Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pse anatemohet historiani i jashtëzakontë Hasan Kaleshi

“shkenca nuk është poezi, e cila më së miri shkruhet në gjuhën amtare”

Pas Luftës së Dytë Botërore, numri i shqiptarëve në ish-Jugosllavi që ndiqnin studimet themelore nëpër universitetet jugosllave ishte tejet i vogël. Edhe më i vogël ishte numri i atyre që vijonin studimet e magjistraturës e të doktoraturës. Njëri prej këtyre shqiptarëve ishte Hasan Kaleshi, i lindur më 1922 në Kërçovë. Ai diplomoi më 1950 për orientalistikë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit, ku edhe doktoroi me temën “Dokumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi”. Në fund të viteve ’50 u angazhua për përgatitjen e fjalorit të madh serbokroatisht-arabisht, e disa herë gjatë viteve ’60 shërbeu edhe si përkthyes sërbokroatisht-arabisht në takime të niveleve të larta politike. Në fund të viteve ’60 u zgjodh bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë, e më pas profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Doktoratura e Kaleshit, e botuar më 1972 në serbisht nga Bashkësia Shkencore e Kosovës, e më 2012 edhe në shqip nga Bashkësia Islame e Kosovës, paraqiste koleksionin më të madh të vakëfnameve të botuara deri atëherë jo vetëm në Jugosllavi, por në botë. Ky punim tregon se vakëfet kanë luajtur rol të rëndësishëm në përhapjen e islamit dhe të kulturës islame te ne. Doktoratura e Kaleshit sjell materiale të reja që shkojnë përtej historisë politike të sundimit osman. Për më shumë, vakëfnamet në këtë punim zbulojnë shumë ndërtues të objekteve kulturore e fetare: xhami, medrese, shkolla, teqe, hamame, hane e biblioteka. Për këtë doktoraturë janë shkruar një varg recensionesh me vlerësime superlative nga shumë shkencëtarë të huaj, të botuara në revistat shkencore jugosllave dhe europiane (Gjermani, Francë e Itali).

Në njërin prej shkrimeve të hershme, të publikuar më 1953 në ‘Rilindja’, Kaleshi e fillon konfrontimin me regjimin komunist të Shqipërisë duke e kritikuar për ‘rusifikimin e kulturës e të letërsisë shqiptare’. Aty, ai konstaton se gati 90% e publikimeve në Shqipëri rrjedhin nga rusishtja, se teatri është në duart e rusëve, kinematë shfaqin vetëm filma rusë, në shkolla dhe në ushtri rusishtja është më e rëndësishme sesa shqipja, gazetat botojnë më shumë lajme nga Bashkimi Sovjetik sesa nga Shqipëria, e kështu me radhë. Kaleshi madje e qorton regjimin komunist në Shqipëri se po i edukonte shqiptarët në frymën sovjetike në vend të asaj kombëtare, e se po e izolonte popullin shqiptar prej kulturave të popujve të tjerë.

Njëri prej studimeve më të veçanta të Kaleshit është studimi ‘Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi: faktorët e ruajtjes së qenësisë etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar’, i lexuar si kumtesë në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Turkologjisë në Stamboll më 1973 dhe i botuar në ‘Sudosteuropa unter dem Halbmond’ të Mynihut më 1975. Këtë studim vetë autori e cilësonte si heretik, meqë ishte në kundërshtim me historiografinë shqiptare, e cila theksonte vetëm anët negative të sundimit osman në Ballkan. Kaleshi aty paraqet një tezë krejt të re – meqë shqiptarët nuk kishin shtet, organizim kishtar, kulturë, letërsi dhe shkrim vetanak, ardhja e turqve në Ballkan jo vetëm që e pengoi asimilimin, por edhe i hapi rrugë ekspansionit shqiptar. Në këtë artikull, Kaleshi përvijoi vetëm tezat kryesore, të cilat planifikonte t’i përpunonte e t’i zgjeronte, por këtë ia pamundësoi ndarja e parakohshme nga jeta.

Dr. Hasan Kaleshi në Kongresin ndërkombëtar në Athinë, në vitin 1970.

