Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Viti i mbrapsht për transparencën në prokurimin publik në Kosovë

Derisa bota po diskutonte rreth rrezikut me një armik të ri, e të pa dukshëm, që po shpërndahej me një hov marramendës, Kosova ende ishte në diskutime për themelimin e qeverisë. Dukej sikur ne nuk e kishim për ngut të përgatiteshim për atë me të cilën po ballafaqohej i gjithë globi. Kishim gajlen e ndarjes së pozitave dhe prioriteteve qeveritare, e jo parapërgatitjen për ballafaqimin me këtë armik të pamëshirshëm. Por kjo nuk është histori e re për ne. Qeverinë e Kosovës ende e befason dëbora në dhjetor. Ndoshta kjo pse Kosova për shekuj ishte ndër vendet më të izoluara, dhe thjeshtë në vete kemi krijuar një bindje se ajo çfarë ndodhë në botë, vështirë që arrin tek ne.

Tre ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte shpallur COVID-19 një emergjencë të shëndetit publik në nivel ndërkombëtar, në Kosovë, më në fund u themelua Qeveria. Derisa tregjet globale po mbylleshin, oferta po zvogëlohej e kërkesa po rritej, Qeveria e re e Kosovës ishte fokusuar në rishikimin e projekt propozimit të buxhetit se cilat investime kapitale të largohen e cilat të futen në buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Ndjenja se kosovarët ishin super qenie imune ndaj këtij rreziku shpejt u venit! Me 13 mars Kosova shënoi dy rastet e para të të infektuarve me virusin vdekje prurës, dhe 40 ditë pas themelimit të qeverisë, Kosova u ballafaqua me një emergjencë të cilën e kishte injoruar deri më tani. Dy ditë pas shënimit të rasteve të para, Kuvendi i Kosovës kishte aprovuar buxhetin për vitin 2020, por aty mungonte një komponentë kyçe. Qeveria e Kosovës nuk kishte alokuar asnjë linjë mjekësore apo ekonomike për përballje me pandeminë. Mbase shpresonim se do të merrnim ndihma nga bota, por bota kishte hallin e vet! Në 43 ditët nga shpallja e pandemisë, Qeveria e jonë nuk ishte kujtuar asnjëherë të mate stoqet, e të sigurohej se kishte materialet e nevojshme, të siguronte pak treg, në kohën kur shtetet prodhuese madje po ndalonin eksportin e produkteve mbrojtëse për t’u siguruar që kishin mjaftueshëm për nevojat e tyre, e rritja alarmante e çmimeve të maskave ishte temë e lajmeve gjithandej.

Meqë Kosova nuk kishte shfrytëzuar ato 43 ditë para ballafaqimit me pandeminë për t’u përgatitur, tani gjithçka ishte në reagim emergjent. Dhe reagimet emergjente janë një thikë në zemër për transparencën, si hapi i parë në luftën kundër korrupsionit. Të gjitha institucionet buxhetore filluan prokurimet emergjente menjëherë, e me këtë procedurë të mbyllur për publikun u shpenzuan mbi 33 milion euro për periudhën shkurt – korrik 2020.

Në një vend ku llogaridhënia është minimale, kjo po që ishte një parajsë për keqpërdorime. Por kujt po i intereson korrupsioni kur është jeta e njeriut në pyetje?!

Raporte në Kosovë tregojnë se maskat që u importuan me vlerën 2.5€ iu shitën Institucioneve tona mesatarisht 8 €. Janë dy maska më pak që nuk u blenë! Janë dy pacient më pak që nuk i morën shërbimet, janë dy mjek më pak që nuk u mbrojtën!

Shfaqja e SARS në vitin 2003, kishte ndikuar ekonominë globale me 2.3% ulje. Megjithatë, edhe pse në një shkallë shumë të vogël të shpërndarjes në krahasim me COVID-19, të vetmet që kishin fituar miliardat nga SARS ishin kompanitë e maskave. Duke e ditur këtë problem, shtetet e Evropës dhe Azisë, që në shfaqjen e virusit kishin filluar të bënin plane. Madje për të kursyer paratë, shumë shtete të Evropës Lindore, të cilat kishin probleme me llogaridhënien njëjtë sikurse ne, kishin ftuar shoqërinë civile dhe bizneset si partnerë në qeverisje të mirë.

