Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zemra e luftës së ftohtë të re

Disa dekada pas udhëtimit historik të Richard Nixon-it në Kinë, përfshirja e Perëndimit me të ka qenë e përcaktuar nga interesa  ekonomike e të sigurisë, e vetëm pas kësaj prej të drejtave të njeriut. Por vetëm në vitet e fundit këto prioritete janë kthyer së prapthi.

Përkundër moskokëçarjes së presidentit amerikan Donald Trump karshi të drejtave të njeriut, ato kanë marrë rol qendror në përplasjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Ndërmjet burgosjes së shumicës së popullatës së ujgurëve myslimanë, vendosjes së një ligji të ri të sigurisë në Hong Kong dhe zgjerimit të shtetit të mbikëqyrjes të llojit Big Brother, shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut në Kinë kanë acaruar marrëdhëniet SHBA – Kinë më shumë se asnjëherë më parë që prej vizitës së Richard Nixon-it në Pekin më 1972. Muaji i gjatë mjaltit që erdhi pas atij zhvillimi diplomatik, tash ka marrë fund përfundimisht.

Për më shumë se katër dekada, politikëbërësit amerikanë i shihnin të drejtat e njeriut në Kinë jo si diçka me interes thelbësor, por më shumë si çështje vlerash për t’u promovuar në rastet kur këto nuk ndërhynin me çështjet ekonomike e të sigurisë me prioritet të lartë. Që prej vitit 2016, kur Trump-i bëri fushatë kundër Kinës, kundërshtimi i tij ishte përkitazi me marrëdhëniet “e padrejta” tregtare, e jo me të drejtat e njeriut. Me të marrë postin, ai u përmbajt nga kritika publike – dhe me sa dimë, edhe private – ndaj të drejtave të njeriut në Kinë me shpresën se do të arrinte një marrëveshje tregtare.

Megjithatë, vitin e fundit, zyrtarët e administratës së Trumpit të cilët e shohin Kinën si kërcënim ekzistencial ndaj Shteteve të Bashkuara kanë bërë që përplasja e vlerave sino-amerikane të vihet në qendër të rivalitetit strategjik të të dy vendeve. Në këtë drejtim, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në tetor të vitit të kaluar u shpreh:

“Shumë shpesh kemi ngurruar të flasim rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut atje dhe vlerat amerikane, atëhere kur janë në konflikt me njëra tjetrën, dhe gjithashtu kemi zhvleftësuar rëndësinë e dallimeve ideologjike, edhe pas masakrës në sheshin Tiananmen dhe të tjerave shkelje të të drejtave të njeriut… Sot, më në fund po e kuptojmë se sa vërtet armiqësore është Partia Komuniste e Kinës karshi Shteteve të Bashkuara dhe vlerave të saj…”

Pastaj, në një deklaratë në qershor të këtij viti, këshilltari për siguri kombëtareRobert O’Brien u shpreh në të njejtën linjë me Pompeon kur shtroi pyetje: “Si nuk arritëm të kuptojmë natyrën e Partisë Komuniste të Kinës? Përgjigjja është e thjeshtë: nuk i kushtuam vëmendje ideologjisë së PKK-së.”

Fushëbeteja e Vlerave

Ky ndryshim i garës SHBA-Kinë, prej pikëpamjes realiste në atë ideologjike, pasqyron faktorë në të dyja anët. Kur Xi Jinping-u u ngjit në pushtet në Kinë më 2012, administrata e tij fillimisht nuk kërkonte ballafaqim ideologjik me SHBA-në. Por ajo qe e shpejtë që të përfitonte nga rastet strategjike që u paraqitën me dobësimin e ndikimit global të Amerikës pas krizës financiare më 2008. Ky perceptim është përforcuar edhe nga mosgatishmëria e Amerikës që të përdorë forcën ushtarake si nën udhëheqjen e Barack Obamas ashtu edhe Trumpit, si edhe nga dobësimi i shpejtë i prestigjit të saj ndërkombëtar në katër vitet e fundit.

