Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rastësorët: reflektim mbi funksionin e rastit (fatit) në politikën kosovare

Për herë të parë Kosova hezitoi ta dëgjonte fjalën e Shteteve të Bashkuara. Për disa ditë pauzuam nga të qenët servilët e përhershëm ndaj tyre,  dhe u mbushëm me shqetësim e tutë. Përparimi i deritashëm, sado i ngadaltë apo i dhimbshëm, i detyrohet para së gjithash atyre. Çlirimi ynë, marrë parasysh forcën e UÇK-së krahas kundërshtarit, i detyrohet ndërhyrjes së iniciuar nga ata. Prandaj, shqetësimi ishte i arsyeshëm pavarësisht që është ndjenjë e mirë të mos jesh i nënshtruar.Por, çka e shkaktoi atë rrethanë? Padyshim, presidenti ynë. Ai u mundua ta transformonte FSK-në, pa ndryshime kushtetuese, pa Listën Sërbe, por me një bashkim të pozitës dhe opozitës së përçarë tash e sa kohë. Romantike dhe e dëmshme. Por, halli i Thaçit nuk ishte transformimi i FSK-së apo pajtimi i pozitës me opozitën, por pozicioni dhe imazhi i tij për keqardhje si president. Ai është i izoluar si brenda, ashtu edhe jashtë. Është i refuzuar nga partitë politike në Kosovë, veço ish-partinë e tij, dhe nga faktorët ndërkombëtarë. Nuk është aspak e zorshme të shihet qëllimi i tij. Ai madje, kishte guxuar ta rrente opinionin e shqetësuar në Kosovë se e kishte mbështetjen e amerikanëve. Megjithatë, më pas erdhi një zyrtar i lartë amerikan, zëvendës-ndihmës sekretari Hoyt Lee, dhe e demantoi në sy. Natyrisht që, Shtetet e Bashkuara nuk do ta mbështetnin një gjë të tillë, ku rrezikohej vetë Kushtetutshmëria e Republikës sonë. Kosova është vend multietnik, dhe vetë ekzistenca e saj varet nga bashkëpunimi dhe respektimi i komuniteteve etnike.Çka mësuam nga e gjithë kjo punë? Se Kosova e ka një elitë politike shumë të dobët e idiote, të paaftë të rezonojë matanë instinkteve krejt kafshërore. Një elitë shpurdhëse e jo lëvizëse. Poashtu, mësuam se Presidenti i vendit është më i dobti që nga paslufta. Krejt i pafuqishëm e i papërfillshëm. Një rrenc i nëpërkëmbur. Rastësor në politikë.

*

Në vend se t’ia ngulin sytë e ta shohin mirë dikënd, njerëzit priren ta paragjykojnë e ta rikrijojnë me imagjinatë. Për shkak të dukjes, ndodh që një person ta marrin për të mirë, një tjetër për të mençur, e një me fytyrë me vraga e zëçjerrët për kriminel. Është një film nga Hal Ashby i vitit 1976 që e ilustron shumë bukur atë prirje. Ai quhet Being There. Bëhet fjalë për një individ krejt idiot, që përmes një varg rastësish vije në majë të pushtetit. Por, pavarësisht që kamera përqendrohet në të, mendoj se në qendër të filmit është shoqëria që e rrethon. Më saktë, mënyra sesi njerëzit e perceptojnë (ose duan ta perceptojnë). Sesi e pranojnë dhe e ngrisin. Chance-i është, përdorur fjalën tonë, budallë. Ai di të sillet, të mos ia prishë askujt, di të dëgjojë e të bëjë rrafsh ato që njerëzit thonë, di të bindet. Kur jemi vetëm me të, mërzitemi sepse ai është i mërzitshëm. Është i edukuar veç nga një televizor. Por, kur rasti e përzë nga shtëpia ku rrinte dhe kënaqej me atë televizor, ai përplaset në do rrethana fatlume që e bëjnë president të Shteteve të Bashkuara. Thjesht, duke qenë aty. Dhe ne kënaqemi duke e parë Chance-in të jetë aq me fat, ani pse skajshëm i mërzitshëm dhe i pakualifikuar. Kjo sepse, siç ndodh rëndom, regjisori arrin të na krijojë afri të madhe me personazhin.

