Qeveria e Serbisë dhe mediat e afërta me pushtetin në Beograd ndërmorën një fushatë të koordinuar linçimi ndaj dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, pas publikimit në Sbunker të artikullit me titull “Teatri si maqineri e propagandës politike” , i cili është i botuar në dy pjesë si një kritikë për shfaqjen LIFT: Sllobodan Shou, që u shfaq në Graçanicë më 6 mars 2018. Në këtë shkrim Neziraj shpërfaq qëllimet ideologjike të qeverisë serbe, e cila e përdor teatrin paralel si mjet në shërbim të interesave hegjemoniste, në veçanti në raport me Kosovën.
Në atë artikull, Neziraj argumenton ndër të tjerash se: “Ky teatër (teatri serb) është themeluar si përpjekje për të krijuar vazhdimësi të ‘institucioneve serbe’ që kanë qenë para luftës në Kosovë, në ‘krahinën e tyre të dikurshme’. Synimi i tyre, së paku simbolik, është që këto institucione (pra, edhe ky teatër i zhvendosur përkohësisht në Beograd) një ditë të kthehen dhe të vendosen sërish në Kosovë”.
Në përpjekje për t’iu kundërvënë argumenteve të Nezirajt, disa media pro qeveritare dhe ruse në Serbi shpërndanë dezinformata duke i keqlexuar dhe keqinterpretuar qëllimisht mesazhet dhe argumentet e tij. Për disa ditë me radhë, “Novosti e “Sputnik” publikuan artikuj propagandues me protagonistë të fushave të ndryshme që sulmonin personin e Nezirajt.
Fushatës së mediave serbe e ruse iu bashkua edhe Ministria e Kulturës e Serbisë, duke e akuzuar Nezirajn se ka për qëllim “shkatërrimin e kulturës serbe në Kosovë”.
“Ta quash një institucion të tillë (teatrin serb) armë e propagandës hegjemoniste të Serbisë së Madhe është edhe e tmerrshme, edhe jashtëzakonisht e rrezikshme për sigurinë e serbëve në Kosovë”, shkruhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës Serbe.
Krahas qeverisë e mediave, akuza në drejtim të Nezirajt drejtuan edhe artistë e punetorë teatri nga Kosova e nga Serbia. Shoqata e Teatrove Profesioniste të Serbisë ka akuzuar Nezirajn se përmes artikullit në Sbunker përpiqet “të shkatërrojë teatrin dhe të sulmojë artistët”.
Kurse, Predrag Radonjiq – drejtor i të ashtuquajturit “Teatri Popullor i Prishtinës” – tha se qëndrimi i Nezirajt është “i ngjashëm me atë të elitës intelektuale shqiptare, që për synim ka vështirësimin e jetesës së serbëve”.
Ndërkaq, Jelena Bogavac – dramaturge e shfaqjes LIFT: Sllobodan Shou – ka deklaruar për të përditshmen Danas se ky artikull “e ka befasuar” dhe se tash e ka kuptuar qartë “agjendën politike të Jeton Nezirajt” dhe se “po punohet për mbylljen e Teatrit Popullor në Graçanicë”. Më tej, ajo ka thënë se shfaqja mbi jetën e Millosheviqit “flet për vete” dhe se është e bazuar “vetëm në të dhëna të dokumentuara, ato që janë publikuar në media, studime…”. Në ketë menyrë, dramaturgia Bogavac e rikonfirmon kritikat e Nezirajt lidhur prirjen e qartë të autorëve të shfaqjes për të relativizuar krimet e Millosheviqit në Kosovë dhe në ish Jugosllavi në vitet 1990.
Ndër zërat e rrallë që i doli në mbrojtje Nezirajt është shkrimtari dhe kritiku Sasha Iliq, i cili tha se teatri në Serbi ka vdekur. “Në këtë rast, bëhet fjalë për një sulm të përbashkët ndaj dramaturgut prishtinas Jeton Neziraj, përndryshe mysafir i preferuar i teatrit të Beogradit në kohë paqeje. Megjithatë, kur bie errësira politike, gjërat ndryshojnë rrënjësisht”, shkruan Iliq në reagimin e tij.