Në historiografinë shqiptare promovohen shkrimtarët me prejardhje shqiptare që kishin shkruar në latinisht, por përjashtohen ata që kishin shkruar në gjuhët orientale. Kaleshi është i pari që – sërish në kundërshtim me historiografinë shqiptare – botoi studime përmes të cilave dëshmoi ekzistimin e një letërsie të pasur shqiptare të shkruar në alfabetin arab, duke dhënë një mori shënimesh për shkrimtarët e saj, e madje duke zbuluar të tjerë deri atëherë të panjohur. Vetëm nga Prizreni zbuloi dhjetë shkrimtarë shqiptarë që gjatë periudhës osmane kishin shkruar në gjuhët orientale. Po ashtu, ishte i pari që e trajtoi mevludin te shqiptarët në aspektin shkencor, duke vërtetuar se ekzistonin disa sosh te shqiptarët, prej të cilëve dy të shtypura në Stamboll në shqip me alfabet arab, Mevludi i Tahir Popovës dhe Mevludi i Ali Ulqinakut.

Kaleshi botoi një mori studimesh për qytete të ndryshme shqiptare, si për shembull atë për Prizrenin, ku trajton zhvillimin e gjithëmbarshëm të këtij qyteti gjatë periudhës osmane, si dhe përmendoret turke të qytetit, duke ofruar të dhëna të detajuara për secilën. Ai dëshmoi se në vitet 1867-1874 ekzistonte Vilajeti i Prizrenit, dhe ofroi të dhëna të papublikuara më parë mbi organizimin e pushtetit të këtij vilajeti dhe zhvillimin ekonomik e kulturor të tij. Kaleshi botoi edhe studime për familjet e mëdha shqiptare në Kosovë gjatë kësaj periudhe, siç ishte ai në të cilin e zbërthen gjenealogjinë e familjes feudale Rrotlla të Prizrenit dhe ofron të dhëna të vlefshme mbi biografinë e anëtarit më të shquar të saj, Mahmud Pashë Rrotlla, si dhe mbi objektet që kjo familje i ndërtoi në Prizren.

Në shumë shkrime mbi monumentet e Kosovës, Kaleshi u mor me xhamitë më të vjetra e më karakteristike të Kosovës. Ta zëmë, në mënyrë faktografike i hoqi të gjitha mëdyshjet e deriatëhershme se xhaminë e Sinan Pashës në Prizren e kishte ndërtuar Sofi Sinan Pasha me prejardhje shqiptare nga fshati Vilë i Lumës, ndërkaq xhaminë Sinan Pasha në Kaçanik e kishte ndërtuar Koxha Sinan Pasha, po ashtu me prejardhje shqiptare, nga fshati Topojan i Lumës. Në njërin prej studimeve mbi kishat ortodokse të Kosovës, të titulluar ‘Katërmbëdhjetë fermane turke për Manastirin e Deçanit gjatë periudhës 1506-1649’, Kaleshi ofroi dokumente me rëndësi të dorës së parë sa u përket qëndrimeve dhe marrëdhënieve të Perandorisë Osmane me Kishën Ortodokse në Kosovë.

Kaleshi ishte studiues i apasionuar i kronikave turke. Në një punim trajtoi kronikat më të vjetra turke, në të cilat shqiptarët përmenden për herë të parë sa i takon pjesëmarrjes së tyre në Betejën e Kosovës më 1389, duke ofruar edhe burime të tjera me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe të Skënderbeut.

Gjatë viteve ’70 Kaleshi botoi dhjetëra shkrime nëpër revista të ndryshme shkencore ndërkombëtare për personalitetet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, shumicën prej të cilave në Leksikonin për Historinë e Evropës Juglindore në Mynih (Lexikon zür Geschichte Südosteuropas). Gjatë po kësaj periudhe, në bashkëpunim me Institutin e Filmave Shkencorë në Gëtingen, hartoi tekstin për dhjetëra filma shkencorë dokumentarë për shqiptarët, kryesisht sa i takon folklorit dhe religjionit.

Është i pari studiues që trajtoi figurat e personaliteteve si Ibrahim Temo, Faik Konica, e kështu me radhë, të cilët regjimet komuniste në Shqipëri e në Kosovë i kishin përjashtuar edhe nga programet shkollore, e rrjedhimisht edhe nga vetëdija kolektive. Kaleshi ishte i pari që theu embargon të cilën historiografia mbarëshqiptare i kishte vënë Faik Konicës, duke e konsideruar ‘tradhtar’ të kombit. Në një letër që ia dërgonte botuesit të studimit për Faik Konicën në Nju Jork, Kaleshi thoshte:

“Kam shumë materiale mbi Faik Konicën, por botimi i studimeve mbi të në Kosovë asht i vështirë, sepse këtu i imitojnë ata të Shqipërisë si majmuna, e unë kam hy në konflikt të haptë me ta, kryesisht për shkak të falsifikimeve që i bëjnë”.

