Doli rezultati i PISA-s. Kosova u rendit e 3-ta nga fundi. Të gjithë u shokuam. Disa cinikë u shokuan që të tjerët u shokuan, pasi që sipas tyre veç dihej sa shokuese është gjendja. Facebook-u u mbush me postime. Faji u drejtua gjithkah: qeverisë, komunave, sindikatës, politikaneve, ndërkombëtareve, arsimtareve, shkollave, prindërve, nxënësve. Katrahurë reagimesh, ankesash, fajësimesh, arsyetimesh. PISA në kafe, PISA në Facebook, PISA në lajme, PISA në gazeta; PISA, PISA, PISA…
Si duket rezultatet e PISA-s kanë prekur qytetarët e këtij vendi thellë, më thellë se shumë gjëra tjera. Nuk me kujtohet të ketë pasur kësi lloj reagimi ndaj gjerave tjera. Nuk mund të thuhet që nuk kemi pasur momente skandaloze dhe shokuese që meritojnë kësi lloj reagimesh. E gjithë kjo me automatizëm na shpien tek pyetja: pse? Pse i gjithë ky reagim? Shumë njerëz madje kanë humbur shpresën që në këtë vend mund të bëhet më mirë, dhe rezultatet e PISA-s vetëm sa ia vendosën vulën kësaj ndjenje të pashpresë. Pse pra ky reagim?
Nuk e bëj këtë pyetje me nën-tone cinike. E bëj këtë pyetje për të ekzaminuar se çfarë arkitekture të mendjes kemi që një rezultat si ky i PISA-s na shokon thellë, ndërsa të tjera rezultate pothuajse aq skandaloze nuk na bëjnë edhe shumë përshtypje?
Nëse e qesim në kontekst – gjithsesi pa dashur të arsyetoj dhe të liroj nga faji shumë fajtorë që kanë sjellë sistemin arsimor në këtë gjendje apo të nënvlerësoj problematikën – rezultatet e PISA-s ndoshta nuk janë edhe aq skandaloze. Së pari duhet marrë parasysh historinë tonë – duke përfshirë analfabetizmin për rreth 94% para vitit 1950, formimin e universitetit vetëm në vitin 1970, dhjetëvjeçarin e viteve 1990 me shkolla paralele të cilat ishin gjithçka përpos vend ku mësohet, luftën dhe eksperimentet e pasluftës me kompetenca herë te ndërkombëtarët herë të vendorët, themelimin e klasës së 9-të ende pa pasur tekste shkollore, e shumë faktorë te tjerë.
Së dyti, nuk jemi të tretët më të dobët në botë, por jemi të tretët më të dobët në një grup jo reprezentativ të shteteve të botës. Shtetet që kanë marrë pjesë në PISA janë shtetet e OECD-s (pra klubi i shteteve të pasura dhe të zhvilluara) dhe disa shtete tjera të cilët vullnetarisht kanë vendosur të futen në këtë test. Nëse e shohim hartën e botës, shohim që me përjashtim të dy shteteve, e gjitha Afrika ka qenë e përjashtuar nga ky test, bashkë me një pjesë të mirë të Lindjes së Mesme, Azisë qendrore dhe Amerikës së mesme. Pjesa dërrmuese e shteteve të këtyre rajoneve botërore i kanë punët shumë më keq se ne në shumicën e indikatorëve të zhvillimit, dhe gjasat janë që edhe sistemin arsimor e kanë shumë më keq se ne. Pra, nuk jemi të fundit në botë; jemi të fundit në një grup të zhvilluar të shteteve. Nuk them që duhet krahasuar veten me më të dobëtit, por do të ishte deluzionale të pretendojmë se jemi më të zhvilluar se shumë shtete të OECD-së. E mira është që jemi në ligë të parë, ndërsa e keqja që jemi në fund të ligës – që është prapë më mirë se të jemi në ligë të dytë.
A nuk jemi aty edhe me indikatorë te tjerë të zhvillimi? Jemi në vendin 67 nga 70 vende që kishin marrë pjesë në PISA. Në vendin e 103 nga 185 vende e renditura në bazë të të ardhurave për kokë banori (GDP per Capita PPP). Në vend të 60-të në lehtësinë e të bërit biznes nga 190 vende. Në vend të 103 në percepcionin e korrupsionit nga 167 vende. Në vend të 87 në indeksin e zhvillimit njerëzor (HDI) nga 187 vende. Në vend të 85 në indeksin e lirisë së shtypit nga 179 vende. Pra, jemi aty diku, si me indikatorë tjerë si me PISA – jo më keq se vendi 100 jo më mirë se vendi 60.
