Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

TETË VJET MË PAS: A është Kroacia më në fund vërtet e gatshme për Evropën?

Kroacia u bë anëtare e Bashkimit Evropian në ditën e parë të korrikut të vitit 2013. Shumë njerëz kishin frikë nga anëtarësimi në BE për arsye të ndryshme, që është e qartë nga përqindja jo e vogël e qytetarëve që ishin kundër një bashkimi të tillë. Një nga arsyet e kësaj frike ishte pyetja se çfarë do të na ofronte BE-ja. Por, gati tetë vjet më vonë, kam disi përshtypjen se sot nuk është më pyetja se çfarë do të na sjellë Evropa, por se çfarë i kemi sjellë ne Evropës, respektivisht kush kaloi më mirë në atë martesë të kontraktuar dhe me emrin e kujt lidhet trembëdhjetëshi fatkeq i vitit të anëtarësimit.

Para fillimit të negociatave me BE-në, përveç të qenit një lidere e rajonit, ishte e nevojshme që Kroacia të paraqitej si një shtet i rregulluar me ​​qëllime miqësore ndaj fqinjëve. Për këtë arsye, ishte e nevojshme t’iu bëhet një “makiazh” marrëdhënieve me Serbinë. Pra, le të fillojmë me rradh dhe të kthehemi në vitin 2004, kur detyrën e Kryeministrit kroat e ushtronte Ivo Sanader, i cili aktualisht gjendet në burg me bishtin e skandaleve të shumta, kryesisht të korrupsionit. Sanader asokohe ishte zyrtari i parë i lartë kroat që u paraqit në Shoqërinë Kulturore Serbe “Prosvjeta” në Zagreb dhe përgëzoi Krishtlindjet ortodokse të pranishmëve me fjalët “Krishti lindi”. Këto gjestet ngelën vetëm gjeste sepse marrëdhëniet kroato-serbe kanë mbetur të pandryshuara deri më sot, megjithëse me disa batica dhe zbatica.

Marrëdhëniet kroato-serbe

Megjithëse kishte hapa pozitivë përpara, gjegjësisht vizita të rëndësishme zyrtare, nga të dy palët, në thelb asgjë nuk ka ndryshuar. Udhëheqja serbe ende nuk e pranon që Serbia ka kryer një agresion ndaj Kroacisë, megjithë vendimeve të shumta të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në vendet e ish Jugosllavinë në Hagë. Lidhur me pozicionin e kroatëve në Serbi, të dy vendet në vitin 2004 nënshkruan një marrëveshje që supozohej t’u siguronte pjesëtarëve të komunitetit kroat vende të garantuara në parlamentin serb, por kjo nuk ka ndodhur deri më sot, ndërsa në Kroaci pakica serbe ka tre vende të garantuara në parlament.

Nga ana tjetër, komuniteti serb në Kroaci para luftës përbënte 12 përqind të popullsisë, dhe sipas të dhënave të vitit 2011, kjo ka rënë në 4.3 përqind, kështu që nuk është e vështirë të konkludohet se Kroacia ka një problem me kthimin e popullatës serbe. Kërkimi për të zhdukurit, gati 2.000 prej tyre, në takimet bilaterale është vendosur si një nga përparësitë për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Në fakt, autoritetet kroate dhe një pjesë e shoqërisë civile në Serbi paralajmëruan për mungesën e bashkëpunimit të Serbisë për këtë çështje, duke qenë se Kroacia kishte vite që i kërkonte Beogradit zyrtar të dorëzonte dokumentet e marra të luftës nga spitali i Vukovarit, nga ku janë rrëmbyer një numër i madh qytetarësh kroatë, të lejojë hapjen e arkivave të saj dhe hetuesve t’ju mundësojë të flasin me njerëzit e përfshirë në aktivitetet e kërkimit dhe të inteligjencës në zonë. Marrëveshja u prit për një kohë të gjatë – deri në tetor të vitit të kaluar, kur më në fund u ra dakord që të dy palët së bashku, përmes kërkimeve në terren dhe hulumtimeve të arkivave, të përpiqeshin të zbulonin fatin e të zhdukurve. Pala serbe premtoi që të kërkojë disa vende të caktuara në Serbi, bazuar në dyshimet se në ato vende gjenden eshtrat e një numri të madh të njerëzve.

