Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sërbia tjetër – Srdja Popović

Projekti “Sërbia tjetër” i përmbledh për lexuesin qëndrimet e intelektualëve sërbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve sërbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Sërbia më 23 mars 1989, e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, e madje edhe më tej. Këto shkelje kulmuan gjatë viteve 1998–1999 në krime lufte e krime kundër njerëzimit, me vrasje të gati 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunime të mijëra grave, deportim të gati një milion shqiptarëve, djegie dhe shkatërrim të rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me dëme të tjera shpirtnore e materiale.

Për këtë qëllim, kemi hulumtuar gjerësisht artikuj dhe intervista të botuara gjatë këtij harku kohor prej mbi tre dekadash nëpër gazetat ditore dhe publikimet javore të Kosovës, të Sërbisë, e më gjerë. Në këtë vëllim, të tretin me radhë, përfshimë fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, avokatit Sërgja Popoviq [1937–2013], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90. Veç këtyre, me rëndësi të veçantë e pamë përfshirjen e fragmenteve në të cilat Popoviq shpalos mendime mbi statusin e Kosovës dhe raportet e saj me Sërbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-sërbe përgjithësisht.

Sa u takon shqiptarëve në Jugosllavi, Sërgja Popoviq ishte i bindur se ata nuk u integruan kurrë, jetuan si trup i huaj e u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë në komunikimin e përditshëm, sa madje edhe mes fëmijëve fjala “shiptar” ishte fyerje, ashtu siç është “nigger” për racistët amerikanë. Kur jemi te marrëdhëniet mes shqiptarëve e sërbëve gjatë Jugosllavisë, Popoviq ishte prej të paktëve intelektualë sërbë që i radhiste të gjithë faktorët e shpërnguljes së sërbëve nga Kosova gjatë viteve ‘70 e ‘80 të shekullit të kaluar, si: papunësia, varfëria, mbipopullimi, problemi i komunikimit midis njerëzve të kulturave, feve e gjuhëve të ndryshme. Në fund të ekzistencës së Jugosllavisë, ndërmarrjen e Sërbisë për ta hequr statusin autonom të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cilësoi antikushtetuese dhe aneksim të Kosovës nga Sërbia.

Politikën sërbe gjatë fundviteve ‘80 dhe krejt viteve ‘90, Sërgja Popoviq e konsideronte të dëmshme, sepse i kishte krijuar popullit sërb vetëm armiq, madje jo vetëm në vendet përreth. Për më shumë, Sllobodan Millosheviqin, kreatorin e kësaj politike, Popoviqi e konsideronte si dëmtuesin më të madh të interesave të Sërbisë, e për këtë i kritikonte edhe vetë qytetarët sërbë që, duke e mbështetur Millosheviqin, e kishin dëmtuar dukshëm interesin kombëtar. Ndonëse ishte kritik i rreptë i shkeljes së të drejtave të njeriut të shqiptarëve nga ana e regjimit të Millosheviqit dhe i vetëdijshëm për disponimin që ekzistonte për të në Kosovë, thoshte se për këta dhjetë vjet shqiptarët kaluan pesëdhjetë vjet histori dhe se një ditë ata do t’i ngrenë një monument Sllobodan Millosheviqit, meqë u ndihmoi të bëhen komb i vetëdijshëm e i homogjenizuar, kërkesat e të cilit u ndërkombëtarizuan.

Sërgja Popoviq kundërshtoi krimet gjatë luftës kundër shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, madje i kundërshtoi edhe dy milionë votuesit e tij, të cilët i cilësoi përkrahës të krimeve të luftës. Sipas tij, ata që i mohojnë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës janë thjesht autikë. Popoviq e mbështeste ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, por konsideronte se ajo ishte e vonuar. Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe ishte dobiprurëse për popullin sërb, i cili kishte nevojë për një disfatë në mënyrë që të këndellej.

