Vlerësimi i mësimdhënësve si metodë për sigurimin e cilësisë në arsim është praktikë botërore. Kosova ndonëse e ka të rregulluar këtë çështje, s’ka arritur asnjëherë t’i vlerësoj plotësisht mësimdhënësit për arsye të ndryshme, megjithatë, arsyet kryesore janë mungesa e inspektorëve dhe mungesa e një kornize vlerësuese. Nga 22,000 mësimdhënës, janë vlerësuar gjithsej vetëm 400 prej tyre. Këto përbëjnë arsye të mjaftueshme që kjo temë të rishqyrtohet.
Në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Kosovë, më saktësisht nenit potencialë 33, mbi Licencimin e Mësimdhënësve, parashihet që këta të fundit duhet rivlerësuar në mënyrë periodike. Më tutje, në këtë nen ceket që kjo duhet të ndodhë ”në një interval kohor që nuk kalon pesë vite”.
Pra, ky proces ka për qëllim që t’ua ’përtrijë’ mësimdhënësve licencën si mënyrë për të qëndruar në profesionin e tyre. Ndërkaq, ligji në fjalë, nuk përcakton aspektin praktik të këtij ”rivlerësimi”. Edhe në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit ceket se inspektorët potencial duhet të plotësojnë kriterin e përvojës 10 vjeçare kur bëhet fjalë për vlerësimin e mësimdhënësve.
Testimi i mësimdhënësve gjithmonë është kundërshtuar kategorikisht nga SBASHK-u (Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës) nën arsyetimin se testimi është degradues e nënçmues për mësimdhënësit, ngase ata kanë dëshmuar dijen e tyre kur kanë marrë diplomën.
Ndërkaq, SBASHK-u nuk i ka dalë plotësisht kundër idesë së vlerësimit, ku sipas ish-ministrit të arsimit Bytyqi ishte paraparë të ndodhte në katër nivele: Vetëvlerësimi i mësimdhënësit 10%, vlerësimi nga drejtori i shkollës 30%, vëzhgimi i orës mësimore 30% dhe planifikimi dhe përgatitja me shkrim 30%.
Përkundër kundërshtimeve të vazhdueshme, është e rëndësishme të përmendet që kjo çështje rregullohet me ligj, dhe moskryerja e vlerësimit bie ndesh me ligjin përkatës.
Në mënyrë që ky vlerësim të bëhet i mundshëm duhet të ekzistojë një zinxhir që fillon nga ministria dhe përfundon tek shkollat specifike dhe një ndërmjetës i pazëvendësushem këtu është Inspektorati i Arsimit.
Deri në vitin 2018, Kosova ka pasur vetëm 54 inspektorë të arsimit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës 2021-2022, për momentin në Kosovë janë funksionale 1,047 shkolla fillore (parashkollor, të mesme të ulëta, të mesme të larta).
Ndërkaq, në raportin e KEC-it, mbi planin strategjik për arsimin në kosovë 2017–2021 thuhet se dy vite pas miratimit të Ligjit për Inspektorat nuk janë ndarë inspektorët pedagogjikë nga ata administrativë, për më tepër, ceket se numri i inspektorëve duhet të rritet urgjentisht. Pra, vlerësimi bëhet i pamundshëm kur nuk ekziston numri i duhur i inspektorëve.
Megjithë argumentimin juridik, pyetja më e rëndësishme është se a është i nevojshëm vlerësimi i mësimdhënësve? Pëgjigjja është po. Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi duke parë sistemet arsimore në vendet tjera.
Në radhë të parë, vlerësimi sistemik i mësimdhënësve mëton të rrisë cilësinë në arsim duke piketuar mësimdhënësit me performancë lartë dhe ata të cilët duhet përmirësuar. Së dyti, ka qëllim njohjen e meritave profesionale; dhe së treti, synon të adresojë ”mangësitë” brenda sistemit shkollor dhe t’i përmirësojë ato. Ndërkohë, rezistenca ndaj rivlerësimit rezulton në akumulimin e problemeve të cilat herëdo-kurdo duhet trajtuar.
Në kornizën konceptuale për vlerësimin e mësimdhënësve të përpiluar nga OECD-ja (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), theksohet se mësimdhënësit janë shtylla e mirëmbajtjes së standardeve të cilësisë në arsim. Në mënyrë që kjo cilësi të mirëmbahet, vlerësimi sistemik është i domosdoshëm.
Më tutje, duke siguruar cilësi të mësimdhënies njëkohësisht arrihet cilësi e mësimnxënies. Gjithashtu, kjo e pëmirëson cilësinë e mësimdhënësve dhe llogaridhënien e tyre si dhe inkurajon zhvillimin profesional.
Në fund të kësaj kornize, jepen shembuj të katër vendeve: Ontario, Singapor, Angli dhe Kili. Pra, shembuj të cilët na japin një pasqyrë të gjerë për të analizuar se si sisteme të ndryshme arsimore e trajtojnë këtë çështje.
Disa të përbashkëta që kanë të gjitha këto vende është që vlerësimi bëhet në mënyrë periodike duke variuar nga çdo vit në çdo katër ose pesë vite. Përveç kësaj, këto vende ngjajnë poashtu është një “sistem vlerësimi” i cili bazohet në kritere objektive të cilat përdoren në secilën shkollë. Pra, nuk vihet në pikëpyetje ekzistimi i vlerësimit, por shihet si pjesë integrale e sistemeve shkollore.
Debati publik i deritanishëm në raport me vlerësimin e mësimdhënësve ka pasur një karakter relativisht negativ. Është parë si një proces i cili ka për qëllim të sulmojë dhe degradojë ata.
Është e domosdoshme që kjo temë të mos shihet nga një prizëm kaq i ngushtë. Fillimisht duhet respektuar ligji, pastaj mund të kemi një pasqyrë të gjendjes faktike në terren, dhe kjo bëhet vetëm kur i kemi të dhënat e sakta, gjë që pjesërisht bëhet përmes këtij vlerësimi.