Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Zgjerimi i BE-së – një objektiv frymëzues që po largohet vazhdimisht

Në vitin 2020, asnjë nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka bërë përparim në procesin e integrimit evropian. Është e vërtetë që ata mund të kishin bërë më shumë, por kjo ende ngre pyetjen nëse vetë procesi “funksionon” në rast se askush nuk përparon dhe shumë vende nuk përparojnë për vite, dekada. Veprimet e gabuara nga të dy palët kanë çuar në një mosbesim të ndërsjellë, i cili reflektohet në reforma.

Më kujtohet në vitin 2014 se si deklarata e Zhan Kllod Junker (Jean-Claude Juncker), i cili, kur u zgjodh president i Komisionit Evropian, tha se nuk do të kishte zgjerim të Bashkimit Evropian deri në vitin 2020, një deklaratë që kishte një ndikim negativ në vitin 2014. Reagimet nga të gjitha palët ishin aq të ashpra saqë ai më vonë u përpoq ta zbuste atë deklaratë. Sidoqoftë, ja ku jemi në vitin 2021 dhe zgjerimi nuk po shihet askund as tani.

Presidenca gjermane nuk i përmbushi pritjet

Presidenca gjermane e Bashkimit Evropian, përveç synimeve dhe përpjekjeve më të mira, nuk arriti të japë frymëzimin e pritur të aderimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, por vetëm i shpëtoi ato marrëdhënie nga një përkeqësim më serioz. Vetëm ky fakt flet shumë rreth asaj se sa probleme janë nën sipërfaqe dhe sa rezistencë ka nga vendet anëtare ndaj idesë së zgjerimit të mëtejshëm. Shumë aktorë në Bashkimin Evropian nuk besojnë se Ballkani do të shndërrohet ndonjëherë në vende serioze me shtetin e së drejtës. Ata dyshojnë për ne, ne gjithashtu dyshojmë për ta, se ata do të “na lejojnë të futemi brenda” ndonjëherë. Në një atmosferë të tillë, është e vështirë të mbash entuziazmin evropian. Sidoqoftë, kjo është akoma rruga më e mirë për ne, nga të gjitha të mundshmet.

Ne mund të themi për Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian se ata sinqerisht besojnë në ëndrrën evropiane të unitetit, solidaritetit dhe një Evrope të bashkuar dhe se ata po punojnë në mënyrë aktive për ta bërë Ballkanin Perëndimor pjesë të Bashkimit, atje ku e ka vendin. Megjithatë, historia e marrëdhënieve tregon se këto institucione nuk kanë fuqi të mjaftueshme për të mbajtur premtimet e bëra sepse vendet anëtare të BE-së i mbajnë vendimet në duart e tyre. Me vendime të padrejta janë përballur jo vetëm nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por edhe Kosova, në lidhje me liberalizimin e vizave, por edhe Bosnja dhe Hercegovina, e cila ende nuk ka madje as statusin e vendit kandidat. Mali i Zi dhe Serbia kanë filluar të çalojnë për vite me rradhë.

Nuk është sekret që Franca, Danimarka, Hollanda, Spanja dhe të paktën dy-tre shtete të tjera anëtare kanë një qëndrim të rezervuar ndaj kësaj teme dhe po llogarisin te njëri-tjetri se procesi do të ngadalësohet dhe do të bëhet më i vështirë. Kulmi i ngecjes mund të shihet nga fakti se në fund të vitit 2020, nuk u miratuan Konkluzionet mbi procesin e zgjerimit/stabilizimit dhe asociimit. Konkluzionet janë bllokuar në Këshillin e Ministrave dhe nuk ka asgjë të veçantë në to dhe ato nuk përmbajnë ndonjë detyrim ligjor – as për BE-në dhe as për Ballkanin Perëndimor, por përkundrazi kanë një karakter motivues dhe mbajnë lidhjen e brishtë midis Bashkimit dhe nesh.

