Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Puçi dhe kundërpuçi si përplasje autoritarizmash

Turqia e vitit 2016 – ku tentim-puçi i grupeve të organizuara rebele të ushtrisë që tentuan të merrnin pushtetin me dhunë shkaktoi qindra viktima, dhe ku dhuna populiste e inxhinieruar nga Presidenti Erdogan kundër dhjetëra mijëra turqve, që po vazhdon në emër të ‘ruajtjes se rendit demokratik’ – mishëron paradoksin mbizotërues të demokratizimit në Lindjen e Mesme: sa më pak e konsoliduar të jetë demokracia si sistem vlerash e normash politike, aq më tepër sunduesit populistë priren t’i keqpërdorin parimet demokratike për të forcuar sundimin autokratik. Duke marrë përmasa teokratike, autoritarizmi në Turqi po vë në pikëpyetje themelet laike të vendosura pas rënies së kalifatit të fundit islamik dhe themelimit të Republikës me aspirata Perëndimore në vitet 1920. Dhuna masive e organizatorëve të tentim-puçit (me 70 fluturake, rreth 250 makineri tokësore, tri anije, rreth 4,000 armë dore) nxiti kundërreagimin e ashpër të shtetit nën kontrollin total të Presidentit, ndërsa debati rreth kryefajtorit të pretenduar po shpërfaq rivalitetin skajshmërisht të dhunshëm politik mes dy ish-aleatëve me orientim islamik (Erdoganit dhe Gülenit). Kjo aleancë, që kishte sjellë në pushtet Partinë e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) më 2002 dhe ringjalljen ekonomike e politike të Turqisë, bazohej në dy premisa: (1) në idenë e bërjes së politikës më autentike duke e sjellë më afër vlerave të islamit (me qëllim edhe margjinalizimin e elementëve kemalistë e të majtë) dhe (2) në një marrëdhënie transaksionale: Erdogani ‘politikën e lartë’ (me bazë islamin politik dhe ‘neoosmanizmin’ e Davutoglut), Güleni ‘politikën e ulët’ (me bazë ‘islamin social’: virtytet e shërbimit publik në dobi të institucioneve efektive).

Çarja nisi më 2011, pas zbulimit të planit ‘Bajlozi’ dhe dënimit arbitrar të 275 vetave (oficerë ushtarakë, gazetarë e deputetëve opozitarë, të dyshuar si pjesëtarë të organizatës së emërtuar ‘Ergenekon’ nga shteti, të konsideruar si pjesë e ‘shtetit të thellë’). Ky ishte fillimi i përpjekjeve të pareshtura të Qeverisë për eliminimin e ndikimit politik të Gülenit, me justifikim zhbërjen e ‘shtetit paralel’, që ky i fundit i konsideron luftë për pushtet që eksploaton islamin politik. Së këndejmi përplasja mes islamit politik (si ideologji e islamizimit të shtetit duke përdorur fenë për qëllime politike, që pashmangshëm përplaset me demokracinë dhe sjell regjime jodemokratike), dhe atij ‘social’ (si mbrojtje e shtetit laik dhe promovim i vlerave progresive të islamit ekskluzivisht si fe (moderne), në dobi të harmonisë dhe diversietit). Sidoqoftë, për aq sa ka riorientuar shtetin dhe minuar natyrën laike dhe aspiratat demokratike të turqve, dhe ka sjell qeverisje autoritare dhe tentim-puçin – përmes një ideologjie subversive që gërryen nga brenda kemalizmin – ky rivalitet islamizmash përbën përplasje autoritarizmash me prirje teokratike. Kjo përplasje autoritarizmash ka implikime negative jo vetëm për Turqinë dhe Lindjen e Mesme (ku përvoja me Pranverën Arabe ka diskredituar rëndë islamin politik, si destruktiv për demokratizimin), por edhe për Ballkanin. Arsyeja qëndron në: ndikimin politik, ekonomik e kulturor të Turqisë; tendencat autoritare të udhëheqësve politikë dhe cenueshmërinë e shoqërive ndaj tyre; dhe zhvillimin e ngadaltë politik e ekonomik.

