Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vetëvendosje, mes librit dhe sopatës

Në fund të viteve të 60-ta, në një mbrëmje, një turisti gjerman i prishet motocikleta afër një fshati shqiptar diku në Kosovë. Disa fshatarë që po ktheheshin nga pyelli me sopata, pa ditur asnjë fjalë gjermanisht, mysafirin e panjohur e ftojnë me gjeste në konakun e tyre. Është natë dhe turisti gjerman, nën pamjen këcënuese edhe të sopatave, i dorëzohet fatit. Kur hyn në odën e burrave, në shtëpine e atyre fshatarëve, ai sheh raftet plot me libra. Atë natë pritet e gostitet si është më së miri, të nesërmen e rregullon motocikletën dhe vazhdon udhëtimin e tij. Pas disa muajsh, ai u shkruan mikëpritësve kosovar dhe u thotë se ka besuar që atë natë kur e ftuan nga rruga në shtëpine e tyre, ata donin ta mbysnin me sopata, por kur ka parë librat në dhomë është ndier më i çliruar dhe ka menduar që, “megjithatë, mbytja ndoshta nuk do të jetë me sopata dhe nuk do të jetë aq barbare”. Miqësia e turistit gjerman me këta fshatarët kosovar ka zgjatur që atëherë, por për këtë pjesë flasim ndonjëherë tjetër.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, të mbajtura me 14 shkurt, Lëvizja Vetvendosje! e Albin Kurtit mori mbi 50% të votave- një fitore bindëse dhe më e madhja e një partie në Kosovë që nga pas lufta.  Kurti dhe të rinjët tjerë përreth tij janë portretuar vazhdimisht si njerëz të librave, edhe kur janë lavdëruar, por edhe kur janë fyer. Kur sulmoheshin nga partitë në pushtet, ata shpesh cilësoheshin me përçmim si njerëz të humbur në libra, që “s’ua kanë haberin çështjeve praktike e të vërteta të politikës në Kosovë”. Megjithatë, Kurti dhe bashkëpartiakët e tij, nëse në njërën dorë kanë mbajtur librin, në dorën tjetër kanë pasur sopatën. Ajo u ka shërbyer atyre për të përmbysur xhipat e UN-it, prezencën e të cilës organizatë Kurti dhe lëvizja e tij e kundërshtonin dhe të cilën e akuzonin për një pjesë të të këqijave të pasluftës në Kosovë. Sopata Vetëvendosjes i ka shërbyer edhe për të organizuar protestat e shumta e shpeshherë të dhunshme në rrugë, apo për të hedhur gaz lotësjellës në parlament, me çka synonin t’i ndalonin deputetët e pozitës të merrnin vendime të dë​mshmeKjo anë e errët e Kurtit dhe partisë së tij, natyrisht ka bërë që në Mediat ndërkombëtare dhe në sytë e shumë diplomatëve të huaj ata shpesh të cilësohen si minues të rendit demokratik, rrjedhimisht edhe si kërcënues e armiq të së ardhmes së Kosovës.

Për krejt këto 20 vite të pasluftës, Vetëvendosje ka qenë opozita e vetme dhe reale. Tri partitë tjera kryesore e kanë ricikluar e ndarë pushtetin; herë ndaras e herë bashkarisht. Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), një parti e djathtë konzervative që shpesh e ka luajtur patericën e partisë tjetër, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për krejt këto vite është udhehequr nga ca dinosaur arrogant, të cilët në çdo zgjedhje, si një kor papagajsh përsërisin fjalë shterpe për të ashtuçuajturën ‘trashëgimi politike të Ibrahim Rugovës’. Një zyrtar i kësaj partie, njëherë madje pat dalur në publik duke pretenduar se ka folur me Rugovën e vdekur, i cili sipas tij, nga ajo botë, ka porositur popullin e Kosovës ta votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar nga Hashim Thaçi dhe nga ish ushtarë e komandantë tjerë të UÇK-së, për krejt këto vite të pasluftës, ka qenë sinonim i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në PDK dhe në partinë tjetër më të vogël, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ishin mbledhur krejt zotët e luftës që praktikisht edhe kur nuk ishin në pushtet, e kishin pushtetin real në këtë vend. Të tri këto parti, pa përjashtime, kanë krijuar elektorat klientelist, që ka gëzuar privilegje të ndryshme, para së gjithash vende të punës në një administratë shteti super të ngarkuar, tenderë e qasje direkte në fondet publike. Termi më adekuat për ta përshkruar këtë periudhë 20 vjeçare të Kosovës të udhëhequr nga këto tri parti ka qenë: “shtet i kapur” (captured state). Dhe në ‘shtetin e kapur’, Vetëvendosje! ishte aty, me mbështetjen që sa vinte e i rritej nga njerëz të të gjitha profileve, por para së gjithash nga të rinjët urban. Natyrisht, forca rritëse e saj nuk është nënvleftësuar asnjeherë nga pozita. Vetëvendosje!, edhe për shkak të rolit aktiv që ka pasur, vazhdimisht ka qenë e sulmuar dhe e demonizuar nga partitë në pozitë – e shpesh edhe nga forca jashtë Kosovës. Kur vjet në fillim të vitit erdhi në pushtet, ajo u detyrua të kaloj në opozitë pas 52 ditësh qeverisjeje, për shkak të një mosmarrveshje me partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, mosmarrveshje që ishte e qartë se e krijoi Richard Grenell, asokohe i deleguari i Donald Trump-it për dialogun Kosovë-Serbi.

