Lidhjet sino-ruse janë përforcuar dukshëm dhe do të vazhdojnë të përforcohen për sa kohë që interesat e tyre të përbashkët të jenë më të rëndësishëm sesa ndasia mes tyre.
Rusia dhe Kina përfunduan stërvitjet pesëditore dypalëshe Zapad/Interaction 2021 në rajonin autonom të Ningxia Hui të Kinës Veriperëndimore më 13 gusht. Afër 10000 trupa morën pjesë në stërvitje krahas sistemeve të mbrojtjes, artilerisë, automjeteve të blinduara dhe aeroplanëve luftarakë, ku mes tyre debutoi avioni ushtarak kinez J-20 i brezit të pestë në një stërvitje të përbashkët. Tema e kësaj stërvitjeje ishte mbrojtja e përbashkët e paqes dhe sigurisë rajonale në Azinë Qendrore – një baner disi parashikues duke marrë parasysh shembjen totale të qeverisë afgane vetëm disa ditë më vonë.
Jo për t’u ngatërruar me Zapad/Interaction 2021, stërvitjet strategjike të stafit komandues Zapad 2021 mes Rusisë dhe Bellorusisë sapo përfunduan më 16 shtator me një numër të fryrë prej 200 mijë ose me një numër të shfryrë prej 12700 pjesëtarësh të personelit ushtarak përgjatë 14 terrenesh trajnimi në Rusinë Perëndimore dhe Bjellorusi. Rusia ka zhvilluar stërvitjet e saj rajonale katërvjeçare – Zapad (Perëndimi), Vostok (Lindja), Tsentr (Qendra), dhe Kavkaz (Kaukazi) – që prej kohës sovjetike, por madhësitë e tyre kanë ndryshuar gjatë dekadave, ndërsa mashtrimet linguistike e kanë bërë të vështirë informacionin për numrat.
Kina ka marrë pjesë çdo vit në stërvitjet e mëdha rajonale që prej Vostok 2018. Kina dhe Mongolia qenë shtetet e para josovjetike që morën pjesë në njërën prej stërvitjeve të mëdha rajonale, por ato vetëm vëzhguan Zapad 2021. Rusia dhe Kina e ambalazhuan stërvitjen Zapad/Interaction 2021 si paraprijëse të Zapad/Interaction 2021 që erdhi një muaj më vonë. Gjatë mbylljes së Zapad/Interaction 2021, që të dy ministrat e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe Wei Fenghe, me fjalë të ngrohta folën për marrëdhënien e tyre dypalëshe ushtarake. Wei tha: “Kjo dëshmon qartë marrëdhëniet e ngushta mes Kinës dhe Rusisë, lidhjet e pathyeshme mes ushtarakëve kinezë dhe rusë, si dhe miqësinë e fortë dhe të qëndrueshme me të dy neve personalisht.”
Mirëpo, veprimet ruse dhe kineze janë edhe më treguese për ngrohjen e lidhjeve ushtarake. Zapad/Interaction 2021 shënoi disa ‘herë të para’ për marrëdhëniet ushtarake sino-ruse: Ishte hera e parë që trupat rusë udhëtuan në Kinë për një stërvitje të përbashkët ushtarake, hera e parë që Rusia dhe Kina zhvilluan stërvitje nën një strukturë të përbashkët komanduese, si dhe hera e parë që trupat rusë shfrytëzuan automjetet e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA), përfshirë automjetet e blinduara sulmuese dhe ato luftarake të këmbësorisë. Megjithëse këta janë hapa relativisht të vegjël, ata i lëvizin të dy vendet në drejtim të ndërveprimit ushtarak.
Mungesa e pjesëmarrjes ushtarake të Kinës në Zapad 2021 nuk zhbën trendin e rreshtimit sino-rus; përkundrazi, ajo demonstron pragmatizmin rus dhe kinez, që shtrihet në zemër të marrëdhënies së tyre dypalëshe.