Disa mund të thonë që krahasuar rezultatet e PISA-s me vendet tjera Ballkanike, jemi shumë larg, dhe me këto vende ndajmë pak a shumë histori të ngjashme. Me Maqedoninë Kosova nuk ka edhe aq shumë dallim. Në fakt, dallimi është statistikisht i paqëndrueshëm. Me Malin e Zi dhe Shqipërinë qëndrojmë relativisht shumë prapa, siç qëndrojmë larg edhe me Serbinë (krahasuar me rezultatet e viteve të kaluara të Serbisë). Ky argument është shumë valid dhe legjitim. Megjithatë, krahasuar edhe në indekse tjera, Kosova ka tendencë të jetë prapa këtyre vendeve dhe si e tillë nuk është asgjë e re. Dhe kjo me siguri ka të bëjë sidomos me historinë tonë të 30 viteve të fundit, në të cilat vendet tjera rajonale e kishin disi më të lehtë.
Nëse rezultatet e PISA-s janë afërsisht njëjta si rezultatet e indikatorëve tjerë, pse PISA shkaktoi kaq shumë shqetësim? Përtej indikatorëve, si është e mundur që edhe plot skandale tjera të mos krijojnë kësi lloj reagimi? Me përjashtim të rastit të vdekjes së Astrit Deharit dhe rastit Pronto (kjo më shumë e trivializuar dhe e kthyer në shaka sesa reagim serioz), shumica dërmuese e skandaleve kanë kaluar pa shumë zhurmë. Pothuajse në të gjitha këto raste skandaloze, pushteti është zhveshur komplet, ligji është shkelur me të dy këmbët, dhe përgjegjësi nuk ka dhënë askush. Me këso precedentësh dhe këtë politikë të kalbur ne vetëm kemi vënë themelet e institucioneve. E prej institucioneve nuk mund të ikë as arsimi. Në përgjithësi, nëse tolerojmë gjithfarë skandalesh të na kalojnë, a nuk do të duhej që edhe rezultati i PISA-s të kalojë lehtë?
Përgjigjja besoj mund të jetë njëra nga këto dy opsione: 1) popullizmi i neutralëve partiak, ose 2) thyerja e frontit të fundit të shpresës. Në rastin e parë, arsimi – edhe pse kauzë e drejtë dhe e duhur – paraqet neutralitet partiak, për faktin që partitë politike shumë pak janë marrë me të, dhe si i tillë e ngritë popullistin në nivelin e personit relevant dhe të rëndësishëm. Për këtë PISA interpretohet nën prizmin popullist dhe prodhohen artikuj dhe argumente si “Kosova në vendin e fundit në botë”. Kauza tjera të rëndësishme mund të jenë të kapura nga politika dhe si të tilla nuk mund të mbështeten pa u etiketuar personi që mbështetë atë si politik/partiak. Në rastin e dytë, të rinjtë përfaqësojnë shpresën për ndryshimin e këtij vendi. Të rinjtë pra janë ata që vijnë nga jashtë të tashmes dhe vendit për të shpëtuar këtë vend, njëjte siç mund të vijnë ndërkombëtarët përmes EULEX-it, apo gjykatës speciale.
Në disa raste nuk është shpëtimi nga jashtë por vet armiku, si në rastin e Serbisë, dhe zgjidhja prapë shihet si jashtë nesh. Në secilin rast, mendësia është e njëjte. Dhe kjo shpërfaqë fatalizmin dhe pafuqinë e gjeneratave madhore sot, të cilët iu janë dorëzuar gjendjes dhe nuk kanë aspak shpresë që vendi mund të ndryshojë. Mund të shpërfaqë gjithashtu edhe korruptimin e gjeneratave madhore momentale, të cilat të zëna nën korrupsion shpresë të vetme të shpëtimit shohin gjeneratat e ardhshme, pasi që për gjeneratat momentale loja ka mbaruar dhe ata janë shumë të shantazhuar për të bërë ndryshim. Nën këtë kontekst, informatat që tregojnë që edhe rinia është nisur rrugës së gjeneratave madhore të tashme janë tmerruese, shokuese dhe mbi të gjitha shpresëmbytëse.
Si konkluzion, nëse ajo që kam argumentuar këtu qëndron, ajo që duhet bërë është të lihen popullizmat dhe mendësia e pritjes së shpëtimtarit dhe t’i rrekemi punëve qysh sot. Në fakt, nëse argumenti për mendësinë e shpëtimtarit është i saktë, thyerja e frontit të fundit të shpresës edhe mund të jetë lajm i mirë, pasi që kjo shpresë është shpresë e rrejshme. Sistemi – ky emër mitik, i gjithëfuqishëm, dhe i frikshëm – nuk ndryshon vetvetiu, por duhet venë në lëvizje nga vet ne. Nëse problemi qenkan politikanët, ata nuk do të largohen vetvetiu. Dhe për këtë kërkohet shumë punë, shumë durim, vullnet i çeliktë, dhe mbi të gjitha qasje të drejtë ndaj problemeve, pa popullizma dhe ëndrra me shpëtimtarë; ndërsa rezultatet e PISA-s dhe të indikatorëve tjerë të jenë pasqyra ku reflektohet e gjithë kjo punë. Me rendësi që ra kjo PISA, e po ngritet sistemi arsimor në agjendën sociale dhe politike.