Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Strategjia për Rusinë që i duhet Europës

Bashkimi Europian nuk duhet të ngutet as të angazhohet me presidentin rus Vladimir Putin, as të nxisë krizë diplomatike. Në vend se të luhatet mes rigjallërimit dhe masave të ashpra, BE-ja duhet të ndjek stategji të “indiferencës parimore”

Disa dhjetëvjeçarë pas luftës së ftohtë, Rusia mbetet armiku i përsosur, me një aftësi të pashoq të agjitojë klasën politike të Europës. Por intensiteti i debateve dhe emocioneve europiane rreth Rusisë fsheh një unitet gjithnjë e më të madh, që do të duhej të përcillte qasjen e re karshi regjimit të Vladimir Putin-it.

Në mesin e viteve 2000, europianët ishin shumë të ndarë në raport me marrëdhëniet me Rusinë. E udhëhequr nga ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, Gjermania dëshironte të angazhohej me të, ndërkaq në Europën qendrore dhe lindore kërkohej frenimi i saj. Në sipërfaqe, debatet e sotme rreth Nord Stream 2, dhe persekutimit të liderit të opozitës ruse Alexey Navalny, duket sikur po e imponojnë përsëri ndarjen e vjetër. Por realiteti është krejt tjetër.

Europa nuk ka më iluzione se Rusia është në trajektore drejt demokracisë liberale që do të mund të përshpejtohej përmes angazhimit. Gjithashtu, nuk pi ujë as ideja se shtetet që sulmohen nga Kremlini janë në telashe për shkak të sjelljeve të tyre provokative.

Tash, europianët janë mjaft të bashkuar rreth nevojës që të pengohet Rusia nga aventurat e saj të jashtme. Ato kanë bërë tri programe të ashpra sanksionesh pa ndërhyrje, pas pushtimit të Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë më 2014. Për më tepër, shumë shtete anëtare të BE-së kanë rritur buxhetin ushtarak dhe janë pajtuar me masat e NATO-s që të pengojnë agresionin rus.

Pa marrë parasysh mosmarrëveshjet rreth Nord Stream 2, Europa është gjithashtu më e bashkuar në politikën energjetike. Në mes të viteve 2000, shtetet anëtare të BE-së ishin ishuj të izoluar energjetik, të cilët duhej të merreshin të vetme me ariun rus. Sot, ato janë pjesë e një tregu energjetik të integruar europian që mund të sigurojë furnizime me gaz për vendet të cilat Kremlini nuk i furnizon – përfshi Ukrainën, përmes gypave nga Europa perëndimore. Kjo e dobëson dukshëm forcën negociuese të Rusisë karshi vendeve të Europës lindore.

Për më shumë se një dhjetëvjeçar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë alternuar mes fazave të angazhimit dhe konfrontimit me Rusinë. Vizita e fundit e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së Josep Borrell në Moskë, ishte veçse e fundit nga një listë e gjatë përpjekjesh të dështuara për rivendosjen e marrëdhënieve dhe kërkimit të bashkëpunimit më kuptimplotë me Rusinë, gjë e cila shuan çdo paqartësi për mungesën e apetitit nga ana e Kremlinit lidhur me përpjekjet e tilla. Sidoqoftë, një eskalim i ashpër i mundshëm i sanksionëve të BE-së, si përgjigje ndaj trajtimit të Navalnyt nga Kremlini, rrezikon t’i japë Putin-it armikun e jashtëm që i duhet për të shmangur vëmendjen nga problemet e tij të brendshme.

Putin-i ka qenë në pushtet për shumë gjatë dhe gradualisht po humb kontrollin e shoqërise ruse. Për pasojë, Rusia po hyn në një periudhë të rënies dhe kalbjes politike. Popullata e vendit po plaket, ndërkaq të ardhurat e shtresës së mesme po zvogëlohen. Putin-i nuk ka arritur të diversifikojë ekonominë, dhe kërkesat globale për hidrokarbon pritet të pësojnë rënie në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Për më tepër, te Navalny, Putin-i gjen kundërshtarin e parë që vërtet rrezikon pushtetin e tij. Navalny është më i ri, më i pashëm, dhe më trim se Putin-i. Ai nuk është liberal apo internacionalist, dhe ka ndërtuar një infrastrukturë komunikimi të cilën Kremlin-i nuk po ja del ta kontrollojë.

