Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sfidat e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë

Në Kosovë, barazia gjinore është ende një standard i paarritur. Duke qenë një shoqëri patriarkale, problematizimi i çështjeve gjinore ende nuk është në nivelin e duhur. Si një tregues i kësaj është që gratë janë ende të nënpërfaqësuara në shumë sfera të shoqërisë.

Parë në letër, Kosova i ka ligjet shumë të avancuara me të cilat garantohet barazia gjinore. CEDAW është drejtpërdrejt e zbatueshme në Kosovë, ngase përmban referencë direkte në Kushtetutën e KosovësLigji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale, parashohin kuotën gjinore prej së paku 30% të kandidatëve për deputetë në listat zgjedhore.

Pakoja e Ligjeve Kundër Diskriminimit që ka është adoptuar në vitin 2015, ku bëjne pjesë: Ligji Kundër Diskriminimit, Ligji për Ombudspersonin dhe Ligji për Barazi Gjinore, garantojnë të drejta të barabarta të pjesëmarrjes së jetës publike të qytetarëve.

Lidhur me këtë, ligji specifik, ai për Barazi Gjinore, parasheh 50% të përfaqësimit gjinor (përfaqësim i barabartë i të dy gjinive), në çdo mekanizëm dhe nivel të pjesëmarrjes në jetën politike dhe publike. Me Ligjin për Barazi Gjinore parashihet edhe themelimi i Agjencisë për Barazi Gjinore si institucion qëndror i cili integron aspektin gjinor në politikbërjen në nivel shtetëror. Poashtu parasheh eksistimin e zyrtarëve për barazi gjinore në çdo komunë dhe ministri.

Ky ligj poashtu rregullon çështjen e buxhtimit gjinor i cili nga viti 2015 është obligativ për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë, përfshirë komunat, ministritë dhe institucionet tjera.

“Vlerësimi i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2008-2013 ka shpalosur se përkundër përparimit të arritur me ca nga treguesit socio-ekonomik, deri në vitin 2013, gratë në Kosovë ishin në pozitë disavantazhi krahasuar me burrat” [1]. Programi i ri për barazi gjinore i cili i përcakton fushat prioritare sa i përket barazisë gjinore është duke u hartuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe do të jetë i vlefshëm për periudhën 2019-2023.

Përfaqësimi gjinor në Kuvendin e Kosovës, komunat dhe partitë politike – Ku qëndron problemi? 

Problemi i pjesëmarrjes së grave në sferën shoqërore lidhet ngushtë me mungesën e pjesëmarrjes së tyre ne organet e vendimmarjes publike. Qeveria në ikje është një shembull i keqqeverisjes sa i përket përfaqësimit të grave në Qeverinë e Kosovës. Nga 21 ministra vetëm 2 ishin gra [2]. Ishin 32% gra dhe 68% burra në Kuvendin e Kosoves [3]. Në legjislaturën e kaluar, vetëm një parti parlamentare ishte udhëhequr nga një grua. Bëhet fjalë për partinë “Alternativa”, e cila ishte udhëhequr nga ish kryetarja e komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari Lila. [4]

Në nivel komune për zgjdhjet evitit 2017, kemi patur vetëm 4% të grave kandidate për kryetare të komunës, nga 204 kandidatë. [5]

Kjo lidhet ngushtë me mungesën e përfaqësimit të grave në të gjitha pozitat vendimarrëse duke filluar nga partitë politike. Ligji për Barazi Gjinore, thërret për 50% të përfqësimi të grave në të gjitha organet e vendimmarjes publike dhe politike. Mungesa e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore nuk shihet vetëm në përfaqësimin e partive politike. “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet tjera drejtuese dhe vendimmarrëse” (Ligji për Barazi Gjinore, neni 6, pika 8).

Duke parë trendet negative të nominimit të grave në listat për kandidate për deputetë të Kuvendit të Kosovës, ditë më herët Avokati i Popullit e lëshoj një komunikatë në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, në Kosovë. Në këtë komunikatë thërret për respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore. Më konkretisht,

Avokati i Popullit u rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.” Neni 6, paragrafi 7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.”

Me këtë u bëhet apel partive politike që të kenë parasysh që në listë zgjedhore të përfshihet numri i barabartë i grave dhe burrave sipas këtij ligji. Për më tepër, Ligji për Barazi Gjinore, nuk përqëndrohet vetëm në listat zgjdhore, por edhe në përfaqësimin e barabartë edhe në të gjitha organet e zgjedhjeve, përfshirë edhe përbërjen e pjesëtarëve të këshillave të vendvotimeve, të cilët duhet të jenë te përbëra nga të dy gjinitë.

