Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Analogjitë e paqëndrueshme të Putinit për Kosovën dhe rajonet e aneksuara në Ukrainë

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin më 30 shtator i shpalli territore ruse katër rajone të Ukrainës. Në fjalimin e tij, ai akuzoi Perëndimin për përdorim të standardeve të dyfishta në respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Që prej nisjes së agresionit mbi Ukrainën në shkurt të këtij viti, Putini dhe vartësit e tij në disa raste kanë tërhequr paralele mes Kosovës dhe rajoneve të aneksuara. Megjithkëtë, kjo është hera e parë që Ministria e Jashtme e Rusisë i referohet specifikisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për Kosovën për të justifikuar se deklarata e pavarësisë së rajoneve të Ukrainës, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Më 23-27 shtator, të ashtuquajturat republikat popullore në Donjeck dhe Luhansk, rajonet Kerson dhe Zaporozhje, që popullohen me shumicë ruse mbajtën referendumet për pranimin e tyre në Federatën Ruse. Sipas rezultateve të publikuara, shumica dërmuese e votuesve – rreth 99 për qind- mbështetën bashkimin me Rusinë.

Kremlini pretendon se referendumet u zhvilluan në përputhje të plotë me standardet dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, teksa kanë përmendur edhe “deklarimin e njëanshëm të pavarësisë” së Kosovës. Sipas tyre, “Populli i Donbasit dhe i jugut të Ukrainës ushtroi të drejtën e ligjshme për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të vitit 1966, Aktin Përfundimtar të Helsinkit të OSBE-së të vitit 1975 dhe verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën të datës 22 korrik 2010”. GJND-ja, siç pretendon MPJ-ja ruse, konfirmoi se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga një pjesë e një shteti nuk cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht përmendjes së Kosovës, Kremlini në vazhdimësi ka mohuar shtetësinë e Kosovës duke e vënë politikën e saj edhe në shërbim të Serbisë. Bllokimi i çfarëdo iniciative në Këshillin e Sigurimit, aty ku Rusia është anëtare e përhershme, për zëvendësimin e Rezolutës 1244 është dëshmi e qartë për qëndrimin kundërshtues të shtetit rus ndaj Kosovës.

Dallimet

Ka argumente të shumta që dëshmojnë se rasti i Kosovës me rajonet e aneksuara nga Rusia nuk ka ngjashmëri. Kosova e kishte shpallur pavarësinë në koordinim me shtetet përendimore dhe që në ditët e para pas deklaratës u njoh nga SHBA-ja, shtete të Bashkimit Evropian e vende tjera në botë. E kundërta ndodhi me rajonet e aneksuara. Presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe Bashkimi Evropian kundërshtuan lëvizjen e Putinit duke thënë se veprimet e tij “nuk kanë legjitimitet” dhe se do t’i respektojnë gjithmonë kufijtë e Ukrainës.

Image

Deklarata e pavarësisë së Kosovës është brenda një konteksti të gjatë historik e politik, i cili kulmoi me ngjarjet e fundviteve 90-ta. Bashkësia Ndërkombëtare nuk kishte lënë gjë pa provuar për ta ndalur agresionin e Sllobodan Millosheviqit mbi popullin e Kosovës, pos ndërhyrjes ushtarake, e cila ndodhi në marsin e vitit 1999.

Nën udhëheqjen e Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, NATO-ja ndërmorri një fushatë intensive për bombardimin e caqeve ushtarake e policore serbe, për ta ndalur spastrimin etnik të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit. Pas 78 ditësh, ushtria dhe policia e Serbisë u dëbuan nga Kosova, dhe në vend të tyre hynë forcat paqëruajtëse të KFOR-it. Ndërkaq Kosova e shpalli pavarësinë 8 vjet pas përfundimit të luftës dhe pas disa vjet negociatash në Vjenë. Në mungesë të konsensusit, Kosova e deklaroi njëanshëm pavarësinë sipas propozimit të presidentit të Finlandës, Marti Ahtisaari, të cilin nuk e kishte pranuar Serbia.

Rusia kishte kundërshtuar fuqishëm ndërhyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë duke paralajmëruar se ngjarjet e fudviteve 90-ta po mbjellin “farën” e një precedenti të rrezikshëm, që do të shfrytëzohej nga Putini vitet në vijim. Fillimisht me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, e së fundi me nisjen e të ashtuquajturit “Operacion Special” për aneksimin e rajoneve tjera në Ukrainë, është konfirmim i asaj që kishte paralajmëruar Putini.

Rasti i Kosovës në të drejtën ndërkombëtare dhe ashtu siç e ka definuar Ahtisaari trajtohet si “sui generis”. Megjithëkëtë, bazuar në nenin 96 të Kartës së OKB-së dhe nenin 65 të Statutit, Serbia i kishte kërkuar GJND-së të jepte mendim këshillues lidhur me pyetjen: ”A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë, e deklaruar nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”.

Pas dëgjimit të argumenteve nga Kosova e Serbia, si dhe shtetet e tjera pro dhe kundër pavarësisë, gjykata arriti në përfundimin se ”Deklarata e Pavarësisë nuk cenon të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”, duke i dhënë kështu fund legjitimitetit të Deklaratës së Pavarësisë nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare.

Përplasja Shqipëri-Rusi në OKB

Disa ditë para shpalljes së aneskimit, çështja e Kosovës u ngrit edhe në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ambasadori rus, Vasily Nebenzya, akuzoi perëndimin se po përdor standarde të dyfishta, “duke ua refuzuar banorëve të Donbasit në territoret e çliruara të Ukrainës, të drejtën për vetëvendosje”. Madje sipas tij, ndryshe nga situata në Krime, Luhansk, Donjeck dhe Zaporizhia, në Kosovë nuk ka pasur referendum por vetëm shpallje të pavarësisë, “e miratuar nga autoritetet e përkohshme vetëqeverisëse që tejkaluan kompetencat e tyre”.

