Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Presidentja Jahjaga; politikanja, gruaja dhe opinioni publik

Police, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Republikës së Kosovës, Presidente e Republikës së Kosovës. Ky është në pika të shkurtra (a vija të përgjithshme) profili profesional i Atifete Jahjagës, gruas që për shoqërinë kosovare përbën një figurë kontradiktore. E zgjedhur Presidente e vendit në prill të 2011, Jahjaga njihet si “presidente e zarfit”. Për politikën e jashtme dhe diplomacinë, Presidentja gëzon respekt. Në vend, ajo është pre e përqeshjes dhe seksizmit më shumë se çdo grua tjetër në politikë. Për shumë gra të angazhuara për barazi gjinore, Jahjaga njihet si përkrahëse e fuqizimit të grave. Pse figurë kontradiktore dhe çka na tregon mandati i Jahjagës për Presidencën dhe opinionin publik?

Perceptimi publik i Jahjagës si presidente u ndikua qysh në fillim kur emri i saj u propozua nga ambasadori amerikan Christopher Dell tek liderët e partive politike Thaçi, Mustafa e Pacolli të cilët më pas e propozuan në Kuvend. Një ndërhyrje e tillë e jashtme, u konsiderua jolegjitime dhe, në kombinimin me faktin që Jahjaga nuk kishte të kaluar politike, ajo u bë target i lehtë i kritikës ende pa filluar të dëshmojë se çka mund të bëjë. Perceptimin publik për paaftësinë e saj në rolin e kreut të shtetit në fillim e ndihmoi edhe vet Presidentja me mosshkathtësitë e saj komunikuese, me fjalimet që gjithnjë i lexonte me pikë e presje dhe për gabimet e gafat e shpeshta në fjalimet publike. Pra, Jahjaga, rolin e Presidentes e filloi lëkundshëm dhe prej saj pritej vetëm dështimi dhe mënyrat sesi do të dështojë.

Presidenca nuk është institucion me kompetenca ekzekutive per se, por më shumë shtytës i proceseve dhe ndryshues e plotësues i vendimeve të marra nga qeveria dhe kuvendi. Si kreu i shtetit, Presidenti apo Presidentja përfaqëson unitet të Republikës dhe dinjitet jashtë saj. Vetë presidenca si institucion, ka historik kontradiktor dhe (me një përjashtim) nuk është shembull i etikës dhe i udhëheqjes së mirë.

Të rikujtojmë personat që sot hyjnë në historikun e presidencës. Ibrahim Rugova, Presidenti i Parë i Kosovës (i njohur edhe si president historik), përveç kontributit politik gjatë fundit të viteve’80 dhe ’90 për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe për pavarësinë e vendit, është shquar edhe për nga personaliteti intelektual si albanolog, shkrimtar e kritik letrar. Fatmir Sejdiu i zgjedhur në vitin 2006 dhe i rizgjedhur më 2008, dha dorëheqje në vitin 2010 pasi që Gjykata Kushtetuese e obligoi të zgjedhë ndërmjet rolit të Presidentit dhe kryetarit të LDK-së. Behgjet Pacollit i zgjedhur në vitin 2011, e mbajti postin presidencial vetëm 37 ditë pasi që Gjykata Kushtetuese e konsideroi zgjedhjen e tij kundër-kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit të duhur prej dy të tretave të tërësisë së Kuvendit. Dhe më pas kemi Atifete Jahjagën e cila e filloi mandatin e saj në vitin 2011 dhe e përfundon në prill 2016. Cili është kontributi i Jahjagës gjatë këtij mandati, ku ka arritur sukses e ku ka ngecur?

Atifete Jahjaga është gruaja e parë e zgjedhur presidente jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Kjo nuk është arritje e saj për vetë faktin se është grua, por arritje për presidencës e Kosovës dhe shoqërinë patriarkale kosovare që ‘pranon’ një grua në krye të shtetit. Vetë Ligji për Presidentin e Kosovës e specifikon postin “president” si post të burrave dhe në ligj përmend vetëm zojën e parë, dhe askund zotërinë e parë.

Duke mos qenë pjesë e asnjë partie politike, Jahjaga mund të konsiderohet si e paanshme dhe figurë unifikuese siç kërkohet më Kushtetutë dhe e kaluara e saj profesionale i bën shumë më nder institucionit të Presidencës sesa dy presidentët pararendës, të cilët njihen për shkelje të Kushtetutës dhe performancë të dobët. Fatmir Sejdiu ushtroi detyrën si President nën hije të kryeministrit të asaj kohe Hashim Thaçi, e cila u pa sidomos kur pavarësinë e vendit në vitin 2008 e shpalli Thaçi si kryeministër e jo ai si President dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Behgjet Pacolli në anën tjetër, përveç që u zgjodh në mënyrë jokushtetuese dhe as që pati kohë të ushtrojë detyrën si President, profili i tij si biznesmen multimilioner por nën hetime për korrupsion në vend e jashtë, mbetet vetëm një njollë në historikun e Presidencës.

