Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shtatë sugjerime për rektoren e re ose rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës

Tani që jemi në prag të zgjedhjes së rektores ose rektorit të ardhshëm të Universitetit të Prishtinës (UP), konsiderojmë se është e udhës që të reflektojmë se çfarë do të duhej të bënte dhe çfarë do të mund të bënte ajo/ai për ta ngritur UP-në në nivel të një institucioni që me meritë të plotë do ta mbante emrin “universitet”. Lista e sugjerimeve mund të jetë e gjatë, por këtu po i radhisim, jo medoemos sipas rëndësisë, disa prej tyre që i konsiderojmë më kyçe dhe më urgjente për universitetin. 

Së pari, rektori/ja do të duhej të siguronte literaturë për programet studimore të universitetit. Nuk do mend se në mungesë të literaturës së botuar dhe të pranishme në raftet e bibliotekave të fakulteteve, universitet nuk mund të ketë. Kjo do të mund të bëhej duke shtuar buxhetin për pasurimin e fondeve të bibliotekave të fakulteteve të universitetit dhe duke aktivizuar botimet universitare, qoftë duke mbështetur botimin e librave autorialë të personelit akademik, qoftë duke ndërmarrë një projekt të fortë dhe gjithëpërfshirës të botimit të literaturës së përkthyer për nevojat e studentëve dhe personelit akademik. Njohja e përkthimeve të tilla dhe poentimi i tyre, si pjesë e procesit  të vlerësimit të performancës dhe avancimit në thirrje akademike të personelit akademik, do të ndihmonte në këtë drejtim.

Së dyti, rektori/ja do të duhej të ndërmerrte hapa konkretë dhe të dukshëm për ta orientuar UP-në drejt kërkimit shkencor. Duke kombinuar komponentët e mësimdhënies, studimit dhe kërkimit shkencor, universiteti do të ishte më i gatshëm të ofronte programe studimore pasdiplomike, posaçërisht programe të doktoratës dhe do të rriste cilësinë e përgjithshme të tij. Kjo do të mund të bëhej duke ofruar mbështetje dhe kushte lehtësuese e mundësuese për kërkime shkencore, duke rezervuar buxhet për secilin fakultet që arsyeton atë me planifikimin dhe realizimin e projekteve kërkimore. Personeli akademik do të inkurajohej të kryente projekte kërkimore, duke iu llogaritur koha e shpenzuar në kërkim në kuadër të ngarkesës së përgjithshme të punës dhe duke u shkarkuar nga një pjesë e orëve të mësimit. Kështu, personeli i interesuar dhe i aftësuar për kërkime shkencore do të mund të plotësonte normën e punës jo vetëm me orë mësimi (ligjërata a ushtrime), por edhe me kohë për projekte kërkimore. Investimi i universitetit në institute, qendra e programe kërkimore e botuese, do të mundësonte vënien dhe mbajtjen e kontakteve dhe bashkëpunimeve me universitetet dhe komunitetin akademik edhe jashtë vendit.

Së treti, rektori/ja do të duhej të garantonte misionin e UP-së si qendër e prodhimit dhe kultivimit të mendimit e konversacionit akademik lokal, të shprehur dhe të shkruar në gjuhën tonë. Politika aktuale për financimin e botimeve të monografive dhe punimeve shkencore të personelit akademik, nuk e mbështet fare botimin e monografive dhe të punimeve shkencore brenda vendit, as në gjuhën shqipe, as në ndonjë gjuhë tjetër të vendit. Kjo rregullore, ose fryma e saj, rezulton në shkrim shkencor vetëm në gjuhë të huaja dhe vetëm në botime në shtëpitë botuese të vendeve të huaja. Si e tillë, kjo politikë do të duhej rishikuar që të mbështesë edhe botimet brenda vendit tonë që plotësojnë standardet rigoroze akademike. Në kuadër të kësaj, revistat shkencore të UP-së do të duhej të vazhdonin, ndërsa fakultetet dhe departamentet të inkurajohen të botonin revista shkencore me redaksi dhe recension ndërkombëtar. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe intitucionet e tjera relevante, revistave aktuale dhe atyre që mund të botoheshin në të ardhmen, do të duhej t’u sigurohej numri serik ndërkombëtar (ISSN) dhe të ndihmohej anëtarësimi i tyre në platforma kredibile ndërkombëtare.

