Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shifra të çoroditura në panoptikonin kosovar

Ndryshimet në intimitet apo mënyra e përzgjedhjes së partnerit përbëjnë kategorizimin apo përcaktimin e tipologjisë së një shoqërie.

Relacionet në çift dhe mënyra e organizimi të jetës, duke përfshirë qëndrimet dhe sjelljet në përgjithësi tregojnë nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Anthony Giddens në librin e tij ‘The Transformation of Intimacy’ zhvillon idetë në lidhje me natyrën e ndryshme të marrëdhënies dhe transformimin e intimitetit. Ai argumenton se intimiteti në formën moderne nënkupton një demokratizim rrënjësor edhe në domenin ndërpersonal, i cili “mund të jetë një ndikim subversiv mbi institucionet si një e tërë”.

Anketa e realizuar nga Agjensioni i Statisitikave të Kosovës dhe UNICEF lidhur me qëndrimet karshi “besnikërisë në martesë” dhe “virgjërisë”, nxjerr në pah se të rinjtë e grup moshës 15-24, 91 përqind e femrave të anketuara asnjëherë nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale, kundrejt 54 përqind të meshkujve. Në këtë kontekst, ekziston një dallim relativisht i madh gjinor. 37 përqind e meshkujve nuk janë deklaruar se janë të virgjër, ndaj rrjedhimisht del se ata janë më aktivë seksualisht sesa femrat. Duke u nisur nga sistemi patriarkal i vlerave, pritet që meshkujt e kësaj grupmoshe të mos jenë të virgjër. Çështja e tillë mund të kundrohet nga dy aspekte: nga i pari, sepse virgjëria nuk është domosdoshmërisht atribut që i karakterizon meshkujt, teksa nga i dyti, të qenit i virgjër konsiderohet “defekt”, shkaku i rolit sundues, të cilin ia ofron shoqëria. Sipas anketës së mësipërme del se 37 përqind e meshkujve e kanë humbur virgjërinë e tyre me grupmoshën e femrave mbi moshën 24 vjeç. Këto të dhëna sado që nuk mund të jenë jo të sinqerta, janë tregues i rëndësishëm për të kuptuar se personat e anketuar janë të vetëdijshëm për rëndësinë, që shoqëria kosovare ia kushton virgjërisë dhe besnikërisë në martesë. Konteksti i shndërrimit të virgjërisë në normë sociale, determinon edhe disa mekanizma të tjerë mbrojtës. Sipas një artikulli të botuar në “Koha Ditore”, në kuadër të edicionit special “Koha për Gratë”, të përgatitur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, kërkesa për virgjëri të vajzave është në rritje.

“Kjo ua ka imponuar femrave të kërkojnë “ndihmën” e mjekut për të rikthyer virgjërinë. Qepja e himenit madje po del të jenë bërë trend në Kosovë, pas luftës. Edhe vetë gjinekologët dhe ekspertët e tjerë shëndetësorë e pohojnë këtë fakt, ndonëse me kusht anonimiteti. Ata madje, e pranojnë se për këtë “punë” klientët paguajnë shuma deri në 700 euro. Mjekësia ligjore pohon se kanë raste të shpeshta kur palët i drejtohen gjykatës për vërtetim të virgjërisë”.

Te çështja e besnikërisë në martesë, 7 përqind e meshkujve kanë pranuar se kanë ndërruar partnerët e tyre, derisa femrat 100 përqind i qëndrojnë besnike partnerëve të tyre.

Sipas teorisë së Difuzionit – shpërfaqjes, në nivel individual, mënyra e sjelljes së individit, është ndryshuar me miratimin paraprak të një sjelljeje të tillë nga individë të tjerë në sistemin social. Gjithnjë, sipas kësaj teorie, shpërfaqja ekziston kur miratimi i ideve të reja dhe sjelljet përkatëse nga disa individë ndikojnë në mundësinë e adoptimit nga të tjerët. Kështu, qasja e teorisë së difuzionit shpjegon përforcimin e një fenomeni social si rezultat i vendimmarrjes individuale, e cila ka pasoja në vendimet e individëve të tjerë dhe integrimit të këtyre sjelljeve brenda sistemit shoqëror.

Faktori i parë i pengimit të ndryshimit të qasjes ndaj përzgjedhjes dhe ndryshimit në jetën personale është të mësuarit social, i cili presupozon se individët mësojnë duke respektuar një tjetër sjellje, e cila ofron dëshmi të nënkuptuar qoftë edhe nëse një situatë e pasigurt ofron sjellje të re në zhvillim dhe është efektive apo jo.

Faktori i dytë i ndikimit, përveç “të mësuarit social” është edhe “presioni social”. Presioni social është dëshira e një individi të sillet në përputhje me mënyrën e pranuar në shoqëri. Në këtë mënyrë perceptimi në lidhje me qëndrimet e të tjerëve dhe besimet ndaj sjelljes së dikujt janë përcaktues të rëndësishëm.

