Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vrapimi në drejtim të gabuar: Pakënaqësia e Ramës nga BE-ja në lidhje me vaksinimin është rezultat i nervozës në rritje

Kritika e fundit e Edi Ramës ndaj Bashkimit Evropian rreth përjashtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga planet e tij të imunizimit pasqyron rritjen e nervozizmit në marrëdhëniet midis Brukselit dhe vendeve në rajon. Ndërsa po zbehet gradualisht perspektiva e zgjerimit të BE-së, shumë njerëz po pyesin nëse po hyjmë në një epokë të re të marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Kritika publike ndaj BE-së është një zhvillim i ri dhe i paprecedent i ngjarjeve në politikën shqiptare. Deklaratat e Edi Ramës se vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen nga BE-ja si subjekte të klasit të dytë gjatë kohës së pandemisë paraqesin një përmbysje domethënëse të asaj që është thënë deri më tani për mënyrën se si perceptohet BE-ja në rajon.

Politikat në lidhje me vaksinimin

Kritikat ndaj Brukselit u intensifikuan kur presidenti serb reagoi ndaj ndalimit të eksportit të pajisjeve mjekësore në vendet jo-anëtare të BE-së, përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një përpjekje për të shpëtuar pozicionin e tij të brendshëm politik, presidenti Vuçiq u kthye kah lindja për të siguruar ndihmë nga Kina dhe Rusia, të cilat e plotësuan këtë boshllëk.

Në të njëjtin muaj, Shqipërisë iu bllokuan pajisje mjekësore në kufirin me Greqinë nën të njëjtin ndalim të BE-së për eksportet e pajisjeve mjekësore. Në mënyrë të ngjashme me zhvillimet në Beograd, një aeroplan i mbushur me pajisje mjekësore mbërriti në Tiranë dy ditë më vonë nga Turqia. Megjithëse Edi Rama u përmbajt nga kritikat më të ashpra ndaj BE-së në atë kohë, reagimi i tij ishte i ngjashëm me atë të homologut të tij serb. Është interesante që kritikat nga dy shtetarët ishin drejtuar pikërisht në periudhat para zgjedhjeve.

Në një konferencë shtypi në muajin janar ku ishte shpallur plani i imunizimit, Edi Rama kritikoi BE-në se “mendon vetëm për vete “. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të ketë një qasje të vetme dhe “ua la shteteve anëtare të bashkëpunojnë me vendet jo anëtare”, siç është rasti me Ballkanin Perëndimor, përkundër vërejtjeve se pandemia mund të kapërcehet vetëm përmes bashkëpunimit të përbashkët.

Në një intervistë, ambasadori i BE-së në Shqipëri pranoi se ishte i befasuar nga deklarata e Ramës, duke pasur parasysh solidaritetin e madh që ka treguar BE-ja për Shqipërinë në vitin 2020, kur, ndër të tjera, u ndanë 115 milion euro për rindërtimin pas tërmetit dhe organizimin e konferencës së donatorëve në të cilën u premtuan 1.15 miliardë euro.

Në një program televiziv të natës, Rama iu përgjigj pretendimeve të ambasadorit duke thënë se ai nuk mendonte se ky ishte faji i Komisionit Evropian, por që faj kanë disa vende anëtare të BE-së, të cilët, sipas tij ishin egoistë dhe cinikë. Kryeministri vuri në dukje se Franca është një nga vendet që ka vaksina në rezervë, megjithëse ato nuk janë gati për përdorim në ditët ose javët e ardhshme dhe nuk ka shpërndarë një pjesë të vogël të tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor që do të lejonte vaksinimin e personelit mjekësor.

Vijoi një refuzim i menjëhershëm dhe vendimtar i pretendimeve të tilla. Ambasada Franceze në Tiranë i dërgoi një notë verbale Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, duke treguar pavërtetësinë e pretendimeve të bëra nga Kryeministri. Nota bëri me dije gjithashtu papërshtatshmërinë e sulmeve ndaj një vendi miqësor dhe aleat. Ambasadori gjerman në Shqipëri e quajti deklaratën e Edi Ramës „një shenjë të mungesës së durimit në kohë krize.”

