Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shteti rregullator në Ballkanin Perëndimor

Shteti rregullator nënkupton një konceptim të shtetit funksionet e të cilit kufizohen në rregullimin e tregut. Ai ka lindur në vitet 1980 në vendet e zhvilluara, si shtet jo-ndërhyrës roli i të cilit është ai i një arbitri neutral që merret me vendosjen e rregullave dhe monitorimin e zbatimin e tyre me detyrim. Në një kontekst të tregjeve gjithnjë e më të hapura, të shtyrë nga globalizimi, në këto vende, zgjerimi, në shumicën e fushave të lidhura me tregun, i rregullimit si mënyrë për të ushtruar funksionet e shtetit, ky koncept synon të kapërthejë kuptimin e rolit të ripërkufizuar të shtetit. Ai gjithashtu i jep një identitet të veçantë shtetit si formë e organizimit që përballet, duke trajtuar, transicionin nga një rend politiko-ekonomik liberal në një rend neoliberal. Në këtë transicion, shtetet e zhvilluara demokratike janë mbërthyer në konkurrencën ndërmjet kërkesave të tregjeve për derregullim dhe të zgjedhësve për mirëqenie. Si model qeverisjeje, shteti rregullator ndan zhvillimin e politikave dhe ligjvënien për to nga zbatimi i tyre, me ç’rast tregu rregullohet nga rregullatorët që funksionojnë bazuar në parimet e ekspertizës profesionale dhe mosndërhyrjes politike. Një implikim kyç politik i kësaj është se institucionet e tilla kontribuojnë në përhapjen e qeverisjes globale duke shfrytëzuar autonominë e vet për t’u rrjetëzuar me institucione homologe, ndërkombëtarisht, dhe gjithashtu mund të bien pre e tundimeve të burokratizimit Weberian, brenda vendit.

Shteti rregullator ka marrë formën më komplekse në BE, e cila gjithashtu ka dhe vazhdon ta promovojë atë në Ballkanin Perëndimor përmes politikës së saj të zgjerimit. Ashtu sikur normat dhe vlerat e tjera të BE-së, shteti rregullator është larg nga formësim i tij ndokund në rajon. Arsyet për këtë mund të ndahen në arsye politike dhe ato të lidhura me tregun.

Arsyet politike lidhen me identitetin politik të vendeve dhe integrimin rajonal. Identiteti politik ka të bëjë me mungesën e një orientimi të qartë ideologjik, gjë që ka çuar në shtete që janë entitete politike ad hoc në ndryshim të vazhdueshëm dhe në përpjekje për t’iu përshtatur rrethanave e nevojave të brendshme dhe atyre rajonale. Varësisht se çka shikoni brenda tyre, ato u ngjajnë, njëkohësisht, shteteve zhvillimore, atyre socialiste që zbatojnë programe të mëdha të mirëqenies dhe atyre neoliberale që derregullojnë gjithçka. Këto shtete hibride me identitet politik të munguar nuk çojnë drejt shtetit rregullator si koncept dhe model qeverisjeje, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta formësuar atë brenda tyre, kryesisht si përgjigje ndaj procesit të aderimit në BE, por me një qasje ad hoc dhe të çorganizuar. Kjo na çon te ajo se paparashikueshmëria e aderimit në BE i kthen përpjekjet drejt shtetit rregullator në reforma ciklike – reforma që janë jo të plota, të paqarta, të copëzuara dhe tepër të ngadalta për të arritur te një shtet rregullator dinamik që funksionon brenda BE-së. Kjo kontribuon në perceptimin në mesin e qytetarëve në rajon se procesi i aderimit në BE është i pafund.

Nëse i hedhim një sy dimensionit të qeverisjes ekonomike, mungesa e një identiteti të qartë politik pasqyrohet në një rend ekonomik rajonal hibrid e shumë-nivelësh. As kjo nuk çon te shteti rregullator, por më tepër është i shtyrë nga reformat që kërkon BE në mbështetje të transicionit nga kaosi postkomunist pas shembjes së ekonomive të planifikuara drejt ‘ekonomisë sociale të tregut’. Ky transicion synon të kapërcejë një rend liberal, i cili faktikisht nuk është tentuar të vendoset ndonjëherë në rajon, me dimensionet e tij politike dhe ekonomike që çojnë drejt zhvillimit politik dhe begatisë ekonomike, të cilat janë, nga ana e tyre, parakushte kritike për ekonomi sociale të tregut. Dimensioni politik i këtij rendi liberal është shtetësia e konsoliduar, që çon drejt zhvillimit politik përmes stabilitetit politik, qeverisjes efektive dhe shtetit të së drejtës. Dimensioni ekonomik i tij është ndërhyrja minimale e shtetit në ekonomi ose mosndërhyrja e tij, që çon në prosperitet ekonomik përmes tregtisë së lirë dhe konkurrencës së lirë, rregullimit minimal ose mosrregullimit, dhe tatimeve minimale.