Nga ana tjetër, Kroacia nuk ka ndjekur shembullin shekullor – Gjermaninë – kur bëhet fjalë për t’u përballur me të kaluarën. Ka përpjekje të vazhdueshme në opinionin publik për të dëshmuar se në Luftën e Atdheut janë kryer krime edhe nga ana e kroatëve, nën argumentin jo të qëndrueshëm se një ushtri që mbrohet nuk mund të kishte kryer krime. Një hap drejt një të ardhme më të mirë u shënua vitin e kaluar me vendosjen e kurorave nga udhëheqja e shtetit kroat në Grubor, ku 26 vjet më parë u vranë gjashtë civilë serbë.

Në përgjithësi, ka të ngjarë që do të presim gjatë për marrëdhënie të mira fqinjësore – jo aq për shkak të popullatës (njerëzit që nxisin urrejtje janë pakicë në të dy vendet), por për shkak të politikanëve që përfaqësojnë këto dy vende, të cilët gjithmonë para zgjedhjeve kanë një animozitet.

Korrupsioni – një pjesë e ADN-së së politikanëve

Do të ishte çmendurisht ambicioze të përpiqesh të përmbledhësh gjithçka që ka ndodhur në tetë vitet e fundit të anëtarësimit, sigurisht që ka shumë pika për t’u referuar, kështu që është më e drejtë të shohim disa episode të turpshme, disa prej të cilave shfaqen pa një pushim dhe janë bërë pjesë e identitetit tonë si një anëtar i Bashkimit Evropian – jo për shkak të përpjekjes për të “çmontuar shtetin”, siç kryeministri Andrej Plenkoviç ka përsëritur në ditët e fundit në përgjigje të kritikave të mediave dhe zbulimeve të skandaleve në pushtet , por sepse demokracia nuk është vetëm një mundësi por edhe një detyrim i qytetarëve shoqëritë dhe vendet nga të cilët të rinjtë nuk duan të ikin në Irlandë ose Gjermani. Në mënyrë që të ketë sukses, kritika konstruktive nuk duhet të quhet “tradhti e lartë”, por duhet të pranohet dhe nga ajo të mësojmë leksione të caktuara. Kushdo që kryen funksionin e kryeministrit të një shteti dhe nuk është i gatshëm të përballet me kritikat dhe skandalet e bazuara të njerëzve që ai ka emëruar në poste të rëndësishme, a nuk do të ishte më mirë të pyetemi nëse ky armik i shtetit është ai?

Sa i përket korrupsionit, përgjigja në pyetjen nëse po ecim përpara apo prapa varet nga kush si e shikon. Kur bëhet fjalë për korrupsionin, politikanët kroatë e kanë marrë seriozisht parullën “Vetëm qielli është kufiri”. Sipas të dhënave më të fundit të Transparency International në vitin 2020 Kroacia ishte në pozitë më të keqe se Ruanda për sa i përket indeksit të korrupsionit. Për dy vjet me radhë, ajo mban fortë vendin e 63-të dhe me 47 pikë është shumë larg mesatares së BE-së prej 64 pikësh. Në të njëjtën listë, Sllovenia ka 60 pikë, Mali i Zi 45, Serbia 38, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova 36, ​​dhe Maqedonia e Veriut 35 pikë.

Osum godini podocna Dali konecno Hrvatska e navistina podgotvena za Evropa slide

Burimi: spiegel.de

Do të ishte e vështirë dhe vërtet e pamundur t’i numërojmë në një tekst të gjithë skandalet që kanë tronditur Kroacinë në vitet e fundit dhe për hir të shqyrtimit, është e nevojshme të theksohet se asnjë qeveri nuk ka kaluar pa skandale deri më tani. Megjithatë, nëse na intereson se ku gjendemi sot, atëherë është e pashmangshme t’i referohemi qeverisë aktuale të Andrej Plenkoviç. Në Olimpiadën politike, Plenković u bë kampion në garën për një mandat të dytë me 14 ministra të shkarkuar, kryesisht për shkak të skandaleve në lidhje me pronat e tyre personale.