Njerëz si Chance-i kemi me bollëk në Kosovë. Të edukuar nga televizori, ndejat nëpër oda a shpija dhe nga rruga. Por jo nga shkolla. Njerëz pa komplekse, si të ishin rritur në xhungëll. Dhe ç’është më e rëndësishmja, në Kosovë e kemi pikërisht kushtin themelor për ngritjen e këtij tipi të njeriut: shoqërinë dobësirë-dashëse, të pakualifikuar, perverse, në rendje të fatit.

Për shkak se fliste rrallë e hiç dhe kishte pamje disi mallëngjyese, njeriun e bënë Komandant të Përgjithshëm të UÇK-së. I pari i UÇK-së ishte shumë i ngjashëm me Chance-in. Bëhet fjalë për Azem Sylën. Por as Hashim Thaçi, presidenti aktual, nuk ka më shumë se Chance-i. Ndoshta ambicien (filmi nuk e shfaqë Chance-in në detyrën e politikanit, ku pashmangshëm do t’i krijohej ambicia dhe do të ndahej nga ajo jetë e thjeshtë). Ai nuk është njeri i keq. Rrenat i zihen. Dredhimet që bën janë tepër të qarta. Ai mendon për veten, tepër thjeshtë. Dhe, e shihni si u ngul? Mbeti krejt i izoluar si brenda, si jashtë.

*

“Por Thaçi është njeriu më i votuar në Kosovë” – mund të kundërshtojë dikush. Të gjithë i dimë rrethanat e ngritjes së tij. Luftë. Mjaftonte të përziheshe në atë atë mjedis luftëtarësh, ku cilësia më e çmueshme ishte dukja patriotike. Ishte mjedis i pastrukturë, ku depërtimi nuk kërkonte mund të madh. Kështu ndodh zakonisht nëpër bashkësi që duke mësyrë efektivtetin në relacion me forcat e jashtme, e homogjenizojnë brendësinë duke mos dashur kokëçarje në brendi. Kështu pra, u ngrit Thaçi dhe një mori njerëzish si ai. Duke qenë aty. Fati e pati një funksion tepër të rëndësishëm. Sepse, në rend të parë në bashkësinë e njerëzve që e organizonin luftën ishte sulmi ndaj aparatit shtetëror si forcë e jashtme.

Dhe veç kësaj, demokracia nuk ka të bëjë veç me votimin. Nëse je në krye, votohesh. Thaçi dhe PDK-ja e tij, i humbën thellë zgjedhjet nga LDK-ja e Rugovës deri në fund të 2007-ës. Pa ditur se çka të bënin. Derikur u vet-thye LDK-ja, dhe PDK-ja fitoi. Por shihni se çka bëri pas fitores. Hapa krejt të parashikueshëm të një lideri rastësor. Sa i përket ngritjes arsimore për shembull, ajo që bëri ishte ndërtimi i shkollave dhe hapja e universiteteve, në dëm të vetë cilësisë. Në dukje paqëllimshëm u mirëmbajt dobësia. Por jo, nuk ishte e paqëllimtë. Thaçi është vetëm fytyra që simbolizon mënyrën e ngritjes së mijëra vetëve në shoqërinë kosovare. Kosova e viteve 90-të, por edhe 2000 i kishte dy lëvizje ose grupime të homogjenizuara, ku për shkak të mungesës së aktivitetit të brendshëm, i jepnin një hapësirë të madhe rastit të zgjidhte njerëzit në krye. Përqendrimi i tyre ishte aktiviteti i jashtëm. Rasti, nuk i zgjedh më të mirët. Ai është qorr e shurdh. Kaotik. Kështu, dobësia u bë nevojë për mirëmbajtjen e pushtetit. Punësimi i të afërmve, nuk është veç shenjë e dashurisë për ‘tëndin’, është para së gjithash, përzënje e ‘tjetrit’, mbyllje e hapësirës për ‘tjetrin’ që mund të jetë për fatkeqësinë e Rastësorit, i kualifikuar, i mençur, i dijshëm, dredharak.

*

Të kthehemi te paragrafi i mëparshëm për një përdëshmim të mëtejmë të dobësisë së presidentit. Demokracia pra, nuk ka të bëjë thjesht me votimin. Nëse je në krye votohesh. Demokracia ka të bëjë sidomos me ndërveprimin me forcat e tjera politike. Ja ku e shohim mbretin cullak, si në tregimin e Andersenit. Në vitin 2014, partia e Thaçit doli e para me një distancë të madhe votash, por nuk ia doli të gjente partner për të formuar Qeverinë. Asnjë nga katër partitë e tjera parlamentare nuk pranoi të hynte në Qeveri me të. Në politikë, je i zoti nëse i ruan partnerët, jo nëse i humbë. Kjo fjali mund të ishte epigrafi i kësaj pjese.

