Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Sistemi Arsimor i Kosovës në Jugosllavi: Në mes të Unifikimit dhe Segregimit (II)

Ilustrimi nga: BigEye

Reforma e Arsimit Profesional

Ligji për Arsimin Profesional është konsideruar si reforma më gjithëpërfshirëse në Jugosllavi, e cila u miratua në vitin 1974. [1] Kjo reformë ishte shumë-shtresore dhe me shumë probleme. Ani pse reforma nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me sistemin arsimor në Kosovë, ajo na jep një ide sesi ka funksionar përgjithësisht sistemi arsimor në Jugosllavi.

Ideja e reformes ishte të arrijë jo një, por disa qëllime. Për t’i përmendur ca nga to: valorizimi i punës fizike, minimizimi i pabarazive sociale të riprodhuara nga sistemi arsimor, lehtësimi i tranzicionit nga shkolla në punë dhe zvogëlimi i dallimeve mes punës fizike dhe punës ’intelektuale’. [2] Megjithatë, natyra nga lartë-poshtë e reformës, mospërfillja e agjentëve brenda RSFJ-së bëri që të ketë kundërshtim jo të vogël ndaj reformës. Për më tepër, tensione tjera u rishfaqën. Siç u pat dëshmuar më vonë, reforma jo që nuk kishte arritur qëllimin e saj, por pati ndikuar në përkeqëssimin e situatës ekonomike. [3]

Themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe Demonstratat Studentore

Para se të themelohej Universiteti i Prishtinës në vitin 1970, ekzistonin institucione të arsimit të lartë që ishin sporadike për nga natyra. Fakultetet të cilat funksionin brenda Kosovës, si Fakulteti Filozofik, Juridik dhe ai Ekonomik ishin zgjatime të Universitetit të Beogradit. [4] Numri i studentëve serbë ishte relativisht i lartë, duke populluar këto fakultete më shumë se studentët shqiptarë atëbotë.

Kërkesa e vazhdueshme nga shqiptarët e Kosovës  për të pasur universitetin e tyre ishte temë shumë e rëndësishme në fundvitet 1960. Për më tepër, nevoja për themelimin e një universiteti nuk mund të kuptohet thjesht si thirrje për një institucion të ”dijes”. Atdhe Hetemi në ”The History of Social Movements” (Historia e Lëvizjeve Shoqërore) shpjegon sesi Universiteti ishte fener i zgjimit politik dhe kombëtar krahas qëllimeve akademike për të cilat shërben universiteti. Ndërkaq, studentët ishin katalizatorë që kishin përshpejtuar procesin e hapjes së Universitetit të Prishtinës. [5]

Prandaj, themelimi i Universitetit të Prishtinës qe një hap i rëndësishëm për shqiptarët e Kosovës. Mjedisi i Universitetit shërbeu si një hapësirë shoqërore jo vetëm ku studentët do të fitonin dije, po gjithashtu do të realizonin identitetin e tyre brenda Kosoves. Kështu, masivizimi i arsimit të lartë ishte i shpejtë. Deri në fund të viteve 1970’, Universiteti i Prishtinës kishte rreth 26.000 studentë, që përbënte numrin më të madh të studentëve brenda RSFJ-së. [6]

Duhet pasur parasysh që Universiteti i Prishtinës ishte i kontrolluar tërësisht në aspektin organizativ e akademik. Pra, cka mësohej dhe me kë bashkëpunohej nuk ishte në dorë të Kosovës. Ndërkaq, në anën tjetër, ekzistonte presioni i vazhdueshëm nga Serbia për të shtyer përpara politikat anti-nacionaliste e anti-separatiste përbrenda Universitetit. Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës vetëm sa shtonte frikën për të lartëpërmendurat. Ky bashkëpunim nënkuptonte shkëmbimin e literaturës e vizita të ndërsjella të profesorëve nga të dy Universitetet. Sidoqoftë, këto aktivitete ishin në mbikëqyrje të vazhdueshme. RSFJ-ja kishte frikë nga ndikimi ”enverist” mbi intelektualët kosovarë dhe anasjelltas, Shqipëria kishte frikë se ata që vinin nga Kosova mund të jenë spiunë jugosllavë. Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës u pa si i natyrshëm, duke pasur parasysh faktin se flitej gjuha e njëjtë dhe ndahej një kulturë. Për më tepër, Hetemi argumenton se për shkak që shqiptarët e Kosovës trajtoheshin si qytetarë të klasit të dytë në Jugosllavi, kthimi i shikimit kah Shqipëria ishte i pritshëm. [7]

Demonstratat e viteve 1968, 1981 dhe 1997, të udhëhequra nga studentët ishin protesta ku  kërkoheshin të drejtat kombëtare për shqiptarët e Kosovës. [8] Sipas Hetemit, roli i studentëve shpeshherë e ndër vite është anashkaluar nga politikanët e figurat tjera të rëndësishme, megjithatë, ai beson se studentët ishin ata që formësuan historinë bashkëkohore të Kosovës dhe luftën e saj për pavarësi. [9] Këto demonstrata qenë të ngjashme për nga kërkesat, por të ndryshme në kuptimin e momentumeve politike, dhe nuk mund të shihen nga një pikëpamje e ngushtë nacionaliste meqë ato ngërthenin në vetvete një apel të rëndësishëm: atë për të drejtat e njeriut.

