Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të ishte një shkallë e dytë për zgjërimin e të drejtave të serbëve në Kosovë, ose po të gjendej një mekanizëm ndërkombëtar që parandalon ndarjen e veriut të Kosovës në çfarëdo forme dhe po qe se për këmbim Serbia do ta njihte Kosovën në territorin e saj kushtetues.
Kosova ka sfida të rënda përpara, për sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të ratifikuar në Kuvend më 2013, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore (kategori kushtetuese) të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.
Marrëveshja e parimeve e vitit 2015 është shpallur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës jo në përputhje të plotë me Kushtetutën në 23 pika të saj. Pra, kjo marrëveshje e përgjithshme e parimeve mund të thuhet se është kthyer në dokument nul.
Tashti, Kosova ballafaqohet me presion ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, ngase mund të përballet me ndëshkim, (për shkelje të Ligjit Ndërkombëtar siç ekziston edhe shpërblimi sipas të Drejtës Ndërkombëtare, nëse Marrëveshja zbatohet) ose do t’i duhet të rinegociojë parimet me palën serbe (si opsion i akomodimit të kēsaj strukture në rendin kushtetues të Kosovës përmendet edhe mundësia e ndryshimeve kushtetuese) ose do t’i duhet ta shfuqizojë Ligji Nr. 04/L-199 për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë
në Kuvend me 81 vota, përfshi votën e dyfishtë.
Nga kjo del se shfuqizimi është i pamundshëm, prandaj – derisa Gjykata Kushtetuese ka gjetur se (Pika II, arsyetumi) – duhet TE KONSTATOJË qe Asociacioni/Bashkesia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Asociacioni si këmbim për njohje nga Serbia
Nga kjo që u tha në hyrje të këtij shkrimi del se Asociacioni duhet të themelohet, (si obligim kushtetues dhe ndërkombëtar), porse Kosova duhet t’i rinegociojë parimet e përgjithshme për themelimin e tij dhe të veprojë varësisht nga një Marrëveshje e re.
Kosova është ngritur në “Njësi të rritur”, entitet juridik-politik dhe subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare (verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e konfirmoi këtë) në një proces të ndërhyrjes ushtarake unilaterale (ShBA dhe NATO) që e dërrmonte të drejtën klasike ndërkombëtare duke paralajmëruar postmodernën në mardhëniet ndërkombëtare.
Patriotizmi kushtetues, që e niohim nga filozofi Jürgen Habermas po rikthehet si ekoo e vjetër për zgjidhje të reja, në shtetet shumetnike. Eseja e Jan-Werner Müller “Patriotizmi kushtetues” (Pema, Prishtinë, 2021) fillon me një rrëfim të origjinës dhe përhapjes së konceptit të patriotizmit kushtetues – me idenë që lidhja politike duhet të përqendrohet në normat dhe vlerat e një kushtetute liberale demokratike, (që merr legjitimitet demokratik nga një trup zgjedhor) duke refuzuar llogaritë konvencionale të nacionalizmit rigjid etnik dhe integrizmit. Ideja e integrizmit në kontekstin kosovar ‘e dënon’ me vdekje entitetin juridik-politik të quajtur Republika e Kosovës, si produkt i Pakos Ahtisaari dhe hap mundësi për ndarje të Kosovës.
Marc Weller mendon se Pakoja Ahtisaari i tha lamtumirë Paqes së Westphalisë (1648) duke e bërë Kosovën test të parë të braktisjes së konceptit vestfalian të shtetit si një evoluim i natyrshëm i së drejtës klasike ndërkombëtare në favor të të Drejtave të Njeriut dhe të “vetëvendosjes zhdëmtuese”[remedial self-determination], jashtë kontekstit kolonial, ndonëse pas heqjës së autonomisë pushteti i Serbisë që ende ishte kuazi shtet federal (RFJ) sillej në Kosovë si një fuqi koloniale dhe herë pas herë ndërmerrte masa tipike kolonialiste.
Lëvizja për Kosovën Republikë duke qenë projekt i nacionalizmit shqiptar dhe Kosova e 1244-shit si rezultat i ndërhyrjës ndërkombëtare (USA & NATO), duhet të ketë një qasje të kujdesshme sa i përket lëvizjës integriste, pra duhet ta aplikojë politika të moderuara të modelit miks: marrdhënie vëllazërore me Shqipërinë (kufij e treg të hapur, si dhe politika të përbashkëta mbrojtëse) pa i cënuar pozicionet e aleatëve të saj perëndimorë në Ballkan. Kosova duhet t’i ruaj si ‘relikte’ tre parimet e panegociueshme: Jo kthimit në peridhën para vitit 1999; jo ndarje dhe jo bashkim me një shtet tjetër. (Shih: “Shtetësia e kontestuar” nga Marc Weller.) Kosova – produkt i narrativëve për të shkuaren konfliktuale të shtypjes dhe mbizoterimit të shtypjes – Habermasi e ka përshkruar këtë si “solidaritet abstrakt, ligjërisht i ndermjetësuar mes të huajve”. (Constitutional Patriotism; Jan-Werner Muller.) Weller vë në pah atë që thoshte Jean Jacques Rousseau tek “Kontrata shoqërore” për shkrirjën e fuqive në vullnet të përbashkët, kur në entitet, ne e pranojmë secilin anëtar si pjesë të pandashme të tërësisë. Përkundër shprehjes hegeliane të frymës kombëtare të shtetit vestfalian.