Me të ardhur në përfundimin se SHBA po tërhiqet nga përgjegjësitë e saj globale, Xi u nis të sfidonte praninë disa dekadëshe ushtarake e politike të Amerikës në rajonin e Paqësorit në Azi. Ndër të tjera, Kina ndërtoi një rrip ishujsh (artificialë) të militarizuar në Detin e Kinës Jugore dhe intensifikoi operacionet e saj detare përreth Ishujve Senkaku të kontrolluara nga Japonia, të cilat i konsideron të vetat (i quan Ishujt Diaoyu). Nën udhëheqjen e Xi-së, Kina ka tiranizuar vazhdimisht fqinjtë e tjerë të Azisë Juglindore – Indonezinë, Filipinet dhe Vietnamin, në veçanti – me pretendimet për ujërat territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Kina gjithashtu ka zgjeruar qasjen në resurset dhe tregjet globale përmes Belt and Road Initiative (BRI), dhe duke përdorur si fondet dhe vendosjen e personelit për të zgjeruar ndikimin e saj përbrenda institucioneve globale si Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara, Interpoli, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e të tjera. Për të arritur këto qëllime, Kina ndonjëherë ka përdorur propagandë të ngathët e strategji të “frontit të bashkuar” për të fituar përkrahës dhe për të ndëshkuar kritikët anëmbanë. Ndërkohë, pa dashur të rrezikojë shumë, Kina i është përgjigjur kritikave dhe sanksioneve të SHBA-së me të njejtën monedhë.

Në punët e brendshme, regjimi i Xi-së është përgjigjur me vendosmëri ndaj asaj që e konsideron erozion serioz të kontrollit politik jo vetëm në Tibet, Xinjiang dhe Hong Kong, por edhe ndaj akademikëve e juristëve libralë, e madje edhe përbrenda vetë Partisë Komuniste. Në secilin rast, regjimi ka goditur ashpër me metoda të ndryshme, që prej kampeve të internimit në Xinjiang, ligjit të sigurisë në Hong Kong e deri te fushata spastruese kundër korrupsionit përbrenda partisë. Këto e të tjera politika kanë ngritur alarmin në Perëndim lidhur me trendin autoritar në qeverisjen kineze.

Ndërsa në anën e amerikanëve, pasi që në fushatën presidenciale më 2016 Trumpi e kishte ngritur çështjen e të ashtuquajturës “hajni” të vendeve amerikane të punës nga Kina, asnjë prej kanditatëve nuk guxoi të mbronte tregtinë me Kinën, e lere më të shpaloste argumentin se angazhimi ekonomik do të mund të çonte në reforma politike atje. Pastaj më 2020, pandemia COVID-19 paraqiti rastin e përsosur për skifterët [përkrahësit e politikës së forcës] në administratën e Trump-it që të riorientojnë vendosmërisht politikën amerikane karshi Kinës në drejtim të qëllimit të tyre afatgjatë të çlidhjes së dy ekonomive.

Siç rezulton, reagimet e ashpra të administratës së Trump-it ndaj politikave kineze forcuan bindjen e qeverisë së Xi-së se Kina ballafaqohet gjithnjë e më shumë me kërcënime të jashtme. Kjo është brenga kryesore që ka motivuar politikat si ajo e ligjit të sigurisë në Hong Kong dhe eskalimi i presionit politik e ushtarak në Tajvan. Ndërkaq këto veprime kanë forcuar bindjen te zyrtarët në SHBA, Evropë, Australi se Kina po bëhet ajo që Komisioni Evropian më 2019 e kishte quajtur “rival sistemik” i Perëndimit.

Të drejtat e njeriut në krye

Ndjesia se marrëdhëniet SHBA-Kinë janë bërë konflikt i vlerave themelore nuk duket se do të zbehet në anën amerikane as edhe në një administratë të udhëhequr nga Joe Biden. Avokimi për të drejtat e njeriut i ka bashkuar kaherë dy partitë e mëdha amerikane, edhe pse Republikanët zakonisht përqendrohen më shumë në lirinë e fesë, ndërsa Demokratët në lirinë e shprehjes dhe asociimit dhe të drejtat e punës. Sidoqoftë, internimi i gati një milion ujgurëve dhe qytetarëve të tjerë kinezë në Xianjiang, së bashku me ligjin drakonian të sigurisë në Hong Kong, ka ndezur alarmin për të dyja partitë dhe publikun amerikan.