Kursi nacionalist i Vetëvendosjes (zyrtarisht parti social-demokrate), nuk duket që ka qenë shumë atraktiv për votuesit kosovar. Kjo sepse nacionalizimi ishte aty, si një ushqim i mykur që ofrohej nga secila parti tjetër, në një apo në një formë tjetër. Vetëvendosje! proklamonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si ideal e synim i tyre, megjithatë, në qendër të fushatës elektorale për këto zgjedhje të fundit ata kanë pasur premtime më të prekshme; luftimi i korrupsionit, kriimi i vendeve të punës, zhvillmi ekonomik e drejtësia. Kosovarët duket se janë të bindur që Vetëvendosje! do ta luftoj korrupsionin dhe do të stimuloj zhvillimin ekonomik. Para së gjithash, ky bast i tyre mbështetet në personalitetin dhe profilin politik të Kurtit, i cili, s’do të ekzagjëronim nëse pohojmë se ngelet ndoshta politikani më i pakorruptuar në Ballkan, ose, njëri prej të paktëve. Ai rrallëherë ka dhënë shenja se mund t’i kompromitoj bindjet e tija politike dhe edhe më rrallë ka dhënë shenja të ndonjë oportunizmi politik- gjithsesi, jo fort vlera të çmuara këto për një politikan në një vend me kaq shumë turbullira politike. Majtisti Kurti, një orator i shkëlqyeshëm, i cili jo vetëm për masat, por u bë i pranueshëm edhe për shtresat e intelektualëve, të rinjëve urban e artistëve.

Ish lider studentor gjatë të 90-tave, gjatë luftës në Kosovë ai ka qenë i marrur peng nga forcat serbe. Pas 3 vitesh qëndrimi në burg në Serbi, ai u lirua falë edhe presionit ndërkombëtar. Karrierën e tij të vërtetë e nisi pas luftës, fillimisht si aktivist i shoqërisë civile, duke organizuar e kuruar evente e performanca artistike për të zhdukurit. Më vonë Kurti themeloi Lëvizjen Vetvendosje! e cila, profilin e saj fillimisht e ndërtoi duke iu kundërvenë me rrebelizëm misionit të UN-it në Kosovë dhe duke proklamuar idenë bashkimit Kosovë-Shqipëri, që sipas saj duhej të ndodhte në mënyrë që të korigjoheshin padrejtësitë historike. Megjithatë, pavarësisht që politikës i hyri kaq furishëm, dhe pavarësisht betejave e sfidave të shumta, kontaktin me artin dhe artistët Kurti nuk e ka humbur asnjëherë deri më tani.

Ai është prej politikanëve të rrallë që rregullisht viziton teatrin. Në disa raste, pas shfaqjeve ai madje ka shkruar edhe përshtypjet e tij, të cilat pastaj i publikonte në rrjetet sociale. Jo vetëm teatrin- ai viziton edhe galeritë, eventet e ndryshme kulturore e festivalet, kudo që mbahen në Kosovë. Prandaj pritjet janë që ai si kryeministër i ardhshëm të krijoj një terren ku arti dhe kultura në Kosovë do të stimulohen e mbështeten shumë më shumë se sa deri më tani.  Por, çfarë perspektive mund të ketë bashkëpunimi i nisur kulturor Kosovë-Serbi? Në aspektin financiar, nuk do të luaj shumë rol, se ky bashkëpunim deri tani – dhe me gjasë edhe për ca vite të ardhshme – është mundësuar nga donatorët ndërkombëtar, vecanërisht nga BE. Megjithatë, a do t’mund të zhvillohet e dinamizohet edhe më ky bashkëpunim, tani me ardhjen e Kurtit e Vetëvendosjes, është vështirë të thuhet. Nuk besoj se Kurti do të jetë pengues, por poashtu as nuk besoj se do të krijoj terren më stimulus që ky bashkëpunim të ndodhë më kollajshëm dhe pa barrierat e deritanishme.

