Më shumë dritë!
I dashuri shoku Sasha,
Letra jote mbërriu e plotë. Dukej e mërzitur dhe e sfilutur, se duket sikur ai pëllumbi i paqës që e ka sjellë nga Gorskikotari, i ka rënë nga Mitrovica e veriut. E me gjasë, atje e kanë hutuar e turbulluar tytat e armëve të policëve kosovarë, tankset e NATO-s, kallashnikovët e fshehur nëpër bodrumet e banorëve lokal e pëshpërimat e njerëzve nëpër kafene, që si kasandra moderne parashohin tragjeditë që pritet të ndodhin në ato anë… e edhe në këto anë… dhe në të gjitha anët!
Këto javë, njerëzit kanë qenë duke pritur se çfarë do të ndodhë këtyre ditëve në Mitrovicë të Veriut, nëse do të arrihej apo jo marrëveshja e shumëpritur e lëvizjes së lirë, e kushedisata me radhë. Mes thirrjeve të Vuqiqit e Kurtit për “luftë”, për “dhunë”, për “progon”, për “kërcënim”, për “gjakëderdhje të re”, për “spastrim etnik të ri”, për “komplot serbo-rus ndaj Kosovës” , e mes klithmave të ngjajshme dëshpëruese të plot politikanëve të tjerë hajvanë, duket se njerëzve të zakonshëm nuk u ka mbetur gjë tjetër, pos të presin. Natyrisht, plot prej tyre, ta zëmë, qytetarët e veriut, presin dhe janë të frikësuar. Paj, edhe kësaj ane të lumit Ibër, njerëzit presin të frikësuar. Frika për trazira a për një luftë të re, njerëzve në këto anë u rri mbi krye si fantazmë. Frika është bërë gjendje normale e këtij vendi. Dhe ajo buron prej politikanëve banditë, dhe e cila popullit i jepet në lloj-lloj dozash, varësisht prej nevojës politike të momentit. Pra, jo më përçaj e sundo, por frikëso e sundo! Kjo është motoja e këtij “civilizimit të ri” në krijim e sipër, që po vjen e shoqëruar me daulle e krrokama për “gjak të ri që pritet të derdhet”. Dhe kështu, krizat e vërteta sociale, atje në Serbi e këtu në Kosovë, mbulohen me alarme nacionale që rrinë ndezur, për katastrofat që priten, e që neve na vinë të konvertuara në kajde të tabelave të automobiliave e në këso teknikalitetesh të tjera.
Por letra e jote mbërriu mirë, dhe ky është progres. Pengesat e pamjet makabre, si këto që ka mundur t’i provojë ky pllumbi i letrës tënde, i kemi pasur gjithmonë, para e rreth nesh. I kishe edhe ti kur vije në festivalin Polip. I kisha edhe unë, teksa ballafaqohesha me gjithfarë halabakësh që më sulmonin (kryesisht në shokë e më poshtë). Por ka pasur diçka mitike në krejt ato edicione të festivalit, në atë ritualin e ardhjes tënde, në përgaditjet e vrullshme dhe në netët ku pos poezisë, derdhej shumë djersë, shumë gota raki e tinguj muzike. Ka pasur megjithatë, edhe plot dashuri. Ato net të Polipit, sidomos edicionet e para, ma kujtojnë atë historinë që tregohet nga Lufta e Parë Botërore, kur ushtarët kundërshtarë, gjermanë e britanikë, në një ditë Krishtlindjesh të vitit 1914, lënë mënjanë armët dhe luajnë futboll mes vete. Ne natyrisht s’ishim ushtarë, kemi qenë dhe kemi ngelur ca idealistë të pandreqëshëm që besojmë se vendet tona meritojnë një të ardhme më të mirë. Dhe meqë u përmendën ushtarët, të them edhe se, si në mjegull më kujtohet kur njëherë në Beograd, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (CZKD), gjatë një paneli pate thënë diçka si – korigjomë nëse më ka tradhëtuar kujtesa – “neve na duhet një forcë guerile, një UÇK e re për t’i çliruar skenat e kontaminuara kulturore të vendeve tona”! Kjo ndërmarrje e re që propozoje do t’ishte si një forcë mbështetësë e asaj që kishte parafytyruar Borka Paviçeviq kur e kishte themeluar qendrën për ‘dekontaminimin e kulturës’.
