Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Tri gjëra që duhet të marrin fund me këto zgjedhje

Këto zgjedhje duhet të përbëjnë një pikë kthyese për vendin. Momenti i certifikimit të rezultateve nga KQZ, duhet të jetë momenti i marrjes fund të tri gjërave, që kanë dominuar jetën publike deri tash. Më poshtë do t’i listoj ato.

Bazuar në rezultatet preliminare nga KQZ, shihet se qytetarët votuan për ndryshime në këto zgjedhje. Kjo nuk do të thotë se dëshira për ndryshime ka munguar në zgjedhjet e mëhershme. Ka pasur përpjekje për ndryshime në zgjedhjet e kaluara. Atëherë, te votuesit ekzistonte bindja më e madhe se LDK do të mund ta hiqte PDK-në nga pushteti. Dhe, rrjedhimisht, LDK mori më shumë vota se LVV në ato zgjedhje. Në zgjedhjet e 2017-ës, mbizotëroi bindja te votuesit se LVV mund të sjellë ndryshimet në qeveri, dhe pamë rritje të votave të LVV-së e rënie të votave të LDK-së. Poashtu, është me rëndësi të theksohet se edhe PDK pati rënie të konsiderueshme. Kjo gjë ka ndodhur për herë të parë në historinë e PDK-së dhe përbën moment të rëndësishëm politik. Pra, në përgjithësi është vërejtur dobësimi i vazhdueshëm i rëndësisë së bastioneve partiake, e që pati efekt më të madh te PDK.

Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se dhjetëra mijëra votues kanë ndryshuar mënyrën e votimit për herë të parë. Dhe kjo gjë përbën emancipim politik. Pra, kemi një numër të madh të votuesve që për herë të parë e kanë braktisur PDK-në, duke përfshirë ata në bastionin e saj tradicional. Poashtu, kemi një numër të madh të votuesve që për herë të parë kanë votuar për LVV-në, në zona të ndryshme të Kosovës. Për më tepër, ndryshimi në sjelljen votuese ka ndodhur si në zona urbane ashtu edhe rurale, gjë që e bën atë më domethënës dhe flet më shumë për procesin e emancipimit të votuesve.

Këto ndryshime në mënyrën e votimit, dhe rezultati mjaft domethënës nënkuptojnë se votuesit janë lodhur me format e vjetra të  “politikimit”. Ngjashëm me Kosovën, zgjedhje domethënëse pati edhe në Shqipëri e Maqedoni. Në Maqedoni mori fund dominimi i VMRO-së pas një dekade dhe ky është një shans për ndryshime. Ndërsa në Shqipëri votuesit i dhanë PS-së mandate të plota, që i mundëson të ndjekë reforma. Përderisa tash vendi është në vëzhgim të negociatave për qeverinë e re, subjektet politike duhet të kenë parasysh se cilado që të jetë përbërja e qeverisë së re, gjërat nuk mund të vazhdojnë me të njëjtin model si deri tash. Janë tri gjëra kryesore që duhet të marrin fund: politika klienteliste, administrata e politizuar, dhe feudo-kapitalizmi neoliberal.

Politika klienteliste

Fenomeni që lidhet edhe me ato dy më poshtë është politika klienteliste. Klientelizmi është sistem politik që mbizotëron në vendet në zhvillim. Ai bazohet në marrëdhëniet mes klientit dhe patronit, që nënkupton shkëmbim të lojalitetit politik me të mira materiale ose sociale: para, mallra, tenderë, ose vend pune. Në këtë rast votuesit janë klientë të patronëve/politikanëve. Dhe çdo patron ka klientelën e vet, në vend se të ketë pasuesit e vet që e votojnë atë për shkak të politikave të propozuara. Pra ka dallim mes “kontratës sociale” ku votuesit bëjnë marrëveshje me qeverisësit për të marrë pjesë në sistemin politik, duke votuar e paguar tatim, me idenë se qeverisësit ofrojnë shërbime (zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi etj) dhe në anën tjetër klientelizmit, ku votuesit shkëmbejnë votën për një të mirë të menjëhershme (para, mall) ose me shpresë së gjetjes/ruajtjes së vendit të punës. Tashmë është shumë i njohur fenomeni i asfaltimit të rrugëve para zgjedhjeve, si formë e veçantë e politikës klienteliste. Por ka edhe raporte për forma të tjera si: blerja e votave me ushqim ose mbushje telefonike. Gjithashtu ka edhe presion mbi punonjësit, si në sektorin publik dhe atë privat, për të votuar për parti e kandidatë të caktuar.

Një mënyrë për të matur klientelizmin e një partie është krahasimi i votave të marra nga lideri me votat e partisë (dhe me votat e kandidatit të dytë pas tij dhe kandidatëve të tjerë). Nëse ky dallim është shumë i madh, atëherë kemi të bëjmë më parti klienteliste. Sipas një kalkulimi që kam bërë më herët, partitë më klienteliste ishin PDK, AAK, e LDK.

Administrata e politizuar

Një tjetër fenomen që lidhet ngushtë me atë të parin, e që duhet të marrë fund menjëherë, është politizimi i administratës. Politika ka futur hundët në të gjitha institucionet e shtetit. Një shprehje që përdoret për këtë shpesh është “kapja e shtetit”. Kjo gjë është shumë e dëmshme sepse i bën institucionet joefektive. Administrata publike është e ngadalshme, e mbingarkuar me vende pune dhe ka korrupsion. Institucionet e shërbimeve publike (arsimi, shëndetësia) nuk janë efektive në ofrimin e këtyre shërbimeve, dhe kjo vërehet në nivelin e dobët të arsimit e shëndetësisë në vend. Institucionet e drejtësisë nuk japin drejtësi për qytetarët për shkak të ndikimit të politikës. Dhe institucionet e pavarura, në fakt nuk janë të pavarura dhe nuk mund ta kryejnë punën e tyre.