Mbijetesa e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike atje tregon një masë stabiliteti politik, të një demokracie elektorale, por evoluimi i balancit dhe kundërpërplasjet aktuale mes forcave politike laike dhe atyre islamiste në kontekstin e islamizimit politik të Turqisë nën AKP-në shpërfaq një demokraci jostabilite. Interpretimi i islamistëve në pushtet i asaj sesi ka ardhur deri te puçi është monolitik, por faktikisht Güleni dhe pasuesit e tij po akuzohen arbitrarisht, bazuar jo në dëshmi por ekskluzivisht në kritikat e tyre ndaj autoritarizmit dhe politikave politikisht islamizuese të AKP-së së Erdoganit, dhe mjegulla e krijuar po mbyt cilindo zë racional e argumentim objektiv që të bën të besosh në drejtësi. Prandaj, trajtimi i pasojave të tentim-puçit do të sjellë përqendrim të paprecedent pushteti në duart e Presidentit dhe AKP-së, kontroll të plotë politik mbi institucionet; minimin e të drejtave të njeriut e individualizmit dhe margjinalizimin e akterëve të pavarur politikë në një shoqëri dinamike në demokratizim; dhe ‘etatizimin’ e mëtejshëm të ekonomisë më të globalizuar në rajon. Kjo përfundimisht do të minojë shekullarizmin dhe demokracinë si shtylla shtetndërtimi.

Kjo perspektivë më komplekse e shtetndërtimit demokratik tregon se Turqia i ka hyrë një rruge destabilizimi politik. Kësaj i kanë kontribuar akterët kryesorë politikë: kundërshtimi euforik (i shtyrë nga atmosfera e linçimit kolektiv) i dhunës së puçistëve, jo i dhunës per se, nga ta i ka hapur udhë Presidentit të vetëngrohet, simbolikisht, në një lloj despoti kuazihyjnor ‘profet-kalif-baba i kombit’: një autoritet suprem që gjen të dyshuarit e arreston, dëshmon fajësinë e ndëshkon, unifikon e përçan, mbron demokracinë e shtetin ligjor. Në marshin pesëmilionësh të 7 gushtit ftoi liderin kemalist (Kiliçdaroglun e Partisë Popullore Republikane) dhe atë nacionalist (Bahçelin e Partisë së Veprimit Kombëtar), por jo Demirtasin e së majtës pro-kurde (Partisë Popullore Demokratike), ndërsa duke aluduar në këtë të fundit foli për “bashkëpunëtorë të PKK-së” dhe sesi “nuk sheh dallim mes atyre që tentojnë puçin dhe terrorizmit”. Përtej thellimit të ndarjeve brenda vendit përgjatë linjave ideologjike e etnike, tendencioze janë edhe akuzat ndaj ShBA-së (për mosbashkëpunim dhe bashkëfajësi, pa ofruar dëshmi për fajësinë e supozuar të Gülenit), dhe ndaj BE-së (për mospërkrahjen e institucioneve të zgjedhura).

Me manipulim të pakontrolluar populist, ku dhuna është brenda suazave të normalitetit të sjelljes politike, të zgjedhurit në mënyrë demokratike po i bëjnë puç, simbolikisht, demokracisë pjesëmarrëse. Kjo pasi që politika sillet ekskluzivisht rreth kultit të personalitetit të liderit autoritar, me tendenca teokratike, lider ky të cilit kriteri i shumciës i jep të drejtë të shtypë çfarëdo pakice. Ky rreth vicioz dhunë – kult lideri autoritar – demokraci populiste rrënon demokracinë pjesëmarrëse. Në anën tjetër, duke marrë parasysh pozitën strategjike e ndikimin politik të Turqisë dhe faktin e ajo është ekonomi e hapur, tendenca komplotiste e shfrytëzimit të krizave të brendshme (të shkaktuara nga rivaliteti i dhunshëm për pushtet mes liderësh autoritarë) për përplasje diplomatike me vende aleate rrezikon destabilizim në disa rajone. Kjo nxjerr në pah një sërë paradoksesh të sjelljes hipokrite të Turqisë si fuqi ‘multirajonale’.