Megjithatë, Vetëvendosje! nuk është më vetëm Albin Kurti. Ai tani ka në partinë e tij edhe një grua mbresëlënëse (që plot entuziastë në Kosovë e cilësojnë si “Angela Merkel e Kosovës”). Vjosa Osmani tash së voni iu bashkua partisë së z. Kurti, mbas mospajtimeve me ish partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Osmani në këto zgjedhje ka fituar mbi 300 mijë vota. Kjo dyshe për shumkë është si një dream team. Osmani, një politikane e re dhe përparimtare është edhe si një mundësi për të ftohur kokat e ‘nxehura’ të militantëve të radikalizuar të Vetëvendosjes. E zgjedhur tash rishtazi Kryetare e Kosovës, ajo bashkë me Kurtin kryeministër, janë bërë fytyrat e reja të Kosovës së pas 14 shkurtit – ditës kur u mbajtën zgjedhjet në Kosovë, dhe ditës së Shën Valentit.  Por ka edhe një anë tjetër interesante nga këto zgjedhje: rreth 40 % e depetutëteve të ardhshëm në parlamentin e Kosovës do të jenë gra. Dhe kjo është një mrekulli për një skenë të kontaminuar me vite nga maskuliniteti politik e me politikanë kauboj që gratë i shihnin vetëm si numra për të plotësuar ca kuota gjinore.

Tani, në këtë fillimvit të gjithë flasin për ndryshimin. Ndryshim po se po, por cili do të jetë ai ndryshim dhe në ç’drejtim do të jetë, kjo ngelet të shihet. Njerëzit janë optimistë, megjithatë, optimizmi banon në Kosovë tash e mbi 30 vite. Ajo që i brengosë disa njerëz është që Kurti mund të humbet në pamjen makro të politikës dhe interesave të ndryshme që kryqëzohen në Kosovë. Ai do të jetë i detyruar të dialogoj me Beogradin (që tani thotë se nuk është ndër tri prioritetet e tija), dhe kësisoj do të jetë në konflit me vetveten dhe qëndrimet e veta të dikurshme për bashkimin kombëtar, të cilat tash nga pozita e kryeministrit natyrisht nuk mund t’i shprehë saherë që hapë gojën. Ai do të jetë i rrethuar mes ndërskëmsave të politikës vendore, egos së tij dhe natyrisht egove tjera brenda partisë së tij. E, mbi të gjitha, do të jetë nën trysni të militantëve partiak të cilët, deri tani e kanë mbështetur pa kërkuar asgjë mbrapsht. Megjithatë, me pushtetin në duart e tyre, gjërat mund të ndryshojnë. Dhe apetitet në këto anë dijnë të shkojnë përtej të mundshmes- sidomos apetitet e militantëve partiak.

Për fund, t’i kthehemi edhe njëherë atij tregimit me turistin gjerman! Në një situatë frike nga e panjohura, ato çaste nga rruga deri në shtëpinë e atyre fshatarëve, turisti gjerman me siguri po shihte veten e tij duke u copëtuar nga sopatat. Parashikimi i tij ogurzi u zbut kur ai pa librat. Librat për të ishin shenjë se megjithatë, këta njerëz, edhe nëse do ta mbysnin, do të tregonin pak dinjitet gjatë vrasjes. Te mbytja me dinjitet ai duhet ta ketë menduar mbytjen me helm që do t’mund t’i serviret në çaj a në ushqimin e darkës, ose, nëse do të ishte me fat, do të vritej me revole. Vdekje kjo, e vdekje ajo, por natyrshëm kur nuk ka opsion të tretë, njeriu preferon së paku një vdekje më të dinjitetshme dhe me më pak dhimbje. Fundin e tregimit me turistin gjerman e treguam në fillim. Një miqësi e paharruar, thamë.

Në kapjen në të cilin ishte mbërthyer Kosova, basti në Kurtin nuk është se kishte alternativë. Tani, ky vend është në duart e tij dhe të partisë së tij. Frika është, sopatat janë, por janë edhe librat e edhe shpresa… A do të jetë kjo një vdekje më e dinjitetshme, apo fillimi i një miqësie më të gjatë, ngelet të shihet…

(Ky shkrim fillimisht është botuar në numrin 4/2021 të revistës gjermane Theater der Zeit).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.