Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Kërcënimet me bomba shqetësim për sigurinë e vendit

Vala e kërcënimeve në rajon me alarme të rrejshme për bomba ka prekur edhe Kosovën. Mesazhe kërcënuese nga adresa anonime janë dërguar në Universitet, shkolla, aeroport dhe stacion të autobusëve.

Deri tash nuk u gjet asnjë bombë. Por alarmet përhapën panik duke sfiduar edhe kapacitetet e organeve të sigurisë, të cilat kanë shpeshtuar kontrollet muajt e fundit.

Alarmet për bomba nisën në dhjetor 2021 dhe u intensifikuan gjatë muajve prill-qershor. Tentimi për të krijuar një situatë të rrezikut të përgjithshëm vjen në kohën kur agresioni rus mbi Ukrainën po vazhdon, e Ballkani Perëndimor, përfshi Kosovën, nuk kanë qenë imun ndaj luftës hibride të Rusisë. Kjo bëhet kryesisht nëpërmjet lajmeve të rrejshme dhe deklaratave sikurse ato që mohojnë krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit, 1998-99.

Alarmet për bomba janë paraqitur si formë e re përmes së cilës synohet të shkaktohet frikë e tension tek qytetarët, dhe rrjedhimisht destabilizim të rendit publik.

Por ndryshe prej vendeve të rajonit, të cilat ofruan më shumë detaje lidhur me autorët dhe adresat prej nga erdhën kërcënimet, autoritetet e Kosovës nuk dhanë ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Nuk dihet nëse mungesa e informacioneve është për arsye të sigurisë ose faktit se ende nuk janë identifikuar autorët e kërcënimeve.

73 alarme për bomba brenda një dite

Të njëjtën ditë kur u mbajtën dy protesta në Prishtinë- njëra e organizatave të veteranëve të UÇK-së që kërkuan rritje të pensionit krahas pagës minimale dhe tjetra e sindikatës së KEK-ut që kërkon lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional- u dhanë 73 alarme për bomba të rrejshme në rajonin e Gjilanit dhe komunat veriore, që popullohen me shumicë serbe. Kjo aktivizoi njësitë përkatëse të Policisë, të cilat kryen kontrolle të detajuara në ato lokacione. Megjithëkëtë, në fund të gjitha alarmet rezultuan të rrejshme. Pavarësisht kësaj, situata u vlerësua shqetësuese për faktin se cak i kërcënimit ishin institucionet arsimore të të gjitha moshave. Me këtë rast, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri thirrje të mos krijohen shqetësime dhe panik, teksa premtoi se mbesin të përkushtuar për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Por të pazbuluar mbeten autorët e kërcënimeve dhe adresat se prej nga erdhën mesazhet kërcënuese.

Me kërcënime të rrejshme për vendosjen e bombave u alarmua edhe aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”, madje dy herë brenda qershorit.

Udhëtarët që ishin në bordin e linjës së aeroplanit Munih-Prishtinë kanë transmetuar mesazhin e pilotit që u kishte thënë se kërcënimi në Aeroportin e Prishtinës është i nivelit më të lartë. Aeroplani është detyruar të devijojë për në Shkup, në pritje të udhëzimeve bazuar në situatën në Aeroportin e Prishtinës. Për rreth pesë orë askush nuk ishte lejuar të dalë nga avioni.

Policia e ka kontrolluar edhe pistën, pasi ka pasur informacione se gjoja mund të ketë bomba edhe në aeroplanë të tjerë. Por pas kontrolleve, u konstatua se alarmet ishin të rrejshme dhe aeroporti iu kthye normalitetit.

Përveç panikut në mesin e udhëtarëve, alarmi pati efekt edhe në Zvicër. Sipas raportimit të mediave, autoritetet zvicerane të sigurisë me të marrë njoftimin për alarmin me bombë në aeroportin e Prishtinës, aktivizuan dy aeroplanë luftarakë të tipit “F/A-18”. Një lexues i Blick rrëfeu për “dy zhurma të mëdha” në zonën e Arth-Goldau SZ rreth orës 19:15 nga aeroplanë që po fluturonin në distancë të afërt.

Një alarm i rrejshëm për bomba në aeroport u dha edhe më 2 qershor. Fillimisht, u dyshua se mjeti shpërthyes ishte në fluturimin Prishtinë-Romë. Kërcënimi për bombë ishte bërë gjatë kohës sa aeroplani ka qenë në fluturim, duke krijuar shqetësim të madh tek udhëtarët. Mirëpo zyrtarët policorë thanë se gjendja e tyre shëndetësore për shkak të panikut ka qenë e mirë. Sipas shefit të policisë së aeroportit, pasi evakuimit të pasagjerëve, policia ka kontrolluar avionin dhe bagazhet, por nuk ka gjetur asgjë.

Shtimi i alarmeve të rrejshme

Këto nuk ishin alarmet e vetme të rrejshme për bomba, të cilat nisën në fundvitin e kaluar por intensiteti i tyre u shtua gjatë javëve të fundit.

Më 17 dhe 18 maj, Rektorati i Universitetit të Prishtinës dhe shkolla e mesme “Xhevdet Doda” u alarmuan për mjete shpërthyese në ndërtesat e tyre.