Mungesa e identitetit politik ka formësuar në shtetet e rajonit rende politike dhe sisteme qeverisjeje hibride që nuk çojnë te shteti rregullator. Ato nuk janë liberale, por më tepër hibride, të karakterizuara nga autoritarizmi konkurrues, politikisht, dhe politika neoliberale, ekonomikisht. Autoritarizmi konkurrues i mban rregullatorët e tregut, në kundërshtim me parimet e BE-së, të paaftë për të siguruar mbrojtje dhe mbikëqyrje të mirëfilltë dhe për të parandaluar që të shfrytëzohen nga autoritarët për të mbajtur pushtetin. Përveç dobësive në kapacitete, pavarësi dhe mbikëqyrje nga parlamentet, rregullatorët kudo në rajon lëngojnë nga kapja nga politika: ndërhyrje politike në emërimet e nivelit të lartë dhe punësimet brenda tyre. Trendët neoliberalë si privatizimi dhe konkurrenca për investime të huaja të drejtpërdrejta në një treg të vogël 20-milionësh e çakërdisin edhe më shumë perspektivën për shtet rregullator. Rezultati është se konkurrenca mbyt aktivitetet ekonomike në shkallë më të vogël dhe resurse kritike u dhurohen korporatave të derregulluara. Krejt në fund, të metat strukturore (joformaliteti ekonomik, që arrin një të tretën e PBB-së, monopolet, pagat e pabarabarta e të ulëta, standardet joadekuate të punës dhe sindikata të dobësuara) lihen pas dore.

Rezultati është kapja e trefishtë: politike, rregullatore dhe e tregut. Kjo është arsyeja përse agjenda e ‘rregullimit më të mirë’, e shtyrë nga BE-ja, që çon kah shteti rregullator përmes racionalizimit të rregullatorëve dhe reduktimit të burokracisë, do të mund të përballet me mungesë të përkushtimit politik pasi që do t’u kushtonte vota autoritarëve. Për më tepër, marrë parasysh nevojën e BE-së për t’i dhënë përparësi si antiautoritarizmit ashtu edhe stabilitetit politik në të njëjtën kohë, shteti rregullator deri më tani është pasqyruar në mënyrë të pamjaftueshme në kushtëzueshmërinë e politikës së zgjerimit. Mund të argumentohet se kjo politikë, duke qenë e përqendruar për së tepërmi në transformime normative, ka tepër normativitet dhe shumë pak ‘efekt zinxhiror’.

Është akoma herët të nxjerrim përfundime mbi atë se si integrimi rajonal i Ballkanit Perëndimor ndikon në perspektivën e shtetit rregullator. Një gjë dihet, dhe ajo është se ka rritur kompleksitetin duke shtuar një shtresë tjetër mbi ato ekzistueset: lokale, rajonale (në disa vende), kombëtare, të BE-së dhe globale. Përveç kësaj, rregullat dallojnë në mënyrë drastike sa i përket asaj se sa janë të detyrueshme: ato përfshijnë rregulla lokale dhe kombëtare për të gjithë, rregulla të veçanta për territore specifike brenda shteteve, rregulla federale e kuazi-federale, dhe aranzhime rajonale që mbikëqyren nga organe gjysmë të institucionalizuara të drejtuara nga iniciativat rajonale, BE-ja dhe akterë të tjerë.

Shto kësaj rregulla të tjera të vendosura nga iniciativa si ‘Procesi i Berlinit’, ndonjë lloj ‘mini-Shengeni’ dhe qindra marrëveshje dypalëshe, dhe mjedisi bëhet tejet aq kompleks sa tregu nuk mund t’i bëjë ballë. Ky kompleksitet në rritje është simptomë e një obsesioni në rajon me izomorfizmin e institucioneve që imiton BE-në në mënyrë sipërfaqësore. Në mungesë të vlerësimit real të nevojave të tregut dhe kapaciteteve për reforma, ky obsesion përforcon perceptimin në mesin e qytetarëve në rajon se ‘të bësh më shumë’, në vend se të ‘ta bësh më mirë’, ushqen në mënyrë të përsosur profecinë vetëpërmbushëse sipas së cilës t’i bashkohesh BE-së është rrugë e pafund. Kjo ka implikime serioze politike.

E fundit fare, arsyet e lidhura me tregun kanë të bëjnë me madhësinë dhe strukturën e ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe shkallën e rritjes së tyre, si dhe marrëdhëniet ekonomike ndërmjet tyre dhe me BE-në. Gjetjet e një raporti të BE-së mbi tregtinë brenda rajonit mbështesin argumentin ‘ta bësh më mirë’ dhe nevojën për qasje më realiste me izomorfizmin dhe imitimin e BE-së. Po flasim për një treg 20-milionësh të gjashtë vendeve që tregtojnë mes tyre në shkallë prej vetëm 6% PBB-së, mesatarisht, krahasuar me një treg 500-milionësh; PBB totale, në terma të PFB-së (PPP), sa një e treta e asaj të BE-së; një treg pak i diversifikuar krahasuar me një tepër tejet të diversifikuar; dhe diçka që është dërrmuese – se rajonit i duhen 60-200 vjet për të zënë hapin me BE-në.

Me të paktën pesë nivele rregullatore të përbërë nga qindra marrëveshje e aranzhime, mijëra korniza politikash dhe ndoshta mbi 500 rregullatorë, Ballkani Perëndimor është i rregulluar për së tepërmi dhe në mënyrë të pamjaftueshme, në të njëjtën kohë. Zgjidhja e këtij paradoksi mbase mund të jetë më e vështira nga të gjitha reformat e qeverisjes për aderim në BE në këto kohë të paparashikueshme.

—-

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–                                                                                                                    

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.