Në një raport për stërvitjet ushtarake sino-ruse për Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Richard Weitz, drejtori i Qendrës për Analizë Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson, shtroi pyetjen se a do të luante PLA-ja rol të spikatur në Zapad 2021. Ai shkruante se përfshirja e PLA-së “mund ta alarmojë NATO-n, por gjithashtu do t’i bënte më pak të besueshme opsionet ruse që t’i shfrytëzojë stërvitjet si përgatitje për ta sulmuar Ukrainën.” Duket se Kremlini zgjodhi besueshmërinë në këtë rast.
Kina dhe Rusia vlerësojnë autonominë strategjike dhe nuk duan të kenë obligime ushtarake ku nuk ka mundësi për interes të ndërsjellë – Kina nuk dëshiron të përfshihet në Ukrainë, ashtu si Rusia që nuk do të përfshihet në Tajvan. Megjithatë, lidhjet sino-ruse janë përforcuar dukshëm dhe do të vazhdojnë të përforcohen për sa kohë që interesat e tyre të përbashkët të jenë më të rëndësishëm sesa ndasia mes tyre.
Rusia dhe Kina kanë marrë pjesë në stërvitje ushtarake dypalëshe dhe shumëpalëshe që prej Peace Mission 2005, por shtrirja dhe shpeshtësia e këtyre stërvitjeve është rritur gjatë dekadës së fundit. Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia më 2014 dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me Perëndimin, Moska i është drejtuar gjithnjë e më shumë Pekinit për tregti dhe përkrahje politike, ashtu si dhe për bashkëpunim ushtarak.
Tash, në mesin e shtatorit, vetëm një muaj pas përfundimit të Zapad/Interaction 2021, Peace Mission 2021, stërvitjet me jetëgjata ushtarake që përfshijnë Rusinë dhe Kinën po zhvillohen në terrenin stërvitor Donguz në rajonin e Orenburgut në Rusi. Ashtu si stërvitjet e tjera të Peace Missionit, stërvitjet e këtij viti kanë në fokus kundër-terrorizmin në Azinë Qendrore dh operojnë nën flamurin e bllokut shumëpalësh Organizata e Bashkëpunimit e Shanghait (SCO), ndonëse Rusia dhe Kina udhëheqin këto përpjekje.
Që prej vitit 2012, të dy vendet kanë marrë pjesë rregullisht në stërvitje të përbashkëta detare. Për ta shtuar edhe një kundërshtar amerikan në këtë mes, Rusia, Kina dhe Irani kanë njoftuar së fundmi se do t’i zhvillojnë stërvitjet e përbashkëta detare për të tretin vit me radhë. Stërvitjet e Rripit të Sigurisë Detare, të njohura me emrin CHIRU, do të zhvillohen në Gjirin Persik në fund të vitit 2021 ose në fillim të vitit 2022.
Kina dhe Rusia janë lidhur përmes ngjashmërive. Të dy vendet kanë marrëdhënie të ftohta me Shtetet e Bashkuara dhe ndajnë shqetësime strategjike në Azinë Qendrore, të cilat janë posaçërisht me rëndësi tash kur talebanët kanë rimarrë kontrollin në Afganistan dhe kur po ndryshon konteksti i sigurisë në rajon. Për Perëndimin, marrëdhënia ushtarake sino-ruse është shqetësuese dhe duhet të mbikëqyret nga afër, por duhet të mbikëqyret me mendje të kthjellët. Marrëdhënia sino-ruse është e rrënjosur në pragmatizëm. Rusia dhe Kina mund ta përdorin aleancën e tyre për t’i trazuar Shtetet e Bashkuara, por nuk do ta përdorin në kurriz të interesave të tyre kombëtarë – dhe kjo paraqet mundësi për Perëndimin.
***
Artikulli origjinal në The National Interest, më 15 shtator 2021.
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.