Afera “Pronto” ku dëgjohej edhe zëri i Thaçit, e shpërfaqi metodologjinë primitive me të cilën e shtrinte pushtetin partia e tij. Vrazhdë, padijshëm, shqiptarçe. Asgjë të mençur e dredharake nuk kishte aty. Por, oponentët e tij politik, edhe këta politikisht krijesa rasti, vazhdojnë ta mendojnë si një “dreq të shkathtë”. Ndoshta për t’i arsyetuar humbjet e tyre ndaj tij. Madje, me këtë bashkohet një pjesë e madhe e opinionit publik, siç ndodh rëndom me liderët. Siç ndodhi edhe me Chance-in. Sapo dikush bëhet i pushtetshëm, perceptimi për të ndryshohet rrënjësisht.

Epo jo, asnjë shkathtësi nuk fshihet prapa Hashim Thaçit. Ai është krejt i thjeshtë, i parashikueshëm e i dobët. Dhe fati, vazhdon ende të ketë një funksion shumë të madh në politikën tonë. Nga bisedat e aferës “Pronto”, ne morëm vesh se viktima e vetme në shoqërinë kosovare është njeriu i kualifikuar, i shkathët, i aftë për të kryer punë. Ndërkohë, i favorizuar është ai me fat, dobësira e ndodhur aty, i afërti me rastësorët në pushtet. “Pronto”-ja nuk tregoi se sa të mençur e të dijshëm janë këta pushtetarë. Krejt e kundërta, na e shpërfaqi para hundëve atë që e heshtnim duke u marrë me konspiracione: jemi të pushtuar nga budallenj.

Fati e ka një element kryesor në brendi, kaosin. Ai është i pacaktuar, krejt i lirë dhe prandaj e bën namin kur njeriu, si një qenie përcaktuese e krijuese, nuk përcakton e nuk krijon. Në politikë, rasti ka qenë arma e të dobëtit, për njerëzit e pacilësi që duke dashur riciklimin e vetes, natyrshëm, bëhen armiq të rendit, ligjit, kritereve, përcaktimit e krijimit.

Rastësorët nuk duan lojë me rregulla, me kritere, ku iu vihen në spikamë cilësitë. Sepse ata nuk kanë cilësi. Ata nuk dinë dhe nuk munden. Ata e duan kaosin e fatin, sepse vetëm në atë formë kanë shanset e tyre. Të kesh fat, kaq mjafton.

Lufta më e madhe e këtij sistemi rastësorësh, siç edhe mund të paramendohet, është ndaj çfarëdo përcaktimi, kriteri, cilësie a vlere. Nuk iu konvenon asgjë e tillë. Prandaj, dyert e universiteteve u hapën thuajse për secilin, pavarësisht cilësisë që ai e kishte. Praktikisht, secili analfabet mund të marrë diplomë universitare, ose thënë ndryshe, të marrë dukjen e të kualifikuarit. Kështu mirëmbahet nga rastësoret, vlera e mospunës dhe mosangazhimit, vlera e vjedhjes dhe shpërdorimit të gjithçkaje.

*

A ka ndonjë rrezik edhe më të madh nga kjo mirëmbajtje e dobësisë? Natyrisht që po. Kemi shumë shembuj në histori, sesi të pasuar nga lufta, elita politike rastësore, të pakualifikuara, ngarendën pas homogjenizimit të vendeve të tyre. Vendi u bë një. Edhe në Kosovë, më duket se vërehet një dëshirë që skena politike ta tejkalojë përçarjen, madje çdo përçarje, të bëhet bashkë ashtu romantikçe, dhe të dashurohet pafundësisht duke e rritur efektivitetin ndaj forcave të jashtme.

Shpirti nuk është një papërcaktueshmëri e strukur në terr. Shpirti është përcaktueshmëri, krijim e veprim. Dhe shoqëria kosovare, duket se po dështon të krijojë shpirtin e saj nga mungesa e thyerjes së heshtjes, e mbushjes së hapësirës me veprim, nga mungesa e krijimit të vlerave.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.