Ditë ma parë, në nji intervistë në RTK, Kryeministri Isa Mustafa foli për shumëçka. Mes tjerash, foli edhe për protestuesit e ‘Vetëvendosjes’, të cilët paskan tentue me i hy në oborr të shtëpisë në Prapashticë, në kuadër të të cilit elaborim, e tha nji fjali që më mbeti n’mend:
“Bohuni burra, por mos merrni gra, mos bini vajza, mos bini fëmijë, ata që janë burra, ata që janë trima, ata të vijnë e të hyjnë në oborr, sepse trimnia s’ka kufi…”
Shprehje të tilla sikur ajo ma nalt, jo vetëm se nënçmojnë gratë tue i konsiderue ato të nënshtrueme ndaj burrave, por nënçmojnë të gjithë qytetarët pavarësisht gjinisë, së paku ata të cilët konsiderojnë që në nji shtet demokratik kryeministrit nuk i takon të shpallë ofertë private për matje trimnie në mejdan të burrave.
Fjalori që përzgjodhi z. Kryeministër në rastin ma të mirë i përket mentalitetit të odave të burrave, ku dikur pleqnohej vendi i grave në këtë botë, ndërsa në rastin ma të keq i përket fjalorit të nji njeriu që i ngarkuem me detyrën ma të naltë shtetnore ka ngatrrue përgjegjësinë me arrogancë. Në fakt nuk e di cili asht këtu rasti ma i mirë e cili ma i keq, fakt asht që të dy duhet të jenë kategorikisht të papranueshme.
Përpara se me e analizue ma tej diskursin kaq domethanës të kryeministrit, më duhet me thanë se ai ka plotësisht të drejtë kur thotë në të njejtën intervistë se askush nuk duhet të guxojë të cenojë integritetin familjar e privat të nji personi, që secili duhet të respektojë pronën private të tjetrit, dhe, do shtoja unë, veçanërisht atë të nji udhëheqësi shteti.
Por, në raste kur prona private cenohet dhunshëm nga dikush, ekziston ligji dhe policia që duhet të mbrojë individin dhe pronën e tij nga rreziku; dhe e fundit çka duhet nji kryeministër të thotë në nji intervistë asht, të bajë thirrje për mejdan me burra.
Nuk e konsideroj asnjiherë në rregull dhunën, kushtimisht as protestat e dhunshme pavarësisht qëllimit dhe bile acarohem kur ato damtojnë pronën publike, e cila më kushton mue si qytetare e vendit koxha shumë. Prandaj para kësaj, unë si qytetare madje mendoj që e kam edhe obligim me e ngritë zanin kundër çdo forme të shkatërrimit të pronës publike, sepse shkatërrimi i pronës publike asht nji formë dhune edhe ndaj meje si qytetare e lirë dhe si tatimpaguese e këtij vendi.
Por unë gjithashtu e konsideroj dhunë ndaj integritetit tem si grue në këtë shoqni, nëse kryeministri i vendit nji grue e krahason me nji fëmi për të cilën burri merr vendim, se kur ajo duhet me ndejtë në shtëpi e kur me dalë në protesta.
Ai me siguri e di që kur në nji shtet gratë dhe fëmijët dalin në rrugë me protestue aty qeveritë ndodh që do të rrotullohen dhe unë nuk kam dyshime që politikanin brenda tij kjo e frikëson. Megjithatë ai zgjodhi me folë si burrë, e jo si politikan.
Ia vlen të kujtohemi kohë mbas kohe që ishin edhe gratë që protestuen në vitin 1981, ishin edhe gratë që kapën armët (e lapsat) me e mbrojtë atdheun në luftëna, si Shote Galica, Marie Shllaku, Musine Kokalari, Xhevë Lladrovci, për me i përmendë vetëm disa që po ju harrohet emni në zhurmën e injorancës sonë politike, që treguen trimni edhe atëherë kur burrat heshtën.
Kur kryeministri i vendit sot i referohet aktivistëve të VV-ës dhe i thotë me i lanë gratë te shpija, ai po harron që në mesin e tyne asht edhe Mimoza Shala, nji grue që nuk la asgja mangu në “mejdan të burrave”, e nuk i mungoi trimnia e vullneti, por kur ishte nevoja doli me luftue me mbrojtë atdheun barabar me burrat. E ajo sot kur ta shohë të nevojshme del me protestue kundër qeverisë, del me protestue për me mbrojtë atë në çka beson. Kryeministri mundet me i kontestue qëndrimet e saj, por atij as si burrë as si kryeministër nuk i takon, me e negociue ndër burra të drejtën e saj për protestë. Ndërkohë që fjalia e tij pikërisht kështu mundet me u kuptue: si negociatë ndër burra, se ku e kanë gratë vendin.
Diskriminimi fillon me fjalor dhe ndaj fjalorit të nji kryeministri veshët e nji populli të tanë janë të hapun me ndigjue me vëmendje. Fjalori i tij na përfaqëson neve edhe jashtë vendit, e pavarësisht sa bukur mvishet nën pendat e korrigjimeve politiko-korrekte; ai kurrë s’ka me qenë majft i denjë me na ba drejtësi, kur ai fjalor nuk asht as rezultat i “t’folmit pa mendue”, por asht rezultat i nji botëkuptimi diskriminues, përndryshe “t’folmit bash qysh në të vërtetë mendohet”.