Rektorati pranoi direkt kërcënimin në adresën zyrtare elektronike nga dërguesi “[email protected]”, në ora 13:45. Mesazhi kërcënues ishte shkruar në gjuhën angleze me përmbajtjen: “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”. Pas pranimit të emailit kërcënues, Policia rrethoi zonën përreth rektoratit dhe për disa orë kontrolluan nëse ka bomba. Por edhe ky alarm doli të jetë i rremë.

Lidhur me këto raste, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hapur rast për veprën penale “kallëzim i rremë”.

Dënime për ata që bëjnë lajmërime të rrejshme

Ligji për rendin dhe qetësinë publike parasheh dënime për këdo që bënë lajmërim të rrejshëm. Aty parashihet që kushdo që me dashje shkakton panik në tubime publike, duke lajmëruar rrejshëm për alarm nga zjarri dhe për kërcenim me bombë, do të dënohet për kundërvajtje. Kryerësi i veprës dënohet me gjobë prej 30 deri 500 euro apo me dënimin me burg deri në 30 ditë.

Alarme për bomba kanë pranuar edhe mediat nga radhët e komunitetit jo shumicë serbe.

Një të tillë e ka raportuar portali “kosovo-online” i cili vepron në Mitrovicën e Veriut. Ata kanë bashkëngjitur edhe emailin kërcënues ku shkruhej- “Në ambientet tuaja është vendosur një mjet shpërthyes, i cili do të shpërthejë saktësisht në orën 22.15. Lavdi Ukrainës”. Emaili është shkruar në gjuhën ukrainase dhe sipas tyre është dërguar nga adresa me emrin, “Azov Ukraine”. Edhe ky alarm rezultoi i rremë.

Portali kosovo-online ka shtrirje të madhe në katër komunat veriore të Kosovës dhe për të është raportuar se transmeton propagandë serbe dhe ruse në Kosovë.

Ndërlidhja me kërcënimet në shtetet e rajonit

Në fakt, pushteti në Serbi, dhjetëra kërcënimet e pranuara me bomba i ka ndërlidhur me situatën në Ukrainë. Autoritetet serbe pretendojnë se forma e kërcënimit me bomba është një “luftë speciale hibride” kundër Serbisë, duke e ndërlidhur me refuzimin për t’i vendosur sanksione Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën.

Vetëm në dy muajt e fundit, disa institucione publike në qendër të Beogradit dhe aeroporti në qytetin jugor të Nishit u evakuuan pas kërcënimeve me bomba. Sipas MPB-së së Serbisë, 97 shkolla fillore dhe disa shkolla të mesme pranuan kërcënime me bomba por të cilat pas kontrolleve rezultuan të rreme. Ka pasur edhe kërcënime se mjete shpërthyese janë vendosur në ura dhe në qendrat tregtare në Beograd.

Policia atje njoftoi se, 8 e-maile erdhën nga Polonia, 4 nga Gambia, 2 nga Irani e Nigeria, të tjerat nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia. Sipas tyre, janë identifikuar edhe personat që kanë dërguar e-mail kërcënues dhe meqë janë shtetas të huaj, përmes Europolit dhe Interpolit, po shkëmbehen të dhënat me policinë në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari.

Në raport me Kosovën, identifikimi i autorëve mund të jetë më i vështirë pasi nuk është anëtare e INTERPOL-it, ku shkëmbimi i informatave do të ishte më efikas.

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të brishta dhe përveç tensioneve të kohëpaskohshme në terren, kjo u manifestua edhe nëpërmjet alarmeve të rrejshme. Periudhën kur u intensifikuan alarmet për bomba, në Beograd u mbajt festivali i përvitshëm “Mirëdita Dobërdan”, që ka për qëllim promovimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Serbisë nëpërmjet kulturës e artit. Por, ceremonia hapëse u ndërpre në gjysmë pas një alarmi për bombë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor. Për rreth gjysmë ore hapësira u kontrollua nga njësiti për çminim, i cili konfirmoi se alarmi ishte i rrejshëm. Njoftimi për bombë ka ardhur nga e njëjta adresë elektronike prej nga është lëshuar një tjetër njoftim për bombë pas hapjes së ekspozitës “Gjithë lotët tanë” në “NGO Hub”. Edhe ky doli të jetë alarm i rremë.

Që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës, alarmet për bomba janë bërë të zakonshme edhe në vendet tjera të rajonit. Ndësa, për herë të parë ato kanë prekur edhe Republikën Serbe dhe kantonin e Sarajevës.

Policia atje ka njoftuar për e-mailet kërcënuese në shkollat fillore dhe të mesme. Kërcënime me bomba ka pasur edhe në Mal të Zi, kurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë prekur ende nga këto kërcënime.

Edhe pse në këtë fazë nuk dihet nëse kërcënuesit me bomba të rrejshme kanë lidhje me shtetet prej ku u dërguan mesazhet, mënyra dhe institucionet ku u dërguan kërcënimet qenë të ngjashme në të gjitha shtetet. Cak ishin shkollat dhe aeroportet.

Alarmet e tilla në rajon shtrojnë domosdoshmërinë që institucionet përkatëse të sigurisë të rrisin nivelin e gatishmërisë dhe të shkëmbejnë informacionet nëse porositë që dërgohen janë të ndërlidhura dhe kanë qëllim të njëjtë, që të nxisin frikë dhe panik tek qytetarët dhe kështu të destabilizojnë rendin shoqëror e politik.

* Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.