Shifrat e Agjencisë Statistikore të Kosovës (ASK) tregojnë për rënie të lindshmërisë në vend. Sipas të dhënave paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë është 1,586,659 banorë.
Kjo përbën një rënie krahasuar me të dhënat e vitit 2011, ku ishin regjistruar 1,739,825 banorë. Kjo rënie e popullsisë vjen për shkak të dy faktorëve kryesorë: emigrimi i lartë dhe rënia e natalitetit.
Një nga gjetjet kryesore të regjistrimit të popullsisë së vitit 2024 është se Kosova po kalon në fazat e fundit të tranzicionit demografik. Tranzicioni demografik përshkruan ndryshimin nga nivelet e larta të lindshmërisë dhe vdekshmërisë, drejt niveleve të ulëta, që zakonisht ndodhin me rritjen e kushteve socio-ekonomike.
Kosova, megjithëse është ndër vendet më të reja në Europë për sa i përket moshës mesatare, me një moshë mesatare të popullsisë prej 34.82 vjet në vitin 2024, tanimë po shkon drejt plakjes së popullsisë, fenomen tashmë i pranishëm kudo në Europë.
Sipas Bankës Botërore, gjatë vitit 2022, lindshmëria në Kosovë ishte 1.5 fëmijë për grua. Për krahasim, para një dekade, shifra ishte 2.0 fëmijë për grua. Por, kur krahasojmë Kosovën me shtetet e rajonit, vërehet se Kosova nuk është larg prej tyre. Lindshmëria në Bosnjë është 1.3, në Shqipëri 1.4, kurse në Serbi dhe Maqedoninë Veriore shifrat janë 1.6.
Megjithatë, Kosova është më afër me shifra me shtetet e zhvilluara të BE-së, sesa vendet e tjera në zhvillim. Në nivel global, lindshmëria te shtetet me të ardhura të mesme është mesatarisht 2.2. Kjo shpërfaq një problem serioz për Kosovën.
Rënia e natalitetit ka pasoja të shumëfishta, duke ndikuar në të gjitha aspektet e shoqërisë, nga ekonomia deri te shërbimet sociale dhe struktura demografike.
Një nga pasojat më të drejtpërdrejta është plakja e popullsisë. Me më pak lindje dhe jetëgjatësi më të lartë, raporti i të moshuarve ndaj popullsisë aktive rritet, duke krijuar sfida për sistemet e pensioneve dhe kujdesin shëndetësor.
Në vende ku nataliteti është i ulët, ka më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës, gjë që kufizon rritjen ekonomike dhe inovacionin. Kjo pastaj mund të rrisë barrën për popullsinë aktive.
Shtetet me natalitet të ulët shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore të mjaftueshme për të mbajtur ekonominë në rritje. Për shembull, Gjermania dhe Japonia kanë përjetuar rënie të fuqisë punëtore për shkak të natalitetit të ulët dhe janë detyruar të kërkojnë zgjidhje përmes politikave të emigracionit ose automatizimit të punës.
Një pasojë tjetër është ndryshimi në strukturën familjare dhe marrëdhëniet sociale. Me më pak fëmijë, familjet bëhen më të vogla dhe struktura e tyre ndryshon. Në disa vende, ky fenomen ka krijuar një situatë ku ka më shumë të moshuar që jetojnë vetëm, duke rritur presionin mbi sistemet e kujdesit për të moshuarit.
Politikat për përballimin e rënies së natalitetit
Ulja e popullsisë nuk mund të ndalohet, por mund të merren masa për t’u përballur me këtë sfidë. Është e domosdoshme të adaptohen politika që inkurajojnë lindshmërinë, siç janë subvencionet për prindërit e rinj, pushimi i paguar për prindërit, si dhe përmirësimet në shërbimet e kujdesit për fëmijët.
Deri më tash, asnjë qeveri në Kosovë nuk ka ndërmarrë ndonjë politikë serioze për të rritur natalitetin. Momentalisht, nuk ka ndonjë strategji shtetërore për t’u ballafaquar me rënien e natalitetit.
Kjo ndodh kryesisht për shkak se rënia e natalitetit nuk është parë si problem dhe ka dominuar miti se Kosova vazhdon të ketë natalitet të lartë. Mirëpo, me të dhënat e fundit, tashmë kjo gjë është dëshmuar se nuk është e vërtetë.
Sidoqoftë, në tri vitet e fundit janë ndërmarrë disa masa që mund të kenë ndikim. E para është pagesa në vlerën e pagës minimale për nënat që nuk janë në marrëdhënie pune, që ndërlidhet me pushimin e lehonisë së nënave që janë në marrëdhënie pune. Pushimi i lehonisë ka ekzistuar edhe më herët, mirëpo nuk mund të thuhet se ka pasur ndonjë efekt në natalitet, sidomos kur dihet pjesëmarrja e vogël e grave në tregun e punës.
Masë tjetër e zbatuar nga Qeveria Kurti janë shtesat për fëmijë. Në korrik 2021, Qeveria miratoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike, që përfshin pagesa prej 20€ në muaj për fëmijët e moshës 0-24 muaj dhe 170€ (paga minimale) në muaj për nënat e reja (lehonat) për gjashtë muaj. Kurse, nga janari i vitit 2022, gradualisht u shtuan grupmosha të tjera deri në moshën 16-vjeçare, për të cilat vlera e shtesës ishte 10 euro në muaj.
Tutje, në korrik 2024, Qeveria prezantoi skemën e re. Sipas kësaj skeme, për fëmijën e parë dhe të dytë shtesat janë nga 20 euro në muaj, ndërsa për nënat që kanë 3 fëmijë e më shumë, shtesat do të jenë nga 30 euro në muaj; për secilin prej fëmijëve, pra edhe për të parin, edhe të dytin, rritet shtesa në 30 euro në muaj.
Sa kanë efekt politikat pro-nataliste?
Studimet akademike nuk kanë konsensus në lidhje me ndikimin e politikave pro-nataliste në nivelin e fertilitetit. Ka evidencë për efekt pozitiv në planin afatgjatë, por nuk ka pajtim për madhësinë e efektit dhe përqindjet variojnë nga 0.5% në 4.1% lindshmëri më të lartë, nëse vlera neto e tashme e shtesave për fëmijë është e barabartë me 10% të të ardhurave të një familjeje.
Është tejet e rëndësishme se si dizajnohen masat pro-nataliste. Për shembull, rasti i Polonisë dhe Hungarisë tregon se masat më të qëndrueshme dhe më universale kanë efekt më të lartë, kurse masat afatshkurta (p.sh., bonuset) nuk kanë efekt.
Po ashtu, duhet theksuar se edhe politikat që nuk e targetojnë fertilitetin drejtpërdrejt kanë efekte në fertilitet. Për shembull, politikat për pushim të lehonisë për të dy prindërit kanë efekt pozitiv në fertilitet, siç tregon shembulli i Norvegjisë.
Është ende herët të vlerësohet ndikimi i masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti, për shkak të kohës së shkurtër prej kur kanë hyrë në fuqi ato. Megjithatë, duke marrë për bazë vendet e tjera, këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme për zgjidhjen e problemit.
Nevoja për politika holistike është e qartë. Për ta përmirësuar natalitetin, Kosova duhet të fokusohet, përveç shtesave për fëmijët, në lehtësime të tjera për prindërit e rinj. Gjithashtu, duhet të ketë fokus më të madh te përmirësimi i shërbimeve publike, siç janë arsimi dhe shëndetësia, dhe zhvillim më të madh ekonomik, faktorë të cilët do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për lindjen dhe rritjen e fëmijëve.