Vlezot vo EU podvizna meta koja postojano se oddalecuvaBurimi: europeanwesternbalkans.com

Bllokadë e re për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Megjithëse rajoni ynë është mësuar me jokonzistencën në zbatimin e Strategjisë së zgjerimit, lajmi për bllokadën e fundit të Maqedonisë për shkak të një mosmarrëveshje dypalëshe me Bullgarinë ka zbrazë një injeksion të ri të pashpresës në marrëdhëniet e BE-së me-Ballkanin Perëndimor. Gjermania e fuqishme nuk arriti të “ubusë” pozicionin e Bullgarisë dhe kjo të kujton shumë kokëfortësinë e Greqisë, e cila e ka mbajtur Maqedoninë nën bllokadë për një dekadë të tërë. Këto vendime janë plot të pakuptimta, iracionalite, kryesisht sepse hapja e negociatave në të vërtetë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Mali i Zi e ka fituar kornizën e negociatave tetë vjet më parë dhe nuk ka garanci se do të përfundojë ndonjëherë negociatat. Korniza negociuese është thjesht një formalitet, hapi i parë në rrugën e madhe që duhet të ndjekim, një rruge që nuk mund t’i shikohet fundi. Në këtë drejtim, pritet që Metodologjia e re e negociatave të ndihmojë që procesi të jetë më thelbësor dhe politik dhe jo vetëm teknokratik, sikur ka qenë në mënyrë dominuese deri më tani. Sidoqoftë, një vit pas miratimit të saj, ajo nuk është përpunuar në detaje, madje as nuk ka filluar zbatimi i saj.

Thelbi i bllokadës së Maqedonisë së Veriut është që çdo shtet anëtar mund në çdo kohë të “shpikë” një kriter të ri, një kriter që nuk është i rëndësishëm për natyrën e negociatave, i cili ka të bëjë me legjislacionin evropian, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, cilësinë e demokracisë. Kjo sjellë pasiguri, paparashikueshmëri në proces dhe minon besimin. Bllokimi i shtetit aspirant në bazë të çështjeve të çastit (ad hoc), siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe interpretimet e ndryshme të historisë, kulturës, identitetit, nuk kanë vend absolutisht në “politikën e kushtëzimit”. Vetëm nëse ka ndonjë qëllim, që negociatat të zgjasin në rrugë pafund.

Shumë „shkopinj“, e pak „karrota“

Veprimet” jashtë politikës së planifikuar të zgjerimit dhe metodologjisë së vendosur po ndodhin vazhdimisht, dhe ky fakt është mjaft dëshpërues dhe demotivon ata që po punojnë për transformimin e Ballkanit Perëndimor në një mjedis të zhvilluar dhe progresiv. Përse? Procesi i anëtarësimit është i vështirë dhe kërkon që vendet tona të ndryshojnë, të përmirësohen, të heqin dorë nga praktikat e tyre problematike, të ngushtojnë vullnetin e liderëve autoritarë dhe duke bërë këtë, ata në të vërtetë dyshojnë se do të shpërblehen me të drejtë për këtë. Ballkani Perëndimor po negocion sipas kritereve më të rrepta deri më tani nga të gjitha vendet që janë bërë anëtare, megjithëse disa prej tyre madje nuk i kanë miratuar vetë të gjitha standardet. BE-ja duhet të ketë një mirëkuptim për këtë realitet dhe, përveç “shkopinjve” me të cilët ndëshkon vendet kur nuk përmbushin detyrat e tyre, duhet të ketë edhe më shumë “karrota” me të cilat do t’i shpërblejnë vendet kur në të vërtetë arrijnë rezultate.

Ndaj këtij argumenti, dikush nga BE-ja zakonisht do të përgjigjet “por ju duhet të zbatoni reformat për të mirën tuaj”. Po, absolutisht. Sidoqoftë, kushdo që e thotë këtë nuk e kupton se sa fuqi joshëse, si fenomen, është në vetvete dhe sa e vështirë është të heqësh dorë vullnetarisht nga një epërsi kaq e madhe që pushtetarët e Ballkanit kanë në duart e tyre. Çdo reformë e suksesshme është në thelb një heqje dorë me vetëdije, një ulje e përqendrimit të fuqisë, futje e rregullave, parashikueshmëri, kontroll, baraspeshë, distribuim fuqie dhe pushteti.