Përfaqësimi jashtë vendit mund të konsiderohet plus në mandatin e Jahjagës.

Për dallim nga liderët tjerë politikë të Kosovës, të cilët priteshin me vështirësi nga liderët evropianë, sidomos pas raportit të Dick Marty-t për transplantim organesh, Jahjaga u bë personi më kredibil për të përfaqësuar Kosovën jashtë vendit. Ajo, si asnjë lider tjetër politik, u ftua në takime bilaterale me liderët më të fuqishëm botëror dhe mori pjesë në shumë forume ndërkombëtare.

Jahjaga njihet si përkrahëse e fuqizimit të grave dhe avokuese për barazi gjinore. Ajo ka qenë e pranishme në shumë ngjarje e fushata të rëndësishme, organizuar nga organizata kombëtare e ndërkombëtare. Një vullnet i tillë politik u dëshmua me krijimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, këshill ky që tash vonë rezultoi me Rregulloren për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale. Mbrojtja e kësaj kategorie (për diçka që presidentët dhe liderët tjerë nuk e kanë bërë dhe as që e kanë konsideruar të rëndësishme), e cilëson Jahjagën si kontribuese në fushën e të drejtave të njeriut.

Nën presionin e opozitës dhe të zërave kritikë, një aspekt tjetër që mund të konsiderohet arritje është edhe dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ky veprim i Presidentes dhe pastaj vendimi i Kushtetueses kanë dhënë qartësime më të mëdha për Marrëveshjen për Asociacionin, e cila mund të sjellë edhe fundin e krizës politike gjashtëmujore.

Në anën tjetër, Jahjaga ka pasur ngecje gjatë ushtrimit të detyrës si Presidente. Ajo nuk ka lënë gjurmë në reformat politike. Iniciativat e saj për krijimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsion dhe Këshillit për Integrime Evropiane, nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Ajo u tregua e paaftë për të marrë udhëheqjen e vendit gjatë krizës politike pas zgjedhjeve të qershorit 2014. Pas krijimit të bllokut opozitar dhe pas dilemave kushtetuese se kush ka të drejtën e formimit të Qeverisë, Jahjaga nuk mori asnjë veprim pa marrë opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Madje vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese e sugjeroi atë që të veprojë në bazë të kompetencave të saj në rast se dështon zgjedhja e qeverisë nga partia më e madhe sipas votave të qytetarëve. Kjo konsideroj ishte ngecja apo e meta e saj e përgjithshme përgjatë këtij mandati, pra moszotërimi i pozitës së saj si Presidente.

Në një shoqëri jopatriarkale, kritikat kryesore dhe dominuese që Jahjaga do t’i kishte marrë, do të ndërlidheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë me postin presidencial të cilin e ushtron, me përgjegjësitë dhe performancën e saj siç e obligon posti. Megjithatë, kritika të tilla konstruktive e objektive kanë qenë të zbehta në krahasim me talljen dhe poshtërimin që i është bërë në bazë gjinore. Edhe pse ndërkombëtarisht Jahjaga njihet dhe përmendet si presidentja e parë apo gruaja e parë në postin presidencial në rajonin e Ballkanit, në vend atë e tallnin për pamjen e saj, e seksualizonin imazhin e saj, dhe ia tregonin se ku e ka vendin (shpesh në kuzhinë). Për më shumë, qëndrimi i saj modest (dhe jo arrogant sikurse i shumë politikanëve) që në fakt do të duhej të cilësohej si vlerë, më shumë perceptohej si dobësi dhe ky tipar konvencional ‘femëror’ përdorej edhe më shumë kundër saj për postin presidencial.

Në analizë konteksti politik e shoqëror, Jahjaga përfaqëson politikanen dhe politikanin mesatar të Kosovës. Kontributi i saj politik nuk ka nevojë as të mbivlerësohet nga përkrahës të saj, dhe as të nënvlerësohet apo trivializohet nga të tjerët. Por për dallim nga politikanët e tjerë (burra dhe gra), ajo nuk është e korruptuar në asnjë mënyrë dhe as që njihet për shkelje ligjore e kushteutese.   Dhe jo, ky fakt nuk e bënë atë të shenjtë dhe as që e liron nga përgjegjësia e punës më të mirë

që ka mundur ta bëjë gjatë këtij mandati, por e ndryshon nivelin e kritikës për klasën politike. Ta kritikosh performancen e një politikani/e të pakorruptuar për mos shkathtësi, për dallim me dikë me të kaluar kriminale e korruptive, të jep shpresë për ndryshime pozitive e të qëndrueshme në nivel shteti e shoqërie. Dhe kjo ofron hapësirë jo vetëm të kërkojmë udhëheqës mbimesatarë, por të kërkojmë një model të Merkelit e Klintonit dhe çfarëdo politikani a politikane që realizon mandatin me vetëbesim e zotësi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.