[10] Studentët e Kosovës, ndërkaq, duhet të konsiderohen si subjekte që pavarësisht aspiratavet e tyre për të marrë dije, kanë qenë grup politikisht i vetëdijshëm për pozicionin e tyre përbrenda Jugosllavisë. Në këtë kuptim, Hetemi shpjegon se për shkak se ishin ’studentë’, e që në njëfarë forme nuk ishin të ndikuar nga jeta e ”vërtetë”, në kuptimin që nuk kanë pasur përgjegjësi për familjet e tyre si dhe aspiratat për karrierë ishin preokupime të së ardhmes, ata qenë faktorë të krijimit të mundësisë për vetëdijësim e angazhim politik. [11] Megjithëse demonstratat nuk janë fokus i këtij eseu, ato nuk mund të anashkalohen meqë përbëjnë ngjarje historike të cilat nuk mund të ndahen nga zhvillimet që kanë ndodhur në sistemin arsimor të Kosovës.

Arsimi paralel, hapësira paralele

Në fund të viteve 1980’, autonomia e Kosovës revokohet nga Millosheviqi. Kështu,  vitet 90’ janë dekade e rezistencës, trazirave e konflikteve. Pas dekretit që Serbia lëshon në vitin 1990, shqiptarëve u mohohet e drejta për t’u arsimuar në gjuhën shqipe. Më tutje, kurrikula e miratuar, kriteri i njohjes së gjuhës serbo-kroate për t’u regjistruar ne shkollat profesionale, ndarja fizike e nxënësve (nxenësit serb të vijonin mësimet paradite, ndërkaq shqiptarët pasdite) dhe në fund përjashtimin e shqiptarëve nga objekte shkollore nga regjimi serb refuzohet kategorikisht nga Kosova dhe si kundërpërgjigje, fillon rezistenca paqësore përmes arsimimit paralel. Ky sistem ka funksionuar nga viti 1992 deri në vitin 1999. Shtëpi, kafene, dycane të vogla e garazha imitonin ambientin shkollor. [12] 

Imponimi i masave të përkohshme ndaj Universitetit të Prishtinës nga ana e Serbisë rezultoi në okupimin e pozitave të lartë brenda Universitetit. Një numër i konsiderueshëm i profesorëve u pushuan nga puna e studentët u dëbuan nga ambienti universitar. Në vitet 1991/92 shqiptarëve të Kosovës nuk iu lejua regjistrimi në Universitet fare. Ky vendim u justifikua me idenë që Universiteti i Prishtinës ishte bërë fole e shqiptarëve për përpjekje nacionaliste e irredentiste. [13]

Duke u bazuar në idenë që identiteti hapësinor, mund të përdoret si koncept për ta teorizuar realizimin e identitetit kombëtar përmes arsimit paralel, atëherë mund të themi që vendi specifik ku është mbajtur mësimi shenjon veçanti për ata që kanë dhënë mësim dhe për ata që e kanë ndjekur. Për të mos hyrë ne detaje të tilla se ka qenë cilësor apo jo mësimi, sepse është irrelevante në këtë kontekst. Okupimi i një hapësire ku është mundësuar një rezistencë paqësore ndaj ngjarjeve që ndodhnin atëbotë ka përbërë rëndësi të madhe për shqiptarët e Kosovës. Për ta kuptuar më thellësisht arsimin paralel si rezistencë të shqiptarëve ndaj regjimit serb, nevojitet një analizë kronologjike. Në mënyrë që të kontekstualizojme ngjarjet të cilat çuan deri të mbyllja e shkollave duhet ta shohim nga momentet e së kaluarës. Arsimimi paralel është konsideruar si formë jo e dhunshme e rezistencës. Kostovicoa shpjegon se kjo ndarje hapësinore përmes arsimit paralel ua kishte mundësuar shqiptarëve të Kosovës për herë të parë të realizojnë identitetin e tyre kombëtar.

