Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pro zgjedhjes, trupi është i imi

Mijëra gra në Poloni protestuan kundër ndalimit të abortit me ligj të hënën e kaluar. Aborti në këtë vend lejohet vetëm në rast përdhunimi apo nëse jeta e gruas është në rrezik apo nëse fetusi është i dëmtuar. Por ligjbërësit po punojnë tutje që edhe këto përjashtime t’i eliminojnë duke e bërë abortin praktikë të dënueshme me deri në 5 vjet burg. Të veshura në të zeza si shenjë zie për frikën se do t’i humbin krejtësisht edhe ato pak të drejta riprodhuese, gratë polake shprehën zemërimin e tyre duke thirrur: “Tespihet e tua larg vezoreve të mija”, “Do të doja ta abortoja qeverinë”, “Studentet e mjekësisë pro zgjedhjes”, “Jo në burg për abort”, “Është trupi im, është zgjedhja ime”.

Shumica e shteteve të BE-së e lejojnë abortin gjatë tremujorit të parë thjesht me kërkesë të grave dhe posedojnë kushte e rregulla të tjera sa i përket abortit pas tremujorit të parë. Disa shtete evropiane si Austria, Franca e Norvegjia ofrojnë qasje të lehtë në abort jo vetëm për qytetaret e tyre por edhe për gratë e vendeve të tjera. Disa shtete kanë direktiva më kufizuese si Danimarka dhe Finlanda, por ka edhe të tjera që e ndalojnë tërësisht sikurse Malta.

“Aborti është e drejtë e njeriut” – thotë Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara. Në qershor të këtij viti, Irlandës i është bërë thirrje për dekriminalizim të abortit, për ndryshim të ligjit për abortin e edhe ndryshim Kushtetute nëse është e nevojshme. Këto thirrje janë bërë si rrjedhojë e keqtrajtimit dhe diskriminimit që i është shkaktuar një gruaje kur i është mohuar aborti pavarësisht defekteve në fetus që do të përfundonin me vdekje menjëherë pas lindjes. Ngjashëm, aborti mohohet e dekurajohet gjithandej globit, e në disa vende kriminalizohet totalisht duke mos njohur legalitet e legjitimitet në asnjë rrethanë.

“Pro jetë” apo “pro zgjedhje”

“Pro jetë apo pro zgjedhje?” pyetet kur flasim për abortin. Perspektivën “pro jetë” e mbrojnë kryesisht fetë dhe politikat konvencionale dhe fanatike. Kjo nënkupton që njeriu nuk ka të drejtë të vendosë për një jetë tjetër. Si e tillë e injoron gruan si subjekt dhe e sheh atë vetëm si makinë që kontrollohet dhe rregullohet nga forca të jashtme. Këto forca janë politikat qeveritare që vendosin për riprodhimin, e që kryesisht janë të ndikuara nga normat dominuese fetare e shoqërore. Në Poloni për shembull, politika konservatore ndikohet dukshëm nga Kisha Katolike, e cila sikurse institucionet e tjera fetare është kundërshtuese strikte e abortit.

“Pro zgjedhjes” është thirrje për autonomi të plotë të grave mbi trupat e tyre. Liria riprodhuese apo mundësitë për të zgjedhur nëse do të lindësh apo jo është perspektivë esenciale e fuqizimit të grave dhe e drejtë njerëzore e qytetare. Prandaj, pro zgjedhje kërkon opsione dhe alternativa që gratë të marrin vendimet e duhura, sepse jo të gjitha opsionet funksionojnë njëjtë për të gjitha gratë. ‘Pro zgjedhje’ është pro abortit për ato që e kërkojnë. E në raste apo situata më të ndërlikuara në të cilat gruaja nuk është në gjendje të merr vendimin e duhur vetë, me perspektivën “pro zgjedhje”, vendimi rreth abortit prezantohet si “vendim që merret nga gruaja shtatzënë me ndihmë profesionale të mjekut/es”.

Rreth abortit në Kosovë

Në Kosovë, me ligj aborti lejohet deri në javën e 10-të të shtatzënisë. Kjo është periudha kur çdo grua shtatzënë mund të kërkojë abortin me kërkesën e saj dhe pa arsye mjekësore, i njohur si “abort elektiv”. Pas kësaj periudhe lejohet vetëm në rast të përdhunimit, incestit, komplikimeve që rrezikojnë gruan apo deformimeve të fetusit, dhe nuk mund të realizohet pa aprovimin e komisionit shëndetësor profesional.  Pavarësisht faktit që edhe vetë ligji gabimisht e përkufizon abortin si ndërprerje e shtatzënisë “me forcë” dhe mangësive të tjera ligjore që nuk janë të pakta, për dallim nga Polonia, në Kosovë, mundësia për të marrë një vendim për të ndërprerë shtatzëninë së paku në tremujorin e parë, mbrohet me ligj.

