Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Tejkalimi i problematikës së besimit në veri të Kosovës pas incidentit të Banjskës

Original article.

Sulmi në Banjskë e përkeqësoi rëndë situatën e sigurisë në veri të Kosovës, duke tërhequr kësisoj vëmendjen botërore. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në paraqitjet në mediat e huaja, u përpoq të zbuste retorikën e tij. Sidoqoftë, përkundër kësaj qasjeje të butë në intervistat e tij, portretizimi i sulmit në Banjskë në mediat serbe është cak i propagandës shtetërore.

Pasojat e sulmit në Banjskë ngritën shqetësime lidhur me ruajtjen e paqes në veri të Kosovës, me narrativa të ndryshme nga Beogradi e Prishtina, që e bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje sigurie.

Mosbesimi midis serbëve lokalë dhe Policisë së Kosovës, i përkeqësuar nga portretizimi mediatik dhe incidentet e sjelljes jo të mirë të policisë, mbetet sfidë e rëndësishme. Një zgjidhje potenciale e këtij problemi përfshin kthimin e serbëve lokalë në Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera.

Sulmi në Banjskë: Vuçiqi në mediat serbe vs. në mediat ndërkombëtare

Të shtënat në Banjskë u bënë tituj në shtypin botëror, duke dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë. Për rrjedhojë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ndje i detyruar t’u përgjigjet akuzave për sponsorizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve terroriste në veri të Kosovës.

Presidenti Vuçiq, së fundmi ka dhënë disa intervista të rëndësishme në disa media të huaja, përfshirë CNN dhe Sky News. Kjo u pa si diçka e pazakontë, pasi Vuçiq rrallë del nga zona e tij e rehatisë për të folur me gazetarë të tjerë veç atyre që vijnë nga media të verifikuara si pro-qeveritare.

Bisedat e presidentit Vuçiq me korrespondentë ndërkombëtarë janë ndër rastet e rralla kur ai zbut ndjeshëm retorikën e tij, që përndryshe shquhet të jetë shumë nxitëse. Zakonisht, kjo ngjan kur ai përpiqet të përfshihet në kontrollin e dëmit.

Kjo u bë e qartë përgjatë intervistës në Sky News, kur intervistuesi i tha: “Ajo që deklaroni para mediave të huaja është shumë e ndryshme nga ajo që thoni para mediave tuaja”. Në të vërtetë, presidenti Vuçiq nuk shfrytëzoi rastin për të ripërsëritur akuzat e tij të ashpra kundrejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për “organizim të spastrimit etnik, me mbështetjen e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, të cilat akuza i kishte bërë disa ditë më parë në Beograd, pas takimit me ambasadorin rus në Serbi.

Në vend të kësaj, Vuçiq në një mënyrë të vagullt e mori përsipër fajin se kishte besuar naivisht në garancitë e dhëna nga komuniteti ndërkombëtar. Një përgjigje krejtësisht ndryshe nga ajo që i dha medias vendëse.

Portretizimi i incidentit të Banjskës në mediat kryesore serbe mbeti i pandryshuar. Toni i incidentit u shkoi për shtat deklaratave të Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë në vazhdën e ngjarjeve dhe që atëherë ka vazhduar të formësojë narrativën në fjalë.

Për audiencën serbe, sulmi në Banjskë u paraqit si luftë për liri dhe mbijetesë. Sipas narrativës së përhapur në mediat serbe, tensionet në veri të Kosovës u ndezën për shkak të represionit të padurueshëm nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës ushtruar mbi popullatën lokale serbe.

Sulmi në Banjskë qe kulmi i një dëshpërimi në rritje. Edhe pse Beogradi mohoi çdo përfshirje në dhunë, nuk pati asnjë dënim të qartë. Përkundrazi, u shpall një ditë zie. Për më tepër, komuniteti ndërkombëtar fajësia se toleronte persekutimin e supozuar të serbëve.

Është e pamohueshme që sulmi në Banjskë u krye nga një grup i armatosur i serbëve. Sidoqoftë, zyrtarët e Serbisë ndërtuan një narrativë që incidentin e portretizoi si dëshmi të pretendimeve të tyre të mëparshme për rolin destabilizues të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Andaj, KFOR-it iu kërkua të marrë përgjegjësinë për të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë në komunat veriore, duke zëvendësuar kësisoj institucionet e Kosovës.

Vakumi i vazhdueshëm institucional dhe i sigurisë në veri të Kosovës

Veç çështjes që lidhet me mbajtjen e përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për armëmbajtjen pa leje dhe vrasjen e një polici të Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, pasojat e incidentit të Banjskës ngrenë një pyetje urgjente për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në veri të Kosovës.

