Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Të mbrohet universiteti nga tirania e tregut

Jo rrallëherë kemi dëgjuar të thuhet që universiteti duhet të ofrojë programe që përgatisin studentët për tregun e punës, rrjedhimisht që programet e studimeve universitare duhet t’u përshtaten kërkesave të tregut. Mirëpo, ky pretendim e rrezikon vetë idenë e universitetit, për aq sa ushtrohet trysni që ai të reduktohet në shkollë aftësimi profesional ose në qendër trajnimi. Mirëpo, një universitet që u përshtatet deri në këtë shkallë nevojave të tregut të punës, pushon së qeni universitet.

Universiteti, para së gjithash, është shkollë e mendimit, institucion i edukimit të qytetarit, akademi e emancipimit të individit e shoqërisë. Me pak fjalë, universiteti e mëson studentin të mendojë, e edukon qytetarin të përdorë arsyen publike dhe e formon qytetarinë ku respektohet dinjiteti njerëzor dhe ku kryhen përgjegjësi publike. Pra, në radhë të parë, ai synon të formojë qytetarë dhe t’i edukojë ata si anëtarë të komunitetit shtetëror, për të marrë pjesë në jetën civile. Ky rol emancipues i universitetit është sidomos i vlefshëm për studimet shoqërore e humane: filozofi, sociologji, antropologji, shkenca politike, shkenca të edukimit, studime gjinore, studime të medias, studime kulturore, histori, letërsi, arte, e të ngjashme.

Qëllimi i parë i universitetit nuk është t’i përgatisë studentët për tregun e punës, por t’i ndihmojë të shohin e të mendojnë përtej komuniteteve të tyre të ngushta dhe ekskluzive, siç janë komunitetet e familjeve, rajoneve, ideologjive dhe grupeve më të ngushta identitare të çfarëdoshme. Para se të aftësojë punëtorë për tregun e punës, universiteti e edukon popullin. Kësisoj, pedagogu universitar është, para së gjithash, edukues i popullit dhe jo trajnues i individëve për profesione që i duhen kapitalit. Mbase një arsye si është e mundur të ketë aq shumë profesorë në universitet, por aq pak edukues e intelektualë në mesin e tyre që flasin e shkruajnë për të ofruar përgjigjje për pyetjet e dilemat e qytetarëve dhe çështjet e publikut, qëndron pikërisht te trysnia që u bëhet pedagogëve universitarë për t’u bërë trajnerë në vend se edukues e intelektualë, pasi edhe vetë universiteti është nën trysninë që të shndërrohet në një qendër të madhe trajnimi.

Ky rol i universitetit kërcënohet nga kërkesa e tregut të punës që rrezikon ta zvogëlojë rëndësinë e universitetit duke e shndërruar në shkollë trajnimi për profesionet që i duhen kapitalit. Andaj, mbështetja që një qeveri apo grup i ofron idesë për nevojën që universiteti t’i plotësojë kërkesat e tregut të punës në të vërtetë është tendencë për ta reduktuar universitetin në shkollë trajnimi për profesionet që ofrohen në treg dhe përligjje e ndërhyrjes së tregut në autonominë dhe rolin emancipues të universitetit, e sidomos të studimeve shoqërore e humane. Duke qenë se universiteti është ndër përbërësit më të rëndësishëm të shoqërisë civile, ky përbën kërcënim serioz për vetë shoqërinë civile dhe, rrjedhimisht, demokracinë. Në vend të kësaj, qeveritë bëjnë mirë të organizojnë shkollim profesional për aftësim në fusha të ngushta ku të rinjtë aftësohen për zanate e punë, në vend se të tentojnë ta kompensojë mungesën ose mosfunksionimin e shkollave profesionale me studime të larta universitare, duke cenuar kështu rolin e universitetit dhe autonominë e tij. Ndryshe, një qeveri që nuk vepron kësisoj do të mbahet përgjegjëse për ndërhyrje të politikës në universitet, me qëllim për të mbuluar dështimet e politikave arsimore ose për interesa të tregut dhe kapitalit.

Ideja e përhapur, por e gabuar, se roli i kryesor i universitetit është të trajnojë studentët për punë, është problematike nëse e shikojmë edhe nga një aspekt tjetër. Universiteti nuk mundet, edhe po të dojë, të funksionojë si shkollë e aftësimit profesional. Është e pamundur që programet studimore universitare t’ua mësojnë studentëve punët që ata e ato do t’i kryejnë pasi të diplomojnë. Është e pamundur të kemi programe për secilën nga këto profesione. Për shembull, programet studimore të sociologjisë nuk mund t’ua mësojnë studentëve punën e mësimdhënies, hulumtimit të opinionit dhe prirjeve publike, hulumtimit të tregut, punët në organizata qeveritare ose në sektorin e punës sociale, në politikë, administratë, etj., me një fjalë, profesionet ku zakonisht punësohen të diplomuarit e sociologjisë. Universiteti i familjarizon studentët me arritjet e shkencës që studiohet, kryesisht në rrafshin abstrakt teorik, dhe më pak në rrafshe konkrete empirike në një numër fushash të shkencës, duke synuar kështu t’ua mësojë studentëve logjikën e të menduarit dhe të analizës në fushat e shkencës përkatëse.

