Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Beteja serbe kundër konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës vazhdon

Ilustrimi nga: Bigeye

Në kohën kur priten negociata intensive për nënshkrimin e planit të Bashkimit Europian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe udhërrëfyesit për zbatimin e tij, Serbia nuk ka hequr dorë nga lufta diplomatike për ta penguar Kosovën në arenën ndërkombëtare, përkatësisht kampanjën e çnjohjeve.

Pas takimit të 27 shkurtit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, tha se palët u dakorduan rreth propozimit të BE-së, megjithëse dokumenti nuk u nënshkrua si rezultat i hezitimit të palës serbe. Borrell deklaroi se tani diskutimet do të bëhen për planin e zbatimit dhe jo për përmbajtjen e marrëveshjes.

Dokumenti përmban edhe nenin përmes të cilit synohet frenimi i Serbisë nga politika e deritashme për ta penguar forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, megjithëse nuk përmenden specifikisht (ç)njohjet. Para takimit në Bruksel, Serbia riktheu fushatën për anulimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, të cilën nuk e ndalën as vizitat e shpeshta të emisarëve europianë dhe amerikanë, që kërkonin kthimin e palëve në tryezën e negociatave.

Iniciativën për tërheqjen e njohjeve e ndërmori ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se janë nëntë vende të cilat kanë revokuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Më 11 janar, shefi i diplomacisë serbe mbajti një konferencë të përbashkët me homologun e tij togolez, Robert Dussey, i cili deklaroi se tërheqja e njohjes së Kosovës nga Togoja është përfundimtare.

Togo e kishte njohur Kosovën në vitin 2014, me ç’rast ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe Robert Ducey patën nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Por pesë vjet më vonë ishe dhënë lajmi për çnjohjen e Togos dhe pozicioni i njëjtë u riafirmua edhe më 2023.

Ky është ndër rastet e rralla kur një shtet publikisht njofton për anulimin e njohjes. Por Serbia ka tentuar t’i keqpërdorë shtetet e tjera, duke prezantuar çnjohje, megjithëse ato nuk janë dëshmuar asnjëherë përmes prezantimit të notave verbale. Qeveria e Kosovës demantoi zyrtarët serbë, të cilët në listën e pretenduar për tërheqjen e njohjeve e përfshinë edhe Gabonin.

Por edhe pas ndryshimeve në qeveri, MPJ-ja asnjëherë nuk e ka hequr prej faqes zyrtare emrin e këtij shteti, që vazhdon të figurojë edhe pas rikonfirmimit se njohja është tërhequr.

Ky zhvillim riaktivizoi diplomatët e Kosovës, të cilët takuan disa prej përfaqësuesve të shteteve me të cilat Serbia pretendon se ka marrëdhënie të mira dhe se kanë tërhequr njohjet.

Kësisoj, ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, takoi homologen nga Gaboni, me të cilën diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Takime të ngjashme me përfaqësues të vendeve afrikane patën edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, ai në AnkaraBritani të MadhePortugali e Japoni.

Fushata e Serbisë shpesh është cilësuar propagandë për faktin se tërheqja de jure e njohjes është çështje e cila nuk ka bazë ligjore në të Drejtën Ndërkombëtare në rastin e Kosovës. Revokimi i njohjes mund të bëhet kur një shtet humb karakteristikat thelbësore të shtetësisë, që nuk është rasti me Kosovën.

Pavarësisht kësaj, diplomacia kosovare është treguar e ngathët për t’iu kundërvënë Serbisë me lobim te vendet më të cenueshme, kryesisht ato afrikane, e as nuk është shfrytëzuar sa duhet momentumi i krijuar pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që thotë se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me rastin e shpalljes së pavarësisë, ashtu siç pretendonte Serbia.

Me gjithë opinionin e favorshëm ndaj Kosovës, qeveria kosovare pranoi të futej në negociata të reja me Serbinë sipas një rezolute të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), ku kryesisht u diskutua për çështjet e brendshme të Kosovës në emër të integrimit të serbëve. Kjo gjë pati efekt negativ edhe në shtimin e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pasi shumë shtete u rezervuan në vendimmarrje në pritje të marrëveshjes me Serbinë.

