Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

(Pa) siguria dhe shëndeti – Kosova mes krizash

Të qenurit përballë një krize të tillë, duhet të shërbejë si thirrje për tu zgjuar për Kosovën. Kjo situatë na ka dëshmuar që jemi të detyruar të adaptohemi me shpejtësi dhe të eksplorojmë realitete të ndryshme. Në një gjendje të këtillë po e shohim që nuk ka mbetur hapësirë për realitetin e Kosovës si vend i pasigurt, me shëndetësi të dobët, pa kulturë institucionale e me përçarje të thella; sa më shumë që e mirëmbajmë këtë realitet, aq më të vështira do të jenë për ne realitetet e të ardhmes.

Gjatë fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90, ekspertët e sigurisë filluan të trajtonin edhe kërcënimet jo-ushtarake si degradimi i ambientit, përhapja e sëmundjeve, mbi popullimi e lëvizjet e mëdha të popullsisë nga spektri i sigurisë. Kjo qasje u zhvillua tutje me përhapjen e HIV/AIDS dhe shtrirjes së efekteve të saj përtej kufinjëve shtetëror. Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht ka bërë përpjekje në ngritjen e vetëdijes të shteteve duke analizuar sëmundjet ngjitëse edhe nga perspektiva e sigurisë dhe duke vënë theksin në faktin që sistemet e forta shëndetësore dhe qasshmëria ndaj tyre ndikojnë drejtëpërdrejtë në sigurinë e përgjithshme njerëzore. Në këtë drejtim, OBSH konsideron se identifikimi i çështjeve të shëndetit si çështje të sigurisë, do të mund të sjellte më shumë fonde, vëmendje dhe prioritizim të shëndetësisë në agjendat politike dhe do të shtrydhte tutje potencialin e ndërtimit të marëdhënieve të mira ndërkombëtare në fushën e sigurisë, duke bashkëpunuar për të mirën e përbashkët në shëndetin publik.

Me përhapjen e COVID-19 në Kosovë, u shpërfaq nevoja e akumuluar ndër vite për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë. Përderisa deri tash e kujtonim këtë nevojë kur secilit prej nesh na përplasej në baza individuale, kësaj here po na imponohet ta kujtojmë kolektivisht nga perspektiva e sigurisë. Kjo nuk do të duhej të ishte e imponuar; perspektiva e shëndetit publik do të duhej të ishte e integruar në hapat e parë të zhvillimit të sektorit të sigurisë në Kosovë. Historikisht, përtej premtimeve për konsum publik, sektori i shëndetësisë në Kosovë nuk ka qenë prioritet kombëtar. Për më tepër, aspekti shëndetësor nuk ka qenë prioritet as brenda vetë institucioneve të sigurisë – Policia e Kosovës vazhdon të jetë pa sigurime shëndetësore, jetësore apo mundësi për pensionim të parakohshëm.

Hulumtimet tregojnë se ndryshimet në gjendjen shëndetësore kanë ndikim direkt dhe indirekt në siguri dhe epidemitë mund të çojnë drejt destabilizimit të shteteve, kriza politike, kriza sociale dhe përkeqësim afatgjatë të gjendjes ekonomike. Përderisa pa shmangshëm lufta e Kosovës me COVID-19 po len pasoja në ekonomi dhe zingjirin e funksionimit social, qytetarët po i bartin edhe pasojat e shmangshme të kësaj situate. Kështu, duke mos qenë uniteti pikë e fortë e Kosovës, akterë të ndryshëm në vend nuk ngurruan ta përdorin pandeminë për të shtyer përpara agjendat politike dhe ende pa pasur krizë reale në shëndetin publik, e shpikën krizën politike. Të gjithë vrapuan drejt protagonizmit, e cuditërisht si asnjëherë më parë, të gjithë u bënë gardian të mbrojtjes së ligjit, kushtetutës e të drejtave themelore të njeriut – secili në mënyrën e vet duke u thirrur në një të vërtetë ndryshe prej tjetrit.

