Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

Dronët “Bayraktar” nuk u ngritën për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mohuar pretendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që tha se i kanë parë dy herë dronët Bajraktarë që kanë vëzhguar nga Kosova në territorin serb. Deklarata e tij u shpërnda nga disa mediume në gjuhën serbe, pa e konfirmuar pretendimin e presidentit serb edhe me burime të tjera.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në seancën e kolegjit të zgjeruar të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Kazermën “Banjica 2”, prej ku deklaroi se: “’bajraktarët‘ shqiptarë janë vërejtur duke u ngritur nga drejtimi i Gjakovës më 5 dhe 20 qershor, në lartësinë 5800 metra, me synimin për të vëzhguar pozicionin e ushtrisë serbe”.

Foto: RTS.sr 

Ky pretendim i pambështetur në fakte i Vuçiqit më 3 korrik u shpërnda nga mediume serbe, si: Novosti.rs, Radio Kontakt Plus, SatTv, Infobg.rs, Politika.rs, Euronews.rs, Pravda.rs.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e demantoi pretendimin e presidentit tek tha se këto deklarata janë të pasakta, pasi operimi i këtyre dronëve bëhet vetëm në Republikën e Kosovës.

“Kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të fokusuara në ndërtimin e elementëve për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit tonë. Në këtë aspekt, edhe dronët ‘Bayraktar’, si pjesë e sistemit të armatimit të inventarit të FSK-së, janë pjesë përbërëse e njësive operacionale të FSK-së dhe ne në kuadër të FSK-së kemi njësinë e sistemeve ajrore pa pilotë, që kryen operim me dronët “Bayraktar” dhe normalisht që operimi i tyre bëhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa pasur synim vëzhgimin e asnjë vendi fqinj dhe pa pasur synim shkeljen e hapësirës ajrore të asnjë vendi. Normalisht, bazuar në planin e operimit, këta dronë fluturojnë në qiellin e Kosovës, gjithmonë pra me synimin që të testohen, të operohet me ta me qëllim të vëzhgimit të terrenit në Republikën e Kosovës”, është shprehur Maqedonci.

Autoritetin mbi hapësirën ajrore të Kosovës e ka KFOR-i. Pasi kryeministri Albin Kurti pati prezantuar blerjen e dronëve në korrik të 2023-tës, misioni i NATO-s, përmes një komunikate për media, pati sqaruar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale. Sipas tyre, lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”.

“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Kjo nuk është hera e parë që aktivitetet e FSK-së, brenda dhe jashtë vendit, mediat serbe i ndërlidhin me sulm të mundshëm ndaj Serbisë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.