Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rrugëtimi i vajzës në grua

Foto nga Freepik

Historia e saj fillon prej momentit kur një zë teknologjik zbulon seksin e saj. Është vajzë dhe të gjithë ngarendin për të krijuar hapësirën e veçantë në të cilën ajo do të rritet. Veshjet me ngjyrë rozë e nis rrugëtimin e saj në një botë, së cilës ajo gjatë gjithë kohës do të përpiqet t`i japë dashuri, kjo është kërkesa. Dashuri kjo, e cila mbetet në të njëjtin stad, pa kapërcyer në dimensionet e tjera asnjëherë. Seksi dhe veshja nuk janë të vetmet që përcaktojnë identitetin e saj. Barbit dhe veshja s`janë elementet e vetme përcaktuese. Në të njëjtën mënyrë përdoret edhe krijimi i hapësirave të veçanta në kopshte dhe lodra dyqanesh, si një premisë fillestare për kufizim, dallim, shmangie, margjinalizim. E ëmbël, e butë, pak djallëzore janë tiparet që pranohen veç derisa ajo t`i bëjë hapat e parë jetësor, për t`u bërë më pas përcaktuese të fatit të saj.

Ky është vetëm fillimi. Vajza e vogël me të hyrë në klasën e parë, skalit qartë figurën e saj. Pas familjes, shkolla është hapësira tjetër në të cilën asaj i përcaktohet ndryshueshmëria nga tjetri- nga ai. Kësisoj, ajo mund ta shohë veten në ilustrimet e faqes së parë, e ndodhur gjithnjë në pozicion pas vëllait, sepse roli i saj dytësor është parapërcaktuar që më lindje, teksa s`janë të paktë ata që besojnë se kjo është edhe punë e “natyrës” apo për besimtarët e zotit.

Pra, është ajo që kujdeset për vëllain, ia shtron tryezën, i ndihmon nënës, e trajton babai me delikatesë, e në esencë gjatë gjithë kohës është një kundruese e zhvillimit të familjes, por pa të.

Narracioni i të gjitha teksteve është pothuajse i njëjtë. Ajo s`mund të jetë sikurse djali, ndaj as nuk mund t`i bëjë disa punë që nominalisht në sensin e mendësisë së etabluar patriarkale, njihen si të djemve. Ajo, pra mund të kryejë një numër të kufizuar punës, që përkojnë me “natyrën” e saj, të cilën shoqëria në përgjithësi është e përkushtuar dhe interesuar ta paraqesë si ‘të butë’, një asociacion tipik për prenë, e cila gjithnjë ekziston sall për t`u sakrifikuar.

Mësuesja është modeli sekondar për të. Ky miksim i roleve prindërore  profesionale e vendosë vajzën në pozicion konfuz dhe në dilema. Megjithatë, ajo e kupton se është vajzë kur i sheh shokët e klasës dhe shoqet. Dallimin ndërmjet tyre nuk është fundamental, por veshja është dimensioni i vetëm që e përcjell atë dhe që nuk ndryshon asnjëherë. Pra, është dallimi i parë dhe i fundit ekzistencial.

Kthehet në shtëpi, pak para se të filloj përkushtimin ndaj detyrave, në filmat e “Bang Bang”, e identifikon veten dhe shoqet e saj. Një princ i bukur fillon të futet në ëndrrat e saj. Ai është shpëtimtari, pushteti i të cilit mund të arrihet vetëm nëse ajo do ta zotëroj rolin e saj deri në perfeksion dhe të ofrojë dashuri ndaj tij dhe gjithçkaje që i rrethon. Fabula e saj ka gjini …sepse është ajo që i jep jetë dhe e krijon rendin që bota synon  ta realizoj. Është trupi dhe linja e saj që përcakton, madje fatin e tërë shoqërisë.

