Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sistemi Arsimor i Kosovës në Jugosllavi: Në mes të Unifikimit dhe Segregimit (I)

Ilustrimi nga: BigEye

Një hyrje e shkurtër 

Në vitin 1953, Tito vjen në pushtet. Përgjatë kohës në të cilin ky i fundit ishte në pushtet ” Republika Popullore Federative e Jugosllavisë” shndërrohet në ” Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë” (RSFJ). Kjo seri e shkrimeve do të adresojë zhvillimet që kanë ndodhur në sistemin arsimor në Jugosllavi, respektivisht zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Përmes këtyre shkrimeve do të përpiqem të hartojë disa nga ngjarjet më të dalluara të cilat kanë ndodhur brenda fushës së arsimit në Jugosllavi, që medoemos kanë prekur Kosovën në atë kohë. Në vazhdën e kësaj, do të jetë një tentativë për të parë momentumet që kishin çuar deri në transformimet arsimore brenda dhe jashtë Kosovës.

RSFJ-ja ishte socializëm vet-menaxhues që funksiononte si e tillë pas përplasjes mes Titos dhe Stalinit (për të mos hyrë në detaje, meqë kjo nuk është tema në fjalë). Në njëfarë forme Jugosllavia ’pavarësohet’ nga Bashkimi Sovjetik. Për më tepër, RSFJ-ja bëhet pjesë e lëvizjes të së painkuadruarve (non-alignment movement), duke i dhënë kësaj të fundit fuqi për të mbetur një shtet neutral në një situatë të tensionuar gjatë luftës së ftohtë. Socializmi vetqeverisës dhe të qenit i pa parreshtuar ishin baza të rëndësishme për zhvillimin e Jugosllavisë atëbotë. Historia e Jugosllavisë nën Titon është një periudhë e rritjes dhe më vonë krizës së thellë ekonomike.

Lufta për pushtet mes republikave përbërëse ishte prevalente, ndërkaq për t’u ndërlidhur me arsim, i cili kishte një rol të rëndësishëm si instrument për realizimin e ëndrrës socialiste, e që më vonë në Kosovë shndërrohet në mjet rezistence.

Vitet 80’, vdekja e Titos, dhe më pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet,; karakterizohen me stërkeqjen e kushteve ekonomike dhe përkeqësimin e raporteve ndër-etnike.

Kjo seri e shkrimeve, do të ndahet në dy pjesë, pjesë të cilat do të paraqesin transformimet në sistemin arsimor jugosllav nën Titon dhe Millosheviqin. Përmes këtij trajtimi do të mundohem të portretizoj arsimin si mjet për indoktriminimin e një ideologjie specifike brenda Jugosllavisë, si dhe shfrytëzimin e arsimit si përpjekje për të mohuar realitetet dhe identitet etnike brenda. Megjithatë duhet ta kem parasysh se kjo temë është jashtëzakonisht e vështirë për t’u trajtuar, dhe një analizë më e thukët e këtyre ngjarjeve dhe proceseve kërkon një devotshmëri e cila shtrihet më gjatë në kohë.

Do të përpiqem që këtë ese, ta shqyrtoj nga qasje të ndryshme sociologjike/historike, përkatësisht duke përdorur konceptin e Bourdieu-s mbi ’riprodhimin në arsim’ si dhe nocionin e James Scott mbi ’modernizmin e lartë (high-modernism) në regjimet autoritare’.

Scott, beson se shtetet me plane utopike, me një shpërfillje autoritare për subjektet brenda atyre shteteve, shpërfillje ndaj vlerave e dëshirave të atyre subjekteve, rezultojnë të jenë kërcënim vdekjeprurës për mirëqenien njerëzore.[1]

Ai shpjegon sesi shteti gjithmonë përpiqet të jetë aktori i vetëm legjitim në përdorimin e forcës.[2] Modernizmi i lartë, është i lidhur me projektin e Iluminizmit, që në njëfarë forme racionalizon ekzistencës e një shteti të tillë fillimisht. Modernizmi i lartë sipas Scott, ka tri elemente kryesore: e para është diktimi i natyrës dhe shoqërisë nëpërmjet administratës, e dyta është pushtet i shfrenuar për t’i arritur qëllimet dhe e treta: mungesa e shoqërisë civile për t’iu rezistuar këtyre planeve.[3]

Pierre Bourdieu, sheh sistemet arsimore si një lak të riprodhimit i cili përjetësohet nga klasa dominuese që përcakton rregullat e ”lojës” dhe lejon vetëm ata që përshtaten të marrin pjesë dhe/ose ta ndryshojnë lojën. Një argument i rëndësishëm nga Bourdieu, është ku ai flet për pabarazitë që shkas kanë gjeografinë, përkatësisht pabarazitë që riprodhohen mes zonave rurale e urbane. Sipas tij, ata që janë fizikisht më afër ’vendit’ ku prodhohen të mirat kulturore dhe ekonomike, janë edhe njëkohësisht performues më të mirë në shkollë, në krahasim me ata që gjinden më larg. Një perspektivë tjetër nga e cila mund ta shohim këtë dukuri është përmes periferisë dhe qendrës. Rasti i Kosovës mund të pozicionohet nën këtë teori, si njëra nga vendet me nivelin më të lartë të analfabetizmit si dhe vendi më i varfër brenda Jugosllavisë.[4] Në vazhdën e kësaj, Bourdieu përmend një gjë shumë të rëndësishme: që cikli i riprodhimit të pabarazive përmes sistemeve arsimore potencialisht mund të ndalet kur ata të cilët gjinden ne pozicione të pafavorshme rezistojnë.[5] Kjo mund të vërehet në disa momente të ndryshme në Kosovë, në fakt në dy momente kyqe: në përpjekjen për hapjen e Universistetit të Prishtinës dhe arsimimit paralel në vitet 90’.