Nga Beogradi në Prishtinë zakonisht vije me atë furgonin e Sashës nga Lipjani, i cili vite me radhë, pa u lodhur, bartte njerëz, shqiptarë e serbë, nga Prishtina për në Beograd dhe anasjelltas. Në fillim, kur si duket ajo linjë transporti ishte ‘ilegale’, furgonit i vihej një tabelë me mbishkrimin ‘vozitje e lirë’, e të cilën pastaj e hoqën, kur me gjasë linja u regjistrua dhe doli nga ilegaliteti (edhe kjo një arritje e madhe, duhet pranuar). Sasha i Lipjanit më dukej djalë i ndershëm dhe punëtor, i pangarkuar politikisht, edhe pse, jam i sigurt se, edhe ai ka dramat dhe traumat e veta nga e kaluara. Sa herë që kam udhëtuar me të, jam ndjerë i sigurt.
Kur vije në festival, zakonisht mbërrije të premteve në Prishtinë, rreth orës 12:00. Por e premtja është ditë pune dhe ti duhej ta mirrje ‘ditë të lirë’ nga puna në bibliotekë. Ndonjëherë dhuroje gjak në “Zavod za…” e me atë dëshmi, shpërbleheshe me një ditë të lirë. Vazhdimisht kemi bërë shaka në këtë llogari, që një serb vazhdon të ‘derdhë’ gjak për Kosovën – sado që, tani, për një kauzë krejt tjetër, më fisnike dhe në shërbim të letërsisë e të mirëkuptimit – dhe të paqes po deshëm. Kur mbërrije tek zyret e Qendrës Multimedia, gjëja e parë që bëje ishte t’ia hidhje një sy revistës Beton – të cilën e përgatitnim gjithmonë në momentin e fundit. Pastaj, shkonim në drekë në Restorant Dubrovniku, tek ‘musteqja’, vetëm ne të dy, ose në shoqëri të ndonjë shkrimtari tjetër që tashmë mund të kishte mbërritur Prishtinë – ta zëmë, Nir Barami- shkrimtari i njohur izraelit, që na rrëfente për ‘betejat’ e tij të pamundura letrare për “t’i pajtuar” palestinezët e hebrenjtë. Dhe tek e dëgjonim Nirin, na dukej vetja si profesionistë të vërtetë të paqes, të “paqes letrare” së paku. Bolanjo thotë se letërsia është një zanat i rrezikshëm. Betejat e letrarëve izraelitë e palestinezë për këto kauza pajtimi as nuk mund t’i imagjinoj dot, por as këto tonat nuk kanë qenë të kollajshme, për të mos thënë që kanë qenë të rrezikshme.
