I kishte dh?n? reputacion Suedis? n? bot?, por tani ky model po fillon t? marr? karakteristika liberale.
Socialdemokracia si ideologji buron nga socializmi i cili u shfaq për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit XVIII në shoqërinë industriale të Mbretërisë së Bashkuar. Në fillim socializmi është karakterizuar vetëm si ide filozofike deri në kohën e Karl Marksit i cili socializmin si ideologji e zhvilloi në doktrinë ekonomike. Idetë e para socialiste janë bazuar në vizionin për një shoqëri humane, ku ndarjet sociale do të luftohen dhe ku të mirat materiale dhe prosperiteti do të ndahen në mënyrë të barabartë.
Partia Socialdemokrate (S) në Suedi u themelua në vitin 1889. Në fillim idetë e partisë ishin kryesisht marksiste, ku lufta e klasave ishte boshti kryesor. Pas një dekade filluan reformat në parti dhe mund të shiheshin ndryshime sa i përket ideologjisë. Tanimë, programi i partisë kishte më tepër një qasje reformiste se sa revolucionare. Me kalimin e kohës, ndikimi i teorive të Marksit ishte zvogëluar shumë.
Suedia gjatë një periudhe jo shumë të gjatë kohore ka kaluar nga një shoqëri klasash dhe e varfër në një shtet të mirëqenë, si rezultat i politikave dhe reformave të Partisë Socialdemokrate. Ndihmat sociale dhe sigurimi shëndetësor për të gjithë, janë dy të mirat që luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë qytetarëve. Këto reforma hynë në fuqi në fillim të viteve të 50-ta (socialdemokraterna.se 2016).
Gjatë viteve 1960 dhe 1970 përmirësohet dukshëm mirëqenia tek popullata. Gjatë kësaj kohe u prezantuan reformat në sistemin shëndetësor dhe atë social. Hyri në fuqi ndihma sociale për fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe u prezantua ligji mbi kujdesin shëndetësor. Në fillim të vitit 1970 u lejua sigurimi i përgjithshëm i kujdesit dentar. Vitet 1974-75 njihen për sigurimin e prindërve si dhe u vendos që të gjithë fëmijët 6-vjeçarë do të jenë pjesë e sistemit parashkollor (socialdemokraterna.se 2016).
Në fund të viteve 1980, në Evropë filloj një valë e re e socialdemokracisë. Konceptet tashmë të njohura si ”barazia” dhe ”kapitalizmi” u zëvendësuan me fjalët e reja si ”drejtësia” dhe ”ekonomia” të cilat nuk perceptoheshin si koncepte negative, edhe pse nuk kishin të njëjtën domethënie. Në thelb, politika e re krijoi një dashamirësi më të madhe të tregut të lirë. Gjatë viteve 1980 dhe 1990, Partia Socialdemokrate pësoi një ndryshim të madh ideologjik. Gjithashtu u shfaqën mospajtimet e brendshme sidomos nga të ashtuquajturit ”socialdemokratë tradicionalë”, të cilët argumentonin se partia është larguar nga politika e saj burimore, ku karakterizohej me mbrojtjen e interesit të dobëtit.
Modeli suedez, shteti social dhe politikat e mirëqenies
Koncepti i shtetit social do të thotë një shtet i përbërë nga institucione të ndryshme të pavarura në shoqëri, i cili shpërndan resurset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë. Një shtet që promovon mirëqenien, krijon drejtësinë, barazinë dhe lirinë për individët e shoqërisë.
Modeli suedez (Den svenska modellen) u bë një realitet në vitin 1960, një koncept politik i ri i bazuar kryesisht në sigurim dhe zhvillim. Ky koncept njihet si vlerë suedeze dhe i ka dhënë një reputacion të mirë Suedisë në botë. Në këtë kohë Suedia kishte punësim të lartë, lëvizje të fortë sindikaliste, tregti dhe eksport të madh, dhe një politikë aktive të tregut të punës i cili ndihmoi për të rritur mirëqenien e shoqërisë.
Gjatë viteve 1970, Suedia krijoi një sërë reformash të politikave sociale. Po ashtu, pikëpamja mbi individin filloi të ndryshojë duke pasur një besim më të madh dhe rritje në përgjegjësinë individuale. Në vitet 1980 nuk kishte aq shumë ndryshime të politikave sociale, po ashtu stagnuan edhe politikat e mirëqenies në përjashtim të reformës për personat me aftësi të kufizuara, të cilëve iu lejua e drejta për asistencë personale. Në vitin 1991 ndodhi kriza ekonomike ku si pasojë pati shkurtime të mëdha buxhetore dhe rritje të taksave. Shumë humben vendet e tyre të punës dhe shteti u përball me një deficit të madh buxhetor.
