Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shija në arkitekturë

Foto nga Freepik

Pa shije – nuk ka arkitekturë të bukur apo të shëmtuar. E bukur ose e shëmtuar, varet nga shija që ne si individë kemi zhvilluar.

Shumica do të donin që shijen ta përkufizonin si një perceptim individual rreth një gjëje. Shije kanë të gjithë, por varet se me çfarë përmbajtje mbushet ajo shije.

Shija nuk është më “asgjë”, por duhet të plotësojë disa kritere, dhe nëse nuk plotëson ato kritere, ajo vuloset si pa shije.

Konstruktivizmi është një teori filozofike që thotë se njohuritë nuk janë një imazh i realitetit, por realiteti perceptohet ndryshe nga të gjithë njerëzit. Në grupe të ndryshme shoqërore, ekziston një marrëveshje e pashprehur se si ta perceptojmë botën. Imazhet e ndryshme të realitetit kanë sisteme të ndryshme normash sociale. Norma është pika referuese që njerëzit maten ndërmjet veti, ndaj të cilave përcaktohet e mira dhe e keqja.

Mbreti i hulumtimit të shijes është sociologu francez  Pierre Bourdieu (1930-2002). Ai është njeriu që shijes i ka caktu një logjikë dhe strukturë. Puna e tij shkencore ka fituar një ndikim të madh në të gjitha hulumtimet shoqërore. Bourdieu i kushtoi të paktën 30 vjet klasifikimit të shijes së francezëve (Për mua si urbanist, gjëja më e vështirë rreth studimeve që i ka bërë Bourdieu, është se ai është kaq i vështirë për t’u kuptuar.)

Sipas Bourdieut, niveli kulturor i edukimit dhe rruga e jetës përcaktojnë shijen. Nëpërmjet studimeve empirike, ai ka treguar se arsimimi akademik në fakt jep shije të mirë. Në këtë mënyrë bëhet e qartë se shija është pjesë e strukturës së klasave. Në një nga studimet e tij, Bourdieu u tregoi njerëzve fotografi të një muzgu bregdetar dhe një guri me forma interesante. Doli se të diplomuarit mendonin se guri ishte më i bukur, ndërsa pjesa tjetër preferonte muzgun. Bourdieu beson se dielli është zgjedhja e natyrshme, por personat me shkollim akademik kanë mësuar nga eksperienca e tyre akademike që muzgun ta shohin si të shpenzuar, si një plagjiat që tashmë u bo shumë herë.

Pierre Bourdieu është quajtur si një “konstruktivist strukturalist”. Strukturalizmi krahason kuptimin e simboleve duke i parë ato si pjesë të strukturave. Sipas Bourdieut, jetojmë në një shoqëri klasore ku elita qeverisëse vendos se çfarë është shije e mirë – d.m.th. na e imponojnë shijen e tyre. Shija e etabluar si normë ndihmon për të legjitimuar ata që kanë pushtetin dhe duke bindur pjesën tjetër të shoqërisë mbi fuqinë e shijes e cila nuk guxon të vijë në kundërshtim.

Veç kësaj, vetë të shtypurit marrin pjesë në etablimin e shijes! Si një lojtar i mirë i tenisit që kontrollon plotësisht ndeshjen, por në të njëjtën kohë vetë loja është e rregulluar plotësisht nga rregullat e lojës, strukturat e pushtetit mund të na frymëzojnë që të jemi gjithëpërfshirës në lojërat e tyre. Ne thjesht i perceptojmë ata si mjedisin tonë natyror. Në këtë mënyrë, bindja e lirisë na mban robër.

Më tutje Bourdieu, Habitus e quan modelin e veprimit që përcakton mënyrën e të menduarit dhe veprimit të njerëzve. Ajo që po përjetojmë tani ndikohet nga gjithçka që kemi përjetuar më parë.