Mund të shpalosen disa perspektiva sesi arsimi paralel u bë realitet në Kosovë. Besoj që një këndvështrim ka të bëjë me ’mungesën’. Përpjekja e vazhdueshme e Serbisë në dominimin politik të Kosovës ka pasur pasoja të mëdha në sistemin arsimor përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Nga mos lejimi i gjuhës shqipe në shkolla, rrugëtimi për hapjen e Universitetit të Prishtinës, presionit dhe dyshimeve mbi këtë të fundit e deri tek vendimet drastike të viteve 90’ për mbylljen e shkollave. Megjithatë, mungesa potencialisht krijon mundësi politike për të reaguar.

Marrëveshja Millosheviq-Rugova

Në vitin 1996 u nënshkrua marrëveshja e cila për qëllim kishte kthimin në normalitet të sistemit arsimor në Kosovë. Aspektet praktike të kësaj marrëveshjeje ishin të paqarta në aspektin e organizimit. Ndonëse marreveshja kishte qëllim normalizimin, ’paralelizmi’ mbeti realitet ngase vijimi i mësimit në Universitetin e Prishtinës do bëhej nga shqiptarët e serbët në një objekt, por jo në ndërrime të njëjta, gjë për të cilën palët u morrën vesh pas dy viteve, pra në vitin 1998.

Pala serbe pati kundërshtime ndaj kësaj marrëveshjeje, e cila sipas tyre ishte ”kundër interesave serbe në Kosovë” dhe se kërkesa për institucione arsimore ishte kërkesë për komb e jo për arsim. Megjithatë, Serbia ishte e interesuar ta implementojë këtë marrëveshje për të dëshmuar se po respektohen sado-kudo të drejtat e njeriut në Kosovë dhe se situata është nën kontroll. Sigurisht se kjo marrëveshje kishe për opsion vetëm dështimin, meqë situata vetëm sa vinte duke e përkeqësohej. [14] 

Arsimi paralel mbetet një ngjarje e veçantë historike për faktin se nuk haset shpesh, e aq më pak kur arsimi shndërrohet në një arenë aq të rëndësishme politike. Por, është e vështirë të mendohet që arsimin mund ta ndajmë nga politika, meqë është politik. Nuk ka dyshim se hapësirat arsimore qe vende ku u bë e mundshme rezistenca.

Bibliografi

Archer, Rory, & Igor, Duda, Social Inequalities and Discontent in Yugoslav Socialism. London and New York, Taylor and Francis, 2016.

Bacevic, Jana, From Class to Identity. Budapest and New York, Central European University Press,
2014.

Bourdieu, Pierre, Distinction, A Social Critique of the Judgment of Taste, Massachusetts: Harvard
University Press Cambridge, 1984. 

Bourdieu, Pierre, In Other Words: Essays Towards A Reflexive Sociology, Stanford, California: Stanford University Press. 1990.

Scott, C. James, Seeing Like a State. New Haven and London, Yale University Press, 1998.

Lane, Ann, Yugoslavia: When Ideals Collide. London, Macmillan Education, Limited, 2004.

Farmerie, Samuel, “Education in Yugoslavia.”. The Clearing House, Vol. 47, 1972, pp. 145-149.

Finlan, Alastair, The collapse of Yugoslavia, 1991-99. Oxford, Osprey Publishing Ltd, 2004.

Hoepken, Wolfgang, “War, Memory, and Education in a Fragmented Society: The Case of Yugoslavia.”. East European Politics and Societies: and Cultures, Vol.13, 1998, pp. 190-227.

Hetemi, Atdhe, Student Movements for the Republic of Kosovo. Cham, Springer International Publishing
AG, 2020.

Kostovicova, Denisa, Kosovo: The Politics of Identity and Space. London, Routledge, 2005.

[1] Archer, Rory, & Igor, Duda, Social Inequalities and Discontent in Yugoslav Socialism. London and New York, Taylor and Francis, 2016. p. 128

[2] Ibid. p. 145

[3] Bacevic, Jana, From Class to Identity. Budapest and New York, Central European University Press, 2014. p. 43

[4] Hetemi, Atdhe, Student Movements for the Republic of Kosovo. Cham, Springer International Publishing AG, 2020. p. 84

[5] Hetemi, Atdhe, Student Movements for the Republic of Kosovo. Cham, Springer International Publishing AG, 2020. p. 116

[6] Ibid. p. 123

[7] Ibid. pp. 118-121, 3

[8] Ibid. p. 1

[9] Ibid. p.2

[10] Ibid.

[11] Ibid. p. 74

[12] Finlan, Alastair, The collapse of Yugoslavia, 1991-99. Oxford, Osprey Publishing Ltd, 2004. pp. 2, 15

[13] Hetemi, Atdhe, Student Movements for the Republic of Kosovo. Cham, Springer International Publishing AG, 2020. p. 7

[14] Bacevic, Jana, From Class to Identity. Budapest and New York, Central European University Press, 2014. pp. 142-145

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.