Kjo dilemë u betonua pas vitit 2018, kur ish-presidenti Hashim Thaçi lansoi idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Mirëpo, ShBA-ja dhe BE-ja kundërshtuan secilën ide që implikonte ndryshimin e mundshëm të kufijve në Ballkan, duke iu rikthyer përpjekjeve të vjetra për një marrëveshje që nuk prek kufijtë.

Lobimin kundër Kosovës, Serbia e ka bërë duke përdorur metoda për të cilat janë ngritur dyshime se ndërlidhen me afera korruptive. Nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), Marinka Tepiq, kishte akuzuar ministrin e Jashtëm serb, Daçiq, se ka mbledhur para nga biznesmenë e tregtarë të armëve për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Më 2019 u publikua edhe një skandal në Republikën e Afrikës Qendrore, ku mediat vendore zbuluan një pagesë prej 350 mijë eurosh nga qeveria serbe, në këmbim të “çnjohjes” së Kosovës.

Metodat e Serbisë për t’i blerë çnjohjet e Kosovës janë përmendur edhe nga ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Sipas tij, kampanjat lobuese kundër Kosovës, përmes ryshfetit dhe shitjes ilegale të armëve dhe veprimeve të ngjashme, tashmë po konfirmoheshin edhe prej Beogradit.

Fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare

Prej vitit 2018 e këndej ka pasur shterpësi sa i përket shtimit të njohjeve. Njohja e fundit për Kosovën ishte nga Izraeli më 4 shtator të vitit 2020, si pjesë e zotimeve të Washingtonit, i cili pati vendosur moratorium njëvjeçar sa u përket aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Mirëpo kjo nuk e ndali Serbinë, e cila krahas fushatës për anulimin e njohjeve shfrytëzoi çdo mundësi për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në njërën prej të cilave u deponua aplikimi vitin e kaluar. Zyrtarët serbë në disa raste janë krenuar se kanë bllokuar përfshirjen e aplikacionit të Kosovës në agjendën e Këshillit të Europës (KiE). Kjo është shoqëruar edhe me dezinformata të shumta, të cilat kanë qarkulluar edhe nëpër mediat e Kosovës.

Pas raportimit të mediave se aplikacioni është rrëzuar me votë nga ambasadorët e vendeve të Këshillit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës reagoi duke mohuar të ketë pasur ndonjë votim që prej 12 majit kur ishte deponuar aplikimi. Sipas MPJD-së, koordinimi me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe lobimi i pandërprerë ka siguruar mbështetje të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit.

Edhe pse shtetet kryesore të BE-së kanë mbështetur aspiratat e Kosovës për anëtarësim në KiE, anëtarësimi i Kosovës në KiE ndërlidhet ngushtë me progresin në dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasada Gjermane në Kosovë ka paralajmëruar se bllokimi i mëtejshëm i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk e bën të lehtë arritjen e shumicës së domosdoshme (2/3 e votave) për t’u anëtarësuar në KiE prej 46 shtetesh anëtare.

Shpresat e Kosovës për anëtarësim në KiE janë rritur ndjeshëm pas përjashtimit të Rusisë si rezultat i luftës në Ukrainën.

Përveç anëtarësimit në KiE, Programi i Partneritetit për Paqe të NATO-s (si hap para anëtarësimit në NATO) dhe UNESCO, janë disa prej organizatave në të cilat Kosova e synon anëtarësimin. Kryeministri Kurti ka themeluar një grup punues për përgatitjen e aplikacionit për anëtarësim në NATO, por që deri tash nuk është dhënë një afat se kur mund të bëhet kjo.

Kosova në të kaluarën është këshilluar nga aleatët që të përmbahet nga kërkesat për aplikime në mënyrë që t’i jepet shans dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Përpjekje të tilla pati në fillim të këtij viti ku synimi është që Kosova dhe Serbia të pajtohen rreth propozimit franko-gjerman. Krahas tjerave, plani i BE-së përmban edhe një klauzolë, sipas së cilës Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Zotime të tilla janë dhënë edhe dialogun e kaluar, sikurse është Marrëveshja e vitit 2013, por që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar ato, duke e luftuar papushim subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Edhe pas dakordimit të proklamuar nga ana e Borrellit në Bruksel, presidenti serb Vuçiq deklaroi se asnjëherë nuk do të pranojë që Kosova të hyjë në OKB.

*Përgatiti: Fitim Gashi 

Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.