Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Universiteti në politikë

Ilustrimi: BigEye

Universiteti ynë nuk është burim i ideve politike që do të dilnin nga kërkimi shkencor mbi çështjet publike e politike të shoqërisë. Në gjendjen e tanishme, ai nuk ka çfarë t’i japë politikës. Për këtë arsye, asnjë parti politike, që në programin e saj politik nuk i bën vend mbështetjes së universitetit drejt kërkimit shkencor të çështjeve politike, sociale e kulturore në interes të publikut, nuk ka të drejtë ta trumbetojë aderimin e profesorëve universitarë në radhët e saj si ngjarje me domethënie publike! 

Jo rrallë kemi dëgjuar për ndikimin e politikës në universitet, domethënë se si politikanët dhe personat e pushtetshëm kanë arritur të shtrijnë ndikimin e tyre përmes kanaleve të ndryshme, për të kontrolluar udhëheqjen e universitetit dhe për të shpërblyer klientë partiakë me poste dhe tituj akademikë. 

Megjithatë, në vend që të flas për ndikimin e politikës në universitet, në këtë shkrim dua të ndriçoj një tjetër aspekt: universitetin në politikë. Domethënë, angazhimin e profesorëve universitarë në parti politike dhe poste politike. Sado që bashkimi i shkencave shoqërore dhe politikës në një person është i pamundshëm, megjithatë në këtë shkrim analizoj rastin kur një profesionist i shkencës, kërkues ose mësues i saj, e braktis atë për një “ekskursion” politik, domethënë për një migrim në një hapësirë të papajtueshme me shkencën. Në kontekst të pluralizmit politik, kjo dukuri nuk mund të gjykohet a priori, para se të shohim se në çfarë cilësie profesorët universitarë angazhohen në parti dhe çfarë i sjellin ata jetës politike si anëtarë të partive politike. 

Mjerimi i mendimit politik në universitet

Ekziston një praktikë e gjatë, por ligjërisht e dyshimtë, e pezullimit të detyrës së profesorëve në universitet gjatë angazhimit të tyre në poste politike si anëtarë qeverie, këshilltarë qeveritarë, deputetë, apo ambasadorë. Si pasojë e kësaj praktike, universiteti është varfëruar vazhdimisht nga ana kadrovike, pasi një numër i profesorëve kanë pezulluar punën në universitet për t’i shërbyer politikës, përderisa kanë ruajtur pozitat në universitet. 

Kjo edhe do të mund të arsyetohej vetëm nëse profesorët vërtet do të ofronin diçka të re për politikën shtetërore. Mirëpo, profesorët universitarë nuk është se kanë zhvilluar një vetëdije socio-politike në universitet, që më pas të kenë pasur çfarë t’i japin politikës, ngase universiteti ynë pas luftës nuk është bërë mjedis intelektual ku zhvillohet mendimi politik nga i cili do të buronin ide politike. 

Kjo nuk do të thotë që profesorët nuk kanë ide a qëndrime politike. Mirëpo, ato nuk janë rezultat i kërkimit shkencor mbi çështjet publike e politike në universitet. Me fjalë të tjera, opinionet dhe qëndrimet politike në mesin e komunitetit universitar nuk burojnë nga studimet mbi temat dhe zhvillimet politike, as nga diskutimet që lindin nga gjetjet e këtyre studimeve, por krijohen në ambiente të tjera. Universitetit tonë, në masë të madhe, i mungojnë institutet kërkimore, qendrat e mendimit politik e kulturor, si dhe forumet e diskutimit të ideve që kishin me dalë prej tyre.

Funksioni përfaqësues i profesorëve nuk ngjan vetvetiu

Politika është e lidhur ngushtë me përfaqësimin, domethënë që personat të cilët zënë postet udhëheqëse në institucionet politike të shtetit, përfaqësojnë ndonjë ide ose kauzë politike, ndonjë interes më të gjerë të publikut ose më të ngushtë të një grupi a segmenti shoqëror. Mirëpo, assesi nuk mund të thuhet se profesorët e angazhuar në politikë e përmbushin automatikisht këtë rol. Përfaqësimi politik i tyre nuk garantohet nga fakti që ata janë profesorë politikanë, por varet nga veprimet dhe idetë me të cilat kontribuojnë në sferën publike. 

Para se të japim një gjykim, kemi arsye të presim përfaqësim prej atyre profesorëve që kanë mendim të pjekur politik dhe profil solid publik, domethënë që njihen për artikulimin e ndonjë ideje politike a kulturore relevante për publikun, ose për komunitetin të cilit i përkasin, para se t’i hyjnë politikës partiake apo të zënë poste politike. Përndryshe, nuk mund të presim përfaqësim të denjë prej profesorëve që u bashkohen partive politike pa formësuar a shprehur ndonjë ide apo qëndrim politik të mbështetur në mendimin e tyre. Të paorientuar nga ndonjë ide a kauzë politike, të tillët nuk ka se si të mos përpihen nga hierarkia partiake ose burokracia shtetërore. 