Natyrisht, reformat janë më të rëndësishme për veten tonë, për qytetarët, por është gjithashtu një fakt që presioni dhe “kërkesa” për reformat në vendet tona është e vogël, e pamjaftueshme, që të gjitha partitë politike të secilës qeveri dhe secila rrymë të ketë boshllëqe në të cilat ata mund të ndjekin interesat e tyre përtej vlerave evropiane. Klientelizmi dhe praktikat informale janë një mënyrë jetese në Ballkanin Perëndimor. Forcat progresive që shtyjnë përpara janë pakicë kudo. Këta janë individë dhe grupe të rralla në media, shoqëri civile, pjesë partie dhe shoqata joformale të qytetarëve dhe BE-ja duhet ta njohë këtë dhe të ndihmojë forcat e tilla duke mbajtur fjalën që kanë dhënë. Reformat kryesore janë po aq të mundimshme sa edhe përmbushja e planeve të Vitit të Ri, të cilat i kemi planifikuar mirë, por disi në Vitin e Ri gjithçka do të jetë e njëjtë si më parë.

Negociatat janë të gjata dhe jo efektive. Kjo mund të shihet nga fakti që vitet kalojnë, por përparim nuk ka. Ata e dinin këtë në BE kur filluan të punojnë me Metodologjinë e re. Është e gabuar, madje një supozim i pakuptimtë i disa vendeve anëtare të BE-së që sa më shumë të zgjasin negociatat, aq më i gatshëm do të jetë vendi kur të aderojë. Për një arsye shumë të thjeshtë, dhe kjo është se vendet për të cilat ai moment i anëtarësimit është larg në të ardhmen, nuk bëjnë përpjekjet e tyre maksimale për të bërë detyrat e tyre tani. Kur Juncker tha në vitin 2014 se nuk do të kishte zgjerim, Mali i Zi menjëherë zvogëloi përpjekjet e tij dhe kjo reflektoi në përparimin në negociata. Pse të bëjmë diçka në vitin 2015, kur nuk do të ketë shpërblime për kohë të gjatë? Është më e rëndësishme të fitohen zgjedhjet e vitit 2016, duke përdorur burimet shtetërore në mënyrë të paligjshme.

Kriteret për progresin i nënshtrohen politizimit dhe shkojnë në dy drejtime – njëra është që shteti të përparojë në proces sepse është një vendim politik të jetë i tillë, megjithëse objektivisht nuk e ka merituar sa duhet dhe tjetri nuk duhet të përparojë, njësoj për arsye politike, megjithëse ka bërë shumë hapa të rëndësishëm përpara. Të dyja janë të këqija, për vetë procesin dhe për besimin.

Ndërsa e gjithë kjo po ndodh dhe ne jemi vazhdimisht duke marrë sinjale të pafavorshme për rajonin, autoritetet e reja malazeze po japin deklarata se ekziston një shans real për Malin e Zi për të përfunduar negociatat deri në vitin 2025, respektivisht për të përmbushur të gjitha detyrimet deri në vitin 2023. Është e vërtetë që Mali i Zi ka marrë sigurime nga Brukseli se, nëse përmbush detyrat e tij, ai mund të bëhet pjesë e BE-së. Megjithatë, garanci të tilla iu dhanë edhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Garanci të tillë i patën dhënë edhe Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, duket se diçka serioze dhe thelbësore duhet të përmirësohet në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të mund të shpresojmë me të vërtetë në zgjerimin e dëshiruar.

 

Edicioni i tretë i projektit “Histori nga rajoni” zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Shqipëria (IDM), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN), Bullgaria (sega.bg), Greqia (Macropolis) dhe Sllovenia (Had).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.