Fëmijëria gradualisht transformohet në adoleshencë, e cila bëhet lidhja kryesore me të papriturat. Këtu ndodh një mobilizim i përgjithshëm i të gjithëve kur ngrihen në këmbë për ta kontrolluar dhe disiplinuar atë. Nuk i tregojmë asgjë. Ajo e kupton se diçka është duke ndodhur me të, madje në përmasa të misterit. Trupi i saj fillon të shndërrohet nga një njohje abstrakte në atë konkrete, në një presion të paparë nga të gjithë. Inferioritetin e saj përpiqen të deshifrojnë të gjithë: prindërit dhe vëllai si një dimension i rëndësishëm i ruajtjes se pozitës së saj. Velloja e bardhë bëhet bardhësia e dinjitetit të saj shoqëror, e cila e sendërton atë në grua. Tjetri më nuk është as i huaj, as i rrezikshëm. Tjetri është  esenca e ndërtimit të saj. Prandaj, ikja bëhet mision. Ikja si refuzim nga presionet e çdo disipline dhe pushteti absolut i familjes. Liria e saj është e fituar kur ajo arrin nga pasiviteti dhe inferioriteti të çlirohet nga pushteti. Tani ajo i dorëzohet një pushteti tjetër që e përcakton dhe e fuqizon rolin e të qenit grua. Vajza tani është bërë grua, dhe martesa nuk është linja legjitime e vetme, ndonëse ajo u bë grua që nga hapat e parë kur asaj iu dha përgjegjësia të ketë kujdes në gjithçka dhe të ruaj me dashuri veten/trupin dhe të gjithë të tjerët që e rrethojnë. Kulti i të qenit e virgjër nuk përfshin vetëm trupin e saj, por nga trupi ajo brendësohet në inferioritetin e saj, të kërkuar nga shoqëria, e me pas shndërrohet në ndërgjegje të saj. Shoqëria nuk është më pasqyra, në të cilën ajo veten shikon, por pasqyrë e thyer brenda e saj. Ajo identitetin e saj më nuk e percepton, por e ndjen nëpërmjet ndërgjegjes. E di saktë se çfarë është duke bërë edhe kur të tjerët më nuk e gjykojnë. Ajo e di se çfarë është të jesh grua “e mirë” dhe “e keqe”. Por, është diçka që zien brenda e saj…liria që hera herës i dëftohet si një ëndërr. E, kjo liri është frika që shpesh e bën të palumtur. Kjo palumturi është vetëdija e krijuar për të kaluarën e saj…, ndaj lehtas ikën prej saj, sepse liria nuk është sinonim i vetëdijes- por trishtim!

Këtu ndodh shkëputja. Kur vajza përballet me lirinë e shndërrohet në objekt. Ky transformim nuk është dëshira e saj… por kërkesa që asaj ia shndërrojnë në dëshirë kinse të sajë. Tani, ajo është e ngacmuara në rrugë,  e dhunuara në shtëpi, apo e stigmatizuar në role… Trupi dhe fytyra e saj janë maska që ia skalit kjo shoqëri, transcendenca e së cilës i mohohet, duke imituar thelbësoren dhe imanenten.

Kjo nuk zgjat shumë, vetëm derisa ajo të përfundojë inspektimin për pozitën dhe rolin e saj. Lindjen. Ajo tani është bërë nënë…Ndërgjegjja e të qenit “nënë” është gjykimi tjetër se vetëdija e saj mbetet e fjetur, një heshtje përpara një shtrëngate. Ajo përtërinë racën! Gëzimi që i sjell lindja e një djali mund ta përforcoj lirinë. Si një parakusht për trashëgiminë familjare, si një katarsis për lindjet e mëpasme, ku ajo më nuk i nënshtrohet presionit që në ngjizje të parapërcaktojë gjininë e fëmijës.

Ajo s`vendos për asgjë. Është fati, i cili përsëritet. Vëllai…babai…nëna, porse ajo asnjëherë. Liria, nganjëherë tinëz troket në derën e saj. Shikon kalimthi, drejt në sy sikur kërkon duel.

Në ditën ndërkombëtare të vajzave, reflektimi mbi lirinë e tyre është  vetëdije. Vetëm kur ato arrijnë të edukohen, ta realizojnë të drejtën e tyre në pronë, kur nuk përzihemi në ndjenjat e saj për trupin dhe s`lejojmë që ai të shndërrohet në turp, e bëjmë subjekt: vajzë apo grua.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.