Profesorët në politikë, vetëm si të papolitizuar

Nëse profesorët nuk e pasurojnë mendimin politik dhe ideor të partive politike ku bëhen pjesë dhe as përfaqësojnë diçka ose dikë në politikë, a mund të thuhet se i kontribuojnë jetës politike në ndonjë mënyrë? Dhe çfarë mund të thuhet për rolin e tyre në partitë në të cilat aderojnë?

Në rastin më të mirë, profesorët thirren për t’i shërbyer politikës si ekspertë, për shembull si udhëheqës të ndonjë dikasteri qeveritar, ose si këshilltarë të udhëheqësve politikë. Ky rol mund të jetë i dobishëm për politikën shtetërore. Mirëpo, për aq sa nuk përbën diçka më shumë se vetëm përdorim të dijes së profesorëve në shërbim të ndonjë politike që ideohet diku tjetër ose të ndonjë interesi politik, kjo formë e angazhimit të tyre në politikë është më tepër, në mos kryekëput, e natyrës teknike, sesa e natyrës politike. Për më keq, ky kooptim i tyre përdoret si vegël për të mbyllur gojët e tyre kritike e kundërshtuese ndaj qeverisë. 

Në gjendjen e mjerueshme të kërkimit shkencor në universitet, profesorët e tij nuk mund të jenë pjesë e politikës, përveç si pasivë dhe si figura që shtyen nga të tjerët. Ata thirren në organizata politike si kuadro nga bota universitare e akademike dhe si të tillë reklamohen para elektoratit. Mirëpo, në të vërtetë, nuk thirren për të përfaqësuar, por për t’iu vënë në shërbim pushtetit, qoftë si ekspertë teknikë, në rastin më të mirë, qoftë për kozmetikë, në rastin më të keq, domethënë për t’u ofruar partive politike figurën e profesorit – gjithsesi, të zbrazur nga ndonjë mendim ose kauzë politike – që partia t’ia shesë atë elektoratit si sapunin për djathë.  

Në kontrast me këtë rol teknik e dekorativ që kryen sot profesori në politikë, në historinë intelektuale e politike të Kosovës mund të gjejmë një numër të profesorëve që kanë luajtur rol proaktiv në jetën politike. Duke qenë të njohur për mendimin e tyre politik, përfshirja e tyre në parti e grupime politike nuk e ka zhdukë mendimin e tyre, por e ka pasuruar vizionin politik. Me artikulimin e ideve politike dhe me propozimin e strategjive politike në rrethana të pushtimit të vendit tonë, këta profesorë kanë qenë në krye të organizimit politik, ideatorë të orientimit dhe aktivizmit politik. Ndër ta, do ta mund të shquanim profesorin universitar Fehmi Aganin, mendimtarin e strategjisë së qëndresës ndaj pushtimit të Kosovës. 

Si mund të ndreqet kjo?

Ky raport i njëanshëm i politikës me universitetin, në të cilin politika merr nga universiteti vetëm atë që mund ta instrumentalizojë për qëllime të politikës partiake, por jo edhe përmbajtje politike, mund të ndreqet vetëm nëse universiteti zhvillohet në qendër kërkimore të çështjeve publike dhe në institucion mendimi politik e kulturor. Në atë rast, raporti midis partive politike dhe komunitetit universitar do të mundësonte një bashkëpunim këmbimi të ideve politike për mundësi veprimi politik në interes të publikut, në vend të këmbimit të prestigjit profesorial për privilegje personale në interes të partisë dhe të personit të profesorit të aderuar, siç është tani për tani. 

Gjendja aktuale e raportit midis politikës dhe universitetit thërret në nevojën e studimeve e diskutimeve politike në universitet, në mënyrë që partitë politike të kenë çfarë të marrin politikisht nga profesorët dhe universiteti, dhe në asnjë mënyrë nuk justifikon drejtimin e gishtit qortues kah profesorët që zgjedhin të anëtarësohen në parti politike, ose të angazhohen në politikë në çfarëdo forme që duan vetë ata. Mirëpo, as edhe një parti politike, që në programin e saj politik nuk i bën vend mbështetjes së universitetit drejt kërkimit shkencor të çështjeve politike, sociale e kulturore në interes të publikut, nuk ka fytyrë ta trumbetojë aderimin e profesorëve universitarë në radhët e saj si ngjarje me domethënie publike! 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.