Por atij iu kundërpërgjigj ambasadori i Shqipërisë në OKB Ferit Hoxha. Sipas tij, nuk ka ngjashmëri as nga konteksti historik as ai politik mes rasteve pasi Kosova është njohur nga gjysma e Kombeve të Bashkuara duke përfshirë gjysmën e Këshillit të Sigurimt të OKB-së.

Ankesat e Vuçiqit për ‘standarde të dyfishta’

Veprimet e Putinit në Ukrainë e vunë në dilemë edhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Deri tash ai ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë, megjithë kërkesën e Perëndimit. Por, me t’u shpallur referendumet, Vuçiqi e bëri të qartë se nuk i njeh ato, duke përdor si argument shkëputjen e “paligjshme” të Kosovës. Ngjashëm si Rusia, edhe Vuçiqi ka cituar Kartën e OKB-së dhe rezolutat e miratuara nga kjo organizatë, për respektimin e së drejtës së sovranitetit të shteteve. Serbia vazhdimisht ka tentuar të proklamojë para perëndimit se Kosova nuk është rast “sui generis” dhe se përbën precedent të rrezikshëm teksa ka ngritur aludime se tani edhe Skocia e Katalonia mund të veprojnë ngjashëm. Këto deklarata të Vuçiqit vijnë krahas dramatizimit dhe presionit të pretenduar për zgjidhjen e problemit me Kosovën, në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Në debatin rreth ligjshmërisë së rajoneve të aneksuara nga Rusia u përfshi edhe një aleat tjetër i Putinit nga Ballkani. Anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës Milorad Dodik akuzoi perëndimin dhe arsyetoi refuzimin e Serbisë për mos njohjen e rajoneve të aneksuara, për shkak të Kosovës. Për politikanin serb që është në listën e zezë të SHBA-së, nëse amerikanët mund të mbrojnë qytetarët e tyre kudo në botë atëherë pse, “Rusia nuk ka të drejtë të mbrojë 15 milionë rusë, veçanërisht pas gjithçkaje që përjetuan në Ukrainë”.

Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Beograd Christopher Hill ka thënë se nuk ekziston asnjë analogji mes situatës së luftës së Kosovës para 23 vjetësh dhe asaj të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Sipas diplomatit amerikan, Putinit “as që i intereson Kosova dhe se vetëm po pëpiqet që t’i legjitimojë ato që po ua bën fqinjve të tij”.

Jo vetëm politikanët krahasuan rastin e Kosovës me rajonet e aneksuara në Ukrainë. Reagime të shumta nxiti edhe një postim i njeriut më të pasur në botë Elon Musk, që është pronar i Teslas dhe tashmë pronar dhe drejtor ekzekutiv i “Twitter”. Duke shpërndarë në profilin e tij flamurin e Kosovës, ai tha se qytetarët e Donbasit e Krimesë duhet lënë të vendosin nëse duan të jenë pjesë e Rusisë apo Ukrainës, teksa ka postuar shkrimin e “Britannicas” për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim i tij e shtyu edhe presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, që të iniciojë një sondazh me pyetjen- “a e duan më tepër Musk-un që përkrahë Ukrainën apo atë që përkrahë Rusinë”. Pas më tepër se 1 orë u mblodhën mbi 916 mijë vota, ku 84.6 për qind thanë se e duan një Musk që përkrah Ukrainën.

Narrativat e rreme për luftën

Aksionet e tij në Ukrainë Putini po përpiqet t’i arsyetojë përmes propagandës. Ai është thellësisht i përfshirë në përhapjen e narrativave të rreme rreth luftës, duke kërkuar të portretizojë “operacionin ushtarak special” të Rusisë si një mision pan-sllav për të bashkuar ukrainasit mendjemprehtë me “Nënën Rusi”. Sipas një analize të “Washington Post”, Putini po flirton me të djathtën ekstreme në vendet tjera, por edhe në mesin e popullatës në përgjithësi. Argumentin e mbështet mbi një sondazh të qershorit në Serbi, i cili tregoi se pothuajse dy të tretat e serbëve e konsiderojnë NATO-n fajtore për luftën, ndërsa rreth 10 për qind Rusinë. Në Serbi ka forca gjithnjë e më të rrezikshme që mbështesin Putinin, i cili është i interesuar ta shpërndajë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit. Përveç refuzimit që ta njohë Kosovën, Putini ishte pas një përpjekjeje për grusht shtet në Malin e Zi në vitin 2016, si dhe ka mbështetur elementë separatistë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Image

Për kufijtë e Kosovës vazhdon të kujdeset KFOR-it, që ka paralajmëruar disa herë se nuk do të lejojë cenimin e situatës së sigurisë, pavarësisht tensioneve të kohëpaskohshme përgjatë brezit kufitar me Serbinë. Por zyrtarë të Kosovës nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një lufte me Serbinë, që sipas tyre po mundohet të ndikojë në veriun e populluara me shumicë serbe, sipas modelit rus.

Në fakt, Serbia e Rusia me veprimet obstruktive në vazhdimësi kanë tentuar që ta minojnë shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Vetëm tani kur i aneksoi rajonet e Ukrainës, Putini po tenton që  t’i legjitimojë ato duke u thirrur në të drejtën për vetëvendosje dhe në respektim të vendimit të GJND-së.

*Përgatiti Fitim Gashi.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Gjeni versionin e përkthyer këtu.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.