Së katërti, rektori/ja do të duhej të siguronte shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ekzistuese të personelit akademik të UP-së. Kjo do të mund të bëhej duke rimenduar politikat e avancimit të personelit akademik për të hartuar politika e procedura më efikase e më të shpejta të avancimit të personelit që plotëson kriteret për avancim. Aktualisht, politikat e zgjedhjes dhe avancimit të personelit përcaktojnë procese të ngadalshme dhe të tejzgjatura, që rezultojnë në kufizime e vonesa të rekrutimin të personelit akademik dhe që, për pasojë, pengojnë zhvillimin dhe akreditimin e programeve.

Së pesti, përveç përmirësimit të infrastrukturës së fakulteteve duke i pajisur klasat mësimore me mjetet e nevojshme për konkretizim të mësimit, si, së paku, kompjuter të lidhur me projektor dhe internet në secilën klasë, rektori/ja do të mund të krijonte ambient më mirëpritës në kampusin universitar, si brenda fakulteteve, ashtu dhe në hapësirat e jashtme. Kjo do t’i inkurajonte studentët të qëndrojnë më gjatë brenda tij për studim, socializim e pushim. Kjo do të mund të bëhej duke ruajtur hapësirat ekzistuese dhe përshtatur ato për studentët, por edhe duke krijuar hapësira të reja në kampus, si për shembull kopshte të gjelbëruara, kafebare e dhoma të posaçme me infrastrukturë për llaptopë dhe, ku studentët do të mund të studionin, të çlodheshin dhe të ndërvepronin mes tyre. Kjo është sidomos e rëndësishme për studentët e programeve pasdiplomike, nevojat e të cilëve janë më specifike. Gjithashtu, rektori/ja do të duhej të kujdesej për nevojat e veçanta të studentëve me fëmijë të vegjël, duke ofruar hapësira të përshtatshme dhe kujdes për ta.

Së gjashti, rektori/ja do të duhej të sigurohej që studentëve t’u ofrohen shërbime administrative sa më të lehta dhe sa më të shpejta, pa ndërlikime burokratike dhe pa vonesa e kërkesa arbitrare. Kjo do të mund të bëhej duke aktivizuar ose krijuar mekanizma mbikëqyrës dhe vlerësues të shërbimit studentor në administratën qendrore dhe në fakultete. Rektori/ja do të duhej të kishte parasysh pozitën e veçantë të studentëve të doktoratës, duke u mundësuar atyre bursa ose, së paku, lehtësime në pagesën e studimeve të doktoratës, pasi, fundja, me hulumtimet dhe disertacionet e tyre, ata dhe ato e pasurojnë komponentin kërkimor të universitetit.

Së shtati, rektori/ja do të duhej të bënte çfarëdo që është në kompetencë të tij/saj që ta sigurojë integritetin e UP-së dhe ta mbrojë atë nga ndërhyrja e pushtetit politik në autonominë e universitetit. Kjo do të mund të arrihej duke fuqizuar instancat e universitetit që të adresojnë problemet të cilat e cenojnë integritetin akademik të tij.

Sigurisht, se me këtë listë, që tenton të identifikojë nevojat më kyçe dhe më urgjente të Universitetit të Prishtinës, nuk pretendojmë të flasim në emër të personelit akademik, as të ofrojmë një listë përfundimtare nevojash të personelit akademik ose të studentëve të tij, por vetëm të ofrojmë sugjerime që burojnë nga përvojat tona si punonjës të UP-së.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.