Në studimin tim të doktoraturës kam gjetur që ndëhyrja politike është arsyeja kryesore për joefektivitetin e institucioneve. Gjithashtu gjatë krahasimit, kam parë se institucioni që ka më pak ndërhyrje politike dhe më shumë meritoktraci (që mund të instalohet me metoda të ndryshme) është më efektiv (i kryen detyrat më shumë) dhe më eficient (shpenzon më pak). Na duhet një projekt madhor që t’i reformojmë institucionet e shtetit, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët duke i zvogëluar shpenzimet e kota. Kjo gjë nuk është e pamundur. Mësimet e marra nga shtetet e tjera por edhe studimet e institucioneve të veçanta brenda vendit mund të shërbejnë për të krijuar një shteg për reforma.

Feudo-kapitalizmi neoliberal

Fenomeni i tretë, që lidhet me dy të parat, është feudo-kapitalizmi neoliberal. Lexesi mund të mendojë “çka qenka kjo bishë që paska jetuar mes nesh tërë këtë kohë e nuk e paskemi ditur”? Sa i përket asaj se pse nuk e kemi ditur, arsyeja është se kemi qenë të zhytur në të si peshku në ujë dhe nuk e kemi problematizuar si shoqëri (pavarësisht përpjekjeve individuale), ashtu siç peshqit nuk e vënë në pyetje ujin rreth tyre. Sa i përket asaj se çka është, le të fillojmë me fjalët, pra “feudo”, “kapitalizmi” dhe “neoliberal. Feudalizmi ishte sistem i organizimit të marrëdhënieve shoqërore në mesjetë që për bazë kishte “feudin” ose një copë tokë. Pronari i kësaj toke kishte obligime ndaj aristokratëve në nivel më të lartë se ai (për tatime, për të shkuar në luftë etj). E në anën tjetër pronari ishte përgjegjës për fshatarët që e punonin tokën e tij. Pra si sistem ishte i ngjashëm me klientelizmin.

Kurse, kapitalizmi është ideologji që thotë se në marrëdhëniet shoqërore-ekonomike duhet të dominojë kapitali. Në shoqëritë perëndimore, kapitalizmi ishte ai që e zëvendësoi feudalizmin si sistem shoqëror. Mirëpo në shoqëri tjera (ku bëjmë pjesë edhe ne), instalimi i kapitalizmit kishte qenë i pjesshëm ose erdhi pas një faze të komunizmit. Kjo nënkupton se mbeturinat e feudalizmit ende ekzistojnë. Termin “feudo-kapitalizëm” e kishte përdorur Ukshin Hoti për të  etiketuar llojin e kapitalizmit që po instalohej te ne në vitet e 1990-ta. Një term tjetër, i ngjashëm është kapitalizmi klientelist. Mirëpo, unë mendoj se termi “kapitalizëm klientelist” është më i duhur për shoqëri që janë në nivele më të avancuara të kapitalizmit, kurse për shoqëritë si e jona mund të përdorim termin “feudo-kapitalizëm”. Ky lloj kapitalizmi pra është ai çfarë ne kemi, e që mori formë që nga vitet e 1990-ta, ku disa persona, të lidhur me pushtetin (në atë kohë të Millosheviqit në Serbi), u pasuruan shumë dhe u bënë “kapitalistët” kryesorë.

Kurse termi “neoliberal” i referohet llojit të kapitalizmit që dominon në arenën ndërkombëtare e që përmes ndikimit ndërkombëtar është imponuar tek ne. “Liberal” ka të bëjë me tregtinë e lirë mes shteteve, dhe ishte ideologjia dominante e shekullit XIX, deri në fillim të Luftës së Parë Botërore. Pra “neo” do të thotë se kemi të bëjmë me një version të ri të liberalizmit që mori hov në vitet 1970 e 1980, pas disa dekadash të Kejnzianismit (një lloj tjetër i kapitalizmit). Disa nga tiparet kryesore të neoliberalizmit janë marrëveshjet e tregtisë së lirë (si CEFTA), specializimi i vendeve në zhvillim në sektorin e bujqësisë, dhe lidhja e duarve të shtetit që mos të intervenojë në ekonomi.

Pra kur ra komunizmi, ajo që e zëvendësoi atë është feudo-kapitalizmi neoliberal. Sa i përket rezultateve të këtij sistemi, nuk kam nevojë të flas shumë sepse flasin statistikat dhe përvojat e njerëzve. Papunësia është problem kronik me qindra mijëra të papunë, kurse papunësia e të rinjve është shokuese. Në këtë ambient të pashpresë, nuk është befasi që shumë të rinj bien pre e radikalizmit.

Prandaj është e nevojshme t’i japim fund këtij sistemi që nuk është treguar i sukseshëm. Me Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL) disa herë kemi bërë thirrje për të përdorur konceptin e “shtetit zhvillimor” për t’u përballur me sfidat tona. Investimi në ekonomi, arsim e shëndetësi është i nevojshëm për ta nxjerrë vendin nga kriza kronike.

Në pothuajse çdo sondazh, të bërë në 10 vitet e fundit, qytetarët deklarojnë se problemet më të mëdha janë papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Prandaj, prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë zgjidhja e atyre tri problemeve: papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Me vazhdimin e politikave të deritashme ekonomike nuk mund të bëhet kjo.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.