Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Taksa për RTK-në dhe inkasimi i saj nëpërmjet faturave të energjisë elektrike: aspektet kushtetuese

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar mundësinë e amendamentimit të Ligjit për RTK-në. Ndryshimet e propozuara, ndër të tjera, parashohin parapagimin e RTK-së nga ekonomitë familjare dhe personat juridik në vlerë prej 2.5 Euro dhe inkasimin e saj nëpërmjet faturave të KEDS-it.

Kjo formë e financimit të RTK-së ka qenë objekt i shqyrtimit të pjesshëm të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2009. Megjithatë, Gjykata nuk kishte arritur të vendosë në meritat e rastit për arsye procedurale. Që nga viti 2009 ka mbetur e vagullt nëse taksa për RTK-në dhe inkasimi i saj cënojnë të i) drejtën ne pronë, ii) lirinë e pranimit të informacionit dhe iii) të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Ky shkrim provon të sqarojë këtë relacion të taksës për RTK-në me të drejtat e garantuara në Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

I. Taksa për RTK-në dhe e drejta në pronë

Taksa e vendosur nga ligjvënësi e detyron qytetarin të paguajë një shumë nga pasuria e tij për qëllime të caktuara nga shteti. Rrjedhimisht, çdo taksë, përfshirë taksën e dedikuar për RTK-në, prek pronën e individit, respektivisht pasurinë e tij. Sipas Gjykatës së Strasburgut, ndërhyrja e shtetit në pasurinë e individit është e ligjshme vetëm nëse a.) është e paraparë me ligj, b.) është e paraparë për interesin publik dhe c.) vlera e caktuar paraqet ngarkesë proporcionale për qytetarin.

1.1. Parapagimi (taksa) të parashihet me ligj

Neni 1 i Protokollit 1 të KEDNJ-së parasheh mundësinë e privimit të personit fizik ose juridik nga prona e tij vetëm “në kushtet e parashikuara nga ligji”. Për këtë arsye, shuma, forma e arkëtimit, subjektet e përjashtuara nga ky obligim, sanksionet dhe çështjet tjera që ndërlidhen me parapagimin e RTK-së duhet të jenë të specifikuara në ligj dhe jo në akte të tjera të institucioneve publike. Ligji aktual për RTK-në nuk parasheh shumën e parapagimit, formën e arkëtimit dhe sanksionet në rast të mospagimit të taksës (shih nenin 22 të ligjit aktual). Vlera e taksës caktohet dhe ndryshohet duke amendamentuar ligjin aktual.

1.2. T’i shërbejë interesit publik

Çdo transmetues publik në një shoqëri demokratike ka për qëllim t’i shërbejë interesit të përgjithshëm. Ky qëllim i transmetuesit publik të Kosovës parashihet edhe në nenin 7 të Ligjit për RTK-në. Këtë funksion të transmetuesit audiovizuel e “njeh dhe e pranon” edhe Gjykata Kushtetuese në Vendimin KI 11/09.

1.3. Të jetë proporcional

Për qëllime të parapagimit të RTK-së, parimi i proporcionalitetit kërkon, ndër të tjera, që vlera e taksës së dedikuar për transmetuesin publik të mos krijojë ngarkesë të tepruar për taksapaguesin. Në rastin KI 11/09 Gjykata Kushtetuese kishte shqyrtuar, ndër të tjera, nëse vlera e parapagimit të RTK-së prej 3.5 Euro paraqet ngarkesë proporcionale me të ardhurat e ankuesit. Ankuesi në rastin në fjalë kishte 40 Euro të ardhura mujore nga pensioni. Vlera e parapagimit për RTK-në arrinte afro 10% e të ardhurave mujore të ankuesit. Gjykata kishte vlerësuar se shuma prej 3.5 Euro paraqet një çështje shqetësuese jo vetëm për ankuesin si person fizik por është një çështje e karakterit publik. Duke e konstatuar si jo të arsyeshëm vlerën e taksës për RTK-në, Gjykata Kushtetuese kishte caktuar masë të përkohshme ndaj dispozitës ligjore që parashihte vlerën 3.5 Euro për parapagim të RTK-së. Për më tepër, Gjykata kishte kërkuar që dispozita ligjore për caktimin e vlerës së parapagimit të rishikohet duke marrë në konsideratë praktikat e vendeve në të cilat ekziston forma e parapagimit për transmetuesin publik.

