Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Programet politike 2017: Njohja me luftën ideologjike

Këto zgjedhje kanë sjellur një risi kryesore në politikë. Ajo është lufta ideologjike mes partive. Fokusimi i partive në ekonomi i ka ekspozuar qëndrimet ideologjike të tyre. Mirëpo jo gjithmonë ndarjet ideologjike janë të qarta në programet zgjedhore, siç do të shohim në këtë shkrim.

Koalicionet ideologjike

Koalicionet që u krijuan para zgjedhjeve mund të konsiderohen që kanë konsistencë ideologjike, edhe nëse nuk janë nisur me atë qëllim. Nuk mnud të themi se ishte ideologjia ajo që e shtyri AKR-në e IQA-n të shkojnë te LDK dhe ta formojnë koalicionin LAA+ (me disa parti të vogla). Gjithashtu, ideologjia nuk e nxiti PDK-në ta formalizojë koalicionin parazgjedhor me AAK-në e NpK-në (PAN+, me parti të vogla). Në të dy rastet ishin pragu zgjedhor dhe dëshira për të dalë i pari në zgjedhje ajo që nxiti koalicionet.

PAN+: Klientelistët e djathtë

Sidoqoftë, tash kemi koalicionet më të natyrshme në aspektin ideologjik. Kjo edhe pse klientelizmi si fenomen (që pengon ideologjinë) mbetet shumë i fortë në politikën tonë. Mund të themi se në anën e klientelizmit kemi PAN+, me elemente edhe të klientelizmit edhe të ideologjisë, pak më poshtë aty afër është LAA+, dhe si subjekt ku dominon përcaktimi ideologjik kemi LVV-në. Tri partitë kryesore të PAN+ për nga natyra janë më klienteliste, pra edhe nëse trumpetojnë ndonjë ideologji, nuk mërziten fort për zbatimin e saj. Gjithashtu, të trija kanë shprehur konfuzion sa i përket ideologjive. Ato kanë ndërruar ideologjitë e pretenduara me kohë. PDK nga parti “e majtë” është bërë “e djathtë”, AAK nga parti “e qendrës” është bërë “e djathtë”, kurse NpK deklarohet si “socialdemokrate”, mirëpo nuk ka përkushtim ndaj socialdemokracisë. Këto parti duke qenë në marrëdhënie klientelistë me faktorë ndërkombëtarë kanë praktikuar politika të djatha duke imituar shtetet e huaja, edhe nëse nuk kanë besuar në to.

LAA+: Të djathtët klientelistë

LDK ka një traditë të përcaktimit ideologjik (të djathtë), mirëpo nuk i mungon as klientelizmi. Dihet se kjo parti ka qenë dhe mbetet praktiuese e punësimeve partiake për shembull. AKR është e ngjashme, dhe mund të jetë më liberale sa i përket ekonomisë. Edhe IQA është e përcaktuar ideologjikisht si e djathtë. Ky koalicion në të kaluarën kanë praktikuar politika të djathta, dhe jo pa besuar në to.

LVV: Të majtët nacionalistë

LVV, në krahasim me blloqet tjera, ka më shumë përkushtim dhe definim ideologjik. Në spektrin majtas-djathtas, në anën e djathtë gjenden PAN+ dhe LAA+, kurse në anën e majtë kemi LVV-në. Gjithashtu LVV e kombinon majtizmin me nacionalizëm. Pra është e rrallë, në këtë aspekt, edhe në arenën Europiane, sepse zakonisht, të djathtët e kanë nacionalizmin si ideologji. Në këtë kombinim, LVV i gjason më shumë Partisë Nacionale Skoceze (SNP), se sa ndonjë partie tradicionale të majtë në Europë.

