Po ashtu, filmi ekspozon shumë mirë edhe fuqinë reale të pushtetit oligarkik – ku agjentët e Ford-it shihen duke shantazhuar qeveritarë të ndryshëm për t’i heshtur kërkesat legjitime të grave punëtore. Këtu, do të përmendja veçan dy instanca të rëndësishme nga filmi. Së pari, kur një vartës i Ford-it e shantazhon Barbara Castle (Miranda Richardson), Ministren e Punës, me tërheqje të investimeve dhe mbyllje të fabrikave në Mbretërinë e Bashkuar (një sjellje kjo që të rikujton sjelljen e shumë investitorëve të huaj në vendet e pazhvilluara dhe vendet në zhvillim). Dhe, së dyti, kur vetë kryeministri Ëilson i thotë ministres Barbara që ai ka folur në telefon me Ford-in, dhe e ka siguruar atë se qeveria që ai e udhëheq nuk do të mbështes në asnjë rrethanë grevën e grave punëtore. Citoj: “Kam kaluar gjysmë-orën e fundit në telefon me Ford-in, duke e siguruar atë se qeveria që ynë nuk është në anën e grevisteve. Kështu që, çfarëdo që të bësh, mos e mërzit assesi Fordin.”
Njëkohësisht, filmi ekspozon shumë mirë edhe kapjen e të ashtu-quajturave sindikata të punëtorëve; të cilat, në vend se të mbrojnë të drejtat dhe interesat e punëtorëve nga pushteti oligarkik, janë shndërruar mu në instrumente të interesave oligarkike, duke i kontribuuar eksploatimit të mëtutjeshëm të punëtorëve. Realisht, kjo dhe është arsyeja pse gratë punëtore me të drejtë vendosin të marrin fatin e tyre në duar, duke mos lejuar qoftë sindikatat, qoftë ndonjë parti tjetër të manipulojë me kërkesat legjitime të tyre.
Paralelisht me këto, gjykoj se filmi, besoj unë, shpalos edhe faktin tjetër që, përveç punës që detyrohen të bëjnë në vendet e tyre të punës, grategratë, në të shumtën e rasteve, detyrohen të përkujdesen njëherësh për punët e shtëpisë, nevojat e burrave të tyre, nevojat e fëmijëve, e kështu me radhë. Cka do të thotë se shumicën e kohës e kalojnë duke punuar (qoftë në vendet e tyre punës, qoftë në familje).
Të gjitha këto, pa dyshim, janë të rëndësishme.
E megjithatë, janë disa gjëra të tjera që, për mendimin tim, janë edhe më të rëndësishme së këto. Së pari dhe tejet e rëndësishme për këto kohëra post-politike që po i jetojmë, është që pavarësisht faktit se gratë makiniste diskriminohen mbi baza gjinore, ato prapëseprapë e kornizojnë aksionin politik të tyre në regjistrin politik dhe jo në atë identitar. Këtu, do të vecoja sidomos fjalimin e bukur të Rita-s në mbledhjen e sindikatave, ku, në mes të tjerash, ajo deklaron dy gjëra tejet të rëndësishme. Së pari, që punëtorët ndajnë identitete të ndryshme, si religjioze, kombëtare, racore, kontinentale, etj., por më me rëndësi së këto është që ata ose ato ndajnë identitetin e përbashkët politik: faktin që janë punëtorë dhe punëtore. Dhe, së dyti, që shoqëritë nuk mund të ndahen në baza gjinore, por vetëm në raport me padrejtësitë e sistemeve ekonomike dhe politike: me fjalë të tjera, midis atyre që janë të gatshëm të pranojnë padrejtësitë e sistemeve të tilla, dhe atyre që janë të gatshëm për të luftuar për atë që është e drejtë. Siç shprehet edhe vetë Rita:
Ne jemi klasa punëtore – burra dhe gra. Ne nuk jemi të ndarë nga gjinia, por vetëm nga ata që janë të gatshëm të pranojnë padrejtësinë dhe ata…që janë të përgatitur për të luftuar për atë që është e drejtë.