Vllazërim Bashkimi – Arsimi identik dhe Memoria Kolektive 

Jugosllavia, dhe këmbëngulja e vazhdueshme për të krijuar një identitet të unifikuar kombëtar sigurisht që vlen të shqyrtohet në raport me rolin që arsimi kishte në këtë mes. Ndërkaq, do tentoj ta përmbledhë një kronologji të ngjarjeve nga viti 1963 deri në fund të viteve 90’ për ta kuptuar sesi u ndërtua sistemi arsimor në Jugosllavi, dhe si është shtyer një ideologji specifike brenda saj.

Historia e sistemit arsimor në Kosovë, ka kaluar në disa etapa që mund të cilësohen goxha të rënda. Kosova ishte rajoni me nivelin më të lartë të analfabetizmit në kuadër të RSFJ-së, si dhe para vitit 1966 i vetmi nivel shkollor në të cilin lejohej mësimi në gjuhën shqipe ishte ai i shkollave fillore.[6]

Ndërkaq, edhe kur Kosova fiton disa të drejta, nuk pati mundësi për ta ndikuar arsimin si pasojë e sistemit një-partiak brenda Jugosllavisë, për më tepër për shkak të politikave nga lartë poshtë. Në momentin që Kosovës i ipet e drejta për të pasur statusin e një province autonome në vitin 1974, atëherë i mundësohet të ndikojë në fushën e arsimit, ndonëse ky ndikim ishte i limituar dhe i diktuar nga lartë.[7]

Mund të argumentohet se disa nga arsyet pse ka ekzistuar një realitet antagonist në fushën e arsimit në Kosovë, ishte vet mënyra e konstruktimit të sistemit arsimor në Jugosllavi. Ligji i Përgjithshëm për Arsimin Publik (1958), synonte drejt një sistemi arsimor të njetrajtshëm për të gjithë. Ndonëse në shikim të parë kjo mund të duket e arsyeshme, në anën tjetër duke pasur parasysh shumësinë e realititeteve brenda Jugosllavisë, shpejtë na del se në fakt një ligj i cili synon të ’harroj’ se dallimet (jo të vogla) që ekzistonin mes republikave edhe provincave, në fakt pamundësonin ekzistimin e një ligji të vetëm që rregullon tërë sistemin arsimor në RSFJ. Megjithatë, ky ishte vetëm një problem, ndërkaq pabarazitë tjera të cilat kishin ndodhur përmes arsimit, të cilat janë përmendur më herët, e që do listohen edhe më poshtë, natyrisht se nuk derivojnë nga ekzistimi i atij ligji si i tillë; edhe pse është tregues sesi është trajtuar kjo çështje.

Krijimi i një ’identiteti’ të përbashkët ishte një qëllim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Jugosllavinë. Për krijimin e këtij identiteti, kjo e fundit mbështetej në kujtesën e Luftës së Dytë Botërore,[8] por edhe për ndarjen e fajit për krimet që ndodhën gjatë luftës, ’fashistë’ e ’kolaboracionistë’ zëvendësuan termet ”kroatë” e ”serbë”. Kjo kujtesë përbëhej nga trimat që luftuan për komunizmin, së bashku, pa dallim. ’Partizanët’ luftuan për atë që ishte e drejtë, kështu duke synuar de-etnizimin e luftës. Shpjegimet tjera për Luftën e Dytë Botërore ishin pak a shumë të shpërfillura.[9] Ani pse, republikat brenda Jugosllavisë kishin ndikimin e tyre mbi arsimimin brenda vendeve të tyre, duke pasur parasysh pushtetin e decentralizuar; mënyra sesi Lufta e Dytë Botërore paraqitej në tekstet shkollore të historisë ishte e njejtë në tërë RSFJ-në. Nga 90 tekste shkollore në nivelin fillor, 58 prej tyre trajtonin luftëra, specifikisht Luftën e Dytë Botërore.[10] Ndërkaq, përmendja e figurave ’kombëtare’, nuk ishte fenomen i cili hasej shpesh në tekstet shkollore në Kosovë, pa hyrë në diskutimin se a duhet apo jo meqë është diskutim tjetër.  

[1] Scott, C. James, Seeing Like a State. New Haven and London, Yale University Press, 1998. p.7

[2] Ibid. p. 87  

[3] Ibid. p. 89

[4] Bourdieu, Pierre. “Distinction, A Social Critique of the Judgment of Taste”, Massachusetts: Harvard University Press Cambridge, 1984, p. 572

[5] Bourdieu, Pierre. In Other Words: Essays Towards A Reflexive Sociology. Stanford, California: Stanford University Press. 1990. pp. 118-119f

[6] Lane, Ann, Yugoslavia: When Ideals Collide. London, Macmillan Education, Limited, 2004 p. 135

[7] Finlan, Alastair, The collapse of Yugoslavia, 1991-99. Oxford, Osprey Publishing Ltd, 2004. p. 15

[8] Hoepken, Wolfgang, “War, Memory, and Education in a Fragmented Society: The Case of Yugoslavia.”. East European Politics and Societies: and Cultures, Vol.13, 1998, p. 197

[9] Ibid. p. 198

[10] Ibid. p. 202

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.