Dhe pastaj, atë të premte në mbrëmje, mblidheshin një nga një, vinte Shkelzen Maliqi, me apo pa bastun, vinte Rexhep Bajrami i ndjerë, përkthyesi simultant prej më të shkathtëve që kam njohur, vinte Fadil Bajraj, e plot mysafirë të ftuar e të paftuar, kryesisht të rinj; vinin shkrimtarët dhe pastaj festa fillonte. Qendra gumëzhinte nga gjithë ato gjuhë që përziheshin me njëra tjetrën. Arben Idrizi lexonte gati duke pëshpëritur nga libri “Edhe kafshët e duan atdheun”; Millosh Zhivanoviqi recitonte poezinë e tij me atë vargun “edhe unë jam shqiptar”; Shpetim Selmani i këndonte dashurisë, mjerimit e pikëllimit që s’dihet se nga e ka origjinën; Jazra Khaled lexonte kumbueshëm duke u shëtitur nëpër publik me poezinë e tij të fuqishme “Siria ra”… Ngjiteshin pastaj në atë skenën e vogël, e mes kanalizimit që pikonte pisllëk, debatonin a lexonin poezi e tregime, Vizar Zhiti, Filip Davidi, Faruk Shehiqi, Basri Çapriqi i ndjerë, Halil Matoshi, Nikolla Maxhirovi, Agron Tufa, Blerina Rogova Gaxha, Lindita Arapi, Marko Pogoqar, Toma Markoviqi, Sibel Halimi, izraelitja Tal Nitzán, Beqë Cufaj, Luljeta Lleshanaku, Vladimir Arsenijveq e Borka Paviqeviq e ndjerë… E pas një raundi raki e muhabet, atë natë, apo të nesërmen, këtë apo atë vit, lexonte Hana Dalipi, shkrimtarja e harruar shqiptare që jeton në Beograd, ukrainasja Neda Nezhdana, Boris Postnikov, Arian Leka, slloveni problematik Jurij Hudolin, fituesi i çmimit Pulitzer Gregory Pardlo, Fatos Kongoli, Rumena Buzharovska, Ivana Bodrozhiq, lexonte mandej Mehmet Jashin, poeti turk që tani ka gjetur azil shpirtnor në Athinë, lexonte Xhevdet Bajraj i ndjerë që nga Meksiko Siti sillte mbi supet e tij dramën e harruar të luftës tonë. Lexonte pastaj i miri poet Xhevahir Spahiu, përkthente e moderonte e dashura Svetlana Rakoqeviq. Dhe mandej, të dehur nga fjalët, nga rakia e nga krejt ajo dashuri, përfundonim duke dëgjuar muzikë nga Ah Ahilej, Edona Reshitaj a nga Krajl Çaqka. E mua akoma më kumbojnë në vesh këngët e burgut të kënduara nga gratë e ilegales kosovare të viteve 70-ta, nga poetet e burgosura të cilat Eli Krasniqi i tuboi në atë panelin e jashtëzakonshëm. E në foaje, Qerim Ondozin e mbulonin djersët, tek përkthente në… një Zot e di në sa gjuhë… Nga shqipja në serbishte, nga serbishtja ne shqip,e nga shqipja në anglishte, nga anglishtja në serbishte, nga serbishtja në spanjishte, nga spanjishtja në…
Visar Zhiti e Filip David në festivalin Polip
E disa poetë, të nesërmën e një të shtune të vitit 2012 i kujtoj tek, akoma të përgjumur, përpiqeshin të tregoheshin serioz në atë punëtorinë “Parnassus paper”. Ai tipi anglez, Niku, që kurrë s’e morëm vesh kush ishte, pat ardhur me maqinat e tij me të cilat prodhonte letër dhe mbi atë letër poetët tanë shkruanin poezi. Shkroi Tomisllav Markoviqi diçka në serbishte, poeti i ndjerë Kujtim Paçaku shkroi një poezi në romisht, Lindita Arapi, Enes Kurtoviq e nuk e di kush tjetër… Krejt ato poezi tani ruhen diku në Poetry Library në Southbank Centre të Londrës… Ose ndoshta nuk ruhen askund, pos ndoshta në kujtesën tonë dhe në atë copë video të shkurtër ku është dokumentuar ajo ngjarje e rrallë.
Janë krijuar shumë miqësi të bukura gjatë këtyre viteve. Duke iu falenderuar festivalit Polip dhe bashkëpunimit tonë, unë u njoha edhe me Vladimir Arsenijeviqin, me të cilin tash e sa vite vazhdojmë bashkëpunimin letrar. Madje, përtej kësaj, unë u bëra kumbar në familjen e tij. E duke qenë se kjo tradita e “kumbarisë” nuk është fort e njohur te ne në Kosovë, së paku jo andej prej nga vij unë, nuk besoj që jam prej atyre kumbarëve që duhet marrë shembull, jam një kumbarë amator, megjithatë po mësohem.