Islamizmi

Një ideologji tjetër që po rritet në Kosovë është islamizmi. Në këto zgjedhje janë, së paku, tri parti islamiste që garojnë: Fjala, e vetme; Partia e Drejtësisë (PD), në PAN+, dhe Lëvizja për Drejtësi (LD) në LAA+. Marrëdhënia me ideologjinë islamiste si te PAN+ edhe te LAA+ mbetet të shihet, por zakonisht ideologjitë e bazuara në fe janë të djathta, kështu që koalicionet me PDK e LDK janë të natyrshme në këtë aspekt. Partia e Drejtësisë (PD) tashmë është partner i rregullt i PDK-së. Për më tepër edhe AKR pjesërisht e ka përqafuar islamizmin. Prania e këtyre partive në koalicione mund të mos u shkojë për shtati disa votuesve laicistë. Dhe LDK, ashtu si PDK, do të duhet të arsyetojë përfshirjen e rrymave islamiste në koalicion sepse ka të bëjë edhe me vetë natyrën e shtetit. LAA+ e ka në listë familjaren e kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), dhe duhet të sqarojë se çka nënkupton kjo për konceptin e ndarjes së shtetit nga feja. Kjo pyetje është bërë më relevante këto ditë pas shpalljes se bërë nga BIK-u në Kaçanik për vdekjen e terroristit ndërkombëtar, LM, që ngjalli kritika kundër BIK-ut. Në anën tjetër, LVV është akuzuar për islamizëm për shkak të qëndrimit të saj se duhet të lejohet bartja e shamisë në shkolla (te vajzat mbi moshën 16 vjeçare). Ky qëndrim është arsyetuar nga lejimi i tashëm me ligj për t’u martuar në moshën 16 vjeçare, dhe si duket vie nga progresizmi i LVV; ngjashëm ata promovojnë edhe të drejtën e votës për 16 vjeçarë.

Programet

PAN+, fatkeqësisht, nuk ka botuar një dokument ku sqarohet programi ose manifesti zgjedhor i tyre. Faqet e internetit të partive nuk ndihmojnë në këtë aspekt. PDK si duket nuk ka për momentin faqe funksionale. AAK ka faqe të freskuar me ngjarje të fushatës, mirëpo programi që gjendet aty është i vitit 2010. Krejt çka mund të përdoret janë deklaratat e tyre në aktivitete të fushatës ose debate zgjedhore. Në përgjithësi fokusi i tyre është te “çështjet e mëdha” që e presin qeverinë e re, kurse sa i përket ekonomisë kryesisht ofrojnë më shumë nga e njejta gjë që kemi parë deri tash. Fokusi mbetet te bujqësia në krahasim me sektorët tjerë, edhe pse ka pasë deklarata për sektorin e industrisë. Një gjë që vlenë të theksohet është deklarata për shtesa të fëmijëve. Pra në përgjithësi nuk ka program të përpiluar që mund të analizohet.

LAA+ ka botuar një program të quajtur Kontrata me Kosovën. Aty ka disa synime e shpresa dhe disa politika konkrete që ofrohen. Në përgjithësi edhe aty ofrohet vazhdim i politikave të ngjashme me ato të zbatuara deri tash. Fokusi mbetet te bujqësia, sa i përket ekonomisë. Dy gjëra që ia vlenë të theksohen janë pako fiskale e re që do të eliminonte tatimin doganor për lëndë të para; dhe pushimi i paguari lehonisë për 12 muaj edhe për gra që nuk janë në marrëdhënie pune. Këto dy politika do të kishin efekt, sado të vogël, në ekonomi dhe gjendjen sociale respektivisht.