Për shkak se e kuptoi se kritikat nuk u pritën mirë në Bruksel, as në vendet anëtare të BE-së, Edi Rama nxitoi të sqaronte se kritikat nuk ishin drejtuar drejtpërdrejt ndaj Francës, por ndaj përjashtimit të përgjithshëm të „vendeve të Ballkanit Perëndimor nga shpërndarja e vaksinave nga ana e BE-së” për të cilën, sipas tij,”nuk ka justifikim”. Megjithatë, ai nuk i tërhoqi deklaratat e tij të mëparshme, gjë që tregon se ai është i bindur për këtë.

Sprint vo pogresna nasoka Nezadovolstvoto na Rama od EU e odraz na rastecka nervozaBurimi: neweurope.eu

Ky ngërç ishte i panevojshëm, por edhe në kohë për Ramën, aleatët e të cilit në BE dhe vendet kryesore anëtare tashmë po bëhen gjithnjë e më pak të largëta, gjë që mund të vërehet edhe nga mungesa e takimeve bilaterale me homologët e tij evropianë. Do të pritej që Kryesuesi i OSBE-së dhe diplomati i lartë i Shqipërisë do të kishte qenë më i butë dhe taktik në kritikat e tyre deri një muaj më parë, por, për habinë e shumë njerëzve, ai vendosi të përdorë fjalë të drejtpërdrejta. Pavarësisht se sa e justifikuar është kritika e tij, është e rëndësishme të kihet parasysh konteksti lokal i këtyre zhvillimeve.

Një kritikë që nuk i duhej Shqipërisë

Kah fundi i mandatit të tij të dytë, në të cilin partia e tij qeverisi në pjesën më të madhe pa shumë kontroll, Rama u përqëndrua në zgjedhjet e ardhshme. Nën presionin e premtimeve për një jetë më të mirë dhe një ekonomi më të mirë, shpërndarja e vaksinave ka qenë thelbësore në premtimet e tij zgjedhore për të provuar të shpëtojë shpresat e partisë së tij për një mandat të tretë.

Truket e zakonshme të fushatës këtë herë duket se janë më pak tërheqëse sepse besimi te partitë politike është në shkallë jashtëzakonisht të ulët. “E ngufatur” në propagandë, qeveria e Edi Ramës nuk ka arritur të japë rezultate në shumë fusha, përfshirë edhe integrimin evropian. Megjithëse vendit iu dha statusi i vendit kandidat brenda një viti nga mandati i tij i parë në vitin 2014, përparimi në hapjen e bisedimeve të anëtarësimit është përballur me disa pengesa, disa prej të cilave nuk mund t’i atribuohen mungesës së angazhimit të Tiranës. Duke e ditur se procesi është jashtë sferës së tij të ndikimit, diçka që ai e kishte pranuar vullnetarisht shumë më herët si një pikë justifikimi për mungesën e reformave, Edi Rama ka interes të thotë një fjalë më të madhe në lidhje me gjërat që po ndodhin rreth tij.

Kritikat ndaj Bashkimit dhe skemës së tij të imunizimit mund të justifikohen në kontekstin e besueshmërisë dhe angazhimit në një kohë kur integrimi është bërë më pak i parashikueshëm se më parë. Si rezultat i kësaj, në Shkup, Tiranë, Prishtinë ose kudo tjetër në rajon, procesi inkurajon premtime të pambajtura, mundësi të humbura dhe ulje të interesit nga vendet anëtare për zgjerim. Për më tepër presidenca aktuale portugeze me BE-në as nuk përmend zgjerimin në listën e përparësive të saj.

