Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sfidat e Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës

Dita ndërkombëtare e Aviacionit Civil ka filluar të festohet si ditë ndërkombëtare nga viti 1996, kur në Kombet e Bashkuara (OKB), është zyrtarizuar si dita ndërkombëtare e Aviacionit Civil.

Qëllimi i ditës ndërkombëtare të Aviacionit Civil është që të rrisë vetëdijesimin për rëndësinë e aviacionit civil dhe ndikimin që aviacioni civil ka në zhvillimin social-ekonomik.  Kjo ditë po ashtu shënon përvjetorin e nënshkrimit të Konventës së Çikagos – korniza ndërkombëtare për marrëveshjet e aviacionit civil, e cila zyrtarisht njihet si Konventa e Aviacionit Ndërkombëtar Civil, e nënshkruar më 7 dhjetor 1944. Pra, kanë kaluar 76 vjet prej kur 52 shtete nënshkruan Konventën kurse sot, nga 193 shtete të OKB-së, 192 janë pjesë e ICAO – s (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil) por jo edhe Kosova!

Kosova duhet ta shënojë këtë ditë, por jo ta festojë, pasi që Aviacioni Civil i Kosovës ende është larg zhvillimit normal dhe shfrytëzimit të kapaciteteve që ofron industria e aviacionit. Problemet në Aviacionin Civil nuk janë të pakta, duke u nisur nga niveli politik deri tek problemet teknike e organizative.

Duke mos dashur të fokusohemi në probleme, megjithatë dua t’i përmend disa të cilat duhet të na brengosin të gjithëve, si:

1)     Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara (OKB), që pastaj i pamundëson Kosovës të jetë pjesë e ICAO-s dhe organizatave tjera ndërkombëtare të Aviacionit, ECAC dhe EUROCONTROL – që paraqet pengesa ditore në punën e AAC-së dhe zhvillimin e përgjithshëm të aviacionit në Kosovë.

2)     Mosshfrytëzimi i hapësirës ajrore të lartë dhe kufizimet në hapësirën ajrore të ultë, i kanë kushtuar kompanive ajrore më shumë se 100 milionë euro humbje. Fluturimet civile mund të hyjnë dhe dalin nga Kosova vetëm përmes korridorit ajror që e lidh vendin tonë me Maqedoninë Veriore, p.sh. një aeroplan që fluturon nga Vjena në Prishtinë, duhet të bëjë një rrugë rreth 250 km apo 15-20 minuta më të gjatë, sepse është i detyruar të fluturojë përmbi Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni për të hyrë në Kosovë.

3)     Kosova ka aftësi të ultë konkurruese në krahasim me rajonin, pra, shumë udhëtarë përdorin aeroportet rajonale për udhëtime dhe jo Aeroportin e Prishtinës.

4)     Në Kosovë mungon gati në tërësi prezenca e aviacionit të përgjithshëm. Sot nuk ka asnjë Aeroport ose Helipad që përdoret për aviacion të përgjithshëm kurse p.sh. para vitit 1999 në Kosovë ishin 12 Aeroporte në përdorim nga aviacioni i përgjithshëm. Këto aeroporte do të mund  të përdoreshin për fluturime trajnuese, rekreative, private, bujqësore, sportive, matje e incizime etj. Po ashtu duhet të përmendet që sot Kosova nuk ka as edhe një helikopter, i cili do të përdorej për raste urgjente ose intervenime të veçanta.

5)     Kosova besohet se ka çmimet me të larta për shërbimet Aerportuale, dhe përkundër faktit që tarifat rregullohen nga AAC, këto tarifa nuk janë ndryshuar që nga koha e UNMIK-ut.

6)     Aviacioni ndër vite i ka kushtuar shumë buxhetit të shtetit të Kosovës. Pra, në gjithë botën aviacioni financohet nga tarifat dhe funksionon sipas parimit “cost-recovery” por në Kosovë, prej pasluftës janë investuar miliona euro në aviacion nga buxheti i shtetit duke u nisur nga blerjet e radarëve, e deri te buxheti-grantet qeveritare që i ndahen çdo vit Agjensionit të Shërbimeve të Navigimit Ajror.

7)     Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka vetëm një Aeroport për linja ndërkombëtare. Së fundi edhe Shqipëria është duke e hapur Aeroportin e Kukësit dhe po planifikon hapjen e  Aeroportit të Vlorës.