Secili individ ka habitusin e vet, por përmes grupeve të komunitetit krijohen struktura të ngurta sociale. Brenda të njëjtës familje, por edhe në të njëjtën klasë sociale, marrim modele që janë të ngjashme me njëri-tjetrin. Habitus është në këtë mënyrë një parakusht për rikrijimin e vazhdueshëm të shoqërisë së klasës. Për sa kohë që veprimi ynë përputhet me mjedisin në të cilin lëvizim, gjithçka rrjedh natyrshëm. Kur ndryshojmë mjedisin, mund të ndodhë që ne nuk dimë më si të sillemi. Personalisht, e kam përjetuar këtë mosdije të sjelljes kur kam emigruar në Suedi në vitin 2007. Për mua ishte shok, pasi çdo gjë ishte aq mirë e rregulluar, çdo detaj, dominonte arkitektura neoklasike dhe klasicizmi nordik që në literaturën ndërkombëtare njihet si Swedish grace (art déco). Ambienti ishte shumë i pastër, planifikimi urban për mua edhe pse kisha një background të arkitektit ishte një ideal, hapësira të mjaftueshme për këmbësorë dhe biçiklista. Me një fjalë, përshtypjet e para ishin se çdo gjë ishte në vendin e duhur. Duke ardhur nga një ambient ku dominon kaosi urban dhe mungesës të një identiteti arkitektonik, personalisht e kisha vështirësi të ambientohem dhe nuk dija sesi të sillem.

Bourdieu vetë nuk i ka studiuar arkitektët si një grup profesional, por sipas teorisë së tij, edhe arkitektët i takojnë strukturave te njëjta si të gjitha fushat kulturore. Prandaj, mund të thuhet se arkitektura ka dy dimensione, njëra prej të cilave tregon shkallën midis vlerës së lartë dhe të ulët dhe tjetrës ndërmjet heteronomisë dhe autonomisë, d.m.th. shkallë të ndryshme të vetëqeverisjes. Në fushë, zhvillohet një luftë pushteti midis anës së mirë  kulturore (arkitektura e mirë) dhe kundërpolit tregtar heteronomik (arkitektura e shëmtuar). Në pjesën autonome, njohurive dhe suksesit i jepet një vlerë shumë e lartë. Në pjesën heteronomike, nga ana tjetër, është shumë e varur nga bota e jashtme dhe kërkon sukses ekonomik dhe publik.

Ta themi thjesht, arkitektura, sa më shumë i plotëson nevojat ekzistuese në format e përcaktuara, aq më shumë afron polet tregtare. Ndërsa autonomia po lufton për vetëvendosje, heteronomia e plotë do të shpërndajë fushën e arkitekturës.

Illusio e quan Bourdieu forcën lëvizëse që bashkon të gjithë pjesëmarrësit në terren dhe e bën fushën dhe luftën e brendshme të ndjehet kuptimplotë. Pa iluzion, një fushë nuk mund të vazhdojë të ekzistojë, d.m.th e bukura dhe e shëmtuara duhet të bëjnë kompromise. Fushat nuk kanë ekzistencë të pavarur, por duhet të riprodhohen vazhdimisht. Fusha e arkitekturës mund të thuhet të përbëhet nga njerëz dhe institucione që rikrijojnë vazhdimisht besimin në vlerën e arkitekturës. Ideali do të ishte që e bukura të mbizotërojë.

Image

Figurë: Shija, sipas teorisë së Bourideu

Përveç vlerës estetike, arkitektura e shëmtuar ka një aspekt moral dhe shoqëror. Ndërsa arkitektura me shije të mirë paraqitet si e vërtetë dhe reale, ndërsa ajo e shëmtuar lidhet me gjykimin e dobët dhe me cilësinë e dobët. Studiuesja suedeze, Ellen Key, për shembull, konsideroi se shëmtia estetike mund të jetë infektuese dhe fizikisht e dëmshme. Ndërsa e bukura mbështetet harmonikisht në vetvete, dhe në ambientin që e rrethon. Për ta përshkruar të shëmtuarën nuk është vetëm e vështirë dhe shumë e ndjeshme, shëmtia është në vetvete e pakëndshme për t’u marrë me të. Shpesh perceptohet si një ndërhyrje në integritetin tonë. Detajet e shëmtuara tërheqin vëmendjen tonë, sidomos atyre që kanë një bagazh akademik; e shëmtuara provokon dhe pengon përqendrimin tonë. Zakonisht, arkitektura e shëmtuar nuk ndjek rregullat që kemi ngritur, nuk e njeh vendin e saj dhe nuk është proporcionale. Ajo vret të bukurën përreth!

Arkitektura e shëmtuar është terra incognita (unknown land). Ndërsa ajo e bukura ka një regjistër të vetin, ka një përmbajtje dhe komunikon shumë mirë me ambientin që e rrethon.

—–

Referenca:

– Bourdieu, Pierre (1979): Distinction: A Social Critique of the Judgement of Taste (French: La distinction)

– Key, Ellen (1899) Beauty for All (Swedish: Skönhet för alla)

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.