Në bazë të kësaj, çështja kryesore e parapagimit ndërlidhet me vlerën e taksës dhe jo me formën e inkasimit të saj. Vlera e taksës për RTK-në duhet të caktohet duke marrë parasysh të ardhurat e qytetarëve dhe kushtet e përgjithshme ekonomiko-sociale në vend. Kuvendi duhet të debatojë dhe arsyetojë para qytetarëve për caktimin e vlerës së taksës.

Shembujt nga vendet ku ekziston parapagimi për transmetuesin publik tregojnë se ligjvënësit i kanë kushtuar vëmendje të ardhurave të qytetarëve në caktimin e vlerës së taksës. Për ilustrim, në Portugali, parapagimi mujor për ekonominë familjare është 2.65 Euro, ndërsa në Greqi është 3 Euro në muaj, përkatësisht 0.3% e pagës minimale në të dyja vendet. Sigurisht se shuma e parapagimit për transmetuesin publik dallon nga vendi në vend dhe ligjvënësi ka diskrecion në caktimin e lartësisë së saj përderisa barazpeshon kërkesat e transmetuesit publik me të ardhurat e taksapaguesit dhe gjendjen e pergjithshme ekonomiko-sociale në vend.

II. Liria në pranimin e informacionit publik dhe e drejta në  jetën private dhe familjare

Gjykata e Strasburgut në rastin Faccio kundër Italisë ka shqyrtuar nëse taksa për transmetuesin publik (a) cenon lirinë e pranimit të informacionit publik dhe (b) nëse sanksioni në rast të mosrealizimit të parapagimit cenon të drejtën në jetën private. Gjykata ka sqaruar se liria e pranimit të informacionit nuk nënkupton pranimin e informacionit pa pagesë prandaj parasheh kushtet ligjore të realizimit të saj. Gjithashtu, sanksionet e ndërmarra me qëllim të detyrimit të qytetarëve për realizimin e pagesës për transmetuesin publik konsiderohen të arsyeshme.

III. Arkëtimi i taksës për RTK-në nëpërmjet KEDS-it

Është praktikë e shteteve evropiane që inkasimi i një takse apo kontributi të dedikuar të grumbullohet nëpërmjet një institucioni tjetër. Ligjvënësi gëzon të drejtën e caktimit të mënyrës së pagesës dhe formës së grumbullimit të saj. Në Itali, Portugali dhe Greqi, pagesa për transmetuesin publik ngarkohet në faturën e energjisë elektrike, ndërsa në Francë në taksën e banimit. Gjykata më e lartë administrative në Itali, në vendimin e datës 26 prill 2016 e ka konfirmuar si të ligjshëm obligimin për të parapaguar transmetuesit publik në faturën e energjisë elektrike.

IV. Përfundim

Parapagimi është formë e financimit të transmetuesit publik që mundëson shkëputjen e varësisë financiare të RTK-së nga Kuvendi. Pavarësia financiare është parakusht për pavarësinë editoriale të transmetuesit. Kësisoji, taksa për RTK-në rrjedh nga ideja se RTK do t’i shërbejë interesit të përgjithshëm. Nevoja për parapagim duhet të realizohet në rrugë ligjore që nuk bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe KEDNJ. Që kjo të arrihet, ligji duhet të ketë vlerën e taksës dhe sanksionin për mospagesë (të dyja këto i mungojnë ligjit aktual). Vlera e taksës duhet të jetë fikse dhe të bazohet jo vetëm në nevojat e transmetuesit, siç parasheh neni 22 i ligjit aktual, por edhe në ngarkesën për taksapaguesit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.