Gjatë një emergjence, kontratat publike duhet të jenë sa më të shpejta dhe të thjeshta, të paktën derisa të gjitha mallrat e nevojshme janë në dispozicion në treg dhe të vendosen çmime të qarta të tregut. Por edhe prokurimi urgjent duhet të jetë plotësisht transparent. Për shembull, në Kazakistan, të dhënat e prokurimit për COVID-19, si të gjitha të dhënat e tjera, janë mbledhur në portalin elektronik të prokurimit qeveritar në një format të lexueshëm nga makina, dhe në kohë reale. Ukraina, me sistemin e saj Prozorro, madje krijoi një metodë të re për raportimin e prokurimit COVID-19, ku me një klikim mund të zgjedhësh dhe shohësh të gjitha prokurimet për pandeminë. Për të ndihmuar qeverinë, bizneset dhe qytetarët, në Ukrainë u krijua edhe platforma YouControl, e cila në kohë reale tregon nëse spitalet e tyre parësore për koronavirusin kanë mjaft pajisje mbrojtëse dhe mjekësore, dhe sa shtretër dhe mjekë janë në dispozicion. Në Moldavi, fillimisht qeveria kishte mbyllur të gjitha të dhënat lidhur me prokurimin për COVID-19. Megjithatë, pas themelimit të një koalicioni prej rreth 30 OJQ dhe në negociata me Ministrinë e Shëndetit, brenda pak ditëve u krijua platforma Tender.Health, e cila mundëson analizë të shpejtë të shpenzimeve, përfshirë specifikat e prokurimit dhe çmimet e produkteve. Kjo platformë jo që shërbente vetëm si mjet i transparencës ndaj qytetarëve, por u ndihmonte edhe institucioneve të shihnin çmimet më të mira dhe të identifikonin furnitorët më të mirë. Këto mjete të transparencës kishin ndihmuar në kursimin e disa milionave në prokurime publike emergjente.

Por si ishte situata në Kosovë? Gjatë periudhës shkurt – korrik 2020 u zhvilluan mbi 180 prokurime të mbyllura emergjente. Për më shumë, transparenca në shpenzimet publike, për të cilën shoqëria kosovare kishte luftuar me dekada të tëra, u mbyt fare. Qytetarët nuk kishin njohuri, e ende nuk kanë, as për nevojat institucionale, e as çfarë çmimesh po ofronin bizneset? Një institucion bleu maska me 3.5 euro, shumë të tjera me 8 euro, e ndonjë edhe me 10 e 12 euro për copë për të njëjtat. Dikush ka paguar veshjet mbrojtëse 10 euro e dikush 25 euro. Dhe këto dallime qytetarët i mësuan vetëm pas nënshkrimit të kontratave. Platforma elektronike e prokurimit nuk jepte mundësinë e shkarkimit të të dhënave në mënyrë të ri-përdorshme, e dokumentet e menaxhimit të kontratave si faturat e raportet e pranimit, ende vazhdojnë të jenë të mbyllura. Po deshe t’i shohësh këto dokumente, duhet të bësh kërkesën për qasje në dokumente publike, e që për shkak të numrit të reduktuar të punëtorëve në institucione, mund ti marrësh pas 2-3 muajve apo të mos i marrësh fare. Dhe derisa hetimet nga kuvendi, prokuroria e agjencia për mbrojtjen e konkurrencës vazhdojnë, qytetarët ende nuk e shohin se ku po shkojnë paret e tyre.

Para pak dite në kuvend nuk kaloi ligji për furnizim të qytetarëve më të varfër në Evropë me maska falas. Kjo nën arsyetimin se nuk kemi buxhet. Ndoshta sikur të mos i paguanim maskat e 2.5 eurove 8 euro do të kishim një mundësi.

Por, pandemia siç duket do të jetë mes nesh edhe për një kohë! Dhe në këtë kohë, qeveria e Kosovës ka mundësi të bëjë diçka ndryshe, diçka më të mirë. Ministria e Shëndetësisë mund të ndjek shembujt e shteteve të tjera, dhe të ftoj Shoqërinë Civile dhe bizneset të bashkëngjiten në këtë betejë të ashpër për jetë a vdekje. Mund të nis iniciativa të cilat do të ndihmonin Kosovën jo vetëm sot, por të përdoreshin edhe në të ardhmen. Të krijoheshin platforma transparente e të dixhitalizoheshin procese. Fundja është paraja e qytetarit në pyetje. Çdo euro e kursyer, do të mund të ndihmonte në shpëtimin e një jete më shumë. Me shumë pak mund e shumë vullnet, PO, Kosova do të mund ta bënte këtë. Ky është një shans që qeveria të ndryshoj recepcionin nga ajo e interesave, në qeveri për qytetarin!

——

Ky shkrim është i publikuar në kuadër të projektit: “Ri-formësimi i Shoqërisë Civile në Kosovë si pasojë pandemisë COVID-19” mbeshtetur nga  Fondacioni i Kosovës për Shoqërisë së Hapur implementuar nga Platforma CiviKos. Qëndrimet e autorit nuk përfaqësojnë qëndrimet e Platformës CiviKos. 

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.