Përderisa kultura jonë politike vetëm se ishte indikative që në një formë apo tjetrën do të arrinte t’i bëhej hije problemeve reale të qytetarëve në këtë kohë, edhe hallkat tjera të shoqërisë u kontaminuan dhe u bënë pjesë e valles së krizave të reja në kohë krize. Si rrjedhojë, mediat mbushën ‘prime-time’ me politikanë të shëndrruar në ekspert të menaxhimit të emergjencave; politikolog të shëndrruar në ekspert të shëndetit mendor; biznismenë të shëndrruar në jurist; këngëtarë të shëndrruar në aktivist të të drejtave të njeriut. E kjo situatë, i vendosi qytetarët para një pasigurie më të madhe, ku përveç shëndetit e ekonomisë po detyrohen të çajnë kokën edhe për stabilitetin politik e (keq)informimin. Kjo pasiguri ka filluar ta korr frustrimin e mbjellun dhe po reflekton në urrejtjen që qytetarët e Kosovës po e shfaqin në rrjete sociale apo kudo që po gjendet një copë hapësire për mendimin e tyre dhe në rritje të raportimeve publike të kërcënimeve të gazetarëve, politikanëve e figurave të ndryshme publike.

Në anën tjetër, institucionet e shëndetësisë dhe sigurisë, përveç kontributit të pashoq në trajtim dhe parandalim të përhapjes së COVID-19, sic duket janë të vetmit që e kuptuan rëndësinë e perspektivës të sigurisë në këtë situatë. Faqet e institucioneve shëndetësore në rrjete sociale u bënë mjeti primar në luftën ndaj keqinformimit ndërsa ekspertët shëndetësor përveç të tjerash u bënë edhe zëri kryesor i problemeve të qytetarëve. Ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës – ndonëse u sfiduan nga kolegë të tyre, politikanë e të afërm të politikanëve duke organizuar ndeja shoqërore kur ata po mirëmbanin masat për izolim – u bënë burim aktiv i rrjedhjes së besimit qytetar ndaj institucioneve të Kosovës. Si asnjëherë më parë u vërejtën komentet pozitive të qytetarëve në rrjete sociale apo media ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që po siguronin respektimin e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19.

Të qenurit përballë një krize të tillë, duhet të shërbejë si thirrje për tu zgjuar për Kosovën. Kjo situatë na ka dëshmuar që jemi të detyruar të adaptohemi me shpejtësi dhe të eksplorojmë realitete të ndryshme. Në një gjendje të këtillë po e shohim që nuk ka mbetur hapësirë për realitetin e Kosovës si vend i pasigurt, me shëndetësi të dobët, pa kulturë institucionale e me përçarje të thella; sa më shumë që e mirëmbajmë këtë realitet, aq më të vështira do të jenë për ne realitetet e të ardhmes.Pasojat e pandemisë po shihen globalisht, si rrjedhojë kërkesat e qytetarëve karshi shteteve po rriten. Rrjedhimisht, kjo do të ketë implikime edhe në marëdhëniet ndërkombëtare e për Kosovën kjo do të duhet të përkthehet si nevojë urgjente për zhvillim dhe stabilitet, në mënyrë që të sigurojë pozicion sa më të favorshëm në rrafshin ndërkombëtar.

Në këto rrethana duhet ta kuptojmë njëherë e mirë që duhet të zgjerojmë pikëpamjet tona dhe të jemi më efektiv drejt zhvillimit; nuk duhet të presim që buja e vetëvrasjes të një të riu të na shpërfaq mungesën e standardeve të trajtimit e raportimit; nuk duhet të presim një ngërrç politik për të kuptuar mangësitë në sistemin tonë juridik; nuk duhet të presim një krizë shëndetësore për të parë gjendjen e tmerrshme të spitaleve e mungesat e mjeteve e stafit bazik. Kosova duhet të jetë unike në vendosjen e prioriteteve strategjike për të adresuar çështje komplekse si pandemia në ambiente të cenueshme të sigurisë, duke ruajtur besimin, durimin, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.