Connect with us

Hi, what are you looking for?

Blogje Tematike

Devijimi i qeverisë nga prioritetet dhe interesat strategjikë të Kosovës

Ilustrimi: BigEye

Identifikimi i interesave shtetërorë dhe prioriteteve strategjike të Kosovës mund të bëhet me një skanim të thjeshtë të Programit të Qeverisë, Strategjisë së Sigurisë dhe Strategjisë së Mbrojtjes. Në këto dokumente, bashkëpunimi, bashkërendimi dhe koordinimi me aleatët kryesorë shihet si qendror për realizimin e interesave të shtetit të Kosovës. Mirëpo, anashkalimi dhe moskoordinimi me aleatët kryesorë të Kosovës, përmes veprimeve të njëanshme të qeverisë gjatë krizës së fundit në veri të vendit, shkon kundër frymës dhe logjikës së këtyre dokumenteve.

Çështjet që qeveria ka problematizuar në veri – prej targave, dokumenteve personale e së fundmi bojkotimit të zgjedhjeve nga qytetarët me përkatësi serbe – vazhdimisht ka tentuar t’i zgjidhë pa sukses përmes veprimeve policore, duke injoruar edhe rekomandimet, edhe bashkërendimin me partnerët kyçë. Kjo qasje, përveçqë ka çuar në tensionim me shtetet mike, ka sjellë një frymë ku besohet që bashkëpunimi dhe koordinimi nuk janë të rëndësishëm dhe Kosova thjesht po ushtron pushtetin e saj shtetëror.

Kjo detyrimisht ka çuar te largimi nga praktika e deritanishme e shtetit të Kosovës, që ka mbajtur raport të ngushtë këshillues e koordinues me ShBA-në, aleatin më të rëndësishëm të Kosovës. Veprimet e Qeverisë Kurti karshi dialogut Kosovë-Serbi dhe komunitetit serb në veri të vendit janë trumpetuar si ushtrim i zakonshëm i mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, veprime të cilat arritën pikën kulmore me krizën aktuale politike dhe konfrontimin në veri të vendit. Në anën tjetër, fryma e krijuar që e sheh bashkërendimin dhe koordinimin me aleatët si çështje terciare shkon kundër logjikës së dokumenteve strategjike.

Programi i Qeverisë

Sipas Programit të Qeverisë (2021-25), një prej shtyllave të veprimtarisë së Kosovës në ndjekjen dhe realizimin e interesave shtetërorë është “bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-në dhe partneriteti me aleatët në BE, NATO dhe më gjerë”. Tutje, në Planin e Qeverisë, thuhet se prioritet i politikës së jashtme është forcimi i subjektiviteti ndërkombëtar të Kosovës. Për ta arritur këtë, bashkëpunimi Kosovë-ShBA shishet si fondamental. Programi shpreh se do të synohet “zgjerimi i partneritetit me ShBA-në në aspekte të ndryshme, [dhe] krahas partneritetit politik do të thellohet bashkëpunimi në rrafshin e sigurisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe diplomacisë publike”.

Sipas dokumentit, synimi i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës është të forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe që, për të arritur këtë synim, Republika e Kosovës nën qeverisjen e Kurtit do të jetë ‘e parashikueshme dhe e guximshme, si dhe bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-në dhe vendet e BE-së.’ Edhe në raportin me Serbinë dokumenti i jep vend qendror partneritetit me ShBA-në dhe shtetet mike europiane, Mirëpo, sjellja e Qeverisë së Kosovës, që ka çuar në konfrontim të drejtpërdrejtë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, shkon kundër frymës dhe logjikës së Programit të Qeverisë.

Strategjia e Sigurisë

Një dokument tjetër shtetëror shumë i rëndësishëm për identifikimin e interesave vitalë të vendit është Strategjia e Sigurisë e Kosovës, e cila vë në pah kërcënimet me të cilat përballet, si dhe vlerat e orientimin e Kosovës. Dokumenti i jep rol qendror “fuqizimit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe partneritetit me ShBA-në.” Në kontekst të kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj Republikës së Kosovës, sfidë kryesore është pretendimi territorial i Serbisë dhe instrumentalizimi i komunitetit serb në veri të vendit. Kjo, sipas dokumentit, ndodh si pasojë e integrimit jo të plotë të qytetarëve të kësaj pjese, që shfrytëzohet nga Serbia për realizimin e qëllimeve të saj në Kosovë.

Në frymën e asaj që shprehet në Strategjinë e Sigurisë dhe analizës faktike të gjendjes, veprimet e qeverisë në vitet e fundit nuk kanë pasur ndonjë efekt drejt integrimit të serbëve të veriut – përkundrazi, ato kanë prodhuar efektin e kundërt duke kontribuar në nxjerrjen e veriut dhe popullsisë së kësaj pjese nga kontrolli shtetëror dhe pjesëmarrja në institucionet shtetërore.