E ky asht problemi real për Kosovën. Sepse, kryeministri i saj asht kryeministër “burrë”.
Si gra, ne po ballafaqohemi çdo ditë me faktin që megjithë kuotat që i garantojnë grave vende në kuvend, pjesëmarrja nuk asht gjithçka dhe mbi të gjitha nuk asht përfshimje. E që qeveria e Kosovës asht qeveri burrash, nëse nuk e kemi kuptue ma herët e kuptojmë pikërisht nga fjalori sikur ai i kryeministrit – nji fjalor që trimninë ia atribuuon burrave, e vendin e grave në shoqni – urdhnit t’burrave. Nji fjalor si ai që komplimentin ma sublim për gratë e quen “burrneshë”.
Tue mos pasë dyshim që përbuzja e kryeminsitrit ndaj grave asht mbeturinë e mentalitetit burrnor, ndaj të cilit ai mundet edhe me u ndie i pafuqishëm, unë ftoj gratë me u ndie mjaft të fuqishme mos me e tolerue ma.
Gratë e Kosovës nuk ia patën borxh nji nënçmim të tillë atij dhe nuk ia kanë askujt. E shpresoj që zanit tem i shtohen edhe zanet e politikaneve tona, kolegeve të tij, e të të gjitha grave që nuk harrojnë se jemi tue jetue në nji Kosovë, ku në luftën për barazi gjinore e për liri të grave (perderisa burrat trimninë e shohin si vlerë burrnore e burrninë e shohin si vlerë të pacenueshme njerëzore) udhëheqin shtetin: ma së pari je grue e pastaj çkado tjetër.
Duhet të jemi të sinqertë që jemi hala shumë larg barazisë, e për këtë arsye si gra, i kemi borxh gjysheve e stërgjysheve tona, e gjeneratave të ardhme, mos me shuejtë e mbi të gjitha mos me u ba kish s’pamë e kish s’ndigjuem.
Sepse, gratë kosovare hala lindin fëmijë korridoreve të spitaleve; hala ato e mblojnë gjinin kur e ushqejnë fëmijën; hala ato e ulin kryet poshtë sepse u përdhunuen; hala ato vdesin prej duerve të burrave të tyne. Kjo asht Kosova, nuk asht nji tjetër. Kosova asht ma e madhe se ajo që rrethohet brenda gardhit të luksit t’politikanëve të saj.
E nëse asht nevoja do ta bajmë edhe mizën elefant. Pse jo? Sepse, këtë po baj unë tashti, po e baj nji mizë elefant në këtë vend, ku natyrisht çdo herë munden me u gjetë “probleme ma të randësishme” se fjalori nënçmues i kryeminsitrit të vendit ndaj grave, për me u diskutue.
Ose s’smunden, në fakt jo nuk munden! Sepse, në këtë vend ku ma butë i shtrihet lëkura bythës së nji politikani sesa plagës të nji nane që sapo ka lindë, nuk besoj që do të duhej diçka tjetër të konsiderohej ma e randësishme se pozita e grues në këtë shoqni!
Nëse asht nevoja edhe me nxjerrë dreqin prej shishes, për të cilin asht përfolë që jemi mjeshtër me e futë aty, do ta nxjerrim veç për me e shti prap aty, sepse mendoj që asht koha me i tregue qeverisë sonë “burrnore” që zhurmat e vazhdueshme për barazi gjinore mos me i injorue tue i konsiderue si shpërthime hormonale, me përbuzjen e zakonshme të formulume me sarkazëm ndaj nji kërkese “të shterrun” në letër. Kërkesa për barazi gjinore asht e shterrun veç atëherë, kur barazia gjinore asht e vetëkuptueshme, jo veç si e drejtë, por edhe si zakon.
Ndërsa, që për me e evitue injorimin ndaj kësaj kërkese, duhet të fillojmë sot të flasim sinqerisht se ku asht problemi e t’i themi gjanat ashtu si janë. Ta themi troç që:
Kosova asht nji vend që qeveriset prej burrave që nuk e shohin gruen të barabartë me veten. Pikë.
Kosova asht nji vend ku barazia gjinore asht veç përmbushje kuotash (të cilat edhe ato në nji numër koxha relevant keqpërdoren, edhe prej grave). Pikë.
Kosova asht nji vend ku kryeminsitri i saj ka mendime patriarkale ndaj grave. Pikë.
Kosova asht nji vend ku liria e grave hala konsiderohet ma shumë mëshirë e burrave se e drejtë e grave. Pikë.
Kosova për bile gjysmën e popullatës së saj, hala asht nji vend në luftë. Pikë pikë pikë.
E të gjitha këto veç e theksojnë nevojën urgjente të Kosovës për nji revoltë të pakompromis që thirret në atë botëvështrimin radikal sipas të cilit grueja asht njeri.
Ndoshta edhe nuk po e baj mizën elefant, por në fakt thjesht veç po e përmendi elefantin në mes të dhomës që të gjithë po e shohim e po bahemi kish s’asht aty.
p.s. Jam e vetëdijshme që aty-këtu edhe ndonji ministër, zv/ministër, këshilltar ministrash apo/dhe deputet apo/dhe burrë tjetër mundet me u ndie i “adresuem” me këtë shkrim. Nuk prishë punë.