Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sekuritizimi, pasojë e (pa)menduar

Nuk ka dilemë se Kosovës dhe shoqërisë së saj i kanosen kërcënime të sigurisë nga më të ndryshmet. Këtu, kryesisht mendoj në kërcënime të karakterit jo-konvencional, që derivojnë si rezultat i sfidave politike e ekonomike (pra, jo ushtarake). Megjithatë, në diskursin publik të Kosovës, një ndër kërcënimet më të mëdha paraqitet të jetë i ashtuquajturi shtet islamik – ISIS, organizatë kjo e shpallur terroriste nga e gjithë bota demokratike. Në zhargonin politik e të sigurisë, kërcënimet e këtij karakteri njihen si ekstremizëm i dhunshëm që shpie në terrorizëm. Në rastin e Kosovës, me të drejtë ekziston dikotomia ISIS-ekstremizmi i dhunshëm fetar sepse një numër i kosovarve tashmë i është bashkangjitur kësaj organizate.

Në fakt, kur të bëjmë vlerësimin e kërcënimeve dhe rreziqeve, ekstremizmi i dhunshëm fetar në Kosovë reflekton potencial për përdorim të dhunës/forcës si mjet për arritjen e qëllimeve. Mirëpo, diskursi publik në Kosovë gërshëton informacione, huti dhe panik të cilat plotësojnë mozaikun e kategorizimit të tij si kërcënim të nivelit të lartë në Kosovë, me përmasa të luftës. Dhe ky mozaik vazhdon të servohet deri në atë masë sa që i tërë fokusi i shoqërisë kosovare konstruktohet në një dilemë të sigurisë e cila mbase nuk hyn në rradhët e problemeve primare që kemi. Shtrohet pyetja: a ka rrezik nga ekstremizmi i dhunshëm fetar në Kosovë? Përgjigja është po. A është ky rrezik i nivelit të lartë? Përgjigja është thjesht jo.

Nuk ka indikacione për sulme terroriste sepse qëllimi i ISIS është potencialisht të sulmojë shtetet me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare (mendoj në ato perëndimore); Kosova shihet më shumë si bazë rekrutuese e tyre se sa cak; pavarësisht numrit të madh të qytetarëve tanë atje (sipas raporti të QKSS mbi 230 kanë shkuar që nga vitit 2012 deri në prill 2015) jo të gjithë përfshihen në aktivitete ushtarake dhe si rrjedhojë jo të gjithë kanë përgatitje profesionale për kryerjen e aksioneve. Nivelit të ulët deri të mesëm të rrezikut të sigurisë nga këto grupe vlerësohen në bazë të indicjeve në të cilat veprimet e mundshme individuale apo të paorganizuara të disa qytetarëve mund të përfundonin në veprime të dhunshme me qëllim shkaktimin e frikës në Kosovë. Pra, nuk vlerësohen mundësi të aksioneve diverzante, sulme ndaj institucioneve të rëndësisë së veçantë apo organizim për vrasje në masë.

Në fakt, për të konkluduar nivelin e rrezikshmërisë nga ekstremizmi i dhunshëm i thirrur në islam, fillimisht duhet të i kategorizojmë shtresat e shoqërisë kosovare të cilat praktikojnë islamin: a.) shumica sekulare e cila është muslimane mirëpo nuk e praktikon fenë në baza të rregullta apo fare nuk e praktikon, b.) pjesa që praktikon islamin sipas riteve tradicionale; c.) shtresa që ka filluar së praktikuari islamin që nga paslufta si rrjedhojë e transmetimit të një rryme tjetër (e njohur si shkollë konzervative) si dhe d.) pjesa e fundit, shumë më e vogël në numër, e cila thirret në praktikimin e islamit i cili përvëç që është tejet konzervativ, ka në agjendë përdorimin e dhunës si mjet (e njohur si shtresa e Tekfirizmit). Në aspektin e sigurisë, duhet trajtuar shtresa e fundit e cila realisht ka proklamuar përdorim të dhunës dhe individë të saj tashmë ose janë në ISIS ose veprojnë në Kosovë. Shtresa konzervative, jo domosdoshmërisht përbën problem për sigurinë edhe pse, nga këndi sekular, mund të përbëjë pengesë për rendin shoqëror. Edhe kjo shtresë mund të trajtohet nëse ka disponim popullor – kuptohet në linjë me liritë fetare – por jo me mjete të sigurisë.

