Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Open Balkan – efektet politike

Në një shkrim tjetër fola për efektet ekonomike të Open Balkan-it. Aty theksova se ky union do të forconte pabarazinë, migrimin dhe kriminalitetin, duke nxitur edhe më shumë specializimin e Shqipërisë dhe zonave shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe në Preshevë në bujqësi dhe duke krijuar një zonë ekonomike të lëvizjes së lirë pa kontrollet dhe mekanizmat kompensues të BE-së. Këtu do të flas për efektet politike të Open Balkan-it.

Konflikti dhe pabarazia

Po e përsëris se një nga efektet me të dukshme të Open Balkan-it është rritja e pabarazisë. Dhe është pikërisht pabarazia ajo që përbën një nga faktorët kryesorë të konfliktit social dhe etnik. Pabarazia ekzistuese në zonat shqiptare në Preshevë dhe Maqedoni të Veriut do të përkeqësohet, sepse këto zona nuk kanë parë zhvillim të industrisë për të përfituar nga një zonë e tillë. Kjo do të ketë ndikim direkt në rritjen e pabarazisë mes komuniteteve etnike dhe do të ndikojë edhe në rritje të mosbesimit e konfliktit etnik. Pabarazia fshat-qytet dhe në përgjithësi pabarazia mes elitës së vogël ekonomiko-politike dhe qytetarëve do të rritet në të gjitha shtetet anëtare dhe kjo, kur kombinohet me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe rritja e çmimeve, sigurisht se do të çojë drejt konfliktit social i cili mund të keqpërdoret nga forca ekstremiste politike.

Zëvendësimi i BE-së

Open Balkan-i tashmë po shndërrohet në zëvendësim për anëtarësim në BE. Pra ai është një Bashkim Ballkanik që nuk i ofron të mirat e BE-së, por që i detyron shtetet anëtare dhe gjithë rajonin t’i paguajnë kostot ekonomike të anëtarësimit në BE. Open Balkan-i nuk e faktorizon Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë Veriore përmes anëtarësimit në BE, por i ekspozon ekonomitë e tyre ndaj një shteti më të industrializuar, Serbisë. Pikërisht në momentin kur janë forcuar zërat skeptikë të zgjerimit të mëtutjeshëm në BE, ka dalë Open Balkan-i si ide që i arsyeton këta zëra dhe u jep argumente shtesë për kundërshtimin e zgjerimit, sepse, sipas kësaj logjike, anëtarësimi i shteteve të Ballkanit perëndimor në BE është i panevojshëm, meqenëse tashmë ekziston një bllok ekonomik rajonal ku ato shtete bëjnë pjesë.

Izolimi dhe dobësimi i Kosovës

I ndërlidhur me BE-në është izolimi i Kosovës në raport me Serbinë. Anëtarësimi i Serbisë në BE është leva kryesore politike që e ka komuniteti ndërkombëtar për ta bindur Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu që krijimi i një “BE-je” ballkanike të dominuar nga Serbia, që e bën të panevojshëm anëtarësimin e Serbisë në BE, e dobëson direkt pozitën e Kosovës në negociata me Serbinë. Gjithashtu, Open Balkan-i e izolon Kosovën duke ia ofruar anëtarësimin e saj në këtë zonë pa njohje nga Serbia e Bosnja dhe me pengesa të vazhdueshme të Serbisë që dëshmohen çdo ditë, siç janë barrierat jotarifore ose pengesa e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Rritja e ndikimit të Rusisë dhe Kinës

Open Balkan-i gjithashtu ndikon në rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës ne rajon. Kjo sepse dihet që këto dy shtete kanë ndikim të fortë në Serbi dhe përmes Serbisë do ta rrisin ndikimin në një zonë të dominuar nga Serbia. Për më tepër, Serbia është i vetmi vend në Evropë, kandidat për anëtarësim në BE, që ka marrëveshje të tregtisë së lirë (MTL) me Unionin Eurazian të dominuar nga Rusia. Shtetet e tjera me MTL me Unionin Eurazian janë Kina, Irani, Uzbekistani, Taxhikistani, Vietnami, Egjipti, Ukraina dhe Moldavia (të vetmet në Evropë). BE e ka bërë të qartë se Serbia do të duhej ta anulonte këtë marrëveshje nëse anëtarësohet në BE. Unioni Open Balkan i dominuar nga Serbia do të ishte lidhja ballkanike e Unionit Eurazian të dominuar nga Rusia.