Por normat shoqërore në anën tjetër janë ato që thonë të kundërtën. Nuk e thonë vetëm fetë dhe predikuesit fetarë, por e thotë edhe QKUK, pra institucioni i vetëm shëndetësor që ka të drejtë ta ofrojë atë. Një hulumtim rreth abortit dhe perspektivave të ndryshme rreth tij dëshmon se vajzat dhe gratë që e kërkojnë këtë shërbim në këtë institucion shëndetësor (tanimë të njohur si tejet kaotik, të korruptuar, dhe të pasigurt), shahen për “egoiste” e “vrasëse” përmes posterave në mure të hapësirës së dhomës ku kryhet aborti.

Por edhe pse refuzohet me norma shoqërore, aborti në Kosovë kryhet në mënyrë të pakontrollueshme dhe në mënyrë të pasigurt për shëndetin e vajzave dhe grave. Të dhëna hulumtuese na bëjnë të kuptojmë që aborti po aq sa mohohet, aq edhe detyrohet. Gratë, e në veçanti gratë e reja në të 20-tat, detyrohen të ndërprejnë shtatzëninë sidomos nga burrat me të cilët janë të përfshira të cilët refuzojnë çfarëdo lloj përgjegjësie. Për më shumë, familjet e vajzave janë shpesh të pamëshirshëm ndaj tyre në mbrojtje të nderit apo reputacionit të familjes. Pra, gratë në Kosovë nuk gëzojnë të drejta riprodhuese, nuk pranojnë trajtim të duhur institucional, dhe as respekt e kujdes nga vetë familjet e tyre.

Burrat dhe aborti

Është ironike se si djemtë dhe burrat nuk janë pjesë e diskursit të politikave riprodhuese apo e debateve publike kur flitet për abortin. Pikërisht ata që e mundësojnë shtatzëninë ia dalin pa u ndëshkuar, pa dhënë përgjegjësi, dhe pa iu mohuar asnjë e drejtë themelore. Pse rrallë e hiç kërkohet përgjegjësi nga burrat që nuk janë të gjendje apo nuk duan të bëjnë përpjekje për t’i kontrolluar lëngjet trupore duke i ditur pasojat, por preferojmë t’i fajësojmë dhe dënojmë vajzat e gratë për të gjitha?!

Këto bindje dhe praktika patriarkale vetëm sa shkojnë duke u përforcuar kur e konsiderojmë që në shkolla fillore e të mesme nuk ka lëndë të edukatës seksuale, në shtëpi mungon një debat i tillë nën kujdesin prindëror, fushtatat vetëdijësuese rreth shëndetit riprodhues dhe seksit të sigurt nuk ngulmojnë, dhe ku porositë feministe që trupat e grave nuk janë makina riprodhuese nuk përkrahen institucionalisht.

E sa i përket pohimit të shpeshtë se edhe burri ka po aq të drejtë sa gruaja shtatzënë për të vendosur rreth abortit, jo. Një burrë nuk ka të drejtë të imponojë një grua të mbajë shtatzëninë, po aq sa një grua nuk ka të drejtë ta detyrojë një burrë që ta mundësojë atë.

Faji, turpi, dhe “e shenjta amësi”

Nëse e largojmë ‘fajin’ që vajzat e ndjejnë së pari që kanë bërë seks, dhe pastaj për “pakujdesinë” që kanë ngelur shtatzënë; nëse “nderin e shpisë” nuk e barazojmë me “ndershmërinë” e vajzave dhe grave të familjes; nëse amësia nuk romantizohet dhe shenjtërohet, do të vërejmë se argumentimi rreth vendimit për abort mbetet çështje e gruas, e shëndetit dhe të ardhshmes së saj, si e drejtë njerëzore dhe qytetare e saj.

Kur çlirohemi nga faji, turpi dhe besimi që posedimi i mitrës të obligon të bëhesh nënë, do të lëmë hapësirë për rrethanat shoqërore apo ekonomike si ndikues të rëndësishëm të këtij vendimi. Si rrjedhojë, do të kuptojmë që opsionet rreth vendimit për apo kundër abortit në gra të ndryshme me prapavija të ndryshme e që përballen me sfida apo gjenden në rrethana të ndryshme, do të ofrohen nga profesionistët mjekësorë që dinë se çka flasin, çka propozojnë, dhe çka është më së miri si në aspektin mjekësor, ashtu edhe në atë shoqëror. Por më kryesorja dhe më e rëndësishmja, do të fillojmë t’i shohim gratë si njerëz, si trupa dhe mendje të pavarura ku secili vendim që ka të bëjë me trupat e tyre është i tyre dhe jo i qeverive, i institucioneve fetare apo fanatikëve.

“Pro zgjedhjes” dhe opsioneve më të mira që vajzat e gratë të kenë mundësi të marrin vendimet më të mira për trupat dhe të ardhmet e tyre. Derisa të mund ta pranojmë një perspektivë të tillë, kundërshtimi për perspektiva fetare mesjetare dhe ligje konservatore për ‘rregullimin e trupave’ të grave nuk do të kenë të ndalur nga vetë gratë. Një këmbëngulje e tillë nga dhjetëra mijëra gra që lanë vendet e punës dhe obligimet e tjera për të protestuar, në fakt rezultoi me tërheqje të ligjit për ndalim total të abortit në Poloni. Pritet të shihet se si do shkojë debati më tej në këtë vend që e drejta e abortit si e drejtë e njeriut të konsiderohet si punë e kryer.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.