Krimet e regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve në Kosovë, Popoviq i kualifikonte si gjenocid sepse, sipas tij, ashtu siç ka vrasje të ndryshme, ka edhe gjenocide të ndryshme dhe se gjenocidi i kryer nga Millosheviqi – që nuk mund të krahasohet me Holokaustin veç pse ai s’e pati fuqinë për një krim përmasash të tilla – i plotëson të gjitha kriteret që ekzistojnë në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1951. Duke pasur parasysh krimet e tmerrshme masive të kryera ndaj shqiptarëve, ai edhe e kuptonte revanshizmin e shqiptarëve kryesisht kundër minoritetit sërb në Kosovë në periudhën qershor-dhjetor 1999.

Përfundimisht Sërgja Popoviq është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka pasur Sërbia, e kjo vërehet mirëfilli kur deklaron: “Nuk them se është mirë që Kosova është e pavarur, por ekziston diçka që quhet realitet dhe ne nuk duhet ta mashtrojmë veten vetëm pse nuk na pëlqen ky realitet”. Madje, ai thotë se ata që pranojnë Kosovën e pavarur janë të ndershëm, të guximshëm dhe patriotë. Mbi të gjitha, patriotizmi i Popoviqit vërehet në qëndrimin e tij se është në interes të popullit sërb që të mos identifikohet me politikën e Millosheviqit e të mos e ketë një hipotekë historike përgjithmonë, e sidomos te ky mendim i tij: “Një ditë kur të thonë ‘Ju sërbët keni heshtë kur ndodhnin këto gjëra’, ju lirisht mund të thoni se ka pasë edhe njerëz që nuk kanë heshtë, po kanë folë”.

Pas botimit të mendimeve të intelektualëve Bogdan Bogdanoviq [Bogdan Bogdanović], Millosh Miniq [Miloš Minić] dhe tani Sërgja Popović, në kuadër të projektit “Sërbia tjetër” do t’i përfshijmë edhe fragmentet nga artikujt dhe intervistat e disa intelektualëve të tjerë sërbë që, ndonëse të paktë, megjithatë ishin, e që për fat të keq më nuk janë më në këtë botë: Bogdan Deniç [Bogdan Denitch] [1929–2016], Ilija Gjukiq [Ilija Đukić] [1930–2002], Ivan Gjuriq [Ivan Đurić] [1947–1997], Llazar Stojanoviq [Lazar Stojanović] [1944–2017], Mihajllo Mihajllov [Mihajlo Mihajlov] [1934–2010], Mirko Kovaç [Mirko Kovač] [1938–2013], e të tjerë.

Të gjithë këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratë sërbë si Dimitrije Tucoviq [Dimitrije Tucović], Kosta Novakoviq [Kosta Novaković], Dushan Popoviq [Dušan Popović], Dragisha Llapçeviq [Dragiša Lapčević], Trisha Kaclleroviq [Triša Kaclerović], e të tjerë, të cilët gjatë viteve 1912-13, kur Sërbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet e llahtarshme të shtetit sërb ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë. Sa për ilustrim, një artikull i socialdemokratit Tucoviq, në gazetën socialiste të Beogradit “Radničke novine” të kohës thotë: “ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Një artikull redaksional i kësaj gazete thoshte se posedonte të dhëna për krime aq të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, sa parapëlqente të mos i publikonte fare. Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), pastaj gjatë viteve 1946-1966, e në fund edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

“Sërbia tjetër” jo vetëm ofron modele të intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, pavarësisht prej arsyetimeve të tyre, por edhe nderon intelektualin që kësisoj shpesh e vë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim manhitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, këto personalitete te populli sërb janë parë si tradhtarë e janë paragjykuar, njollosur, anatemuar e sulmuar, ndërkaq te populli shqiptar janë parë kryesisht me mosbesim dhe rrjedhimisht janë shpërfillur.