Kosovës i duhet patriotizmi konstitucional i cili, në raport me Kosovën mundet të cilësohet edhe patriotizëm kushtetues, që shkon duke u zgjeruar në mbrojtje të të drejtave të pakicave dhe përforcim të sundimit të ligjit! Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, mund të ishte një shkallë e dytë e zgjërimit të të drejtave të serbëve në Kosovë, po të gjendej një mekanizëm ndërkombëtar që parandalon ndarjën e veriut të Kosovës në çfarëdo forme dhe po që se për këmbim, Serbia do ta njihte Kosovën në territorin e saj kushtetues. Porse, deri më tash nuk ka ndonjë zgjidhje racionale të këtij kontesti ndërmjet shtetit unitar dhe një entiteti serb me kompetenca ekzekutive.
Një kontratë e re për jetë të përbashkët
Patriotizmi kushtetues ofron një teori të re të lojalitetit dhe besnikërisë qytetare ndaj shtetit, për demokraci liberale e të larmisë kulturore. Në këtë aspekt, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKShS) do të ishte zgjidhje optimale për serbët kosovarë, pa e dëmtuar funksionalitetin e shtetit, po të mos ishte kjo kërkesë e një Serbie armiqësore ndaj pavarësimit të Kosovës dhe po të mos shfaqej ashiqare intenca e saj për ta aneksuar veriun e Kosovës, ose po të kishte një mekanizëm (garanci ndërkombëtare) ligjërisht obligues që e ndalon shkëputjen nga Kosova të komunave veriore
Serbia po e kërkon Asociacionin jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës, gjë që i komplikon raportet shtet kosovar – komunitet serb, duke inplantuar “kancerin” në trupin e shtetit. Müller thotë se qytetarët që ndodhen në pakicë mund të mos e dallojnë gjithmonë se sistemi në terësi është në interesin e tyre, kur ndiejnë se kanë humbur atë që e konsiderojnë një çështje të rëndësishme. Në të tilla raste, patriotizmi kushtetues ushtron presion moral shtesë për të mbështetur sistemin, i pajis pakicat me arsye të forta normative për të dhënë atë që studiuesit ndonjëherë e quajnë “miratim të humbësve”. ASShK është një mekanizëm i dytë i madh mbrojtës për serbët e Kosovës, (pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje), porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm të një entiteti sovran.
Në Ballkan, ideja e kombit me bazë etnike është një shenjtëri, që rëndom nxit reaksion kundër zgjidhjeve të fuqishme normative (kushtetuese) për pakicat. Sëkëndejmi, serbët kosovarë nuk mund të kenë dy nivele të “vetos”: atë në Kuvendin e Kosovës dhe në Asociacion.
Ishte Benedict Andersoni, i cili dikur tha se “nëse dikush deshironte ta shihte historinë botërore moderne si një telenovelë pa fund, në çdo episod, i vetmi personazh qendror do të ishte kombi”. Patriotizmi kushtetues nuk i shkakton vdekjen personazhit te kombit; thjesht e vendos atë në rol dytësor. Kështu shteti – komb i përthith fuqitë e tij por nuk është megjithatë trysni shkombëtarizuese.
Moszbatimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare – përfshi atë të Wahingtonit – do të sanksionohet!?
Tashti Kosova e ka AKShS-në si pjesë të legjislacionit të saj (kategori kushtetuese) dhe pa shfuqizimin e tij (siç u tha më lart, kjo është e pamundshme) nuk mund të lirohet nga ky obligim ndërkombëtar. Moszbatimi i kësaj Marrëveshjeje Ndërkombëtare e vë Kosovën nën presion, në një kohë të papërshtatshme, kur edhe ShBA-ja po kërkon zbatimin e Marrëveshjeve ose sanksione, kurse zbatimi i saj natyrisht se presupozon shpërblimin sipas të Drejtës Ndërkombëtare.
Kasta aktuale e Kosovës, pri nga Lëvizja Vetëvendosje, po i sfidon sponsorët e lirisë së Kosovës, duke u përfshi në aktivitete që mësyjnë moszbatimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, si ajo për Asociacionin, Zotimet e Uashingtonit që niihet si Marrëveshja e Uashingtonit. Kryeministri Kurti, pastaj edhe Presidentja Osmani deklarativisht po i sfidojnë këto zotime, të sponsorizuara nga ish Presidenti Donald Trump dhe misionari i tij Grenell, duke i cilësuar si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe që cënuakan rendin kushtetues të saj?! Mirëpo, po të ishte kjo Marrëveshje e dëmshme për Kosovën, pse u kërkua që të zbatohej pikë për pikë edhe nga Asministrata Biden. Dhe këtë e ripohoi Ambasada amerikane në Prishtinë, gjatë dhjetorit 2021, si një përgjigje ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Në pranverën e vitit 2021, përfshirja e Lëvizjës Vetëvendisje – sado e pasuksesshme – në zgjedhjet në Shqipëri, përmendja e votës për, në një referendum potencial për aneksim Shqipërisë, madje duke sfiduar edhe vet shtetin shqiptar, pastaj një neglizhim më shumë se ‘jo’ e prerë për gazjellësin amerikan, ishin parashenja se lidershipi aktual kosovar po e ndryshon kursin ndaj aleatit numër një të Kosovës, ShBA-së. Për konditat politike dhe të qeverisjës së Republikës së Shqipërisë vendos ekskluzivisht trupi zgjedhor i shtetit shqiptar dhe interferimi i një subjekti politik me seli në Prishtinë, e çekuilibron fuqinë politike në Tiranë.
Minimumi i normës së një marëdhënie të balancuar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë qëndrimi jopaternalist i Shqipërisë ndaj Kosovës dhe pozicionimi kushtetues jointegrist i Kosovës karshi Shqipërisë. Tjerat janë thjesht ndërmarrje populliste për votë, e në plan ndërkombëtar të rrezikshme për politikën proaktive të Kosovës në këtë rend të ri.