Po ashtu, mendoj se filmi nxjerr në pah shumë mirë edhe efektin zingjiror që revoltat dhe grevat e punëtorëve kanë në përgjithësi, ku një fitore e punëtorëve në një fabrikë ose vend të caktuar ka efekte gjithandej botës. Madje këtë gjë – që një fitore në një fabrikë punëtorësh ka efekt të gjerë – e pranon edhe vetë zoti Ford, ku në një bisedë me vartësit e tij deklaron si në vijim: “Nëse kjo grua [Rita O’Grady] e realizon atë që po kërkon [në emër të grave të tjera], ne [kompania Ford] do të detyrohemi ta bëjmë atë në të gjithë botën.”[ii]
Tjetra dhe që, në mendimin tim, tejet e rëndësishme në luftën për emancipim dhe çlirim të grave nga pabarazitë dhe hierarkitë shoqërore, është që vetëm nëpërmjet formave kolektive të subjektivitetit politik, dhe vetëm në momente rezistence gratë mund të bëhen të vetëdijshme për rëndësinë e ndërgjegjes feministe. Përveç Rita-s, e cila e zbulon vetëdijen e vet feministe në momente të tilla subjektivimi politik, këtu do të përmendja edhe tri gra të tjera: Lisa-n, Brenda-n dhe Barbara-n.
Në rastin e Lisa-s, ta zëmë, ajo fillimisht nuk shfaqet aspak solidare me gratë e tjera. Mirëpo më pas, respektivisht pas abuzimit constant nga burri i saj dhe shoqërimi me Rita-n, ajo fillon të solidarizohet me kauzën e grave makiniste. Madje në një rast, siç mund ta shohim edhe nga videoja më poshtë, ajo i lutet Rita-s që të mos dorëzohet deri në realizimin e kërkesave legjitime të grave punëtore për pagë të barabartë dhe përmirësim të kushteve të punës:
Brenda (Andrea Riseborough), një karakter shumë i lezetshëm në film, dhe që e ka ëndërr të bëhet modele, është një shembull tjetër i vetëdijësimit të saj për rëndësinë e ndërgjegjes feministe në momente të tilla rezistence. Fillimisht, ajo i bashkohet grevës së grave makniste, meqë edhe vetë punonte aty. Mirëpo, duke qenë se e kishte pasur ëndërr të bëhej modele, menaxherët e Ford-it e eksploatojnë këtë gjë, duke i premtuar asaj një “karrierë të bujshme” në reklamimin e makinave të Ford-it. Natyrisht, me kusht që ajo të ndërpres grevën dhe të fillojë punën. Dhe kështu ndodhë në fakt: ajo e pranon ofertën e Ford-it, me ymytin se “ëndrra” e saj do t’i bëhet realitet. Sidoqoftë, me ta kuptuar këtë gjë, Rita menjëherë shkon në “vendin e krimit” për ta takuar Brenda-n dhe, pas një muhabetit të sinqertë me të, Brenda i bie pishman që ka pranuar ofertën e Ford-it dhe, menjëherë më pas, i bashkohet grevës së grave makiniste – duke e lënë të nënkuptohet se ëndrrat individuale për “karrierë të bujshme” nuk bën, dhe nuk duhet, t’i sipërvendosen atyre kolektive. Sidoqoftë, me ta kuptuar këtë gjë, Rita menjëherë shkon në “vendin e krimit” për ta takuar Brenda-n dhe, pas një muhabetit të sinqertë me të, Brenda i bie pishman që ka pranuar ofertën e Ford-it dhe, menjëherë më pas, i bashkohet grevës së grave makiniste – duke e lënë të nënkuptohet se ëndrrat individuale për “karrierë të bujshme” nuk bën, dhe nuk duhet t’i sipërvendosen atyre kolektive.