E kemi njohur, jemi miqësuar dhe kemi bashkëpunuar përgjatë krejt këtyre viteve edhe me Alida Bremerin, shkrimtaren kroato-gjermane. Alida në fakt është si njëlloj kumbare e bashkëpunimit tonë. Folëm shpesh për dy antologjitë tona që u botuan në Beograd e Prishtinë, por harruam ta themi se ato u financuan nga Traduki, ku Alida punonte asokohe dhe i kuronte e organizonte projektet letrare më të rëndësishme dhe më të guximshme. Pas disa vitesh, Alida mandej na u bashkua si bashkëdrejtoreshë artistike e festivalit Polip. Ardhja e saj në ekip ngjau si në ato barcoletat që nisin me “na ishte një shqiptar, një serb dhe pastaj në kafene hyri edhe një kroat/e”. Edhe sa ka qenë në Traduki, por edhe më pas, Alida ka qenë njëfarë ure e lidhjes letrare të rajonit tonë me vendet gjermanofolëse. E sidomos për festivalin Polip, krejt këto vite, roli i saj ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ndërkohë, Sasha i dashur, në krejt këtë histori, s’kemi si të mos e përmendim sërish e sërish Borka Paviqeviqin, atë grua legjendare të cilën, çdoherë që e kujtoj e shoh të ulur në zyrën e saj në CZKD, në Bircaninova 21. E kisha bërë si traditë, sa herë që hyja në oborrin e CZKD-së, të thërrisja me sërbishten time të çoroditur dicka si “jel’ imate neki odzak za čišćenje, ili drvo za sećanje”? (a keni ndonjë oxhak për pastrim, apo dru për sharritje?). E ajo dilte në ballkonin e zyrës (ku dalja ishte e ndaluar, me gjasë, për shkak të jo-stabilitetit të asaj mase betoni), e duke qeshur më thoshte, “shtttttt, čuti…!” (hesht)! Te Borka e kemi bërë edhe promovimin e dy antologjive tona. Ajo ka qenë ndoshta shtylla kryesore e bashkëpunimit kulturor Kosovë – Serbi. CZKD që udhëhiqte, të cilën kurdo që më jepej rasti e quaja ‘Ambasada Kulturore e Kosovës në Beograd’, ka qenë aty, e hapur për çdo aktivitet kulturor të Kosovës. Me Borkën e ndjerë kemi ndenjur gjatë; jemi shoqëruar në Vjenë, Prizren, Prishtinë, Beograd e gjetiu. Ajo qe burim i jashtëzakonshëm i dijes dhe guximit intelektual. Gjithmonë më ka mahnitur me njohuritë për teatrin, për raportet sërbo-shqiptare, për Jugosllavinë, për shoqëritë post-jugosllave, për politikën e për filozofinë. Jeta e saj, ta parafrazoj Boris Budenin, ka pasur kuptim politik, diçka që shkon përtej angazhimit si aktiviste kulturore dhe e të drejtave të njeriut.
E ndërkohë, këtu tek unë ora shënon saktë 00:00 – po pres që rryma të ndalet në çdo sekondë… Dhe po mendoj për atë deklaratën tënde ironike (të thënë a të pathënë), për një forcë guerilase të re… kulturore… por e cila ndoshta, veç territ kulturor, do të mund ta luftonte edhe terrin e njëmendtë dhe çdo lloj terri tjetër të këtij shekulli të padijes e injorancës… Një guerilë për Mehr Licht, siç do të thoshte Gëte.
Deri në dritën e re. Deri në letrën e radhës. Shpresoj të kesh qenë mësues i mirë në Gorskikotar.
Jetoni,
31 Gusht 2022, Prish…