Të rinjtë janë shumë konservativë në lidhje me seksin dhe seksualitetin, sepse procesi i të mësuarit social është i ndikuar edhe nga faktorë të tjerë, si: masmedia, shkolla dhe struktura të tjera sociale dhe tema të tilla vazhdojnë të jenë një botë e errët dhe e padebatuar.

Ndryshimi i këtyre qëndrimeve karshi seksit dhe seksualitetit nga perspektiva e Teorisë së Konvergjencës, mund të bëhet forcë që inicion më tej këto ndryshime, teksa qasjet më te reja sociologjike janë përpjekur t’i lidhin ndryshimet strukturore me veprimin individual.

Beck U. argumenton se ndryshimet në strukturën e familjes janë nisur nga procesi i individualizimit. Individualizimi apo “institucionalizimi i individualizimit” përfaqëson ndryshimin strukturor të institucioneve sociale, marrëdhëniet si dhe ndryshimin midis një individi dhe shoqërisë. Në mënyrë që të integrohen në diferencimet e shoqërisë moderne, lidhjet e vjetra tradicionale familjare braktisen. Kështu, struktura e lidhjeve familjare është e ndikuar nga individualizimi, ndaj si rezultat janë shfaqur shumë role dhe marrëdhënie të reja. “Si rezultat i procesit të individualizimit, individët kanë shumë opsione në dispozicion në mënyrë që të bëjnë zgjedhjet e tyre, ndërsa rëndësia e ndjekjes së vlerave, rregullat, besimet e rrjeteve institucionalizuara / sistemet e kontrollit ka rënë”. Megjithatë, rritja e lirisë sociale të sjelljes ka të ngjarë të shkaktojnë kundërthënie. Nga njëra anë, fushëveprimi personal për veprimet dhe mundësitë janë rritur, ndërsa nga ana tjetër, ndjenja e sigurisë sociale dhe e normave është në pandryshuar.

Në veprën “Disiplina dhe Ndëshkim” Michel Foucault analizon strukturën arkitektonike të panoptikon si paradigmë e një shoqërie të kontrolluar, në të cilën pushteti është ruajtur përmes vëzhgimit potencial. Struktura e panoptikonit është një ndërtesë me një kullë në mes, në të cilën “të burgosurit” mund të shihen në çdo kohë nga rojet dhe nuk mund të komunikojnë apo të shohin të burgosurit e tjerë. Çdo individ është i mbyllur në një hapësirë ??të vogël, gjithmonë në gjendje për t’u vëzhguar. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme është që domosdoshmërisht ata mund të përcaktojnë kur janë duke u vëzhguar apo jo.

Efekti i kësaj mbikëqyrjeje është adresuar në esenë e John Berger-it “Ways of Seeing”, e cila trajton  pozitën e grave në kuadër të kulturës perëndimore e që ekziston në hapësirën e kufizuar të dëshirave të burrave. John Berger pohon se “pozita sociale” e gruas është e ndryshme nga ajo e burrave, kryesisht për shkak të këndvështrimit kulturor, sipas të cilit burrat janë veprimi, ndërsa gruaja shfaqja. Një konceptim i tillë kulturor dhe social bënë që “burri të shpërfaq një situatë për ju ose për ju, nga ana tjetër, prania e një gruaje shpreh qëndrimin e saj për veten e saj, dhe përcakton se çfarë mund dhe nuk mund të ketë bërë për të”.

“Gratë janë të përcaktuara nga prania e tyre vizuale. Si rezultat, gratë do të vlerësojnë dhe monitorojë pamjen e tyre (në gjeste të ndryshme, në zë, në rroba si dhe në shprehje), si mënyrë për të mbështetur praninë e saj”. Sipas Berger-it ky monitorim i vazhdueshëm e detyron atë që të ketë një vetëdije të dyfishtë, të ndarë në dy; shfaqjen dhe shikimin e vetes duke u shfaqur. Kjo ndarje është vetëdija paralelizuar në strukturën e panoptikonit. Ashtu si të burgosurit që janë duke u vëzhguar nga rojet, gratë vëzhgojnë veten përmes syve të jashtëm. Prandaj, edhe në mungesë të njerëzve, trupi i gruas kurrë nuk mund t’i shpëtojë mbikëqyrjes; kjo analizë dhe ky vëzhgim i vazhdueshëm e përcakton trupin e gruas në një gjendje të burgut të pashmangshëm.

Në një analogji të tillë në mes të esesë së Michel Foucault-së  dhe John Berger-it shohim një strukturë të tillë sociale të kontrollimit dhe disiplinimit, në të cilën nuk ka vend për rebelim.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.