo nënkupton që një numër substancial i sektorëve të autoriteteve publike do të jenë lojtarë të rëndësishëm në çështjen e promovimit të arkitekturës së mirë. Politika Norvegjeze e Arkitekturës shpjegon tri sfida kryesore që përballin arkitekturën: Qëndrueshmëria dhe klima; Ndryshimi dhe transformimi; dhe Dija dhe Inovacioni.

Parimi kryesor i Politikës Arkitekturale të Danimarkës është “Arkitekturë për Njerëzit”, përderisa shtyllat kryesore në të cilat bazohet kjo strategji nacionale e arkitekturës janë: 1. Arkitektura takon njerëzit (fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit); 2. Arkitektura dhe Demokracia (komunat dhe pjesëmarrja e qytetarëve); 3. Arkitektura dhe Qëndrueshmëria (në aspektin mjedisor, social dhe kulturor); dhe 4. Kontributi i Arkitekturës (Kualiteti, inovacioni dhe potenciali ndërkombëtar).

Bazuar në praktikën e suksesshme të hartimit të politikave arkitekturore të vendeve të Bashkimit Evropian, fushat e fokusimit të Strategjisë Kombëtare të Arkitekturës, – Politikës së Arkitekturës së Kosovës mund të jenë: 1) Arkitektura duhet të jetë/shquhet me zgjidhje miqësore ekologjike dhe energjetike; 2) Qytetet dhe qendrat e popullsisë duhet të zhvillohen përmes arkitekturës së kualitetit të lartë; 3) Qeveria duhet të mbrojë mjedisin kulturor dhe trashëgiminë arkitektonike; 4) Arkitektura duhet të promovohet përmes përhapjes së dijes dhe kompetencës;  5) Qeveria duhet të jetë model udhëheqës (role model); 6) Arkitektura kosovare duhet të promovohet ndërkombëtarisht;

Në disa praktika tjera rajonale, të cilat mund të aplikohen edhe në Kosovë, politikat e arkitekturës janë të orientuara në këto objektiva themelore: 1. Kulturën e ndërtimit, si parakusht për kualitetin e hapësirës së ndërtuar; 2. Kualitetin e mjedisit të ndërtuar, si bazë për jetë të mirë për secilin individ; dhe 3. Arkitektura e kualitetit të lartë, si një nxitje për zhvillimin dhe progresin kombëtar. Me qëllim të arritjes së këtyre 3 objektivave, ky model i politikës së arkitekturës identifikon 10 fusha të pandara dhe të ndërlidhura tematike: 1. Vetëdijesimin (ndërgjegjësimin) shoqëror; 2. Zhvillimin publik; 3. Trashëgiminë arkitektonike; 4. Zhvillimin dhe planifikimin hapësinor; 5. Ndërtimin dhe dizajnimin (projektimin) e hapësirës; 6. Banimin; 7. Konkurset e arkitekturës dhe dizajnit urban për zgjidhje të kualitetit më të mirë; 8. Edukimin (arsimimi); 9. Hapësirën dhe Arkitekturën, si gjeneratorë të zhvillimit ekonomik; dhe 10. Kornizën ligjore;

Politika arkitekturore e Kosovës, e cila duhet të hartohet bazuar në kornizën ligjore të hartimit të dokumenteve strategjike, përveç përcaktimit të qartë të parimeve udhëheqëse, dhe objektivave, duhet të definojë qartë edhe instrumentet, veprimet, masat konkrete, si dhe aktorët nga institucionet publike, shoqëria civile, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, universitetet, mediat dhe aktorët tjerë, që duhet të mbahen përgjegjës për kryerjen e këtyre veprimeve, që duhen ndërmarrë për të zbatuar reformën e madhe në arkitekturën kosovare. Për të zbatuar praktikat e suksesshme evropiane, në procesin e zhvillimit të strategjisë zhvillimore të arkitekturës, – Politikës Arkitekturore të Kosovës, – është e domosdoshme mbështetja e qeverive të Holandës, Norvegjisë dhe Danimarkës, si vende me praktika të suksesshme të politikave arkitekturore.

Politika e Arkitekturës duhet të definojë mes tjerash ndërmarrjen e masave për kryerjen e këtyre veprimeve: Reformën e kornizës ligjore të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor; përcaktimin e veprimeve për ngritjen e vetëdijes qytetare dhe institucionale për rëndësinë e kualitetit arkitektonik të mjedisit të ndërtuar në procesin e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik, kulturor dhe social; përfshirjen e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor në kuadër të reformave në arsimin fillor, të mesëm dhe universitar; promovimin e konkurseve vendore dhe ndërkombëtare të arkitekturës përmes miratimit të udhëzimit administrativ për organizimin e konkurseve të projektimit dhe hartimin e detyrave projektuese; zhvillimin e konferencave shkencore ndërkombëtare dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore për arkitekturën dhe planifikimin hapësinor; mbrojtjen e profesionit të arkitektit, planifikuesit hapësinor dhe inxhinierëve përmes themelimit të odave përkatëse dhe përmes vendimmarrjes për përcaktimin e rregullores apo manualit të çmimeve të shërbimeve të planifikimit hapësinor, arkitekturës dhe inxhinierisë; reformat në sektorin e banimit; promovimin e kualitetit të lartë të projektimit arkitektonik dhe urbanistik përmes themelimit të disa shpërblimeve për arkitekturë; përcaktimin e standardeve arkitektonike dhe të dizajnit hapësinor dhe manualeve të tyre; përfshirjen e arkitekturës kosovare në programet evropiane të arkitekturës dhe planifikimit hapësinor; si dhe aktivitete dhe veprime tjera të rëndësishme.

Për arritjen e këtyre, si  dhe qëllimeve tjera strategjike të Politikës Arkitekturore të Kosovës, duhet që për secilin veprim të mbahen përgjegjës institucione të caktuara dhe të japin llogari për implementimin e këtyre veprimeve para një trupe të ngritur nga qeveria.

Nëse vërtetë dëshirojmë që Kosovën ta kemi shtëpinë tonë, ashtu siç edhe është motoja e Planit Hapësinor të Kosovës, atëherë është koha e fundit për të filluar me zhvillimin e Politikës Arkitekturore për Kosovën, si dëshmi e zgjimit politik dhe qytetar për Arkitekturën! Sot! Nesër është vonë!, – shkruhej me të drejtë në pankartat e Lëvizjes Studentore të 1 tetorit 1997, lëvizje që bëri ndryshimin e madh pozitiv!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.