Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Trupat pa zë në patriarkatin imperialist, të bardhë e kapitalist

“Të jesh e adhuruar nuk do të thotë se je e lirë.” Shulamith Firestone

Imazhi i Rita Orës në revistën Lui u cilësua nga shumë gra e burra si ‘guxim’. Në rrjete sociale, imazhi po promovohet si “Free the nipple”, fushata e cila synon ta demistifikoj gjoksin femëror në publik dhe ta barazoj me atë mashkullor, t’ia heq ‘turpin’ dhe ta përmbys hipokrizinë se burri tërhiqet nga gjoksi femëror, ndërkaq gruaja nuk tërhiqet nga ai mashkullor. Kjo është një perspektivë e duhur dhe e shëndoshë dhe mirë të mbrohet si e tillë.

Por ja që kjo nuk është porosia apo qëllimi i Ritës në këtë foto. Përderisa më herët ajo e kishte përkrahur fushatën “Free the Nipple”, kësaj radhe, fotot e saj përshkruhen si seksi dhe të egra. Përderisa e mbroj fuqishëm të drejtën e pamohueshme për ta shfaqur trupin ashtu siç një grua dëshiron pa e gjykuar dhe sharë me epitete mizogjiniste, është e domosdoshme që debati rreth seksualitetit të grave të jetë festues dhe kritikues në të njëjtën kohë.

Në tregun komercial, grave nuk u ka ‘munguar’ kurrë guximi për të pozuar të zhveshura. Përkundrazi, lakuriqësia ka qenë dhe vazhdon të jetë ndër kriteret kryesore për të qenë e dukshme dhe e përfolur në një industri aq konkurruese dhe konsumuese ku sot je ‘in’, ndërsa të nesërmen je ‘out’. Presioni i grave për tu dukur të bukura, të holla, me lëkurë e figurë trupore të pametë është edhe arsyeja pse shumë artiste sikurse Lena Dunham e Lorde, e kundërshtojnë atë hapur përmes artit të tyre.

“Kujt i takon ajo prapanicë?” – pyet shkrimtarja feministe bell hooks (Gloria Watkins) në një debat publik ku diskutohej për trupat e grave me ngjyrë në industrinë komerciale muzikore. Prapanica e Nicky Minaj në videoklipin Anakonda, është pasive sipas hooks. Ajo prapanicë nuk ka zë, dhe teksti muzikor i këngës flet për penisin dhe llojin e prapanicës që ai e kërkon përndryshe nuk do të funksionoj. Imazhi i saj i hiper-seksualizuar nuk ka të bëjë me emancipim seksual e fuqizim të gruas që e performon, shpjegon hooks.

Mendësinë apo qasjen për t’i eksploatuar dhe ekspozuar gratë seksualisht është ajo që bell hooks e quan “patriarkat imperialist, i bardhë dhe kapitalist”. Kjo nënkupton që kultura dominuese i atribuohet pushtetit imperialist të burrave të racës së bardhë. Dhe tregu i pop kulturës është i tillë. Kjo vërehet me imazhet e grave në media, pra të zhveshura dhe të vëna në pozicionin për “të joshur” dhe rrallë për “tu joshur” vet nga një trup tjetër.

Për më shumë, tregu komercial ka fokusin te çdo gjë që është joshëse dhe konsumuese. Si i tillë, tregu komercial promovon pasurinë dhe luksin deri në tepri, promovon imazhin e grave si të bukura, të reja, të holla e me lëkurë sa më të bardhë. Në këtë mënyrë, promovon forma të shumta të shtypjes tek gratë: diskriminimin në moshë (ageism), racor, në aftësi të kufizuara trupore (ableism), dhe në pamje fizike.

Sipas hooks, sfida e grave në procesin e emancipimit feminist seksual ka të bëjë me atë se si ta përqafojmë kënaqësinë seksuale (cilado qoftë ajo) në atë mënyrë që nuk është përulëse dhe nuk është kundër nesh. Si ta zotërojmë trupin tonë si lokacion për ëndje, kënaqësi dhe dashuri? Si ta krijojmë një hapësirë të sigurt për vajzat dhe gratë që të ushtrojnë kontroll mbi trupat e tyre seksualisht? Dhe si mund ta bëjmë dallimin në mes të emancipimit seksual dhe eksploatimit seksual.

