Një djalë i ri, i dëshpëruar për të emigruar në një vend tjetër, në kërkim të një jete më të mirë; një burrë i klasës punëtore i lodhur nga jeta dhe vështirësitë e saj, i bllokuar në një vend ku asgjë nuk ndodh; një nënë e pamartuar jeton me vëllain e saj; një pronar stacioni televiziv që i shërben vetëm interesit; një shoqëri ku veprimet dhe sjelljet të pamoralshme mbizotërojnë; një dashuri e parrëfyer, joreciproke, që mbetet në ajër. Këto janë historitë e ndërlidhura të filmit ‘Takim në Ajër’ me regji dhe skenar nga regjisori i ri Ardit Sadiku.
Edhe pse historia e Drinit i cili kërkon të emigrojë në Suedi është thelbi i filmit, janë të gjitha këto historitë e vogla që e shoqërojnë atë që në fakt ndihmojnë t’i japin një shpjegim dhe justifikim motivit të tij. Është pikërisht ky realitet shoqëror i thyer dhe dëshpërues, si dhe paaftësia për të siguruar një mjedis të zbatueshëm për rininë që ndikon mbi vendimet e të rinjve për të ardhmen e tyre dhe i detyron të largohen jashtë vendit.
Kjo paaftësi për t’i shpëtuar këtij ambienti të thatë dhe të izoluar bëhet edhe më urgjente nga mënyra sesi personazhet lëvizin rreth tij, megjithatë ata nuk shkojnë askund, janë të mërthyer aty. Blerimi dhe shoqëria e tij janë gjithmonë në lëvizje me makinë, por ata nuk shkojnë shumë larg.
Kështu krijohet një efekt klaustrofobie dhe një dëshirë urgjente për t’u arratisur diku larg, e ngjashme me atë të Drinit. Breshka e kufizuar në kafaz funksionon si një metaforë e përshtatshme për ndjenjën e kufizimit që personazhet përjetojnë. Gjithashtu, fakti që asgjë nuk ndodh në të vërtetë gjatë kohëzgjatjes së gjithë filmit, krijon po të njëjtin efekt. Jemi duke pritur 3 ditë deri sa intervista e Drinit, të cilin Blerimi e xhiron të transmetohet në televizion, dhe ndërsa presim transmetimin e intervistës, ndërtohet tensioni i potencialit për zhgënjim.
Filmi pati premierën e tij në datën 31 korrik 2020 në Cobb Film Festival, Georgia, SHBA, ku Herton Meta u dekorua me çmimin aktori më i mirë – i pari dhe ndoshta i vetmi midis aktorëve të tjerë që meriton këtë çmim.
Aktorët në përgjithësi vërtet janë joimpresionues – ata japin përshtypjen se janë jo aktorë në role të ndryshme, por njerëz të thjeshtë dhe të përditshëm. Por është pikërisht ky aspekt që rrit realizmin e filmit. Kombinuar me dialektin rajonal të Shkodrës dhe rrethinat natyrore lokale, kjo është një dramë jo shumë larg traditës neorealiste. Dhe sigurisht puna e operatorit ((Director of Photography) Adi Grishaj ndihmon këtë dimension të filmit dhe është një aspekt tjetër që meriton plotësisht çmimin e dytë që filmi fitoi në këtë festival.
—
Foto: Galeria CinePlexx