Sidoqoftë, kritikat e Edi Ramës tingëllojnë bosh kur bëhet fjalë për Turqinë, një vend me marrëdhënie problematike me BE-në. Ato tingëllojnë edhe më cinike duke pasur parasysh kontekstin e brendshëm në të cilin janë dhënë, duke pasur parasysh se shumë pjesë të vendit po përballen me efektet e përmbytjeve të fundit, duke përfshirë mungesën e ujit dhe energjisë elektrike ose qasjen e kufizuar në rrugë për shkak të dëmtimeve serioze të shkaktuara nga infrastruktura e dobët. Është e qartë se largimi i opinionit publik nga këto çështje është një alternativë më tërheqëse tre muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Duke ofruar qytetarëve shqiptarë më pak krahasuar me vitin 2013 ose 2017, por me një dëshirë të njëjtë për të fituar zgjedhjet, partia në pushtet rekrutoi politikanë të opozitës dhe i pranoi sërish ata që ishin larguar më parë nga politika me Ligjin për diskriminim, i cili kishte për qëllim pastrimin e politikës shqiptare nga personat e inkriminuar.

Në dritën e borxhit në rritje dhe stagnimit ekonomik për shkak të pandemisë, premtimet zgjedhore të Edi Ramës këtë herë janë më specifike. Në vend të rritjes ekonomike, më shumë vendeve të punës dhe pagave më të larta, ai premtoi të sigurojë furnizim të pandërprerë me ujë në të gjitha zonat urbane brenda mandatit të tij të tretë.

Duke marrë parasysh se imunizimi është thelbësor për fushatën, Edi Rama mund të ketë përfitimin më të madh nga kritikat e publikut ndaj BE-së. Në rastin më të mirë mund të çojë në më shumë ndihmë dhe vëmendje dhe në rastin më të keq mund të ndihmojë në largimin e vëmendjes nga dështimet e qeverisë së tij.

Leksione

Është e vështirë të shihet nëse politikat e vaksinimit do të diskutohen me dyer të mbyllura në periudhën e ardhshme, por është e qartë se kritikat e Ramës nuk u pritën mirë nga partnerët në BE dhe vendet anëtare që të gjithë kanë investuar shuma të mëdha parash të taksapaguesve të tyre për të financuar projekte publike në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mundësia e përsëritjes së skenarit serb ku opinioni publik u manipulua deri në atë pikë sa 40% e njerëzve mendojnë se donatori më i madh në vendin e tyre është Kina, duhet të na rikujtojë të gjithë ne për atë që mund të ndodhë. Në Shqipëri, opinioni publik për BE-në mbetet edhe më tej shumë pozitiv, me 86% të qytetarëve që e konsiderojnë anëtarësimin si një gjë të mirë krahasuar me vetëm 32% në Serbi. Megjithatë, kjo mund të ndryshojë nëse vazhdon retorika aktuale. Për këto arsye, vendet anëtare të BE-së, Brukseli, mediat lokale dhe shoqëria civile duhet të refuzojnë bindshëm ato deklarata që do të sakrifikonin procesin afatgjatë në këmbim të pikave të përditshme politike.

Sado joshëse ose e justifikuar mund të jetë, z. Rama dhe kolegët e tij rajonalë do të bënin mirë të mos kafshonin dorën që “ushqen” popullin e tyre, e cila investon në të ardhmen e tyre, e cila po ndërton shkollat ​​e tyre. Qëllimi për të fituar zgjedhjet nuk duhet të pengojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, i cili është donatori kryesor, investitori dhe partneri ekonomik i Shqipërisë. Ky fakt nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve të ardhshme.

 

Ky blog është publikuar në kuadër të iniciativës „Histori nga rajoni“ që e zbaton Res publica në bashkëpunim me Sbunker, HAD (Slloveni), Analiziraj.ba (BH), Ne davimo Beograd (Serbi), Makropolis (Greqi) PCNEN (Mali i Zi) dhe Lupiga (Kroaci).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.