Universiteti nuk mund t’i trajnojë studentët për punë, por vetëm t’i përgatisë ata për punë sipas kuptimit që e specifikova. Studentët do ta mësojnë profesionin në vendin e punës, vetëm pasi të punësohen. Duke iu përshtatur kërkesave konkrete të detyrave të profesionit, puna mësohet vetëm në vendin e punës. Kur një student studion në universitet, as vetë ajo/ai s’e di se çfarë do të punojë, e as universiteti s’mund ta parashohë karrierën e tyre. Mirëpo, universiteti mund të hartojë programet studimore ashtu që t’u ofrojë studentëve një bazë për profesionin e tyre të ardhshëm, cilido që të jetë ai, por të cilin studentët do ta mësojnë në vendin e punës, ose nga përvoja, ose me lexim e familjarizim me punën që u caktohet sipas kontratës dhe përshkrimit të detyrave të punës, ose përmes trajnimeve që i siguron vetë, ose përmes punëdhënësit. Për t’i përgatitur më shumë studentët për tregun e punës, universiteti gjithashtu mund të themelojë qendra ose akademi trajnimi për aftësi konkrete, por të ndara nga programet studimore të cilat nuk duhen dhe nuk mund të ndikohen në masë të madhe nga konsideratat për tregun.

Me një fjalë, është e pamundur që të ketë aq programe universitare sa ka edhe profesione dhe e pamundur që të parashikohen profesionet e studentëve. Shto këtu se, përveçqë e pamundur, një gjë e tillë është edhe e padëshirueshme, për aq sa funksioni i universitetit në raport me tregun e punës është të mundësojë mobilitet, kreativitet dhe mundësi të reja në tregun e punës, domethënë që një i diplomuar në universitet të mund të zgjedhë e të ndërrojë profesione, por edhe të krijojë profesione të reja. Nuk do mend se kjo nuk nuk arrihet duke trajnuar studentët për një profesion, por duke i shkolluar ata/ato në një drejtim shkencor që, më pas, të kenë mundësi më të gjera në tregun e punës e, madje, edhe t’i sfidojnë kufizimet dhe zgjerojnë kufijtë e profesioneve ekzistuese.

Për të përfunduar, roli i pazëvendësueshëm i universitetit në edukimin e qytetarit dhe formimin e shoqërisë qytetare duhet të mbrohet nga trysnia e tregut të punës. Klasa universitare nuk është kabinet ku mësohen teknikat e profesioneve që ofron tregu, por laborator mendimi ku studenti mëson të çlirohet nga kufizimet që i vë tregu, si në mendim, ashtu edhe në jetën politike e profesionale. Në laboratorin e klasës universitare, studenti mëson të guxojë të mendojë e të shprehet përtej kufijve që ia vënë familja, komuniteti, politika, shteti e shoqëria. Aty studenti gjen lirinë dhe kurajën për të provuar ide dhe për të eksperimentuar me to. Mu për këtë trajnohen studentët në katedrat universitare të shkencave humane e shoqërore: t’i argumentojnë idetë dhe kështu të ndihen të sigurt në dijen e tyre, pa u mërizitur se a përputhen ato me mendimet mbizotëruese; të përpiqen të mendojnë ndryshe nga ç’është mësuar në shkolla, ku mësimi zihet, por nuk shqyrtohet; në familje e televizion, ku nuk mendohet, por ecet me rrymën mbizotëruese; si dhe nga politika e pushtetarët, të cilët të tregojnë çka të mendosh dhe nuk të lënë të mendosh vetë.

Me fjalë të tjera, studentët trajnohen të mendojnë për atë që është dhe që ndodh në shoqëri në mënyrë kritike, e jo t’ia ujdisin mendimin dijes së nxënë në shkolla dhe opinioneve mbizotëruese. Universiteti është shkolla që të mëson logjikën dhe të jep veglat për të menduar; është laborator ku eksperimentohet me ide dhe ku testohen argumente. Politika që programet universitare i ujdis sipas nevojave të tregut të punës përbën ndërhyrje të rëndë në autonominë e universitetit. Autonomia universitare është jetike për emancipimin e shoqërisë dhe mbajtjen gjallë të kritikës së paanshme dhe të painstrumentalizuar në shoqëri.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.