Shpresojmë se nga ky publikim do të përfitojnë gazetarët, analistët politikë, dhe ata aktivistë të shoqërisë civile që merren me marrëdhëniet shqiptaro-sërbe; politikanët e përfshirë në negociata që kanë për qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve; studentët, akademikët, dhe publiku i gjerë, duke i përfshi këtu gjeneratat e ardhshme në Kosovë, Sërbi, Shqipëri, Ballkan, si dhe të interesuarit kudo në botë, pasi që publikimi do të jetë online dhe, përveçse në shqip e sërbisht, edhe në anglisht.

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë, me emrin e avokatit e humanistit SërgjaPopović, ndonëse ai e kishte kundërshtuar ashpër terrorin shtetëror të pushtetit të Millosheviqit në fillim të viteve ‘90. E megjithëse ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual sërb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Prandaj, le të jetë ky publikim një mirënjohje modeste për kontributin e madh të intelektualit të jashtëzakontë SërgjaPopoviq për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, si dhe për kontributin e tij drejt ndarjes paqësore e miqësore të shqiptarëve me sërbët, por edhe bashkëjetesës së tyre mbi baza të tolerancës dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.

Kush ishte Sërgja Popoviq(1937-2013)

U lind në Beograd më 1937. Studioi për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. U angazhua si avokat për të drejtat e njeriut, duke mbrojtur aktivistë e akademikë që persekutoheshin për shkak të kundërshtimit të sundimit komunist në Jugosllavi. Në shumë raste ishte avokat i studentëve dhe i profesorëve protestues më 1968 në Beograd, por edhe i studentëve shqiptarë demonstrues më 1981 në Prishtinë. Njëra prej parullave që i shoqëroi protestat e vitit 1968 ishte ‘walls, walls, I’m sitting in a jail cell, Call Sërgja the lawyer to get me out of this hell’ – që tregon se ai tashmë ishte shndërruar në avokatin kryesor për të drejtat e njeriut.

Më 1976 u dënua me një vit burg për shkak se ndante pikëpamje të njëjta me klientin e tij, poetin dhe disidentin Dragoljub Ignjatoviq [Dragoljub Ignjatović]. Disa javë më vonë, pas kërkesës së 106 juristëve të mirënjohur amerikanë drejtuar Presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, u lirua nga burgu, por iu ndalua ushtrimi i detyrës së avokatit për një vit. Gjatë karrierës, mbrojti edhe persona me të cilët nuk pajtohej fare, duke argumentuar se çdo njeri ka të drejtën të shprehë pikëpamjet dhe të ketë gjykim të drejtë.

Me ardhjen e Millosheviqit në pushtet, qe ndër të parët që kritikoi haptazi politikën represive. Ishte udhëheqës i Komisionit të Pavarur për Investigimin e Eksodit të Sërbëve nga Kosova, ku hodhi poshtë pretendimet e pushtetit sërb se largimi i sërbëve nga Kosova ishte rezultat gjoja i shkeljes së të drejtave të tyre. Në fillim të vitit 1990 themeloi gazetën e përjavshme ‘Vreme’, si kundërpërgjigje ndaj instrumentalizimit të medias sërbe nga regjimi i Millosheviqit. Më pas u zgjodh President i Lëvizjes Europiane në Sërbi.

Në vitin 1991 u shpërngul me punë në SHBA, pjesërisht edhe për shkak të klimës politike nën sundimin e Millosheviqit. Shërbeu si anëtar bordi e këshillues i disa organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Komiteti i Helsinkit dhe Amnesty International. Më 1993 ishte ndër nënshkruesit e peticionit dërguar Presidentit Bill Clinton, për të intervenuar kundër veprimeve të Sërbisë në Bosnjë. Njësoj, më 1999 përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Sërbisë për ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë.

Pas qëndrimit rreth dhjetëvjeçar në SHBA, me largimin e Millosheviqit nga pushteti, u kthye ne Beograd, ku kritikoi rreptë pushtetet në Sërbi për dështimin që të marrin përgjegjësi për krimet e kryera gjatë viteve ‘90. Është autor i pesë librave. Vdiq më 2013 në Beograd.
____________
Na Srpskom

In English

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.