Pjesëmarrja e grave në listat e kandidatëve për deputete të Kuvendit të Kosovës dhe kuota gjinore në vetë Kuvendin e Kosovës, janë masa shumë të rëndësishme të barazisë gjinore në vend. Këto janë masa afirmative, të përkohshme, të cilat në një periudhe të gjatë duhet të kontribuojnë në ndërrim të mentalitetit të përgjithshëm sa i përket grave në politike. Një trend i tillë mund të shihet shumë lehtë, ngase nga një cikël zgjëdhor në tjetrin, jemi dëshmitarë të rritjes së numrit të grave të cilat janë bërë deputete të Kuvendit të Kosovës me vota që i kanë marrë në garë me deputetë burra, pa kuotë gjinore.

Mirëpo, për të patur një përfaqësim të mirëfilltë politik të grave, ndërrimi thelbësor duhet të ndodhë në vetë parti politike. Gratë në parti politike nuk kanë qasje të barabartë në burime të financiare sa i përket të mbështjetejs së aktiviteteve partiake, siç kanë burrat. Qasja në media me qëllim të promovimit dhe paraqitjes së programit të tyre është shpeshherë në hije për shkak të hapësirës që e zënë burrat.

Lidhur me këtë, kur flasim për gratë politikane në media, është shumë e rëndësishme të shohim se si këto marrëdhënie të fuqisë dhe ushtrimi i fuqisë institucionale luan një rol të    rëndësishëm në mënyrën se si paraqiten gratë politikane në media. Gratë në përgjithësi i nënshtrohen një diskursi të komunikimit të cilat i redukton ato në formë dhe jo në përmbajtje, duke u munduar që t’i zhveshë nga fuqia e pozitës që e kanë si politikane.

Një takatikë e cila përdoret për paraqitjen e grave politikane është “taktika e vlerësimit pozitiv të pamjes” [6]. Gratë kur intervistohen zakonisht pyeten për tema më shumë sociale, ndërsa pyetjet rreth temave lidhur me shtetformim, si psh temat lidhur me ushtrinë, ndarjen buxhetore, etj. janë temat që u shtrohen burrave.

Gratë politikane ngrihen më tepër në piadestal kur e fillojnë karrierën politike por edhe u nënshtrohen kritikave më të shumta në rast të dështimit në politikë. “Gratë politikane udhëheqëse, për shembull i nënshtrohen më tepër një rishikimi të kujdesshëm (apo gjykimi) medial, to cilat i atribuohen prirjes së mediave ndaj stereotipeve gjinore të cilat i favorizojnë burrat në raport me gratë në pushtet” [7] . Poashtu, të qenit i fuqishëm apo të të pasurit të një pozite më të lartë asocohet me burrat, dhe në këtë mënyrë edhe perceptohet se burrat që janë në pozitë më të lartë në politikë e që është zakonisht e saktë, janë më të fuqishëm se gratë të cilat marrin pjesë në shkallë shumë më të vogël në vendimmarrje politike.

Çka më tutje?

Marrë parasysh që korniza legjislative që garanton pjesëmarrje të grave në jetën publike është mjaft e konsoliduar, është detyrë e Kuvendit të Kosovës të luaj rolin e vet të mbikëqyrjes së implementimit të ligjeve dhe të prodhojë rekomandime për përmirësim legjislativ aty ku ka mangësi. Grupi i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, si një organ i konsoliduar i mbrojtjes së interesave të grave në procesin legjislativ, duhet të ketë një rol më aktiv lidhur me këtë në Kuvend.

Duhet të bëhet implementimi i plotë i Ligjit për Barazi Gjinore, sidomos te listat e kandidatëve për deputete të Kuvendit të Kosovës, por edhe të përfaqësimit të përgjithshëm. Poashtu, vendosja e kuotave gjinore në organet udhëheqëse të partive politike, në mënyrë që të grantohet pjesëmarrja e grave në vendimmarrjen politike brenda këtyre strukturave. Në fund, Ministria e Administratës Publike duhet t’i bëjë publike të dhenat për këshilltarët politikë të cilët paguhen nga buxheti i shtetit si masë e rritjes së transparencës së shpenzimit të parasë publike, por edhe ngritjes së vetëdijes rreth aspektit gjinor në instutucionet udhëheqëse.

—-

[1] OSCE/UNFPA. 2018. A men’s perspective on gender equality in Kosovo. Prishtina f. 8.

[2] [3] [4] [5] Rrjeti i Grave të Kosovës. 2018. Analiza Gjinore e Kosovës. Prishtina, f. 11.

[6] Nurseitova Khalidaa , Zharkynbekova Sholpanb , Bokayev Bauyrzhanc , Bokayeva Ainashd, 2013, Language and gender in political discourse, f. 419.

[7] McIntosh, Heather. 2013. Women and politics in the media [Review of the three books Political culture and media genre: Beyond the news, Women political leaders and the media, and Woman president: Confronting postfeminist political culture]. Global Media Journal, fq 100

—-

*Opinionet e shprehura në këtë shkrim nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku autorja punon.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.