Imazhin i Ritës e konsideroj tipik komercial, ku gjoksi femëror i ri, i bardhë dhe i pametë, i përgjigjet kërkesave jorealiste të tregut për të qenë e përsosur. Po a ka gjoksi i Ritës zë, sikurse që pyet hooks për prapanicën e Minaj? Çfarë lloj porosie na vjen nga trupi i zbuluar i Ritës në botën që dominohet nga mendësia e burrave (dhe grave) patriarkal, dhe rezistohet politikisht nga mendësia emancipuese e grave (dhe burrave)?

Madonna në vitet e ’80 ka bërë revolucion për fuqizimin dhe seksualitetin e grave me imazhe e porosi të fuqishme në këngët sikurse “Express yourself” dhe “Erotica”. Ajo edhe sot i reziston diskriminimit si grua në moshë, dhe vazhdon ta shpreh seksualitetin përmes artit të saj. Lady Gaga ka bërë të njëjtën duke i promovuar dhe përkrahur fuqishëm e haptas identitetet e shumta gjinore e seksuale të cilët i quante “përbindëshit e mi të vegjël”. Adelina Ismaili në Kosovë ka bërë të njëjtën në fund të viteve të ’90 dhe ka nisur thyerjen e barrierave maskuliste shqiptare duke performuar gjysmë e zhveshur, duke qenë tërheqëse e sensuale, dhe duke ironizuar pikëpamjet zakonore e fetare.

Por të gjitha këto gra e kanë bartur barrën e kësaj qasjeje në vet shpinën e tyre. Madonna e Lady Gaga e kanë pranuar publikisht se kanë qenë të abuzuara seksualisht. Projekti i fundit i Gagës ka të bëjë pikërisht me dhunën seksuale ndaj vajzave në kampuse universitare. Ajo pohon të jetë shtyrë nga vet përvoja e saj e hidhur dhe e tezës së saj e cila po ashtu është e mbijetuar e dhunës seksuale. Adelina Ismaili  raportohet të ketë qenë viktimë e zhvatjes të një burri, i cili nga organet e drejtësisë akuzohet për vepra të ndryshme penale. Ajo e ka zotëruar trupin e saj në skenë, po sa ka qenë në gjendje të mbrohet nga rrethi i vrazhdë patriarkal që sheh gruan si objekt seksi?!

Tejkalimi i barrierave dominuese maskuliste në shoqëri patriarkale është proces i vështirë dhe i komplikuar. Shkrimtari Pat Califia në librin “Seksi publik: kultura e seksit radikal” shpjegon se çka nënkupton të jemi radikal në aspektin seksual. Ai thotë se ai radikalizëm vërehet në shkallën se sa i vërejmë dhe i ekspozojmë mënyrat jo të sinqerta se si flasim për seksin (apo si e fshehim atë) në jetën e përditshme. Se sa i vëmë në pikëpyetje mënyrat se si shoqëria jep privilegje në bazë të besnikërisë së kodit moral, dhe në fakt e bën secilën zgjedhje seksuale çështje të moralit. Pra emancipimi jonë seksual si gra e burra ka të bëjë me atë se si ta sfidojmë mendësinë konservatore rreth trupave tonë, si ta shkëputim ‘turpin’ si koncept dhe si ta kultivojmë një vështrim të matur mbi trupat tonë duke i dekonstruktuar binaritetin ‘nder-turp’ apo ‘mirë-keq’.

Imazhin e zhveshur të Ritës në revistën Lui nuk e shoh si reduktues por as fuqizues. Thjeshtë, duke u thirrur në perspektivën e hooks, ai imazh nuk ka zë. Dhe sot, me gjithë përpjekjet për t’i emancipuar gratë politikisht e seksualisht, nuk kemi nevojë për trupa të heshtur, por për praktika e porosi që kërkojnë të rikthejnë apo kultivojnë diçka që na është marrë apo mohuar, për imazhe që trazojnë pikëpamjet patriarkale dhe na çlirojnë të gjithëve si qenie seksuale.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.