Një fjali tjetër interesante në Strategji thotë shprehimisht se: “Rusia dhe shtetet e tjera autoritare, të cilat marrëdhëniet ndërkombëtare i shohin si raporte transaksionale ndërmjet palëve, synojnë destabilizimin e botës demokratike, përmes përçarjes së aleancave perëndimore.” Sipas leximit tim të pozicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo shpreh edhe një kundërthënie tjetër të partisë në pushtet, pasi për ironi ajo vazhdimisht ka lënë të kuptohet që marrëdhëniet mes shteteve në përgjithësi janë të bazuara vetëm në interesa e jo në miqësi e vlera.

Përkundër që Strategjia bashkëpunimin dhe aleancën me ShBA-në dhe shtetet e tjera perëndimore i sheh si vendimtare për arritjen e interesave strategjikë të Kosovës, si kurrë më parë bashkëpunimi dhe marrëdhëniet me partnerët janë në pikën më të ulët.

Strategjia e Mbrojtjes

Strategjia e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, e aprovuar rishtazi, u jep të njëjtën rëndësi bashkëpunimit me vendet mike dhe prezencës ushtarake të NATO-s në Kosovë. Strategjia e Mbrojtjes thekson që në mesin e katër interesave vitalë shtetërorë të Kosovës është “qëndrueshmëria rajonale dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”. Në kontekstin e politikave të mbrojtjes së Kosovës, ky interes nënkupton anëtarësimin në strukturat euro-atlantike të sigurisë, dhe është e pamundur të realizohet pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e ShBA-së. Sipas Strategjisë, partneriteti strategjik me ShBA-në është “garantues i interesave jetikë të vendit”, dhe roli i ShBA-së është “veçanërisht i madh në lehtësimin e integrimit në NATO, në nismat rajonale dhe në zhvillimin e sektorit të mbrojtjes dhe sidomos të FSK-së”.

Një tjetër synim i Kosovës, sipas dokumentit, është pjesëmarrja në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me shtetet anëtare ose partnere të NATO-s. Pjesëmarrja në Defender Europe – 2023 mund të konsiderohet si organizim kyç në realizimin e këtij synimi dhe përjashtimi i Kosovës nga këto stërvitje e ka devijuar Kosovën nga realizimi i synimeve të saj. Përmes largimit e prishjes së marrëdhënieve me aleatët kryesorë, shtetit të Kosovës i janë krijuar pengesa në rrugëtimin e saj për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

Tentimi për t’i zgjidhur problemet në veri vetëm përmes metodave policore është indikator i improvizimit politik dhe mungesës së dukshme të një strategjie, koordinimi dhe  vizioni të përgjithshëm politik, që rezulton me devijim nga prioritetet kombëtare dhe interesat strategjikë të Republikës së Kosovës. Përveçqë ushtrimi i pushtetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit është kufizuar, tensionet e krijuara me partnerë ndërkombëtarë nga veprimet e njëanshme, të pamenduara e të pakoordinuara të kryeministrit, u kanë dhënë mundësi Serbisë dhe strukturave kriminale të Vuçiqit t’i kapitalizojnë ato, duke ia dalë t’ia hedhin fajin Kosovës. Ngjarjet e fundit në veri kanë krijuar një problem të sigurisë në Kosovë dhe ka rrezik të krijojnë një kontekst të ri në favor të vetëqeverisjes serbe, duke qenë se përfaqësimi i serbëve në sistemin aktual qenka i ‘kërcënueshëm’ edhe në nivelin e përfaqësimit lokal e lëre më në realizimin e të drejtave më të gjera politike.

Qeveria e Kosovës ka devijuar dukshëm nga prioritetet e shprehura në dokumentet strategjike të Kosovës. Qeveria Kurti ka prodhuar një shpërputhje deluzive, ku ajo çka thuhet dhe shkruhet në dokumentet shtetërore nuk përputhet me veprimet në terren. Koordinimi dhe bashkërendimi me aleatët kryesorë të Kosovës është fondamental për përmbushjen e synimeve të Kosovës, sidomos në shtrirjen e pushtetit shtetëror në pjesë veriore, por qeveria i ka lexuar si të ndara dhe të shpërputhura interesat e Kosovës nga interesat e partnerëve të saj, në mënyrë që ta arsyetojë edhe konfrontimin me komunitetin ndërkombëtar në emër të shtrirjes së sovranitetit.

Author

  • Arbër Ahmeti

    Arbër Ahmeti është jurist dhe hulumtues me specializim në të drejtën ndërkombëtare. Interesat e tij studimore janë në fushën e të drejtës dhe sigurisë ndërkombëtare, drejtësisë penale dhe të drejtës humanitare, si dhe në të drejtën në shtetet e dala nga konfliktet. Ai ka qenë hulumtues i ftuar në Institutin për Paqe dhe Menaxhim të Konflikteve në Akademinë Kombëtare të Mbrojtjes në Austri ku ka mbuluar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe kontribuues në Raportet e Oksfordit për të Drejtën Ndërkombëtare ku mbulon juridiksionin e Shqipërisë.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.