Në rrafshin e brendshëm, kjo i bie të shkelësh funksionin prej udhëheqësi që përfaqëson unitetin e kombit me njëanshmëri tendencioze, në baza ideologjike e etnike, dhe me thirrje përçarëse qytetarëve për linçim kolektiv dhe për të mbrojtur demokracinë e rendin kushtetues në rrugë, duke rrezikuar të nxisësh luftë civile. I bie të veprosh si autoritet suprem i kësaj dhe botës së përtejme, që ‘rivendos rendin e shtetin e së drejtës’ në mjegullën e gjendjes së jashtëzakonshme ku suspendohet e drejta dhe arbitrariteti është Ligji: gjen qindra mijëra ‘fajtorë’ brenda natës, i liron (sa për të mundësuar vende për të kapur të tjerë), i riarreston e dënon, në rreth vicioz (dhe atë gjithçka domosdo gjatë gjendjes së jashtëzakonhme). I bie t’i nënshtrohesh dalldisë së populizmit dhe, në përpjekje për të zgjidhur kriza, të ‘institucionalizosh’ turmat si kategori politike dhe ‘çinstitucionalizosh’ vlerat e normat politike shekullare e demokratike me pretendimin se po mbron rendin kushtetues e institucionet demokratike. I bie që ndërsa në perspektivë afatshkurtër përpiqesh të imponosh ndëshkim kolektiv deri te personi i fundit që e dyshin si puçist, në perspektivë afatgjatë të rrezikosh që t’i bësh puç demokracisë si sistem vlerash e normash politike.

Në marrëdhëniet me jashtë, kjo i bie të shkelësh hapur parimet themelore demokratike (të ndarjes së pushtetit dhe të së drejtës në jetë) ndërsa synon t’i bashkohesh një komuniteti vlerash demokratike tash e gjysmë shekulli. I bie që ndonëse i përket aleancës më të fuqishme ushtarake, mund të persekutosh arbitrarisht një të tretën e udhëheqjes së ushtrisë, dhe rrjedhimisht të rrezikosh kornizën strategjike të sigurisë kolektive pa të cilën je i rrezikuar në një Lindje të Mesme, të zhytur në jostabilitet e kriza. I bie të flirtosh irracionalisht me një lider tjetër autoritar ndërsa shteti i tij përkrah politikisht e armatos liderin e shtetit që të ka sjellë krizën më të madhe të refugjatëve, me kosto prej miliardash, ndërsa në të njëjtën kohë merr miliarda ndihmë për të zbutur këtë krizë nga po e njëjta ‘fuqi normative Evropë’ vlerat themelore të së cilës kërcënon t’i flakësh tutje brenda natës. I bie të përpiqesh t’u diktosh vendeve aleate (përfshirë vendin më të fuqishëm të komunitetit të vlerave demokratike që aspiron t’i bashkohesh) lista gazetarësh që duhet ndjekur penalisht ndërsa përfiton ekonomikisht nga resurset e infrastruktura e tyre kritike me interes nacional për ta, përkundër faktit që praktikat tua socio-politike të patronazhit e klientelizmit shkelin të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës atje, dhe ndërsa rankimet ndërkombëtare të nxjerrin më jodemokratike se Kina në aspektin e lirisë së mediave brenda vendit. I bie të rrezikosh njëfarë ‘saudi-arabizimi’ vlerash e normash politike që mbron, pasi që po rrezikon rrëshqitjen nga një vend me aspirata që të bëhesh demokraci liberale drejt një teokracie më jostabile se vendi më teokratik.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.