Mirëpo, shtrohet pyetja nëse korrupsioni apo në përgjithësi korrupsioni kroat është një krim në Evropë, duke pasur parasysh se në nëntor të vitit të kaluar Gjermania u godit nga një skandal gjigant protagonist kryesor i të cilit ishte kreu aktual i Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Se kreu i Komisionit mbështet partinë e korruptuar HDZ të Plenković-it u dëshmua edhe nga paraqitja e saj në videon promovuese të HDZ-së përpara zgjedhjeve parlamentare në muajin korrik 2020. Për shkak të një ankese zyrtare të paraqitur në organin ekzekutiv të Bashkimit Evropian nga organizata joqeveritare kroate “Gong”, Komisioni Evropian ka njoftuar se do të hartojë udhëzime të reja për pjesëmarrjen e anëtarëve të tij në fushatat zgjedhore të vendeve anëtare. Në këtë mënyrë, kreu i Komisionit Evropian kaloi pa pasoja. Populli do të thoshte “ujku hëngri gomarin”.

Presidenca kroate me BE-në. Cila presidencë?

Për presidencën kroate me BE-në është zhvilluar një propagandë e paparë me synimin për t’i dhënë presidencës një rëndësi të tepruar, respektivisht për të provuar që Kroacia me këtë detyrë më në fund e ka treguar se ka kaluar procesin e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ambiciet e forta i prishi pandemia e koronavirusit dhe fakti që takimet mbaheshin online. Fokusi i presidencës, logjikisht, është vënë në krizën aktuale shëndetësore. Për shkak të takimeve virtuale, Kroacia madje kurseu disa fonde financiare. Në vend të shumës së planifikuar minimale prej 50 milion euro, për presidencën u shpenzuan 17.8 milion euro.

Presidenca do të mbahet mend gjithashtu për faktin se krerët e klubeve të parlamentit evropian i shkruan një letër proteste qeverisë së Plenkoviç duke e akuzuar atë për injorimin e çështjeve lidhur me sundimin e ligjit në Hungari dhe Poloni gjatë presidencës kroate. Letra përkujton vlerat mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian, përkatësisht “dinjiteti njerëzor, liria, barazia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pakicave kombëtare”.

Pika e ndritshme e presidencës kroate ishte natyrisht marrëveshja politike e ministrave për çështjet evropiane të vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Evropa në dy rrugë, fondet strukturore dhe të kohezionit

Megjithëse teorikisht është braktisur ideja e ndarjes së Bashkimit Evropian në vende të pasura dhe të varfra, Holanda, Suedia, Austria, Danimarka dhe Gjermania tashmë kanë shprehur pakënaqësi me Kornizën Financiare Shumëvjeçare për periudhën midis viteve 2021 dhe 2027. Kroacia, si anëtarja e fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian, nuk i ka përdorur mjaftueshëm fondet nga fondet e zhvillimit, kështu që mund të thuhet se ajo ka një siguri, respektivisht një mbrojtje të caktuar.

Gjithashtu, Kroacia është i vetmi vend që ka përdorur vetëm një herë programin e politikës së kohezionit, kështu që është njoftuar se megjithatë do të marrë më shumë para se vendet e tjera. Nga njëra anë kemi “miqtë e kohezionit”, kurse nga ana tjetër, vendet që duan të shkurtojnë buxhetin për politikat e kohezionit dhe t’i drejtojnë paratë në prioritete të reja siç është lufta kundër ndryshimeve klimatike.

Në çdo rast, rregullat e reja të rishpërndarjes ekonomike për periudhën e ardhshme vlejnë gjithashtu edhe për Kroacinë, e cila nuk do të përfitojë si disa anëtare që iu kanë bashkuar më herët Bashkimit Evropian, sepse ka të ngjarë që anëtaret e pasura do të vazhdojnë trendin e “shtyrjes” së një politike të tillë ekonomike edhe në të ardhmen. Është gjithashtu e qartë se BE-ja po bëhet më kursimtare, dhe vendet e pasura nuk janë më aq mbështetëse kur bëhet fjalë për shpërndarjen e parave.