Politikat e mirëqenies të aplikuara në Suedi, zakonisht quhen ”politika të përgjithshme”, që d.m.th. përfitimet sociale dhe ekonomike duhet të mbulojnë tërë popullatën. Ky model është mirë i etabluar si në mesin e qytetarëve po ashtu edhe të politikanëve. Ekziston edhe një formë selektive e politikave të mirëqenies të cilat aplikohen kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Kjo formë është e kundërta e politikave të përgjithshme, që do të thotë se vetëm një pakicë e qytetarëve gëzojnë përfitimet e politikave sociale dhe atyre të mirëqenies.
Karakteristikat themelore të politikës së mirëqenies së përgjithshme:
- Të gjithë qytetarët do të kenë qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor, arsim dhe kujdesin për të moshuarit
- Të gjithë qytetarët që e gjejnë vetën në të njëjtën situatë, do të trajtohen në mënyrë të barabartë
- Cilësia e shërbimeve publike duhet të jetë e lartë
- Pa marrë parasysh prejardhjen e klasave, njerëzit do të përdorin në mënyrë të barabartë të gjitha shërbimet publike. Kjo do të forcojë integrimin dhe zvogëlimin e dallimeve në klasa.
Politikat aktuale të mirëqenies
Politikat aktuale të mirëqenies të Partisë Socialdemokrate e cila është edhe në pushtet, janë të bazuara në një ndarje të drejtë të mundësive të jetesës dhe të sigurisë ekonomike për të gjithë individët. Vlerat themelore siç janë: solidariteti, barazia dhe drejtësia janë elementet kryesore në politikën suedeze. Shërbimet sociale, të tilla si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe kujdesi për të moshuarit është i barabartë për të gjithë.
Parimet themelore të politikave aktuale të mirëqenies përmenden detajisht në programin e Partisë Socialdemokrate ”Politika e jonë A-Zh” (Vår politik A-Ö):
- Qasje në kushte të barabarta për të gjithë. Shpërndarja e resurseve sipas nevojës, e jo fuqisë blerëse.
- Cilësi e lartë.
- Të ardhura në relacion me sigurinë sociale dhe pensionet.
- Financim solidar përmes tatimeve.
- Qasje dhe mundësi demokratike e qytetarëve për kontroll dhe mundësi vlerësimi (socialdemokraterna.se 2016).
Për ta kuptuar më mirë modelin suedez, se a ngjan më shumë me ideologjinë socialiste apo ka evoluar në atë neoliberale, nevojitet edhe njohja e ”Tipit ideal” (Ideal types) apo analizë të ideologjive. Analiza e ideologjive lidhet kryesisht me sociologun e famshëm Max Weber. Pasi që modeli suedez është një fenomen, nevojitet të krahasohet me llojet tjera të modeleve të qeverisjes, arsyet dhe shkaqet pse modeli suedez funksionon kaq mirë, ndërsa modelet tjera jo. Me anë të një tabele do të mundohem t´i bëjë disa krahasime të çështjeve kryesore të ideologjisë socialiste dhe asaj neoliberale:
Në aspektin e barazisë, programi aktual i Partisë Socialdemokrate identifikohet më shumë me ideologjinë neoliberale, ku thuhet qartë se të gjithë duhet të kenë mundësinë e njëjte për të formësuar jetën e tyre individuale dhe të ndikojnë në shoqëri.
Aspekti i solidaritetit ende mbetet me karakter socialist, ku shoqëria më së miri ndërtohet përmes bashkëpunimit, respektit dhe konsideratës së ndërsjellët.
Sa i përket aspektit të ekonomisë, në programin aktual janë bërë ndryshime me programet klasike socialdemokrate. Tanimë shihet qartë që ekonomia lidhet nga disa nuanca më shumë me ekonominë e tregut. Në programin aktual thuhet që tregu ka nevojë për një efikasitet më të madh të prodhimit për të krijuar resurse të bollshme për mirëqenien dhe kjo është karakteristikë e politikave neoliberale.
Me nuanca liberale karakterizohen edhe aspektet tradicionale të mirëqenies të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe kujdesit për të moshuarit. Sipas politikave aktuale, me kusht që të ketë bazë për shumë zgjidhje, çdokush duhet të ketë mundësinë për të zgjedhur në mes të formave të ndryshme të kujdesit, shkollimit dhe shërbimeve sociale.
Si përmbledhje, socialdemokracia suedeze ka pësuar ndryshime substanciale nga ideologjia e saj tradicionale. Tanimë mbizotërojnë idetë individualiste që janë si pasojë e një afërsie më të madhe e tregut të lirë. Kjo ka bërë që socialdemokratët kanë ndryshuar qasje ndaj çështjeve të veçanta, edhe pse është krejt normale që idetë socialiste të jenë aktuale.