Narrativat e kundërta lidhur me sulmin nuk ofrojnë siguri se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë të bien dakord për marrëveshjen e sigurisë, e cila do të parandalonte shpërthimin e dhunës në të ardhmen.

Pakkush s’do të pajtohej që gjendja e sigurisë në veri të Kosovës u përkeqësua pas dorëheqjeve kolektive të serbëve vendës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022. Vakumi institucional dhe ai i sigurisë që u pa të krijohej në veri të Kosovës paskëtaj shërbeu si terren fertil për aktivitete ilegale.

Përkundër inkurajimit të serbëve që të lirojnë pozitat e tyre në Policinë e Kosovës, Serbia që nga ajo kohë ka argumentuar që struktura e policisë në veri të Kosovës binte ndesh me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila përcaktonte se njësitë policore duhet të pasqyrojnë përbërjen etnike të popullsisë.

Megjithëkëtë, krejt përpjekjet për të riemëruar serbët në radhët e Policisë së Kosovës janë penguar dhe këtë e dëshmon rasti i serbëve nga komunat veriore të cilët iu bashkuan Policisë së Kosovës gjatë verës, për të dhënë dorëheqje fill pastaj.

Reagimet negative nga Beogradi dhe komuniteti lokal u raportuan si arsye për emërimin afatshkurtër të policëve të rinj. Përgjithësisht, serbët që dëshironin të bashkëpunonin sërishmi me institucionet e Kosovës u përballën me reagime negative dhe u etiketuan si tradhtarë.

Pavarësisht pamundësisë që Policia e Kosovës të kryejë detyrat e saj në veri të Kosovës, Beogradi është ankuar edhe për prezencën e njësive speciale të policisë në atë zonë.

Herë pas here, zyrtarët serbë kanë përsëritur gabimisht që vendosja e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit kërkon autorizim nga KFOR-i.

Mirëpo, pretendime të këtilla janë hedhur poshtë në plot raste nga vetë zyrtarët e KFOR-it, që kanë nënvizuar se autorizimi i tyre paraprak lidhet vetëm me vendosjen e mundshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës. Pavarësisht kësaj, Serbia vazhdoi të pretendonte që prania e njësive speciale të policisë në katër komunat veriore është e paligjshme.

Mbyllja e hendekut institucional dhe atij të sigurisë

Portretimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nëpër mediat kryesore serbe si forcë armiqësore ka lënë gjurmë në mendësinë e popullatës lokale serbe në veri të Kosovës.

Serbët e Kosovës përgjithësisht nuk kanë besim te njësitë speciale të policisë dhe i frikësohen një hakmarrjeje të mundshme për sulmin në Banjskë. Në fakt, vetë serbët vendës kanë raportuar raste të brutalitetit dhe sjelljes jo të mirë të policisë, që kanë përforcuar pikëpamjen e tyre të përgjithshme negative për Policinë e Kosovës.

Megjithatë, është shqetësues fakti se ata as nuk e konsiderojnë mundësinë të mbajnë përgjegjës punonjësit e policisë në fjalë kur ndodhin incidente të tilla, duke iu drejtuar pra mekanizmave të raportimit dhe ankesave. Përkundrazi, pritshmëria e tyre e vetme është që njësitë speciale të policisë të largohen krejtësisht nga veriu i Kosovës.

Opsioni i vetëm i mundshëm për të garantuar rendin dhe sigurinë në veri të Kosovës do të përfshinte kthimin e serbëve vendës në Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera. Megjithëkëtë, një rezultat i këtillë duket i largët, duke pasur parasysh gjuhën nxitëse të zyrtarëve serbë dhe presionin me të cilin përballen serbët që duan të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Pasi kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk duket në horizont, autoritetet e Kosovës, së bashku me misionet ndërkombëtare si KFOR-i dhe EULEX-i, duhet të shqyrtojnë mënyra për promovimin e ndërtimit të besimit ndërmjet policisë dhe popullatës lokale.

Duke pasur parasysh se Policia e Kosovës ka gjasa të zgjerojë aktivitetet e saj në veri të Kosovës, hendeku mes njësive të saj dhe serbëve lokalë mund të thellohet edhe më shumë nëse nuk ndërmerren veprime për të zbutur frikën dhe mosbesimin, ashtu sikundër edhe hapa për të luftuar përhapjen e dezinformatave që vijnë nga mediat e kontrolluara nga qeveria në Serbi.

Prandaj, rritja e besimit të serbëve të veriut në Policinë e Kosovës dhe adresimi i shqetësimeve të tyre duhet të jetë parësor në kontekstin e zvogëlimit të ndikimit të forcave të vijës së ashpër, që mund të përpiqen të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë e situatës për qëllimet e veta, sikundër ilustrohet qartësisht me sulmin në Banjskë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.