Dhe, së fundmi, do të përmendja Barbara-n, Ministren e Punës në qeverinë e drejtuar nga Ëilson, e cila, në fillim nuk shfaqet aspak përkrahëse e grave makiniste. Ama më pas, gjegjësisht pasi fillon të interesohet më shumë rreth grevës dhe protestave të tyre, ajo vendos t’i takojë ato – përkundër kërcënimeve të përfaqësuesit të kompanisë së Ford-it për të mos i takuar ato. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, t’ua plotësojë kërkesat atyre për pagë të barabartë.
Gjithashtu, filmi bën një punë të mirë duke treguar rëndësinë e mosmarrëveshjes në atë që njihet si situatë e të folurës. Me këtë kam parasysh mënyrat e ndryshme se si gratë (të cilat veprojnë në emër të barazisë) dhe menaxhmenti i Ford-it dhe të tjerët (të cilët (për)bëjnë rendin shoqëror) e përceptojnë punën që gratë makiniste bëjnë: derisa gratë e përceptojnë si punë (gjysmë) të kualifikuar, menaxhmenti i Fordit dhe të tjerët e shohin si punë të pakualifikuar (unskilled work). Sipas një mendimtari bashkëkohor francez, kjo është një modë tipike e subjektivimit politiko-demokratik.
Dhe e fundit por assesi për nga rëndësia, filmi e nxjerr në pah një problem të madh, në lidhje me diskriminimin gjinor që ekziston në atë që njihet si tregu i punës; ku gratë, pavarësisht kualifikimeve profesionale të tyre, paguhen dukshëm më pak se burrat. Dhe e fundit, por assesi për nga rëndësia, filmi e nxjerr në pah një problem të madh, në lidhje me diskriminimin gjinor që ekziston në atë që njihet si tregu i punës; ku gratë, pavarësisht kualifikimeve profesionale të tyre, paguhen dukshëm më pak se burrat. Në fakt, kjo dhe ishte arsyeja fillestare pse vendosa të shkruaj rreth këtij filmi, sepse pavarësisht ligjeve të shumta kundër diskriminimit gjinor në Kosovë dhe Shqipëri, prapëseprapë gratë diskriminohen në forma të ndryshme në tregun e punës, dhe jo vetëm.
Të merremi vesh: situata nuk është më e lehtë as për punëtorët burra, të cilët, në jo pak raste, janë duke e gjetur edhe vdekjen në vendet e tyre të punës. (Që të sjell ndërmend atë konstatimin e famshëm të shkrimtarit kilean, Roberto Bolano, mbi dallimin midis borgjezisë dhe klasës punëtore: Për borgjezinë dhe borgjezinë e vogël, thoshte ai, jeta është një party. Çdo fundjavë ata kanë nga një party. Punëtorët, nga ana tjetër, nuk kanë party. Vetëm vdekje ritmike).
Prapëseprapë, mendoj se, ndryshe nga burrat, gratë janë të diskriminuara dhe të shfrytëzuara dyfish: edhe si punëtore, edhe si gra. Edhe në vendet e punës, edhe në familje.
Për këto arsye, dhe për të tjera që nuk kam mbërritur të përmend, do të ishte e udhës që filmi në fjalë të shfaqet, si formë artistike e ndërgjegjësimit dhe kundërshtimit ndaj këtyre padrejtësive dhe pabarazive ndaj klasës punëtore.
______________
[i] Kjo, sigurisht, nuk përjashton rastet e dhunës psikologjike apo subjektive në hegjemoninë familiare, siç është rasti i dhunës së burrit të Lisa-s ndaj saj.
[ii] Sot, besoj se situata është më e komplikuar në nivel global, meqë punëtorët në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluar nuk i gëzojnë as për së afërmi të drejtat që punëtorët në vendet Perëndimore i gëzojnë.