Për më tepër, janë ngritur shqetësime rreth cenimit të të drejtave dhe lirive të perëndimorëve nga Kina përmes ndalimit të vizave, monitorimit të studentëve kinezë në universitetet perëndimore, të aktiviteteve të Instituteve të Konfuçit, frikësimit të mediave në gjuhën kineze (që ka zgjuar rezistencë ndaj ndikimit kinez në Evropën Perëndimore, Australi, Zelandë të Re), si dhe praktika të tjera. Sipas drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) Christopher Wray, Kina është bërë shqetësimi kryesor i kundërinteligjencës për Byronë. Ajo po përpiqet të bëhet “superfuqia e vetme në botë … jo përmes inovacionit legjitim, as përmes garës së ligjshme dhe të drejtë, as duke i dhënë qytetarëve të saj lirinë e mendimit, të shprehjes e krijimit, të cilat ne këtu në Shtetet e Bashkuara i vlerësojmë lart,” thotë Wray, “por me çdo mjet të mundshëm.”

Pra, ajo që dikur ishte agjendë e specializuar e të drejtave të njeriut përbrenda politikës me të gjërë amerikane karshi Kinës, tash është zhvendosur në qendër të asaj që shumica e amerikanëve dhe shumë kinezë e shohin si një garë ideologjike gjithëpërfshirëse. Falë këtij ndryshimi thelbësor, marrëdhëniet dypalëshe do të përqendrohen gjithnjë e më shumë në të drejtat e njeriut si kornizë organizuese për çështjet si tregtia, investimet, shkëmbimi arsimor, qeverisja globale, ndihmat e huaja, strategjia ushtarake madje.

Sigurisht, janë ende disa strategjistë që thonë se gara me Kinën duhet të shihet në terma realistë: Amerika duhet ta pranojë Kinën siç është dhe duhet të kërkojë të gjejë një ekuilibër të qendrueshëm të fuqisë. Përkundër që ky grup ka përfaqësues me emër si Henry Kissinger, duket se ithatrët e kësaj qasjeje janë gjithnjë e më të paktë. Siç raportoi the New York Times në dhjetor 2019, “skifterët e Kinës po rriten sa në Kongres, në Administratë që gjithnjë e më shumë e shohin Kinën si kërcënim.”

Ky konsensus shtrihet gjërësisht në tërë spektrin politik amerikan. Në njërën anë janë të tillët si ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, i cili e konsideron Kinën si “kërcënimin më të madh për ne që prej Perandorisë Britanike në vitet 1770, shumë më të madh se Gjermania Naciste apo Bashkimi Sovjetik.” E në anën tjetër janë të tillët si unë dhe të tjerë në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, që avokojmë për “zhvillimin e metëjmë të pikave të forta amerikane për të garuar në mënyrë të efektshme me Kinën, duke bashkëpunuar sa të jetë e mundur në fusha të interesit të përbashkët.”

Lufta e Ftohtë e re

Duke e vendosur garën për të drejtat e njeriut, demokracinë, dhe sundimin e ligjit në qendër të garës strategjike SHBA-Kinë, administrata e Trumpit ka shpallur në fakt një luftë të ftohtë të re. Këtë herë, kjo është ndryshe prej Luftës së Ftohtë origjinale në disa aspekte kryesore.

Për fillim, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Kina nuk ka një program ideologjik që kërkon ta eksportojë në vendet tjera të botës. Edhe pse politikat janë të dobishme për regjimet autoritare, ajo nuk e ka mision që t’i shtyjë këto vende drejt një sistemi të dallueshëm kinez, dhe është e gatshme të punojë me të gjitha llojet e regjimeve për të çuar përpara interesat e saj ekonomike dhe diplomatike. Megjithatë, Kina ushtron shumë më pak fuqi të butë [soft power] se sa bënte Kremlini në Bashkimin Sovjetik. Me gjithë dëmin që SHBA i ka shkaktuar imazhit të vet gjatë qeverisjes së Trump-it, vlerat që përqafon Amerika mbesin bindshëm më joshëse se ato që ofron Kina.

Së dyti, Kina nuk ka bllok të aleatëve të sigurisë. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik që kishte një perandori në Evropën Lindore që t’i ofronte një aleancë si kamuflim, Kina rrethohet nga vende që i ruhen ndikimit të saj. Miqtë e saj janë të rrallë e për mall dhe nuk përfshijnë asnjëren prej fuqive të mëdha ekonomike të botës (me përjashtim të një Rusie të kujdesshme). Në fakt, Kina nën Xi-në duket se qëllimisht ka shtyrë shumë prej partnerëve potencialë – për shembull, Indinë e Indonezinë, – edhe më shumë drejt Amerikës.