Në portretizimin e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare gjatë periudhës osmane, Kaleshi i paraqet grupimet politike shqiptare të kohës, qëllimet e tyre, bashkëpunimet me ‘armiqtë’, por edhe krimet e Perandorisë Osmane kundër shqiptarëve. Skicat biografike të hartuara nga Kaleshi janë themel i fortë për biografi më të zgjeruara për këto personalitete, jo vetëm sepse janë kritike, por ngaqë ua shpërfaqin dritëhijet, janë korrekte e të sakta, të mirëhulumtuara e antihagiografike. Këto skica biografike do të shquheshin si të jashtëzakonshme edhe po të shkruheshin sot, e le më para gjysmë shekulli, kur historianët në Kosovë, por sidomos në Shqipëri, kontrolloheshin nga regjimet komuniste. Ai e thotë vetë në një shkrim se “figurat e lëvizjes kombëtare shqiptare nuk duhet të ndahen si me shpatë në ‘patriotë’ e ‘tradhtarë’, mendimet nuk duhet t’i mbështesim në ‘autoritetet politike’, por në gjurmime shkencore”.

Kur jemi te personalitetet e Rilindjes, duhet shtuar se Kaleshi hulumtoi, analizoi dhe nxori në pah të gjitha veprat e Sami Frashërit të shkruara në gjuhën turke e arabe, dhe e afirmoi edhe jashtë kufijve të Shqipërisë e të Turqisë. Njësoj veproi edhe me Naim Frashërin, duke zbuluar të gjitha veprat e tij në turqisht e persisht.

Nga sa u tha më sipër, meqë zotëronte shumë gjuhë të huaja – sërbishten, boshnjakishten, kroatishten, maqedonishten, bullgarishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, e sidomos turqishten, osmanishten dhe arabishten – Kaleshi shfrytëzoi literaturë të gjithanshme për studimet e veta. Për dallim prej shumicës dërrmuese të kolegëve, ai nuk botoi vetëm në ‘Gjurmimet Albanologjike’ të Prishtinës, por shpërtheu përtej kufijve të Kosovës, duke botuar në revistat më të njohura shkencore në Shkup, Podgoricë, Beograd, Sarajevë e Zagreb. I shpërtheu madje edhe kufijtë e ish-Jugosllavisë, duke botuar nëpër revistat më prestigjioze në Stamboll, Ankara, Kajro, Kuvajt, Paris, Napoli, Palermo, Strasburg, Grac, Mynih, Frankfurt, Hamburg, Gëtingen, Nju Jork, e me radhë. Për më shumë, mori pjesë në dhjetëra konferenca e simpoziume shkencore ndërkombëtare.

Në intervistën e fundit, të botuar në gazetën ‘Bota e Re’ pak muaj para se të ndërronte jetë, Kaleshi këmbëngulte që duhej kultivuar një kritikë, e tillë që të mos lejonte që punimet pa kurrfarë vlere shkencore të shpalleshin të rëndësishme, e për më keq, të shpërbleheshin. Në këtë intervistë, duke folur për shkurtpamësinë e shkencës sonë, thoshte madje se “shkenca nuk është poezi, e cila më së miri shkruhet në gjuhën amtare” dhe kërkonte që të merreshin si shembull finlandezët, të cilët të gjitha punimet shkencore i publikonin edhe në ndonjërën prej gjuhëve më të njohura botërore.

Për fund, Hasan Kaleshi publikoi në një mori gjuhësh aq shumë artikuj, shkrime, kritika, recensione, fejtone, përkthime, fjalorë, tekste universitare, studime, libra, monografi, e kështu me radhë, sa bibliografia e punimeve të tij arrin në gati 400 njësi. Shqiptarët nuk kanë pasur dhe me gjasë vështirë se do ta kenë ndonjëherë një historian të kalibrit të Hasan Kaleshit. Prandaj, do të ishte me dobi të pamatë që sa më parë të hulumtohet, të grumbullohet e të publikohet vepra e plotë e këtij historiani të jashtëzakonshëm, i cili, për fat të keq, vazhdon të anatemohet edhe sot e kësaj dite.

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.