Kosova padyshim ka edhe suksese në fushën e aviacionit, pra, pavarësisht që Kosova nuk është pjesë e ICAO-s, EASA-s dhe Eurocontrol, Republika e Kosovës është pjesë e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), pjesë të së cilës janë shtetet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor. Në rrafshin legjislativ, AAC-ja ka nxjerrë akte nënligjore me të cilat bëhet përvetësimi i standardeve ndërkombëtare të aviacionit civil të nxjerra nga ICAO dhe atyre për zbatim të legjislacionit të BE-së në fushën e aviacionit civil, si ato në kuadër të Marrëveshjes HPEA.  Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian  tregon se të gjitha kërkesat nga faza e parë kalimtare e Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA) janë pothuajse të përmbushura.

Gjatë këtij viti ka pas rezultate të prekshme sa i përket normalizimit të hapësirës ajrore. Në qershor 2020 është nënshkruar një Letërmarrëveshje në mes Kosovës dhe Shqipërisë, që do të mundësojë hapjen e korridoreve të reja ajrore në mes të dy shteteve  dhe pritet të vazhdohet edhe me nënshkrimin e të njëjtës marrëveshje me Malin e Zi dhe Serbinë, që do të mundësonin  hapjen e rrugëve ajrore edhe me këto shtete. Normalizimi i hapësirës ajrore po zhvillohet në kuadër të Normalizimit të Hapësirës Ajrore të Ballkanit (Balkan Airspace Normalization Meeting – BANM) të organizuar nga NATO.

Në Rrafshin e mbikëqyrjes, AACK ka 16 inspektorë të kualifikuar të cilët kryejnë inspektime dhe auditime  në fushën e Sigurisë. AACK inspekton Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Agjencinë e Shërbimeve të Navigimit Ajror, Kompanitë ajrore që operojnë në Prishtinë, Operatorët e shërbimeve në tokë, Akademinë e Aviacionit, Qendrën e Mjekësisë së Aviacionit (AeMC) në Gjakovë dhe Organizatat trajnuese në fushën e aviacionit civil të aprovuara nga AACK.

AAC-ja ka bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë e Aviacionit si me Ministrinë e Infrastrukturës (MI) që është përgjegjëse për rregullimin ekonomik të transportit ajror, Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që është përgjegjëse për rregullimin e aspekteve të sigurimit të aviacionit dhe me Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA). Të gjitha këto institucione funksionojnë për mrekulli dhe kanë personel profesional.

Aviacioni civil është shumë më tepër se përmbushje e kriterit minimal të standardeve ndërkombëtare. Përfitimi nga zhvillimi i aviacionit civil është shumë dimensional dhe i llojllojshëm. Aviacioni krijon vende të punës direkt  në kompani ajrore, mirëmbajtje dhe servisim,  shërbime në tokë, shërbime të navigimit ajror, shkolla të trajnimit, shitje etj. Pastaj është edhe ndikimi indirekt në zhvillimin ekonomik të vendit duke mundësuar mobilitet të lartë të personave dhe mallrave. Kosova si ekonomi e varur shumë prej diasporës, do të përfitonte më së shumti nga aviacioni civil i zhvilluar, i cili do t’u mundësonte mërgatës ta vizitojnë vendin më shumë, më lirë dhe me qëndrim më të gjatë. Pra, vetëm të paramendohet se nëse fluturimet shkurtohen për 25 minuta, ofrohen linja të reja dhe shërbimet Aeronautike lirohen,  kjo ndikon në lirimin e kostos së fluturimeve respektivisht lirimin e biletave.

Ne në AACK, së bashku me partnerët dhe me ekipin e profesionistëve, po punojmë që suksesi i Aviacionit Civil të shtrihet përtej rrafshit legjislativ dhe adaptimit të rregulloreve ndërkombëtare, dhe jo vetëm, por të fokusohemi në promovimin e gjithmbarshëm të Aviacionit, përfshi zbatimin me përpikëshmëri të rregullave të sigurisë dhe atyre për mbikëqyrje ekonomike, uljen e kostove të fluturimit dhe hapjen e tregut për konkurrencë.

Urime 7 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Aviacionit Civil!

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.