Ndikimi i Rusisë do të rritet jo vetëm përmes lidhjeve tregtare, por edhe të tjerave. Qendra Humanitare Ruse-Serbe për mbrojtje civile në Nish këtu është faktor i rëndësishëm. Dihet se e vetmja marrëveshje e nënshkruar deri më tash për Open Balkan ka të bëjë pikërisht për mbrojtje civile (Reagimi i përbashkët ndaj katastrofave natyrale dhe të tjera; kurse janë nënshkruar memorandume për lejimin e qytetarëve për të punuar në vendet e njëri-tjetrit dhe ndihma për lëvizjen e mallrave pa vonesa). Meqenëse AKMC, Agjencia e Shqipërisë për Mbrojtje Civile është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, kjo mund të paraqesë rrezik për qasjen në informata të një shteti anëtar të NATO-s. Kjo do ta dobësonte më tutje besimin e NATO-s te Shqipëria, i cili është lëkundur më herët, sepse kishte një skandal më 2018, ku ndodhi publikimi i informatave sensitive dhe më 2017 u publikuan të dhënat e drejtorit të SHISH.

Përderisa me rastin e zjarreve Shqipërisë ndihma i erdhi nga ekipet e emergjencës nga Kosova dhe dy helikopterë nga vende të Bashkimit Evropian, katër helikopterë nga MPB e Serbisë (Sektori për Situata të Jashtëzakonshme), ku njëri ishte për njohje terreni, u dërguan në Maqedoninë Veriore. Aty Serbia i dërgoi edhe tre helikopterë të tjerë të brigadave zjarrfikëse. Qasja e mjeteve për njohje të terrenit nga Serbia në territor të shteteve anëtare të NATO-s nuk shkon pa u vënë re nga NATO, sidomos kur dihet lidhja me Rusinë përmes qendrës në Nish. Duhet theksuar se marrëveshja e arritur tashmë mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është mjaft e gjerë, ku mes tjerash parashihet “shkëmbim i të dhënave shkencore dhe teknike dhe dokumente të tjera relevante për mbrojtje nga katastrofat”, ku mund të ndodhë rrjedhje e informatave sensitive.

Aspektet gjeopolitike

Një union i tillë i dominuar nga Serbia nuk ka si të mos ketë aspekte gjeopolitike që nuk duhen injoruar. Forcimi i lidhjeve me Unionin Eurazian dhe dobësimi i perspektivës për anëtarësim në Unionin Evropian është në kundërshtim me interesat e shprehura të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, dobësimi i pozitës së Kosovës dhe rritja e konfliktit etnik forcon Serbinë dhe Rusinë dhe përpjekjet për të minuar rendin e bazuar në rregulla, të cilat tashmë kanë marrë hov me ndërhyrjet e Serbisë në veri të Kosovës dhe planet separatiste të Republika Srpskas në Bosnjë, që synojnë krijimin e Serbisë së Madhe të rietiketuar si “Bota Serbe”.

Planet infrastrukturore te Open Balkan-it gjithashtu janë brengosëse. Forcimi i lidhjeve me Korridorin 10, siç parashihet, do ta shndërrojë infrastrukturën e Shqipërisë në një zgjatim të Korridorit të 10. Kjo e dobëson pozitën e Shqipërisë dhe e anashkalon Kosovën, sidomos kur dihet që nuk ka plane konkrete për të forcuar lidhjet hekurudhore me Kosovën. Për të gjitha arsyet e përmendura më lartë, unioni Open Balkan duhet të braktiset nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.