Nëse i kthehemi diskursit publik, ka një shpërputhje në mes të asaj çka servohet tek qytetarët dhe rrezikut real të sigurisë. Kjo gjendje ngjanë me një konstruksion të njohur si sekuritizim (securitization) – teori kjo e aplikuar në marrëdhënie ndërkombëtare nga shkenctari Ole Ëeaver.

Sipas Ëeaver, “sekuritizimi krijohet atëherë kur akterë të caktuar politik apo jo-politik fusin në diskurs publik një gjendje alarmante të sigurisë duke e betonuar atë gjendje, ani pse nuk ekziston bazë për proklamim të nivelit të tillë të rrezikshmërisë”.

Në kontekstin e raportimeve drithëruese për sulme sabotazhi të ISIS dhe sulme të karakterit të lartë terrorist, siç ishte rasti i Liqenit të Badovcit, nuk mund të definohet tjetër përveç një gjendje e sekuritizimit. Se kujt i konvenon ky sekuritizim është vështirë të identifikohet. Mund të jetë një oportunizëm individual për të fituar relevancë publike dhe tendencë për përfitimin e “simpatisë” nga disa shtete të mëdha. Mund të jetë edhe një pasojë e pamenduar. Ajo çka është më me rëndësi është se kemi një gjendje të sekuritizimit. Mirëpo, pasojat e saj janë shumë më të mëdha se sa vet niveli i rrezikut. E ky nivel i rrezikut kurrë nuk është zbërthyer nga politikbërësit, e lerë më nga mediat.

Mos të harrojmë se me këtë diskurs të pabazuar në vlerësim të rrezikut, po ia bëjmë një shërbim të madh qarqeve anti-Kosovë të cilat e përdorin këtë argument në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ta thjeshtëzuar, pompoziteti i dhënë si rezultat i frikës së helmimit të liqenit të Badovcit nga ana e pesë personave është sa komik po aq edhe i dëmshëm. Është i dëmshëm sepse, p.sh, nëse tentohet të futen në agjendë promovimi i çështjeve më madhore siç janë: investimet e mundshme, liberalizimi i vizave e çështje të tjera, pyetja e parë që do të shtronin qarqet ndërkombëtare sigurisht do të jetë: “A ju është helmuar liqeni nga ISIS?”, “A keni marr masa kundër ISIS?” e kështu me rradhë. Me terma të sigurisë, të gjithë promovuesit e këtyre temave do të vendoseshin në defanzivë. Mos të flasim për shërbimin që po i bëjmë vet ISIS të cilët si një ndër objektivat primare kanë shtrirjen e panikut dhe frikës tek popujt. Shërbimi që i bëhet këtyre formacioneve terroriste sigurisht se kërkon trajtim dhe vlerësim të veçantë.

Me fjalë të tjera, në asnjë moment nuk duhet relativizuar rreziku i ekstremizimt të dhunshëm i thirrurr në islam. Madje jam promovues i madh i ngritjes së gatishmërisë parandaluese të organeve të sigurisë (dhe larg syve të mediave) si dhe punës intensive në terren në funksion të de-radikalizmit dhe parandalimit. Megjithatë, është vështirë të kapërdihet manipulimi popullor i konstruktuar deri në nivele të sekuritizimit, i cili realisht nënvizon me pompozitet kërcënim të nivelit të atillë i cili nuk ekziston. Se kujt i shërbenë kjo gjendje mbetet të shihet.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.