Të drejtat e njeriut dhe radikalizimi i shoqërisë

Epoka dixhitale dhe demokracia janë një arritje civilizuese nga e cila qytetarët e Kroacisë nuk kanë kaluar aq mirë. Megjithëse Kroacia me anëtarësimin në BE zgjodhi demokracinë e Evropës, qytetarët e Kroacisë ende nuk e kuptojnë se në një demokraci, pushtetin e ka populli. Në vend përmes zgjedhjeve, qytetarët e Kroacisë, pakënaqësinë e tyre plotësisht pa dijeni dhe në mënyrë të pakontrolluar po e “zgjidhin” në rrjetet sociale.

Keqkuptimi i plotë i shumicës dërrmuese të qytetarëve se çfarë përfaqëson liria e fjalës ka çuar në rritjen e tmerrshme të gjuhës së urrejtjes në hapësirën kibernetike, kulmin e së cilës e pamë në tetorin e kaluar me rastin e aktit terrorist të 22-vjeçarit Daniel Bezuk, sulmuesi i ndërtesës qeveritare i cili më vonë mori edhe jetën e tij. Bezuk plagosi një oficer policie dhe në bazë të një kontrolli të kompjuterit të tij, u mësua se ai për kohë të gjatë kishte qenë duke kërkuar informacion në lidhje me Kryeministrin Andrej Plenković dhe Presidentin Zoran Milanoviç. Bezuk pikërisht përmes rrjeteve sociale u shpall hero mes disa qytetarëve. E vetmja gjë më tronditëse ishte të dëgjoje Kryetarin e Komunës së Vukovarit Ivan Penav – i cili, duke mbajtur një pozitë me përgjegjësi në Vukovar, duhet të dijë më së miri se çfarë sjell nxitja e urrejtjes – se si një sulm terrorist ai e quan vetëm një “rebelim”. Në mënyrën e tij karakteristike, Kryeministri Plenkoviç menjëherë “vendosi një urdhërarrest” për fajtorët, duke harruar edhe një herë të shikonte në pasqyrë për të parë nëse ai vetë kishte marrë pjesë në radikalizimin e shoqërisë dhe se kjo nuk kishte filluar në mediat sociale – sepse fytyrën e tyre të shëmtuar e kemi parë që nga themelimi i Republikës së Kroacisë.

Radikalizimit nuk i kanë rezistuar as vendet më të përparuara të Bashkimit Evropian, siç dëshmohet, ndër të tjera, nga rasti i tmerrshëm i vrasjes së trefishtë që ndodhi gjithashtu në Nicë të Francës, në tetorin e vitit të kaluar. Duke pasur parasysh larminë e njerëzve dhe vetëdijen e tyre, Evropa në të ardhmen do të përballet me një detyrë jo fort të lehtë – Bashkimi Evropian do të duhet bashkarisht të përballet me këtë valë urrejtjeje.

Më në fund, vijmë deri te të drejtat e njeriut, të cilat, ndryshe nga shumica e vendeve të zhvilluara evropiane, në Kroaci më shumë preferojnë të flasin sesa të veprojnë në praktikë. Kjo është veçanërisht e dukshme kur bëhet fjalë për të drejtat e grave. Veprimet e sektorit civil kanë sjellë kohët e fundit ndryshimet e nevojshme ligjore në lidhje me dhunën ndaj grave, dhe për të zbuluar se sa zbatohen aktualisht ligjet e miratuara, mjafton të hedhim një vështrim në grupin e Facebook-ut “# i mene se tiče” ku mund t’i shikoni të gjitha aktgjykimet e çuditshme. Për shembull, ia vlen të kujtohet vendimi nga viti 2020, sipas të cilit një oficer policie që ngacmoi seksualisht një koleg të tij tërë natën u la i lirë sepse e kishte bërë atë VETËM NJË HERË.

Për të përfunduar, Kroacia nuk ka shfrytëzuar mirë tetë vitet e anëtarësimit të saj, as sa i përket përdorimit të fondeve evropiane, as në lidhje me parimet e të ashtuquajturave vlera evropiane. Ne vetëm mund të shpresojmë që në të ardhmen, në vend “për atdheun”, më në fund do të jemi vërtet të gatshëm për Evropën.

 

Ky blog është publikuar në kuadër të iniciativës „Histori nga rajoni“ që e zbaton Res publica në bashkëpunim me Sbunker, HAD (Slloveni), Analiziraj.ba (BH), Ne davimo Beograd (Serbi), Makropolis (Greqi) PCNEN (Mali i Zi) dhe Lupiga (Kroaci).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.