Megjithatë, dobësia e sistemit të Putin-it, ësthë ajo çfarë e bën Navalny-n të rrezikshëm. Për sa i përket përkrahjes popullore, Navalny ende nuk është afër Putin-it, dhe mbase kurrë nuk do të jetë – ndonënse, tash për tash, është disidenti më i njohur.

Ndërkohë, disa liderë eruopianë po bëjnë thirrje për aktivizëm më të madh të BE-së karshi Rusisë. “Angazhuesit” sikurse presidenti francez Emmanuel Macron kanë provuar të rifillojnë dialogun me Kremlinin, ndërsa “frenuesit” sikurse presidenti lituanez Gitanas Nauseda pëlqejnë sanksione më të forta. Sido që të jetë, ky debat fsheh shkallën e konvergjencës brenda BE-së ndaj Rusisë.

Përderisa Kina po bëhet gjithnjë e më e fuqishme dhe e angazhuar globalisht, e kundërta mund të thuhet për Rusinë. Prandaj, BE-ja nuk duhet të ngutet as të angazhohet me regjimin e Putin-it, as të nxisë krizë diplomatike. Në vend të kesaj, ajo duhet të privojë Putin-in nga ajo që ai do më së shumti: vëmendja politike. Pra, në vend se të luhatet mes rigjallërimit dhe masave të ashpra, BE-ja duhet të ndjek një strategji alternative. Quajeni “indiferencë parimore” ose “angazhim rezistent”.

Sa për fillim, Europa duhet të jetë e qartë rreth interesave të saj teksa përforcon sigurinë e BE-së. Duke ngritur aftësitë e saj ushtarake, kundërzbuluese, kibernetike, dhe energjetike, shtetet anëtare të BE-së mund të përmirësojnë pozicionin e unionit karshi Rusisë. Për më tepër, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të pajtohen rreth një qasjeje të përbashkët ndaj Rusisë – pezullimin për një kohë të gazsjellësit Nord Stream 2 – në mënyrë që Putin-i të jetë më pak i prirur që të vë njërën përballë tjetrës.

Dimensioni i dytë i një qasjeje të tilë do të duhej të mbante nën fre politikën e jashtme të Rusisë. Patjetër që sanksionet e Perëndimit dhe problemet e brendshme nënkuptojnë se Rusia ka më pak para dhe vëmendje për t’ia kushtuar Bellorusisë, Moldavisë, Ukrainës, apo Armenisë. Sido që të jetë, BE-ja duhet të përgjigjet me forcë ndaj çdo provokimi dhe agresioni të Rusisë. Përveç kësaj, shtetet anëtare duhet të fillojnë të investojnë në partneritete ushtarake dhe të sigurisë me vendet si Ukraina, Moldavia, dhe Gjeorgjia, dhe t’i shkëpusë këto nisma prej çështjes së anëtarësimit në NATO. Gjithashtu, BE-ja mund të përfshijë Turqinë në dialogun rreth Rusisë dhe çështjeve të sigurisë së Detit të Zi.

Përmirësimi i koordinimit transatlantik në raport me Rusinë do të jetë çështje kyçe. Dorështrirja e njëanshme e BE-së ndaj Kremlinit dobëson pozicionin e saj si karshi Moskës, ashtu edhe Uashingtonit, dhe kjo nuk është shpaguar.

Asnjë nga të lartëpërmendurat nuk do të thotë se BE-ja duhet ta shmangë dialogun me Rusinë. Por, kjo duhet të ruhet për forumet shumëpalëse sikurse OSBE-ja dhe Këshilli Arktik. Diskutimet me Rusinë – qoftë rreth ndryshimit klimatik, vaksinave, apo vizave – duhet të jenë teknokratike, pa spektaklin diplomatik a emocionin që kanë karakterizuar përpjekjet e fundit për hapje.

Koha nuk punon për Putin-in. Nëse BE-ja përgjigjet vendosmërisht dhe pa emocione ndaj agresionit të presidentit rus, do të duhej të ishte në gjendje të frenojë ndikimin dashakeq, pa ndihmuar përpjekjet të tij, si p.sh. që të etiketojë Navalny-n si agjent të huaj. Paradoksalisht, mënyra më e mirë që liderët europianë të ushqejnë apetitin për angazhim konstruktiv në Kremlin është që të duket më pak nevojtare për të. Le të vijë Putin-i te ta.

***

Artikulli origjinal në Project Syndicate, më 19 shkurt 2021

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.