Së treti, Kina nuk ka treguar shenja se do ta përmbysë rendin ndërkombëtar. Në vend të kësaj, po përpiqet të kopjojë elemente të rendit ekzistues duke krijuar institucione si Banka e Investimeve e Infrastrukturës Aziatike më seli në Pekin, e cila imiton punën e Bankës Botërore, por që ofron një shkallë të ndikimit kinez që liderët e Kinës e konsiderojnë në përputhje me statusin e vendit në botë.

Së katërti, marrëdhënia sino-amerikane përfshin elemente shumë më të mëdha të ndërvarshmërisë  se sa që ka pasur ndonjëherë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Me gjithë problemet në marrëdhëniet ekonomike sino-amerikane, të dy palët ende pëfitojnë mjaft nga tregtia, investimet, dhe shkëmbimi shkencor, arsimor, e kulturor.

Së pesti, për aq sa mund të thuhet, regjimi i tanishëm kinez është më pak i ndjeshëm ndaj kolapsit të brendshëm se sa doli të ishte regjimi sovjetik. Ndërsa Kina ka të ngjarë që të liberalizojë vizat në të ardhmen, megjithatë ka pak arsye të mendohet se në një të ardhme të parashikueshme ajo do të plasaritet ose shndërrohet në demokraci.

Së gjashti, mbase me e rëndësishmja për politikëbërësit amerikanë, bashkëpunimi me Kinën është i domosdoshëm për t’u përballur me problemet urgjente globale si ndryshimi klimatik, shëndeti i oqeaneve, dhe shpërthimet e ardhme pandemike.

Rikuperimi i pikave të forta të Amerikës

Për të garuar me sukses në fushën e vlerave globale, SHBA-ja duhet të bëjë katër ndryshime thelbësore në politikën e saj të jashtme dhe të brendshme. Së pari, duhet të rikthehet në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe të ndërmarrë rol më aktiv në diplomaci për sa i përket normave ndërkombëtare, si në raportin me Komitetet e Traktatit dhe në Procedurat Speciale dhe përgjatë agjencive të tjera të KB-së.

Së dyti, SHBA duhet të garojë aktivisht për ndikim përbrenda institucioneve ndërqeveritare ku vendosen rregullat globale që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, përfshirë OBSH-në, Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikimit, Organizatën Ndërkombëtare të Pronës Intelektuale, Interpolin, e të të tjerë. Në këtë drejtim, ajo duhet të bashkëpunojë me vende të tjera demokratike për të koordinuar pozicionet e përbashkëta rreth normave të reja që do të prekin të drejtat e njerëzve në shumë dimensione.

Së treti, për të promovuar vlerat universale karshi garës kineze, SHBA-ja duhet të tregojë shembull duke respektuar në masë më të madhe standardet ndërkombëtare që kërkon nga Kina t’i respektojë. SHBA-ja duhet të miratojë Konventën për Eliminimin e Të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave, Konventën e të Drejtave të Fëmijëve, dhe Konventën e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, si dhe instrumente të tjera ndërkombëtare, siç është Konventa e Kombeve të Bashkuara e Ligjit të Detit, që promovojnë sundimin e ligjit si parim të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, një politikë e suksesshme për të promovuar vlera të tilla duhet të bazohet në suksesin e dëshmuar të modelit amerikan. Themelet e ndikimit të çdo vendi shtrihen në shembujt e mirë që ofron. Për këtë arsye, Kina e ka shumë të vështirë që “ta tregojë storien e Kinës si duhet” përkundër miliarda dollarëve që investon në ndihma të huaja dhe në media.

Kur agjenda e të drejtave të njeriut ishte relativisht e specializuar, shembulli amerikan ishte qendror për kredibilitetin e saj. Bindja përmes shembullit është edhe më e nevojshme kur gara vlerore është gjithëpërfshirëse. Prandaj, prioriteti kryesor i amerikanëve në qasjen ndaj Kinës – dhe përgjithësisht në politikën e jashtme të SHBA-së – duhet të jetë mbështetja e normave demokratike, mbrojtja e sundimit të ligjit, ballafaqimi me trashëgiminë e racizmit sistemik, dhe respektimi i obligimeve ndërkombëtare ndaj azilkërkuesve. Duke mos respektuar të drejtat e njeriut në vend dhe jashtë vendit, administrata e Trump-it vetëm sa ka dobësuar pozicionin e Amerikës në garën rreth vlerave globale të cilën zgjodhi ta niste vet SHBA-ja.

***

Artikulli origjinal në Project Syndicate.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.