Edhe drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare Natasha Kandiq, ka thënë se Teatri në Graçanicë është “një manipulim politik që nuk ka lidhje me artin”. Ajo i ka bërë thirrje artistëve që të ngrisin zërin në mbështetje të Nezirajt dhe të dalin kundër mediave luftënxitëse si “Novosti”
Pas fushatës linçuese serbe, e cila zgjati disa ditë, erdhi edhe reagimi i Nezirajt. Ai deklaroi për Sbunkerin se tërë histeria e orkestruar e reagimeve është nxitur nga një besim i rremë që shkrimi është shkruar me qëllim që t’i hapë rrugë shuarjes së “Teatrit Popullor të Prishtinës” (Народно позориште Приштина), “përkohësisht i zhvendosur në Beograd”, siç i referohen në Serbi.
Neziraj konsideron se sulmet ndaj tij janë personale dhe demonizuese.
“Gati në secilin prej shkrimeve pyetja që shtrohej ishte “përse pikërisht tani ky shkrim”, dhe atëherë kur nuk e thoshin, përgjigjja nënkuptohej, pra gjoja se “shkrimi ishte shkruar si pjesë e një komploti politik kundër serbëve të Kosovës”. Në këto shkrime unë përshkruhem si “armiku i Prishtinës”, një njeri me superfuqi, që paskam në dorë hiç më pak sesa fuqinë për ta shuar atë teatër”.
Neziraj gjithashtu u shpreh i habitur se si me një shpejtësi marramendëse ai u shndërrua në “Prishtina’”, apo në “Shqiptarët”. “Pra, ngadalë, u zhvesha nga atributet e një dramaturgu dhe një individi dhe m’u veshën atribute përfaqësuese nacionale, respektivisht qeveritare. Dhe, në fakt, ata shpesh, duke zmadhuar peshën time si dramaturg, synonin ta zmadhonin edhe peshën time dhe fuqinë ekzekutive për vendime të tilla kaq të rëndësishme”, shtoi Neziraj.
Duke iu referuar reagimeve të teatrove, individëve, artistëve, shoqatave e grupeve joformale e Ministrisë së Kulturës së Serbisë, Neziraj thotë se u ndez një alarm kombëtar në Serbi, si rrallë më parë.
““Intelektuali liberal” apo “shqiptari më liberal i Kosovës”, siç më quanin përnjëherë, u shndërrua në “armikun e teatrit serb”. Përderisa dikur më 2004, kur me shkrime të tilla u përgatitën ngjarjet e marsit, tani unë qenkam ai që përgatitkam “shfarosjen e kulturës serbe” në Kosovë”, shprehet Neziraj.
Gjithnjë sipas tij, histeria në Serbi u nxit nga copëzat e marra jashtë kontekstit, nga riinterpretimet dhe nga leximi i shtrembëruar i atyre që kisha shkruar. Dhe kjo flet edhe për peizazhin e kontaminuar mediatik në Serbi, por edhe për mjedisin kulturor të kontaminuar, që kurdo që e kërkon “kauza kombëtare”, reagon, vajton e sulmon në grup, si llavë ujqërish”, thotë Neziraj.
Ai ka ritheksuar se themelimi i një teatri është gjithmonë akt emancipues, por ky i Graçanicës nuk është themeluar nga qeveria serbe mbi këto parime artistike e shoqërore, si një ndërmarrje artistike për emancipim social e kulturor, por është themeluar me qëllime politike-hegjemoniste, sepse qasja hegjemoniste ka qenë dhe ngelet akoma politikë zyrtare serbe ndaj Kosovës. Por, këtë gjë, shumë njerëz në Serbi, përfshirë krijuesit në teatër, nuk mund ta kuptojnë.
“Ata kritikat e mia i zhvendosin jashtë kontekstit shoqëror e politik të vendeve tona. Prandaj, ajo çfarë them, atyre u tingëllon e çuditshme. Nuk jam kundër teatrit… Kurrë nuk kam qenë… Kurrë nuk mund të jem. Jam kundër teatrit që përdoret si mashë ideologjike. Jam kundër atij teatri që në vend se të shërojë, krijon plagë të reja, krijon më shumë dhimbje”, thekson Neziraj.
LIFT: Sllobodan Shou flet për Millosheviqin dhe raportet e tij me familjen gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Shfaqjet si ajo në Graçanicë, sipas Nezirajt, nuk i shërbejnë publikut por krijohen për të riprodhuar trauma, fyejnë viktimat dhe kujtimin e njerëzve të pafajshëm që kanë pësuar nga Millosheviqi dhe regjimi i tij.
Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”