Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Dezinformata lidhur me institucionin që lëshoi pasaportën diplomatike për Sahitin

Me 12 prill është publikuar lajmi me titull, ”EKSKLUZIVE: Disenjatori Valdrin Sahiti kapet me drogë dhe arrestohet në aeroportin e Stambollit, përdori pasaportën diplomatike“, ndaj të cilit janë ngritur dyshime për veprën penale – blerja, pranimi, posedimi i drogave dhe stimuluesve për përdorim, bazuar në nenin 191 të kodit penal të Turqisë.

Duke shfrytëzuar këtë rast, disa media që kanë shtrirje edhe në rrjetet sociale spekuluan lidhur me autoritetin që e ka pajisur Sahitin me pasaportë diplomatike.

Kësisoj, faqet në Facebook – “Universal”, “Dardania Press”, “24News” pretenduan se pasaporta diplomatike është lëshuar nga presidentja Vjosa Osmani. Raportimin e kanë ndërlidhur me faktin se Sahiti kujdeset edhe për veshjen e presidentes, e cila kishte qenë pjesëmarrëse edhe në një sfilatë të tij të vitit 2022.

Por mbështetur në dokumentin që ka siguruar Sbunker, vendimin për pasaportën diplomatike e ka nxjerrë ish Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në vitin 2020 me arsyetimin e ”përfaqësimit të interesit shtetëror nga Sahiti në kuadër të projekteve të ndryshme që kanë për qëllim promovimin e interesit të Kosovës“.

Rekomandimi i ish ministres së jashtme Meliza Haradinaj Stublla, për lëshimin e pasaportës diplomatike për Valdrin Sahitin.

Sipas nenit 10 të Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit, pasaportat diplomatike u lëshohen liderëve të shtetit e atyre institucionalë, që veprojnë në emër të Kosovës dhe anëtarëve të ngushtë të familjes. Ndërkaq në nenin 11.2 thuhet: “edhe personave të tjerë të përcaktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”. Por në tërësinë e tij, ligji u referohet vetëm personave të cilët janë të angazhuar zyrtarisht për llogari të shtetit.

Po ashtu ligji përcakton se pasaportën diplomatike dhe pasaportën zyrtare e lëshon Ministria e Punëve të Jashtme dhe jo Presidenca siç është pretenduar.

Ndërkaq organi kompetent për dhënien e pasaportës dhe dokumentit të udhëtimit grupor, është Ministria e Punëve te Brendshme.

Edhe MPJD-ja ka konfirmuar se Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike në dhjetor të vitit 2020, me vendim të ish-ministres Haradinaj-Stublla. Pretendimet e mediave i ka mohuar edhe këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, sipas të cilit  presidentja as nuk lëshon as nuk merr pasaporta diplomatike duke kërkuar që pyetjet të drejtohen tek qeveria paraprake.

”Presidentja asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt, pra as Valdrin Sahitit. Presidentja as nuk e ka rekomanduar nje gjë të tillë. Presidentja nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta”.

Sipas avokatit të  Sahitit, Besnik Berisha, klienti i tij nuk ka pasur asnjë pyetje e asnjë telashe lidhur me pasaportën.

”Lajmi për arrestimin e Valdrin Sahitit në Turqi është i pasaktë. Ai tashmë veç është në Dubai dhe po besoj që kjo lë të nënkuptojë që ata që kanë shkruar se është arrestuar e paraburgosë dhe përmbajtja se çka ka dalë në media nuk është e plota e së vërtetës se çka e ka shoqëruar ngjarjen”, ka thënë Berisha.

Interesimit të medieve lidhur me rastin nuk u janë përgjigjur Policia e Kosovës dhe ajo e Turqisë.

Në ditën kur u raportua për arrestimin, MPJD-ja  deklaroi se janë në pritje të informacioneve zyrtare nga autoritetet turke. Më tej, nuk ka pasur ndonjë përditësim të informatave lidhur me rastin.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.