LVV ka publikuar një program me 40 pika që e quan Prioritetet e Republikës. Aty paraqiten disa politika konkrete, por disa nga pikat janë në formën dëshirore edhe te LVV. Fokusi më shumë është te prodhimi vendor, edhe pse bujqësia theksohet po ashtu. Në anën tjetër programi përmban një listë të politikave sociale siç janë shtesat për fëmijë, ushqimi falas për nxënës etj. Ia vlen të theksohen propozimet për Fondin Sovran (për zhvillim), tatim progresiv, banimi social e sigurime shëndetësore.Pra kryesisht kemi të bëjmë me një ndarje mes PAN, LAA në një anë dhe LVV në anën tjetër. PAN dhe LAA pak a shumë ofrojnë politika të ngjashme me ato që janë zbatuar deri tash, me fokus në bujqësi e infrastrukturë. LVV në anën tjetër ofron një ndryshim ku fokusi më i madh është te industria/prodhimi dhe shteti social.

Gjithashtu LVV ka më shumë elemente të sundimit të ligjit në programin e saj. Si LVV ashtu edhe LAA premtojnë një ligj anti-mafia që do të luftonte korrupcionin dhe krimin e organizuar.Të tri blloqet e ndjejnë presionin e nevojës për politika populiste, rrjedhimisht edhe dy blloqet e djathta kanë përmendur politika të tilla siç janë shtesat dhe pushimi i lehonisë. Politika të tilla priten nga parti të majta por jo edhe nga ato që deklarohen të djathta. LVV në anën tjetër premton një listë të politikave që do të themelonin shtetin social.Pra siç shihet jo të gjitha politikat e premtuara bien në kallëpe të qarta ideologjike. Edhe te LVV ka politika që do të konsideroheshin të djathta. Për shembull propozimi për qartësimin e pronave kadastrale do të ishte një politike e djathtë neoliberale, dhe dikush do të befasohej po ta shihte atë te një parti e majtë. Mirëpo kjo tregon se problemet nuk mund të zgjidhen me dogma të ngurta ideologjike por me politika që bazohen në nevojat e kohës.

A është i mirë përcaktimi ideologjik?

E mira e krijimit të blloqeve ideologjike është se bëhet një kristalizim i pozicioneve sidomos për çështje ekonomike dhe zvogëlohet hutia te votuesit. Partitë duhet të detyrohen t’i sqarojnë ideologjitë dhe politikat e tyre, dhe sa përputhen ato me partnerët e koalicionit. Kështu votuesi ka mundësi ta dënojë hipokrizinë nëse e sheh.Shembulli i zgjedhjeve të 8 qershorit 2017 në Britani të Madhe, ku Laburistët rritën dukshëm numrin e votave me një platformë të majtë, tregoi se përcaktimi i qartë ideologjik mund të shpërblehet nga votuesit.Një anë e keqe e tyre mund të jetë paqartësia rreth përgjegjësisë së liderëve individualë për dështimet e partisë. Pra tash kemi disa liderë brenda një liste nëpër koalicione, ku të gjithë paraqiten si karizmatikë. Te PAN+, kjo ka ndikuar që të ketë edhe fushata të ndara. Pastaj, në këto zgjedhje, kemi kandidatë për kryeministra që dallojnë nga kryetarët e partive. Nuk është e qartë se kush do ta merr përgjegjësinë në rast humbjeje, i pari i listës, kryetari i partisë, apo kandidati për kryeministër?Se përcaktimi ideologjik shpërblehet mund të jetë si dëshmi fati i partive të reja. Mospërcaktimi i qartë, si te përvoja e ORA-s dhe FER-it, ka gjasa të rezultojë në dështim. Përvoja e LVV-së dhe PD-së, në anën tjetër, tregon se mund të ketë rritje graduale me përcaktim të qartë. PAN+ ka qenë blloku që ka vazhduar më shumë me zakonin e vjetër duke kërkuar votën më shumë bazuar te individët se sa te ideologjia. Ky fokus te individët është edhe një prej arsyeve pse partitë synojnë të kenë sa më shumë aderime, duke menduar se aderimi i individëve të njohur i ndihmon partisë. Në të njëjtën kohë aderimet janë formë e klientelizmit, dhe pak janë rastet kur aderimi bëhet për shkak të përputhjeve ideologjike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.